Leonard Bakillari
Tiranë Përfshirja e të miturve në krime të ndryshme është rritur frikshëm gjatë vitit 2011, duke e çuar numrin e tyre në plot 1015. Shifra alarmante është raportuar zyrtarisht nga Prokuroria e Përgjithshme në raportin e saj vjetor, ku të pandehurit e mitur zënë një pjesë të veçantë të raportit. Të dhënat tregojnë se numri i të miturve ka një rritje progresive që prej vitit 2007, duke dyfishuar kështu të pandehurit e mitur në harkun kohor të katër viteve. Një tjetër fenomen që vërehet nga shifrat zyrtare të prokurorisë është edhe numri i lartë i vajzave të përfshira në krime të ndryshme. Numri më i lartë i vajzave të pandehura është shënuar në vitin 2009, kur ka pasur një rritje të ndjeshme numri i përgjithshëm i të miturve, ndërsa dy vitet e fundit, shifra vajzave të marra të pandehura është thuajse konstante. Sipas të dhënave zyrtare, rezulton se vetëm për vitin 2011 janë marrë në cilësinë e të pandehurve 1015 të mitur, të akuzuar për krime të ndryshme. Kjo shifër, nëse krahasohet me atë të vitit 2010, rezulton të jetë rritur me 16.66 për qind. Sipas tabelës zyrtare, evidentohet një rritje e ndjeshme e të pandehurve të mitur që nga viti 2007, ku përveç vitit 2009, në të gjitha vitet e tjera vërehet një rritje e ndjeshme e të miturve të përfshirë në krime, apo të akuzuar nga prokuroria si autorë të këtyre krimeve. Në analizën e të dhënave që përfshijnë vitet 2007-2011, tregohet qartë se numri i të miturve të marrë të pandehur nga prokuroria gati është dyfishuar në katër vjet. Kështu, në vitin 2007 janë evidentuar dhe akuzuar si autorë të veprave të ndryshme penale 580 të mitur. Ndërsa në vitin 2011, pra pas katër vitesh, numri i tyre gati është dyfishuar, duke treguar se ky fenomen rritet frikshëm vit pas viti. Statistikat tregojnë se në vitin 2008 janë marrë të pandehur 889 të mitur, ndërsa kjo shifër ka pësuar një ulje të lehtë në vitin 2009, për të shënuar një tjetër rritje në vitin 2010. Në këtë vit prokuroria ka marrë në cilësinë e të pandehurve plot 870 të mitur nga të cilat 17 janë vajza, shifër kjo që gati e njëjtë edhe me vitin 2011. Shkaqet e përfshirjes së të miturve në krim nuk analizohen në raportin e prokurorisë, e cila bën vetëm një ndarje të të miturve djem dhe atyre vajza, të cilët janë marrë të pandehur. Sipas të dhënave, rezulton se numri i meshkujve është dukshëm më i lartë se i të miturave, që janë marrë të pandehura nga prokuroria. Për vitin 2011 janë evidentuar 18 vajza si autore të veprave të ndryshme penale, ndërsa 997 të pandehur janë meshkuj. Sipas shifrave zyrtare që pritet të lexohen në Kuvend nga Prokurorja e Përgjithshme analizohet edhe raporti i të miturve me numrin total të të pandehurve. Nga të dhënat statistikore rezulton se numri i të miturve në raport me numrin total të të pandehurve gjithashtu ka pësuar rritje ndër vite, duke kapur një shifër alarmante. Vetëm gjatë 2011-s, të miturit e marrë të pandehur zënë 10.96 për qind të numrit total të të pandehurve, pra më shumë se një e dhjeta e tyre.
B:MAPO