Papa Françesku ndodhet në një vizitë historike në ishullin grek, Lesbos, aty ku ndodhen me mijëra refugjatë.
Qëllimi kryesor i kësaj vizite në këtë ishull prej të cilit ka kaluar shumica e valës së refugjatëve në vitin e kaluar dhe gjatë tre muajve të parë të këtij viti është të çojë një mesazh të fortë humanizmi dhe solidariteti gjithë komunitetit mbarëbotëror në përballimin e krizës së refugjatëve.
Ndërkohë, kjo foto e këtij refugjati ka prekur shumë zemra. Ai ka shpërthyer në lot teksa është ulur në gjunjë para Papës, në ishullin Lesbos në Greqi.
Sipas medieve greke, refugjati me lot në sy i gjunjëzuar shqipton: “Papë, të lutem më beko!”.
Gjithashtu, gjatë vizitës një refugjat iu afrua Atit të Shenjtë dhe i dha piktura qe kishte përgatitur për të. “Kjo është për mua?”, e pyeti Papa.
Ndërkohë, një nga fëmijët i ka dhënë një letër Papës duke i kërkuar atij që ta ndihmojë për të kaluar në Italinë veriore e të takojë të afërmit.
/Shekulli Online/