Realizmi artistik i Blushit dhe surrealizmi historik i Shqiptarëve

Bilderberg

Anëtar i ri
Realizmi artistik i Blushit dhe surrealizmi historik i Shqiptarëve

Sunday, 11 May 2008
blushi_ben_150.jpg
Nga Altin Goxhaj




Përqasja historike e simbolikës estetike të ARMIKUT në Librin e Ben Blushit "Të jetosh në Ishull" "lufto çdo ditë, lufto me veten,kur do ta dish të paktën s'do jesh më viktimë" (Bojken Lako)

"Desh Zoti që një bandit, i cili donte të vriste dhe të dëbonte myslimanët nga Voskopoja, të zhdukej dhe ai u mbyt në mëkatin e tij. Desh Zoti që të krishterët të merrnin një ndëshkim për të gjitha vuajtjet dhe mizoritë që u kanë bërë myslimanëve në Voskopojë, dhe ata u gjakosën, u varfëruan, u shkatërruan dhe shumë prej tyre ikën të lebetitur duke humbur pasuritë dhe familjet e tyre. Desh Zoti që Këshilli i qytetit, që drejtonte kundër ligjeve të kuranit famëlart, të zhbëhej për të gjitha vendimet e padrejta dhe hakmarrëse që ka marrë kundër myslimanëve, dhe këshilli u zhbë dhe nuk do të bëhet më. Desh Zoti që librat e Voskopojës, të shkruara me shkronjat e të pafeve, të mos e shihnin më dritën e diellit, dhe ashtu u bë dhe libra nuk ka më. … desh Zoti që fëmijët e besimtarëve të devotshëm të dallohen nga ata të jobesimtarëve të pafe dhe këtyre të dytëve u lidhi një shall të kuq në qafë që t'ua marrë frymën sa herë t'I dalloje nga atje lart ku qëndron…
Desh Zoti që unë të jem këtu dhe unë ja ku jam për ta prishur vetminë tuaj, për t'I dhënë ujë buzëve të etura, për t'I dhënë dritë syve të mbyllur, për t'I dhënë frymë zemrave të dobta, për t'I dhënë qumësht gjinjve të tharë, për t'I dhënë gjak muskujve të lodhur, për t'I dhënë zë veshëve të shurdhët, për t'I dhënë bukë gojëve të uritura, për t'I dhënë nënë dhe babë jetimëve, për t'I dhënë shpirt të gjallëve, për t'I dhënë varr të vdekurve, për t'I dhënë duar të pambrojturve, për t'I dhënë armë të sulmuarve, për t'I dhënë tokë endacakëve, për t'I dhënë forcë luftëtarëve, për t'I dhënë dije të paditurve, për t'I dhënë një qytet myslimanëve, për t'I dhënë Zot Voskopojës." (f.266 – 267)

Me këto fjalë iu drejtohet Hoxha i turqve shqiptarëve të gatshëm për hakmarrje.
Dhe këtu fillon dhe mbaron historia e Shqipërisë dhe shqiptarëve. Në qindra vjet. Këtu buron edhe mësimi i myslimanit të vogël Ali: "Po të isha unë profet, do t'I kisha thënë Isakut të mos e linte hoxhën të hynte në Voskopojë sepse ai e mësoi Sali Binishin si ta digjte qytetin". (f.284)
Jemi ne shqiptarët që jemi armiq të shqiptarëve. Të huajt vetëm se na rrahin krahët dhe na pëshpërisin. Siç dhe Blushi e paraqet në mënyrë shumë domethënëse në faqe 266-267 kur Hoxha po miraton dhunën shqiptare kundër shqiptarëve të cilët vetë kërkojnë të motivojnë hakmarrjen personale duke u fshehur në mënyrë gënjeshtare pas fjalës së Zotit. Siç e bën edhe Marin Kurila kur humbet legjitimitetin e zgjedhjeve njësoj si edhe Sali Benishi që fshihet pas Profetit kur fyhet personalisht.

Faktori misionar i Armikut përçarës
Duke pasur parasysh modelin tredimensional të udhëheqësisë arketipike të ishullit blushian të përbërë nga tre komponentë, Prijësi pastoral dhe Princi (që qëndrojnë përballë njëri-tjetrit), ku mes tyre futet me vështirësi i Urti, në dy anët ekstreme të kësaj treshe, qëndrojnë si dy pole tërheqës dhe shtytës, 2 "zana" joshëse por kobsjellëse: Hoxha i Turqve dhe Prifti Grek.
Këto dy pole shërbejnë si zëra sirenor që ndjellin armiqësinë dhe përçarjen, armiqësi që sa më shumë vazhdon aq më shumë rrënoja sjell. Dhe këto rrënoja mund të sjellin një "komb rrënojë" (siç e quan Kadare në "Vizitë në Kështjellën Grace"). Dhe kjo përçarje kënaq si interesin e turqizimit të shqiptarëve dhe greqizimin e gjuhës dhe të identitetit të krishterimit shqiptar. Por këtë si gjithmonë fajtorët janë vetë shqiptarët, sepse "duke i quajtur turq shqiptarët myslimanë, në fakt, i kanë hedhur ata si armë në duart e turqve. Me ato duar turqit kanë luftuar dhe kanë pushtuar fshatrat dhe qytetet tona. Në të vërtetë shqiptarët kanë luftuar kundër shqiptarëve dhe njëra palë besonte se luftonte kundër turqve, ndërsa pala tjetër ngushëllohej se luftonte kundër grekëve. Kësisoj nuk ka mbetur asnjë pëllëmbë Shqipëri dhe kujtdo që fitonte i thuhej se fitoi si turk dhe kujtdo që humbte i thuhej se humbi ngaqë ishte grek.»

Armiqtë e Ishullit
Historia e Ishullit të Blushit është një përpjekje psikanalitike për të dekonstruktuar arketipin e udhëheqësisë shqiptare në histori. Blushi paraqet historinë e vetshkatërrimit bipolar të personazheve dhe ishullit të tyre jo nga ushtritë e të huajve por nga vetë shqiptarët, të pëshpëritur nga misionarët e huaj që vetë shqiptarët i ftojnë në vatrat e tyre. Sepse Armiku i jashtëm nuk ekziston si një ushtri shkatërrimtare por shfaqet në formën e misionarit që argumenton nevojën për vëllavarsje dhe ndarje! Ai shfaqet herë si prift që ftohet të vijë në Ishullin-Fshat dhe herë si hoxhë që ftohet të vijë në Ishullin-Voskopojë. Roli i tij nuk është të vrasë por t'i kërkojë shqiptarëve të vrasin njëri-tjetrit si të jenë turq apo grek. Tek Blushi armiku i shqiptarëve nuk duhet kërkuar jashtë shqiptarëve si një ushtri bajlozësh shkatërrimtarë siç kemi bërë deri më sot me histografinë e derisotme glorifikuese që ka ngelur akoma në kohën e Rilindjes së 150 vjetëve më parë. Për Blushin ARMIKU i SHQIPTARIT ثSHTث VETVETJA. Armiku i jashtëm kufizohet në përmasat e një misionari që ofron këshilla me kërkesë të vetë shqiptarëve. Dhe pas këshillave fillon përballja midis Aranitit dhe Ibrahimit, midis Sali Binishit dhe Isak Komneinit.
Kjo është një tezë shumë domethënëse e Blushit për të shpjeguar se si në ishullin tonë armiku kemi qenë ne vetë, ku misionari i huaj në ishull është vetëm përshpëritje zanash ngatërrestare.
Historia e Vërtetë e Dështimit Sizifian
Sepse këtu qëndron një pjesë e problemit. Janë shqiptarët ata që i thërrasin të huajt për t'i shpëtuar nga vetë shqiptarët.
Ashtu si Komneinët e Kostandinopojës thirrën dikur vetë turqit për mbështetje në shekujt XII, por që më pas nuk u shkulën dhe u vendosën përgjithmonë përballë Konstandinopojës e më pas e morën dhe atë! (Histori e Shqipnis, Tajar Zavalani, Phoenix & Shtëpia e Librit, 1998, f.96). Po ashtu si Karl Topia i bëri thirrje turqve të Hajredin Pashës t'i ndihmonte në luftë kundër Balshajve që në fund të shekullit XIV (po aty në f.116 duke iu referuar historianit të madh anglez Gibbons). Po ashtu siç grindeshin shqiptarët me njëri tjetrin duke i dhënë Venedikut si konçensione pazaresh: Durrësin, Lezhën apo Shkodrën. Po ashtu siç Moisi Golemi dhe Hamza Kastrioti u prinin ushtrive turke kundër Skënderbeut.
Po ashtu siç Ali Pasha apo Bushatlinjtë i shërbenin Sulltanit kundër njëri tjetrit. Po ashtu si Bushatlinjë luftonin kundër njëri-tjetrit në emër të sulltanit. Po ashtu si gjatë Lidhjes së Prizrenit, Sheh Mustafai i Tetovës u nxit nga Turqit që të shpërbënte dhe tradhëtonte Lidhjen e Prizrenit duke filluar edhe vëllavrasjen në një kohë që trojet shqiptare copëtoheshin nga Kongresi i Berlinit.
Po ashtu siç Toptani për hir të pazareve me armiqtë e pavarësisë, krijoi qeverinë paralele në Durrës për t'i bërë karshillëk Qeverisë së Ismail Qemalit. Po ashtu si Haxhi Qamili nën përshpëritjet e Myftiut Osman të Tiranës Musa Qazimi ngriti flamurin e sulltanit për ta kthyer Shqipërinë në një vilajet islam, lëvizje "e pëshpëritur" nga serbët dhe grekët, me qëllim që të fillonte vëllavrasja ndër shqiptarë. Ndaj për t'a bërë vëllavrasjen sa më të mundshme liruan nga burgu i Gjirokastrës mbi 200 kriminelë ordinerë që rrafshuan bashkë me andartët grekë Jugun "për të mbrojtur ortodoksët e rrezikuar nga mysliamanët"! Krime që morën përgjigjen e ashpër të patriotit Sali Butka në Voskopojë e Korçë. Boshnjakët prosulltan të Shijakut dhe ushtarët grekë ishin vetëm suport i përplasjes, sepse shqiptarët dilnin dhe tepronin për një gjë të tillë. Një pjesë e andartëve grekë ishin arvanitas sepse dinin edhe greqish edhe shqip që u duhej për t'Ju kërkuar shqiptarëve të deklaroheshin si grekë përballë Misionit të regjistrimit të Lidhjes së Kombeve! Po ashtu siç serbët i dhanë para dhe pushkë Markagjonëve të shitur për të themeluar Republikën absurde të Mirditës si vetmbrojtje ndaj gjoja persekutimit që po i bëhej katolikëve mirditorë! Ndërkohë që këta katolikë mirditor kishin refuzuar të qëllonin mbi myslimanët e Haxhi Qamilit njësoj si Isaku i krishterë i Ishullit të Ben Blushit që refuzoi dhe do të refuzonte sikur 100 jetë të kishte të luftonte me myslimanët e Voskopojës.
Po ashtu siç vetë Zogu iu kërkoi mbështetje të armatosur serbëve, siç Noli i kërkoi mbështetje Bashkimit Sovjetik, ashtu sic këshilltarët ushtarakë italianë të thirrur nga vetë Zogu u hoqën shulet pushkëve.
Po ashtu siç vetë Enver Hoxha kërkoi mbështetjen serbe duke shitur Kosovën e braktisur اamërinë, që vetë arvanitasit ortodoks të Fariotëve e dogjën për hakmarrje të nxitur sipas planit Grek të pastrimit etnik. Vetë Zerva famëkeq ishte arvanitas ortodoks sepse edhe mllefin antiçam gjatë masakrave, në gjuhën shqipe e shprehte!
Po ashtu si në 2 Korrik 1990 kur në Tiranë plasi eksodi në Ambasada ditën që Kosova shpallte pavarësinë. Po ashtu si prifti grek bëri vetëm postierin e parave të Piramidave të krijuara nga shqiptarët në 1997, njësoj si 10 vjet më vonë biznesmeni grekofon Delijorgji u thirr vetë nga qeveritë shqiptare të majta dhe të djathta për të na prodhuar Gërdecin anti-NATO. Djegiet dhe shkatërrimet e 91-92, 97-98 sipas shumë të dhënave rezultojnë të frymëzuara edhe nga faktorë jashtë Shqipërisë, por ama nga shqiptarë u bënë. Mjaftojmë të kujtojmë masakrimin që iu bë agrumeve dhe ullishteve të Rivierës në 91-92 për të kujtuar se si filloi eksporti i tyre në masë nga Greqia. Mjafton të kujtojmë ata djelmoshat me maska dhe flamuj grekë mbi barkat luftarake të Sarandës në '97 apo kronikat greke të '97. Data 1997 e Shqipërisë së sotme, me pak rrotullime shifrash mund të kthehet në 1679 të Voskopojës së Kaosit.
Ka edhe një përqasje tjetër shumë reale në librin e Blushit midis rastit voskopojar të shokëve të Marin Kurilës që dogjën e shkatërruan pas vrasjes së udhëheqësit të tyre dhe rastit të vërtetë historik të shokëve të Avni Rustemit (të rinjtë anëtarë të shoqatës demokratike "Bashkimi" të themeluar nga ky i fundit), që pas vrasjes së tij, torturuan dhe vranë "armiqtë" e Avni Rustemit duke djegur edhe shtëpitë e tyre. Sjellja e tyre kundër "tradhëtarëve" është dokumentuar mirë në gazetat e kohës së vet. Dhe ndryshon vetëm për nga përmasat me historinë vlonjate të gjakderdhjes pranë SHIK-ut në Vlorë '97 që e kthyen gjithë '97 në një vit të mbrapshtë alla 1913 (i përsëritur edhe në 1924 – 1926) që të kujton kaosin shqiptar të kohës kur Ali Pashë Tepelena ishte ende i ri.

Lufta surreale me veten
Pamja e Shqipërisë Blushiane i ngjan një pikture surreale të Salvador Dalisë ("Paralajmërimi i Luftës Civile") mbi Luftën Civile, që tregon një trup që ngërthen me thonj vetveten ku njëra pjesë nuk len pjesën tjetër të marrë frymë.
Për këdo që ka lexuar për historinë e Shqipërisë jashtë literaturës së atrofizuar rilindase shkollore, ka mjaftueshëm informacion për të besuar të vërtetën simbolike-artistike të Blushit e cila ripërsëritet dhe riprodhohet në mënyrë ciklike në historinë e Përleshjes së Pafundme, midis Ali Pashës dhe Bushatlinjve, midis vetë Bushatlinjve, midis Ali Pashës dhe Suliotëve, midis Krahut islamik dhe radikal të Lidhjes së Prizrenit, midis Toptanasve dhe Ismail Qemalit, midis Haxhi Qamilit dhe udhëheqësve shqiptarë që mbështesnin Princ Vidin, midis Ahmet Zogut dhe Fan Nolit, midis Enver Hoxhës dhe gjithë opozicionit ndaj tij, dhe të gjithë politikanëve pa dallim ndërmjet njëri tjetrit në një arketip të dyfishtë kaotik por rob të së shkuarës kreshnikore dhe princërore duke përfshirë në mënyrë më të spikatur Sali Berishën, Fatos Nanon, Leka Zogun, Edi Ramën, Ilir Metën, etj.
Kjo luftë surreale kreshnikësh me veten, shprehet më së miri në dy vargje jo më nga eposi i Kreshnikëve por nga Pop-Eposi i Bojken Lakos:
"Lufto çdo ditë, lufto me veten,
Kur do ta dish të paktën s'do të jesh më viktimë"

Të Urtët e Rilindjes
Dalja në skenën blushiane të Isakut të Komneinëve dhe Muhamedit të Ibrahimit, është edhe simbolika e shfaqjes së filizave të Rilindjes Kombëtare që mbinë në humusin e gërmadhave shqiptare. Isaku dhe Muhamedi nuk janë më as Prijës alla Skënderbe apo Ali Pashë, dhe as Princër pretendentë alla Komneinë apo Kurila. Ata janë kategoria e re e të Urtit të Ri dhe jo më të plakur të mitologjisë shqiptare ndër shekuj.
Ata dalin mbi lojën e përshpëritjes së misionarit të huaj, mbi përçarjen nonstop të shqiptarëve.
Janë ata që do t'i japin drejtim profecisë së Arianitit që i rrëfehet priftit: "Ju grekët na thoni që kemi fenë tuaj. Turqit thonë se toka është e perandorisë, ndërsa ju grekët thoni se feja jonë është feja juaj sepse ungjijtë janë shkruar në greqisht. Unë nuk do të jem gjallë, por di që një ditë stërnipërit e mi do ti kenë të dyja dhe askush nuk do të mund t'a marrë më, as fenë, as tokën dhe as gratë."(f. 24)
Isaku dhe Muhamedi janë modeli i ri intelektual, ai model që prodhon më vonë Rilindjen Kombëtare të vëllezërve bektashinj Frashëri, monsinjor Preng Doci, Jani Vreto, Pandeli Sotiri, Petro Nini Luarasi, Vaso Pasha, dhe më pas Ismail Qemali, Mithat Frashërit (i bri i Abdyl Frashërit), Faik Konica, Shahin Kolonja, etj.
Këtu ndryshon bipolarizmi i Prijësit dhe Princit. Në Voskopojë dmth kur themelohet Polisi, dmth qyteti dhe kultura oksidentale, lind kategoria e re: i Dituri, i Shkolluari, Intelektuali Patriot!
Intelektuali është humbës sepse është romantik por tek humbja e tij qëndron e drejta siç i quan Poeti: "Romantikët shkruajnë poezi në mes të luftës dhe prandaj humbin. Por unë zgjedh romantikët sepse në poezitë e tyre humbësit kanë gjithmonë të drejtë".(f. 231)
Personazhet e Blushit, Isaku në fillim dhe Muhamedi më pas, janë nxënës të Metod Antrakiti që simbolizon kulturën iluministe europiane që morën Rilindasit shqiptar duke filluar që nga Rektori i Akademisë së Re, Teodor Kavaljoti prej Kavaje (origjina e të cilit pohoet nga vetë i biri i Kavaljotit, profesor në Budapest), i cili ishte nxënës i filozofit të madh pozitivist kozmopolit ballkanas, Method Antrakiti i vërtetë.
Por rrënimi i qytetërimit perëndimor të Voskopojës së Teodorod Kavaljotit të madh iluminist por të harruar, e zhvendos edhe kahun e vetë Rilindjes 100 vjet më pas. Dhe jo vetëm në kohë por edhe në hapësirë. Rilindja e shqiptarëve nga një Rilindje Perëndimore detyrohet të mbetet një Rilindje Lindore, gati orientalo-pastorale. Sepse sado ndihmesë intelektuale mori Shqipëria nga pasardhësit e mërgimtarëve të kohës së Skënderbeut në Itali dhe nga mërgimtarët e rinj të Voskopojës në Rumani, kryeqyteti kulturor i shqiptarëve mbeti Stambolli, kryeqytet që paraziton prej qindra vjetësh në kokat tona.


marre nga gazeta SOT-> Gazeta SOT Online=
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Nje veshtrim, nje dashuri.

    Votat: 3 21.4%
  • 2-Agim shpërthyes

    Votat: 2 14.3%
  • 3-Për të voglën

    Votat: 1 7.1%
  • 4-Qiriu pa fjalë

    Votat: 3 21.4%
  • 5-Për të satën herë ….

    Votat: 2 14.3%
  • 6-Tik tak.

    Votat: 0 0.0%
  • 7-Nuk je më vetëm.

    Votat: 3 21.4%
Back
Top