Kryeministri Rama ka postuar një foto të Ali Pashë Tepelenës në “Facebook”, për të përkujtuar ditën e tij të vdekjes, plot 195 vjet nga sot.
Ndërsa e quan edhe “Luani i Janinës”, ndoshta pa dashur, kryeministri ka ‘provokuar’ sërish fqinjët grekë, kur thotë se ishte pikërisht Ali Pashë Tepelena që frymëzoi revolucionin në Greqi, i cili përfundoi me shpalljen e pavarësisë së kësaj të fundit.
“Revolucioni grek, revoltat në Bullgari dhe në principatat danubiane që përfunduan të tëra me mëvetësinë e atyre kombeve, i detyrohen jo pak Ali pashës në përgatitjen e tyre sociale, ushtarake e shpirtërore”,- shkruan Rama.
Fqinjët i kanë me merak ngjarjet historike, e aq më shumë kur bëhet fjalë për të shkuarën, por nuk dimë nëse do të reagojnë sërish pas këtij postimi si në rastin e Akropolit, disa muaj më parë, kur Rama postoi një hartë të Athinës së shekullit të 16-*të.
Kryeministri shprehej se Akropoli është ende në këmbë falë kurajës së shqiptarit, Gjergj Dushmani. Ndërsa duke iu referuar princit grek Eugene Rizo*Rangabe, kryeministri tha se popullsia autoktone ishte kryesisht shqiptare, por kjo nuk e bën atë një qytet shqiptar. Kaq mjaftoi që jo vetëm mediat në shtetin fqinjë, por edhe politika të reagonte. Madje thirrën edhe ambasadorin shqiptar në Athinë, Dashnor Dervishi për sqarime. Në këtë pikë, as pala shqiptare nuk qendroi mbrapa.
STATUSI I PLOTE
195 vjet më parë jepte shpirt, jo në shtrat por duke luftuar, Ali pashë Tepelena, Luani i Janinës.
Si personalitet historik, Ali pasha është ndoshta nga të rrallët që përgënjeshtron postulatin e gjithpranuar se historia u jep të drejtë fitimtarëve. Zjarri që ndezi gjeniu gjakësor i vezirit të Toskërisë, e shkrumboi aq keq rretherrotull pushtetin e establishmentit osman, sa në letrat e shkëmbimeve diplomatike, ai cilësohej si “plaga më e tmerrshme e perandorisë”.
Revolucioni grek, revoltat në Bullgari dhe në principatat danubiane që përfunduan të tëra me mëvetësinë e atyre kombeve, i detyrohen jo pak Ali pashës në përgatitjen e tyre sociale, ushtarake e shpirtërore.
Shumë i detyrohet Ali pashës edhe ndërgjegjësimi i krerëve shqiptarë, të cilët gjatë mesit të parë të shek. XIX, filluan ta konceptonin përfshirjen në çështjet kombëtare, siç e thotë bukur mirë studiuesi Dritan Egro, “përtej interesit të çifligjeve të tyre”.
Figura e pashait që tronditi Portën e Lartë mbetet padyshim një nga figurat më të diskutueshme të historisë sonë, por çka nuk është diskutuar as nga detraktorët e tij më të mëdhenj, është gjenialiteti i këtij kryeneçi të madh shqiptar.
Balkanweb.com