Raport për Brukselin: Zbuluam 46 oficerë të korruptuar

Nga: Luis Tanushi

Rritet korrupsioni në radhët e forcave të Policisë. Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani e pohoi këtë në raportimin e bërë dje në Komisionin e Integrimit për katërmujorin e parë të vitit 2012, ku ishte thirrur për rekomandimet e Brukselit për Statusin e vendit Kandidat. Sipas tij, janë evidentuar 21% raste korrupsioni më tepër se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar në radhët e forcave të policisë. Strukturat e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm kanë referuar në prokurori 38 çështje penale për 46 oficer policie, nga të cilët: 18 punonjës niveli i parë drejtues, 24 niveli zbatues dhe 4 punonjës civile. Të gjitha këto për periudhën janar-prill 2012. Gjatë kontrollit nga Shërbimi i Brendshëm janë arrestuar në flagrancë 5 punonjës policie dhe 2 civilë. Sipas Ministrisë së Brendshme, nga qytetarët janë depozituar 79 letër-ankesa dhe 166 telefonata të cilat kanë shprehur informacione ndaj punonjësve të policisë për korrupsion apo për sjellje në shkelje të hapur me ligjin.

policia-shtetit-300x178.jpg

Asetet kriminale

Shifra të frikshme jepen edhe për krimin e organizuar dhe veçanërisht për asetet kriminale. Për vitin e kaluar prokuroria ka nisur hetimet pasurore për 47 raste. Gjatë vitit të kaluar ka pasur 55 procedime pasurore, 35 prej të cilave kanë qenë të filluara gjatë vitit 2010. Në total pronat e sekuestruara dhe të konfiskuara arrijnë vlerën 19 milionë euro. Më konkretisht janë 11 raste konfiskimi që kapin vlerën e 5.2 milion euro dhe 5 raste të sekuestrimit me vlerë rreth 13 milion euro. Vetëm gjatë katër mujorit të këtij viti ka filluar hetimi i pasurisë për 36 raste. Deri tani prokuroria ka marrë dy vendime konfiskimi që kanë të bëjnë me10 milion lekë, shoqëri aksionere, fushë minifutbolli dhe godine kafe me pajisje. Pas hetimeve janë dhënë edhe dy vendime sekuestrimi për 7 automjete, 6 llogari bankare që kapin vlerën 100.000 euro, 30.000 dollarë dhe 7 milion lekë. Gjatë vitit të kaluar janë sekuestruar 7696 kg marijuanë, heroinë 21.4 kg, ndërsa në lidhje me Kokainën ka një rënie të sekuestrimit të saj prej 32.8%. Sipas ministrit të Brendshëm, në katër mujorin e parë ka një rritje të sasive të narkotikëve të sekuestruara krahasuar me të njëjtën periudhë të 2011. Marijuanë janë sekuestruar 40.4% më shumë, Heroinë 133.3% më shumë dhe Kokainë 7.5% më tepër. Për trafikimin e paligjshëm të lëndëve narkotike janë arrestuar 116 persona, ndërsa në katër mujorin e parë të 2012-ës janë evidentuar rreth 90% më tepër raste dhe janë arrestuar 32 vetë. Në lidhje me bashkëpunimin ndërkombëtar, sipas raportit të Ministrisë së Brendshme janë kryer 65 operacione në të cilat janë arrestuar 92 persona Po ashtu, edhe gjatë 4-mujorit të parë të vitit 2012, Ministria e Brendshme raporton se janë zhvilluar 36 operacione me 45 persona të arrestuar.



PD lë në fuqi moratoriumin për skafet

Mazhoranca rrëzoi kërkesën e Partisë Socialiste për të hequr moratoriumin për ndalimin e mjeteve lundruese. Me 10 vota kundër dhe tetë pro, Komisioni parlamentar i Sigurisë vendosi që të lërë në fuqi vendimin e gjashtë viteve më parë për ndalimin e mjeteve lundruese në bregdetin shqiptar. Grupi parlamentar socialist argumentoi kërkesën me faktin se ligji e ka humbur funksionin e tij dhe po penalizon shtetasit shqiptarë duke bllokuar turizmin dhe zhvillimin e gjithë infrastrukturës lidhur me mjetet lundruese si portet, pontilet, barkat me vendet e tregtimit dhe riparimit të tyre, shkollat nautike etj. Deputeti Paulin Sterkaj u shpreh se heqja e moratoriumit pengohet nga të djathtët për të mbrojtur bizneset e Damir Fazlliç. “E kam luftuar moratoriumin si në pozitë dhe ashtu opozitë. Kam qenë kundër kësaj nisme. Mendoj se në parlament do të ketë burra nga mazhoranca që do ta votojnë. Ky është turizmi i Fazllicit, ai e ka bllokuar atë”, theksoi Sterkaj në mbledhjen e djeshme të Komisionit të Sigurisë. Por, demokratët u shprehen kundër heqjes së moratoriumit, duke u shprehur se një nismë e tillë është vlerësuar nga ndërkombëtare dhe ka dhënë rezultate në parandalimin e trafikut të lëndëve narkotike. “Ministria e Brendshme e kundërshton në mënyrë kategorike nuk është e vërtet që në 2002-2003 është marrë iniciativë për bllokimin e mjeteve lundruese, në 2005 situata ka qenë tepër problematike, sot është një situatë krejt ndryshe edhe për shkak të moratoriumit të skafeve. Ka qenë edhe mbetet bllokimi i mjeteve lundruese me motor me tonazh nën 22 ton si gomone dhe motoskaf, si dhe kontroll më i rreptë në regjistrimin, nga mjetet lundruese të peshkimit”, deklaroi zëvendësministri i Brendshëm Avenir Peka. Të enjten nisma pritet që të hidhet për votim në parlament, ku mazhoranca do të vihet sërish në provë për ruajtjen e votave. Mbeten në dyshim votat e Lëvizjes Socialiste për Integrim nëse do të japin pëlqimin ose jo për heqjen e ndalimit të mjeteve lundruese në bregdetin shqiptar.
 

Konkursi Letërsisë

  • Jeta pa ty

    Votat: 7 46.7%
  • Simfonia e bisedave tona

    Votat: 2 13.3%
  • Bora e parë

    Votat: 3 20.0%
  • Larg

    Votat: 3 20.0%
Back
Top