Nga Anxhela Ferra
Në përditshmërinë tonë shpesh dëgjojmë njerëz të thonë “më dhembin kockat, kam reumatizëm.” Nuk janë vetëm të moshuarit që e vuajnë, por edhe të rinjtë e deri te fëmijët.
Reumatologjia studion sëmundjet reumatizmale ku përfshihen artritet, fibrozitet, bursitet, ethen reumatizmale, gutën si dhe çdo situatë tjetër klinike që shoqërohet me dhimbje dhe ngurtësim të sistemit muskulo*skeletik.
Dr. Ergeta Ktona, reumatologe në spitalin Continental, Tiranë, në një intervistë për dritare.net, flet mbi shkaqet, trajtimin dhe mitet e sëmundjeve reumatizmale.
Ktona bën thirrje për më tepër kujdes ndaj këtyre sëmundjeve pasi sipas saj, një në tre gra vuajnë nga osteoporoza, ndërkohë për meshkujt raporti është një në pesë.
Dritare.net– اfarë janë sëmundjet reumatizmale?
Dr. Ergeta Ktona- Sëmundjet reumatizmale përfshijnë të gjitha ato sëmundje të cilat prekin kryesisht sistemin muskuloskeletik, pa lënë mënjanë edhe lëkurën dhe organet e brendëshme. Që në formim njeriu është i konceptuar nga sistemi muskulor dhe ai skeletik të cilet i japin atij formën, suportin, lëvizshmërinë dhe stabilitetin, duke qenë të ndërtuar nga kocka të skeletit, muskuj, kërce, tendinë, ligament dhe ind lidhor. Sëmundje reumatizmale janë të gjitha sëmundjet që përfshijnë njërin ose disa prej elementeve të mësipërme.
Sistemi skeletik luan një rol të jashtëzakonshëm, jo vetëm për faktin se krijon formën trupore dhe mbron organet e brendëshme, por në të prodhohet edhe gjaku i organizmit tonë si dhe depozitohen mineralet. Njeriu lind me rreth 300 kocka, shumë prej tyre nga lindja e deri në rritje ngjiten duke u përmbledhur në 206 kocka. Dhe për rastësi edhe semundjet reumatizmale janë afërsisht në të njëjtin numër.
Dritare.net– Cilat janë karakteristikat e përbashkëta të sëmundjeve reumatizmale?
Shumica e sëmundjeve reumatizmale kanë te pranishëm një element i cili shpesh prish edhe cilesine e jetës ”dhimbja”, e cila në varësi të sëmundjes dhe artikulacionit të prekur, ka trajta të ndryshme. Dhimbjet e shtyllës kurrizore jo vetëm që janë të pranishme në zonën e lënduar por në rastet e ngacmimeve nervore dhimbja përhapet edhe në distancë. Në raste të tjera si në artrozat e gjunjëve, capokëve, shpatullave, dhimbja shtohet me lëvizjet dhe zhduket në kushtet e qetësisë. Sigurisht ka edhe diferenca të tjera të manifestimit të dhimbjeve. Sëmundjet e ashtuquajtura autoimune kanë karakteristikë praninë e dhimbjes gjatë natës dhe nuk ndikohen nga lëvizja.
Por është interesant fakti që një prej patologjive reumatizmale më të shpeshta siç është osteoporoza, nuk shoqërohet me dhimbje deri në momentin kur për shkak të saj ndodhin fraktura kockore. Asnjëherë dhimbja nuk duhet të neglizhohet pasi shpesh herë ndodh që sëmundje të cilat nuk lidhen me probleme reumatizmale, ndonjëherë edhe ato malinje, reflektohen me dhimbje kockore dhe muskulore. Në sëmundje të ndryshme, dhimbja mund të mos jetë fare e pranishme dhe të kemi prekje të organeve dhe të lëkurës në mënyrë të ndjeshme. Gjithashtu ënjtja e kyçeve, skuqja, deformimet kockore dhe pamundësia për t’i lëvizur lirshëm kycet janë karakteristikat më të shpeshta të sëmundjeve reumatizmale.
Dritare.net– Cilat janë shkaqet dhe si ndikon secili prej tyre?
Duke filluar nga mosha pediatrike ku hidhen themelet e një stature të rregullt, projektohen tendencat për disa prej sëmundjeve reumatizamle. Ulja në bankën e shkolles, pozicioni jo korrekt i shtyllës kurrizore krijon bazat e para të skoliozave të shtyllës kurrizore të cilat në të ardhmen do të favorizojnë probleme edhe më të ndjeshme. Profesione të caktuar, të cilat janë të detyruara të qëndrojnë me orë të tëra ulur në pozicione të detyruara sjell fillimin e spondyloartrozave që në mosha shumë të reja.
Duhet të kosnumohet një dietë e mirëbalancuar me minerale, kryesisht me kalcium dhe magnesium, nga të gjithë grupmoshat e në veçanti nga fëmijët, gratë shtatzëna dhe ato në periudhën e menopauzës. Përdorimi i këtyre mikroelementeve në sasi të mjaftueshme do të parandalojë, por jo domosdoshmërisht do të shmangë osteoporozën në të ardhmen. Një në tre gra vuajnë nga osteoporoza dhe një në pesë burra. Tendencat e ushqyerjes kanë favorizuar obezitetin, i cili mbetet ndër shkaqet kryesore të problemeve të disa prej artikulacioneve, sidomos të gjunjëve dhe çapokëve.
Një grua me barrë duhet të ketë një trajtim mjekësor shumë të kujdesshëm, jo vetem gjate periudhës së shtatzënisë por edhe gjatë laktacionit, me multiminerale të cilët jo vetëm do të mirëmbajnë sistemin kockor të nënës, por do jenë edhe një ushqyes shumë i mire i sistemit kockor të fëmijës. Përveç kësaj periudhe të jetës edhe në momentin e fillimit të menopauzës ku ulen nivelet hormonale femërore kemi varfërim të kockës nga kalciumi, si dhe ulja e vlerave të testosteronit tek meshkujt sjell të njëjtat efekte osteoporotike.
Një kontigjent tjetër sëmundjesh janë ato autoimune të cilat për fat të mirë me evoluimin e teknologjisë farmaceutike janë të mirëtrajtuara. Përmenden artriti rheumatoid, spondiliti ankilozant, lupusi eritematoz i diseminuar, sklerodermia sistemike etj, kanë si shkaktarë kryesor komponentin autoimun, i cili favorizohet nga baza gjenetike dhe nga elementët mjedisor.
Dritare.net– اfarë ndodh nëse sëmundja nuk kapet në kohë dhe nuk trajtohet?
Diagnostikimi sa më i hershëm i sëmundjeve reumatizmale dhe kryesisht grupit të sëmundjeve autoimune jo vetëm që përmirëson ndjeshëm cilësinë e jetës së pacientit por ul edhe kostot ekonomike. Diagnostikimi i hershëm i një pacienti me artrit rheumatoid do mundësojë fillimin e terapive të cilat do të frenojnë sëmundjen dhe nuk do të lejojnë ngjitjen (ankilozat) dhe deformimet kockore, shpesh edhe invaliditetin e pacientit. Fillimi i terapisë për osteoporozën që në momentet e para ku ajo nuk është ende e instaluar, do të parandalonte frakturat dhe shpesh edhe invaliditetin e të sëmurëve. Diagnostikimi sa me i shpejtë i një pacienti me lupus eritematoz apo me skledodermine Sistemike, do t’i shpëtonte prekjen e organeve të brendshme pacientëve deri në shpëtimin e jetës. Sëmundjet reumatizmale kanë karakteristiken e të qënit kronike, ndaj sa me shpejt të diagnostikohen aq më e lehtë do të jetë trajtimi i tyre dhe mbajtja nën kontroll.