Nga Athina, kryeministri Edi Rama ka kërkuar shfuqizimin e ligjit të luftës. Në fjalën e tij përballë emigrantëve shqiptarë, Rama e cilësoi si absurd faktin që ky ligj është ende në fuqi.
Për pasojë, sipas tij, kjo çështje do duhet të zgjidhet sa më shpejt të jetë e mundur. Kreu i qeverisë thotë se është i bindur se kjo zgjidhje mund të vijë në rast se do të ketë vullnet të mirë nga pala greke.
“Rri akoma në fuqi ligji i luftës se Greqisë me Shqipërinë, ai ligj i 10 nëntor 1940, përcakton c’bëhet me pronat dhe me shtetasit e vendeve në gjendje lufte, në 1947 Greqia ratifikon traktatin e paqes me Italinë ndërsa me Shqipërinë dekreti i ligjit të luftës dhe pasojat e ligjit të luftës mbeten në fuqi, sot e gjithë ditën, edhe pse në 1998 kanë miratuar traktatin e miqësisë, po si ka mundësi mes 2 shteteve që kanë nënshkruan një traktat miqësie, që janë bashkë në ANTO të mos jetë shfuqizuar gjendja e luftës bashkë me pasojat e një ligji lufte të shfuqizuar 84 vite më parë.
Në këto vite unë dhe qeveria jonë jemi përpjekur që ky absurditet të largohet nga tryeza e marrëdhënieve tona, gjithashtu jemi përpjekur që t’i adresojmë sa më drejtë, me mirëkuptim të gjitha çështjet e mbetura mes 2 shteteve sepse unë jam i bindur se nëse kanë vullnet të mirë të gjitha çështjet mund të zgjidhen pa kaluar 84 vite të tjera”, tha Rama.
Rama në Athinë: Shqipëria përherë mikpritëse, i krijon të gjitha kushtet edhe ndonjë politikani të keqkuptuar grek që vjen të protestojë
Kryeministri Edi Rama gjatë takimit me emigrantët shqiptarë në Athinë iu ka bërë një ftesë grekëve që të vijnë në Shqipëri jo vetëm për pushime por dhe për mundësi investimi.
Ai tha se Shqipëria është kaq mikpritëse për grekët sa nuk i krijon asnjë telash. Rama shtoi se Shqipëria i krijon të gjitha kushtet edhe ndonjë politikani të keqkuptuar grek që vjen të protestojë atje.
“Grekët kanë qenë janë dhe do të jenë të mirëseardhur në Shqipëri jo vetëm për të pushuar por dhe për të punuar hapur dyqane, ngritur kompani, startuar linja investimesh për të përfituar nga një regjim taksash shumë më I ulët se në Greqi. Madje Shqipëria është kaq mikpritëse për grekët sa nuk i krijon asnjë telash. Përkundrazi i krijon të gjitha kushtet edhe ndonjë politikani të keqkuptuar grek që vjen të protestojë atje e pastaj vjen e humb zgjedhjet këtu! Byjrum! Si në shtëpinë tuaj”, tha Rama.