Akademiku Rexhep Qosja gjatë një interviste për Top Channel ka bërë vklerësimin e tij për figurat kryesorë të 100 viteve shtet të Shqipërisë. Sipas tij Fan Noli kishte orientim amerikan ndërsa Ahmet Zogun e quan tradhtar dhe se sundonte me mjete despotike e intriga.
“Kam dëgjuar se do t’i ngrihet përmendore si Ismail Qemali, do i bëhet edhe mauzole. I bëj vetes pyetjen si është e mundshme? Në këtë përpjekje për ta bërë Zogun figurë të madhe historike si Ismail Qemali, shqiptohet shumë gënjeshtra, e harrohen të vërteta”, u shpreh ai.
Qosja thotë se ajo që po bën kryeministri Sali Berisha me historinë është “kombëtarisht e papranueshme”. “Berisha do objektivisht ta ndryshojë, ta feudalizojë historinë duke amnistuar, duke madhuar figura të pashallarëve me origjinë shqiptare që s’kanë bërë aspak me pavarësinë dhe s’i kanë dhënë kontribut Shqipërisë, por osmanëve.”, tha Qosja. Ai tha se Berisha dhe Topalli udhëhiqen nga mentaliteti patriarkal dhe feudal.
Për Enver Hoxhën, Qosja nuk i ka kursye kritikat po ka veçuar se, “e shkëputi Shqipërinë prej një varfërie të madhe që sundonte”. “Enver Hoxha i siguroi popullit bukën dhe realizoi zhvillime që s’mund t’i mbyllim sytë. Ai regjim ndërtoi të gjitha institucionet e nevojshme që i duhen një shteti. Ai regjim zhduki analfabetizmin. Enver Hoxha i siguroi popullit një dinjitet”, u shpreh Qosja.
Profesor Qosja, i kujt është 100 vjetori, i Ismail Qemalit, apo Ahmet Zogut?
Zogu me Ismail Qemalin nuk kanë të bëjnë fare mes njëri-tjetrit. Ismail Qemali ishte shtetari që themeloi Shqipërinë, Ismail Qemali ishte demokrati, ai i cili e filloi demokracinë në historinë e popullit shqiptar dhe në historinë e shtetit shqiptar, Ismail Qemali ishte njeriu, i cili ndërtonte një politikë tipike demokratike, madje them më liberale. Ai ishte për bashkëmarrëveshje, që me fjalë të huaj i themi dialog, ishte për tolerancën, ishte për mirëkuptimin, ishte për humanizmin, ishte për të drejtën, për të vërtetën. Pra ishte për disa vlera që nuk i kishte Ahmet Zogu, fjala bien. Ismail Qemali ishte një figurë politike me përvojë të madhe ndërkombëtare. Ne nuk mund të harrojmë kur flasim për Ismail Qemalin dhe rolin që luajti ai në historinë shqiptare, si u bë e mundshme që të luante ai atë rol. Në Perandorinë Osmane në Stamboll ai ishte një figurë e shquar, ishte Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme, ishte këshilltar në disa njësi të shtetit të Perandorisë Otomane, pra i sundimtarëve të ndryshëm. Ishte caktuar ministër i Punëve të Jashtme, ministër i Drejtësisë, ministër i Rendit Publik. Ismail Qemali ishte njeri që ka marrë pjesë në disa delegacione me rëndësi të veçantë si për shembull delegacionin e Perandorisë Osmane që merrej me çështjen e Danubit. Ishte këshilltari i Xhevdet Pashës që merrej me çështjen e rendit në atë kohë të Bosnje-Hercegovinës dhe me përpjekje për reformat e Bosnjës dhe Hercegovinës që donte të bënte perandori otomane siç ishte gjendja atje. Dhe të mos harrojmë sepse nuk theksohet. Kam dëgjuar gjatë kësaj kohe kur po shkruhet dhe flitet për krijimin e shtetit modern shqiptar, Ismail Qemali ishte caktuar në grupin e qeveritarëve të cilët merreshin me vendosjen e hebrenjve të dëbuar prej Rusisë dhe Ukrainës dhe ai kishte për detyrë të merrej me vendosjen e tyre në hapësirat e perandorisë otomane. Pra një mision shumë i rëndësishëm që nuk mund të harrohet. Pse Ismail Qemali? Sepse shquhej për humanizmin e tij, me mendimet e tij, me shikimet e gjera. Ishin këto veçori, cilësi, virtyte, që i bënë të mundshme atij të kuptonte situatën në Shqipëri dhe të bëhet nismëtari i shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë.
Po nëse ndalojmë te Zogu dhe Noli…
Fan Noli është përmendur këtë 100 vjetor, me shumë vërejtje ose pothuajse negativisht në mënyrë të shumë të padrejtë, të palejueshme dhe të papranueshme. Për mua që e njoh punën, krijimtarinë, veprimtarinë, jetën dhe veprën e Fan Nolit krahasimi me Ahmet Zogun është një profanosje. Fan Noli është një figurë e madhe, është njeri i madh në kulturën dhe historinë e popullit shqiptar. اfarë do të thotë njeri i madh? I madh është dikush i cili nuk është i madh për një periudhë të shkurtër, 10, 15, 50 vjet, por kur është i madh përgjithmonë. Fan Noli është i madh përgjithmonë në historinë shqiptare. Ai është poet, historian, publicist, kompozitor. Ai ka shkruar pak vjersha, por të gjitha vjershat e tij hyjnë në antologjinë e poezisë shqipe, të gjitha, pa përjashtim. Asnjë njeri tjetër nuk ka aq vjersha të denja për të hyrë në antologji sa Fan Noli. Fan Noli ka veprën “Bethoveni dhe revolucioni francez”, pritur si një kryevepër për idenë, metodën, mënyrën e trajtimit të Bethovenit dhe revolucionit francez. Fan Noli historinë e Skënderbeut që është shumë e veçantë. Kudo ishte origjinal, i veçantë, i ri me mendime, i papërsëritur. Publicistika e tij është e veçantë sepse Noli ishte intelektual shumë parimor ndërsa Zogu jo. Si mund të krahasohet Noli me Zogun? Nolin e kanë quajtur dhe e quajnë edhe tani bolshevik, komunist. Ai njohu Bashkimin Sovjetik kur e kishin njohur Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Franca, Britania e Madhe dhe shtete të tjera. Noli erdhi në politikën shqiptare prej Amerikës. Noli kishte politikë dhe ideologji anglo-amerikane. Po të ishte Noli në politikë, po të mos kishte dështuar revolucioni i vitit 1924 populli shqiptar dhe Shqipëria do të orientohej nga Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e sigurt. Dhe historia shqiptare do të ishte jo pak, por shumë më ndryshe se çka qenë prej vitit 1924.
Por nderimi shkon për Zogun këtë 100 vjetor…
Tani po shkruhet, po flitet, po dëgjoj, po lexoj se Zogut do t’i ngrihet një përmendore ashtu si Ismail Qemalit, madje do t’i bëhet edhe një mauzole. Ia bëj vetes një pyetje: Si është e mundur kjo gjë? Si është e mundur të bëhen gjithë këto përpjekje për ta shquar Zogun dhe për ta bërë figurë të madhe historike, sa për ta krahasuar me Ismail Qemalin. Shumëçka harrohet, me qëllim, dhe shqiptohen shumë të pavërteta dhe gënjeshtra. Dhe të vërtetat e tjera harrohen. Por ne nuk duhet ti harrojmë. Nuk është Zogu themeluesi i një administrate moderne, madje as i një rendi bashkëkohor të Shqipërisë. Zogu vendosi në Shqipëri një rend politik, shoqëror gjysmë feudal. Të dhënat e jetës politike, shoqërore të asaj kohe e dëshmojnë këtë. Zogu krijoi një administratë. Adhuruesit e tij thonë që ishte një administratë evropiane, moderne, por në të vërtetë administrata e tij ishte gjysmë feudale ashtu si dhe rendi politik- shoqëror. Ahmet Zogu sundonte në mënyrë despotike dhe me mjete despotike madje të një despotizmi them oriental. Sundonte me intriga dhe frikë. Një problem tjetër shumë i rëndësishëm që nuk duhet ta harrojmë është se Noli erdhi në pushtet për ato 6 muaj me një revolucion që e bëri populli, por Ahmet Zogu u kthye në Shqipëri me ndihmën e ushtrisë serbe, madje me ndihmën e pjesës më ekstreme, më të dhunshme të ushtrisë serbe, me të ashtuquajturit çetnik nga njëra anë dhe bashkë me ta edhe bjellogardistët rusë që kishin gjetur strehim në Serbi dhe Jugosllavinë e porsakrijuar. Pra, erdhi në pushtet me ndihmën e tyre ata duke e sjellë Zogun në Shqipëri në pushtet, e pushtuan në një fare mënyre një pjesë të Shqipërisë së pavarur. Tjetër, ai bëri një marrëveshje me Nikolla Pashiçin, që është një marrëveshje historikisht e vlerësuar shumë e turpshme, një marrëveshje tradhtare që komprometon përgjithmonë nënshkruesin e saj. Duhet t’i lexoni ato tetë pikat e ndryshme, pasi nuk dua të flas tani për te gjitha ato, por një prej atyre pikave që rëndon shumë, që dëshpëron shumë, është pika për ndërprerjen e veprimtarisë së Komitetit Mbrojtja Kombëtare e Kosovës. Ky Komitet e kishte bazën në Shkodër por i kishte degët e veta edhe në Kosovë, kishte degë në vendlindjen time, Plavë dhe Guci, kishte në një varg qytetesh të Shqipërisë. Zogu e shkatërroi Komitetin Mbrojtja Kombëtare e Kosovës pasi kështu e kishte bërë marrëveshjen me Pashiçin. Zogu, gjithashtu, vrau figurat kryesore të këtij Komiteti. Vrau Hasan Prishtinën, Bajram Currin, Hysni Currin. Nuk po flas për Luigj Gurakuqin, një figurë e madhe e historisë shqiptare, por po flas për këta që ishin anëtar të komitetit Mbrojtja Kombëtare e Kosovës. Dhe tjetra, ushtria serbe e vrau Azem Bejtën në fshatin e tij më bashkëluftëtarët e tij dhe historianët e Kosovës, e kanë dëshmuar me studimet e tyre. Unë po flas në bazë të studimeve që ka bërë njëri prej këtyre historianëve se në likuidimin e Azem Bejtës me disa nga bashkëluftëtarët e tij mori pjesë Ahmet Zogu, pos të tjerash, edhe me informatën që i jepte Pashiçit për lëvizjet e tij pra, të Azem Bejtës.
Unë po flas këtu jo me simpati letrare, por po flas me fakte, me të dhëna politike e historike. Ndryshe vlerësohet Noli, politika dhe synimet e tij, se ku do ta çonte popullin shqiptar dhe Shqipërinë ajo politikë e Nolit. Dhe flas gjithashtu për realitetin e Zogut. Si individ nuk mund të kem asgjë kundër Ahmet Zogut, por këto që them më bëjnë që unë të them Ahmet Zogu në asnjë mënyrë nuk meriton të bëhet për të atë që dëshiron ti bëjë Sali Berisha, në asnjë mënyrë. Zogu, i hapi rrugë me politikën e tij, pushtimit italian, fashist të Shqipërisë. Sot, nuk flitet për një pasojë të kësaj politike. Shqipëria bëri një luftë shumë të çmuar antifashiste. Ajo Parti Komuniste me në krye Enver Hoxhën bëri një luftë antifashiste të çmuar në Evropë, por në Konferencën e Paqes në Paris në vitin 1946 Shqipërisë nuk iu pranua statusi i bashkëluftëtares me aleatët kundër fashizmit. Kjo e para, dhe e dyta, Shqipërisë nuk iu pranua statusi i vendit, të cilit do i paguheshin dëmet e luftës, reparacionet e ashtuquajtura të luftës. Cili është shkaku? Shkaku është politika që ndoqi Ahmet Zogu, i cili bëri atë politikë që solli pushtimin e Shqipërisë dhe i ikjes së tij nga Shqipëria. Ju mund të keni lexuar shkrimet e historianëve të shquar të Shqipërisë sot se ai, sado një mbret i një shteti, nuk kishte kurrfarë trajtimi në Evropë, nuk e pranuan.
Megjithatë, është në të drejtën e të djathtës shqiptare të identifikohet me Zogun. Ajo që nuk kuptohet është pse e majta shqiptare nuk identifikohet me Nolin? Më shumë në Shqipëri dëgjon kryeministrin Berisha të flasë për Nolin sesa liderin e opozitës, Edi Rama.
Nuk e kuptoj as unë. Nuk shoh arsye pse ata i shmangën qëndrimet reale, objektive, të drejta ndaj Fan Nolit. Të përdor shprehjen tuaj, e majta e Shqipërisë i shmanget identifikimit me Fan Nolin ashtu siç nuk e kuptoj se si mund të identifikohet e djathta e Shqipërisë me Ahmet Zogun. Mund ta kuptoj identifikimin me ndonjë tjetër, por në asnjë mënyrë me Ahmet Zogun. Të dhënat që paraqita e komprometojnë këtë identifikim.
Një tjetër figurë, është Enver Hoxha, për të cilin nuk po flitet në këtë 100 vjetor.
Nuk është normale. Edhe periudha e komunizmit në Shqipëri është një periudhë që e ka jetuar populli shqiptar pra, është një pjesë e historisë shqiptare. Nuk mund ta heqësh, nuk mund ta kapim me dorë atë periudhë 45 vjeçare dhe ta hedhim aty ku nuk shihet, dëgjohet e ku nuk flitet për të. Kjo nuk është e mundshme, nuk është e lejueshme, historikisht është e papranueshme. Kam lexuar mjaft të vërteta për atë regjim që ishte diktaturë totalitare me mjaft mjete të dhunës por kam lexuar edhe shumë gënjeshtra dhe të pavërteta. Enver Hoxha ishte një sundimtar për një periudhë të gjatë të historisë shqiptare dhe në këtë periudhë u përdorën mjete që unë nuk i pranoj në jetë, politikë, shtet. Mirëpo Enver Hoxha nuk ishte i vetmi. Ne kur flasim për Enver Hoxhën dhe komunizmin në Shqipëri duhet të kemi parasysh se kjo nuk ndodhte vetëm në Shqipëri. Komunizëm nuk kishte vetëm Shqipëria, por vende komuniste ishin bërë Rusia me një varg popujsh të tjerë, republika dhe krahina të tjera, komuniste ishte Spanja, Polonia, اekia, اekosllovakia, komuniste ishte dhe është Kina, komuniste është Kuba, ishte një pjesë e Vietnamit. E pra, e pranuan komunizmin popuj të mëdhenj, me tradita të shkëlqyera historike, po kështu e pranoi edhe Shqipëria. Ashtu ishte pas luftës botërore, ashtu mendohej. Komunizmi iu premtonte njerëzve liri, barazi, të drejta sociale që nuk i kishin dhe prandaj njerëzit e përkrahën. Jo rastësisht komunizmi vendoset në një shtet ashtu siç u vendos në Shqipëri. Aq më tepër që në atë kohë komunizmi ishte shpresa e të varfërve dhe Shqipëria ishte e varfër dhe mund të duket fare e natyrshme, historikisht e kuptueshme si dhe pse fitoi aq lehtë komunizmi në Shqipëri. Sot ne flasim gjithqysh për Enver Hoxhën. Patjetër që do flasim për gjërat me të cilat nuk pajtohemi, gjërat e këqija, do flasim për terrorin e pasluftës, por them se edhe për terrorin e pasluftës nuk mund të flasim pa pasur parasysh vendet e tjera. Shqipëria nuk është vendi i vetëm ku u pushkatuan njerëz pas luftës. Me vjen keq për pasardhësit e të pushkatuarve, më vjen keq pasi nuk jam dakord me pushkatime të tilla por nuk mund të mos mendoj se sjellje të tilla më të rënda se në Shqipëri kishte edhe në vende të tjera komuniste. Ajo ishte një luftë për të qenë apo për të mos qenë, ishte luftë kundër një pushtuesi shumë të rrezikshëm, kundër fashizmit italian dhe kundër nazizmit gjerman. Unë e njoh mirë historinë e Jugosllavisë. Tito ka pushkatuar aktorë dhe aktore në Beograd, intelektualë dhe shkrimtarë shumë të njohur. Disave iu janë gjetur varret ndërsa disave nuk iu janë gjetur asnjëherë. Dhe numri i të pushkatuarve në përpjesëtim me numrin e popullsisë së Jugosllavisë dhe Shqipërisë shumë më i madh se atyre në Shqipëri. Tito në vitin 1948 ndërtoi kampin e përqendrimit në Goliotok dhe atje dërgoheshin njerëzit që deklaroheshin për Stalinin, që ishin për politikën e Stalinit, me mijëra luftëtarë ish partizanë. Atje kushtet ishin të tilla sa njerëzit kërcenin prej shkëmbinjve dhe thyenin kokën sa i dilte truri mbi shkëmbinj. Atje, njerëzit ia ngulnin vetes gozhdët në kokë. Pra, në Goliotok ku ishte ai kamp që kishte ndërtuar Tito me Rankovic. Të mos flasim pastaj për terrorin në Bashkimin Sovjetik dhe në vendet e tjera komuniste. Apo në Rumani, ku dhuna në Shqipëri nuk ka pasur ato përpjesëtime siç kanë qenë në këto vende. Flasim për të këqijat që i ka pasur ai regjim, por historiani, studiuesi njeriu objektiv që shikon objektivisht dhe të shikosh një rend politik, shoqëror në mënyrë objektive do të thotë ta shikosh ndershëm për veten në radhë të parë. Enver Hoxha, si të gjithë diktatorët, ashtu si Napoleoni, Cezari apo Aleksandri i Maqedonisë që ishte despot dhe që bënte tmerre ngado shkonte duke djegur qytete, kanë edhe disa të mira që mund të jenë më të vogla apo më të mëdha. Ka edhe regjimi i Enver Hoxhës një varg të mirash. E para, Enver Hoxha, me atë rend politik-shoqëror, me atë politikë e ideologji e shkëputi Shqipërinë prej një varfërie të madhe që sundonte përpara. Unë kam këtu në bibliotekën time dy vepra të botuara në vitin 1937, domethënë me rastin e 25 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë. I kam lexuar jo vetëm një herë me kujdes dhe aty shihet në çfarë gjendje ishte Shqipëria në atë kohë, në një gjendje shumë të dhimbshme. Enver Hoxha e ndërroi atë gjendje, i siguroi atij populli bukën dhe mandej u arritën disa zhvillime para të cilave nuk mund ti mbyllim sytë. Shqipëria ndërtoi institucione bashkëkohore të shtetit, të gjitha institucionet e mundshme që i ka një shtet i ndërtoi ai regjim. Ai regjim zhvilloi arsimin në përpjesëtime të mëdha, ai regjim zhduku analfabetizmin. Shqipëria, ashtu si në statistikat Jugosllave, hynte në shtetet me numrin më të vogël të analfabetëve. Ai regjim, ndërtoi institucione bashkëkohore që i kanë shtetet më të zhvilluara të kulturës dhe shkencës, ai regjim i zhvilloi studimet albanologjike. Ne kishim para Luftës së Dytë Botërore, aty këtu ndonjë njeri që merrej me studime shqiptare, por Enver Hoxha me regjimin e tij bëri që studimet albanologjike të institucionalizohet dhe u realizuan arritje të mëdha në të këto studime në të gjitha fushat e albanologjisë. Ky regjim ndërtoi institutet e kulturës, operës, baletit, ansamblin me shumë rëndësi të valleve popullore, ky regjim bëri institute edhe në shkencat ekzakte. Pra, ndërtoi një shtet bashkëkohor me të gjitha institucionet politike, shoqërore, kulturore, arsimore, shkencore. Nuk mund t’i harrojmë këto. Shqipëria sot ndriçohet edhe me termocentrale që ka ndërtuar ai regjim, apo në radhë të parë me ato termocentrale. Ai regjim e mbrojti Shqipërinë prej vërshimeve, e shpëtoi Shqipërinë prej kënetave. U rritën tani kënetat, u rritën aq shumë sa po bëhen vërshime ashtu si Shkodra sepse regjimi i sotëm nuk po i kushton rëndësi ose i la të shkatërrohen ato që i kishte ndërtuar ai regjim me Enver Hoxhën në krye për mbrojtjen e qyteteve, fshatrave, fushave prej vërshimeve dhe brakave. Nuk mund dhe nuk duhet t’i harrojmë këto. E thashë më parë e dua ta përsëris se ai regjim i dha popullit shqiptar një dinjitet ndërkombëtarisht të njohur dhe kjo nuk është diçka e parëndësishme.
Profesor, është duke u kërkuar, dhe me të drejtë, rishikimi i historisë. Ju shikoni, kush është duke e rishikuar, njerëzit e oborrit të radhës, njerëzit që bëjnë histori apo njerëzit që bëjnë propagandë?
Këtë përpjekje që të mos e quaj proces, të rishkrimit të historisë e ka filluar kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha. ثshtë e vështirë të rishkruhet historia, domethënë ta fillosh nga A-ja, nga fillimi. Historia korrigjohet, studimet historike korrigjohen, ndryshohen, plotësohen etj. por ta rishkruash prej fillimit do të thotë të hedhësh poshtë gjithçka që është bërë deri tani dhe kjo gjë është e pamundur. Historia është zhvilluar shumë pas Luftës së Dytë Botërore dhe u krijuan dhe shquan shumë historianë të lavdishëm në Shqipëri. Unë e di pasi në Kongrese, Konferenca, tubimet shkencore që bëheshin nëpër republikat e Jugosllavisë shkruhej me shumë respekt për historianët e Shqipërisë. Ata mund ti bënin lajka regjimit por të dhënat, metodologjia, shpjegimi që jepnin, ishin të drejta dhe objektive në shumicën e rasteve. Kryeministri i Shqipërisë dëshiron ta ndërrojë. Pse? Për një ideologji tjetër dhe për më tepër për një mentalitet tjetër. Kryeministri i Shqipërisë, objektivisht, dëshiron ta feudalizojë dhe bajraktarizojë historinë shqiptare duke amnistuar, duke glorifikuar, duke madhëruar figura pashallarësh me origjinë shqiptare që nuk kanë të bëjnë fare me përpjekjet për krijimin e shtetit modern shqiptar, nuk kanë të bëjnë aspak me pavarësinë dhe nuk i kanë dhënë ndonjë kontribut Shqipërisë por Perandorisë Otomane. Ai do të shquajë, të madhërojë atë që nuk pranohet si kuislingët, bashkëpunëtorët e fashizmit, njerëz që morën pjesë në pushtetin fashist dhe në pushtetin nazist pasi kapitulloi Italia. Epo këtë të tjerët nuk e bënë sepse moralisht është e papranueshme, shkencërisht, kombëtarisht e papranueshme në të gjitha vendet komuniste duke përfshirë edhe Francën që është vend me tradita dhe kulturë të jashtëzakonshme. Pas luftës, menjëherë, punët janë kryer me kuislingët, me bashkëpunëtorët e fashizmit. Ne nuk mund të harrojmë kur Charles de Gaulle pushkatoi një prej krenarive më të mëdha të Francës në Luftën e Parë Botërore, Marshall Pétain. E dënoi me vdekje sepse krijoi regjim pro fashist, që pranonte pushtimin e Francës, e dënoi me vdekje dhe meqë ishte në moshë të madhe ia hoqën dënimin me vdekje dhe i lanë dënim të përjetshëm. Por pushkatoi shumë të tjerë, madje intelektualë shumë të shquar si Robert Brasillach, shkrimtar i shquar, gazetar dhe publicist. E dënoi sepse ishte bashkëpunëtor i fashizmit. Pra, dënoi njerëz të ndryshëm, aktorë të ndryshëm, njerëz që kishin hotelet e veta sepse thuhej se i kishin shërbyer fashizmit. Kryeministri i Shqipërisë dëshiron t’i rehabilitojë ata, t’i madhërojë, t’i shquajë, t’i bëjë të merituar qoftë edhe për pavarësinë e Shqipërisë. Diçka e papranueshme, e palejueshme dhe e padëshmueshme. Unë them se këto janë të fryra, të ngjitura edhe prej një mentaliteti të tejkaluar, anakronik, mentaliteti patriarkal dhe feudal. Jo rastësisht madhërohen feudalët, shtëpitë e mëdha, përfaqësuesit e shtëpive më të mëdha po shkruhet në Shqipëri. اfarë janë këto shtëpi të mëdha ku po botohen edhe vepra? Kush janë ata përfaqësues, ata banorë të shtëpive të mëdha. Kur u pasuruan ata dhe bënë shtëpi të mëdha? U pasuruan duke i shërbyer popullit të vet, duke ndërtuar, duke përparuar jetën, kulturën, historinë e popullit të vet? Jo. U pasuruan, bënë shtëpi të mëdha në Perandorinë Otomane duke shfrytëzuar popullin e vet dhe duke i shërbyer pushtuesit. Epo tani nuk mundet, nuk pranohet, shkenca nuk e pranon këtë, etika intelektuale shkencore nuk e pranon këtë. Por kjo ndodh në Shqipëri. Mund ta bëjë dhe po e bën këtë gjë Kryeministri me Kryetaren e Parlamentit.
Në këto 20 vite të Shqipërisë në tranzicion, personi i cili ka kushtëzuar jetën e shqiptarëve dhe figura kryesore e tranzicionit shqiptar është Sali Berisha?
Po, mund të them se Sali Berisha është figura kryesore e këtyre 20 viteve që ushtroi ndikimin më të madh, që fitoi më shpesh në zgjedhje, që me sjelljet dhe veprimet e tija bëri ndikimet më të dukshme. Tranzicioni, shndërrimet që e çojnë Shqipërinë drejt realizimit të atyre standardeve që kërkohen prej Shqipërisë dhe vendeve të tjera që kanë dalë prej komunizmit dhe prej vendeve të tjera që do të inkuadrohen në Bashkimin Evropian, natyrisht janë arritur disa gjëra. Shqipëria nuk ka qëndruar në vend por ka ecur, janë bërë ndërtime. Shqipëria, në pikëpamje të ndërtimit, të infrastrukturës së qyteteve ka qenë mjaft mbrapa. Shqiptarët që kanë dalë, kanë punuar dhe kanë jetuar në botën e huaj kanë ndërtuar shtëpi, kanë bërë shumë ndërtime në Shqipëri dhe këto shihen kudo. Por ne, kur flasim për tranzicionin në Shqipëri, përpos dëshirës për të arritur të mirën, nuk mund të flasim edhe për gjëra të tjera. Nuk mund të mos flasim për vitin 1997, ku u shkatërruan institucionet, institucione me vlerë të veçantë të kulturës, ku u shkatërruan objekte, ku humbën jetën, disa thonë 2 mijë veta, disa thonë 3 mijë, disa 5 mijë por që gjithsesi u vranë njerëz. Kur flasim për tranzicionin në Shqipëri, nuk mund të mos flasim për piramidat financiare, një dramë financiare që iu ndodhi qytetarëve të Shqipërisë. E për çfarë? Natyrisht, si për vitin 1997, fajin e kishin ata që ishin në pushtet. Domethënë, kryeministri i sotëm i Shqipërisë. Kur flasim për tranzicionin, nuk mund të mos flasim edhe për tragjedinë e Gërdecit. Dhe unë, nuk mund të mos flas edhe për vrasjen e protestuesve më 21 janar 2011 dhe nuk mund të mos flas edhe për vetëdjegien e dy ish të burgosurve politikë. Këto nuk pranoj t’i lidhë me tranzicionin. Nuk e kuptoj atë tranzicion që ecën drejt demokracisë, që ecën drejt realizimit të standardeve demokratike, në të cilin ndodhën këto që kanë ndodhur në Shqipëri, janë edhe disa probleme të tjera. Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, qytetarët e vendit kërkojnë prej Shqipërisë të plotësojë dhe realizojë disa standarde që po quhen evropiane. Ky tranzicion merr fund kur bëhen reformat e duhura dhe kur realizohen ato standarde që quhen evropiane, demokratike, kulturore, qytetëruese, vlera të veçanta. Por ato standarde nuk janë arritur, një varg i atyre standardeve nuk është arritur. Shqipëria sot ende nuk ka arritur të realizoje zgjedhje vërtetë të lira dhe demokratike që të plotësojnë standardet e kërkuara nga Evropa. Në të vërtetë, Shqipëria sot, gjendet në një fazë që quhet gjysmëzgjedhore, ajo nuk është demokraci e vërtetë, demokraci e zgjedhjeve të lira. Shqipëria nuk ka arritur të realizojë atë që është kusht kur flitet për demokraci, që është ndarja e pushteteve, të pushteti ligjvënës, pushtetit gjyqësor dhe pushtetit zbatues pra, Kuvendi, Gjyqësori, Qeveria. Po e shohin dhe është e dëshmuar pasi po flasin edhe ambasadorët e huaj si ai i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe ai Evropian, që qeveria i sundon, i manipulon, i përdor gjyqësorin, kuvendin dhe presidencën tani. Jo presidencën e ish kryetarit të vendit Rexhep Meidani, jo presidencën e ish kryetarit Alfred Moisiu, por presidencën deri në një farë kohe të kryetarit të tanishëm të partisë Fryma e Re Demokratike dhe të kryetarit të tanishëm të Shqipërisë. Shqipëria nuk arriti, në procesin e tranzicionit, të sigurojë pavarësinë e pushteteve të ndara që janë të pashmangshme në demokraci. Në 100 vjetorin e pavarësisë ne nuk mund të themi se Shqipëria ka arritur të sigurojë barazinë e dinjitetit të qytetarëve. Shqipëria, në 100 vjetorin e pavarësisë, nuk ka arritur të krijojë administratë të qëndrueshme që në fjalë të huaj thuhet stabile. Administrata e Shqipërisë është administratë partiake. Në 100 vjetorin e pavarësisë në Shqipëri nuk është arritur edhe diçka që do të duhej të kishte marrë fund që në vitin 1991. Në Shqipëri nuk është arritur marrëveshje për datën e çlirimit të Shqipërisë prej pushtuesve pasi ende diskutohet nëse është 28 nëntori apo 29 nëntori. Në 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, gjatë periudhës së tranzicionit, nuk është arritur një qëndrim i përbashkët ndaj gjuhës standarde kombëtare. Në këtë tranzicion Shqipëria përjeton atë që nuk e përjetojnë vendet e tjera ish komuniste, çfarë nuk përjeton asnjë vend në Evropë. Kontestimi i një pjese politike shqiptare të gjuhës standarde, të një pjese politike që ka infrastrukturën e vet shkencore…
اfarë do t’i sillte prekja e gjuhës shqiptarëve?
Si fillim do sillte dëme shumë të mëdha. Me këtë gjuhë standarde siç është sot, shkruajmë 40 vjet tashmë. Me pak fjalë, kjo do të thotë të përmbysen të gjitha, në një mënyrë, ato vlera letrare, shkencore, publicistike etj. që janë krijuar bashkë me gjuhën. Kurrkush nuk pengon askënd të flasë edhe dialektet, kurrkush nuk pengon askënd të shkruajë vepra letrare edhe në dialekt por gjuha standarde është gjuha e administratës shtetërore, është gjuha e mjeteve të informimit, është gjuha e arsimit, është gjuha e diplomacisë, është gjuha e partive politike, është gjuha e institucioneve shtetërore. Këtu nuk duhet të preket gjuha dhe them se të gjitha këto përpjekje për ndryshimin, mos të them për rrënimin, e gjuhës standarde të një arrituri më të madhe kulturore në historinë e popullit shqiptar, nuk kanë ardhmëri, do të dështojnë.
Në këto 20 vite gjithashtu çfarë i ka sjellë familjes shqiptare tranzicioni shqiptar?
Familja shqiptare është e njohur si një familje e qëndrueshme me disa rregulla, me disa tradita, që të huajt do ta quanin standarde, norma, që ishin rregullat e jetës në familje të çmuara shumë, me zakone. Familja ishte e shenjtë në jetën shqiptare. As Kanuni i Lekë Dukagjinit nuk e lejon ndëshkimin e gruas, e trajton në një mënyrë të veçantë gruan. Edhe në Kanunin e dukagjinit është thënë se gruaja është themeli i shtëpisë. Pra, ishte familja shqiptare e sigurt, e paprekshme, e çmuar shumë. Kjo familje që ishte e ngjeshur, shumë kompakte, që çmohej shumë nga të huajt, ku çmoheshin shumë zakonet nga ato që kishin ardhur dhe i kishin parë këto familje dhe kishin hyrë në shtëpitë e tyre, flasin me shumë respekt për to. Kjo familje sipas mendimit tim po përjeton një krizë të rëndë. E para është e ballafaquar me prostitucionin, me tregtinë e qenieve njerëzore, drogën, me krime të ndryshme, me një agresivitet të veçantë që po ndodh në familje. Para një jave dëgjova në televizion se në 10 muaj janë vrarë 20 gra. Kjo është diçka e papranueshme dhe e palejueshme. Kjo krizë po sjellë që të ndodhë atë që nuk ka ndodhur më përpara. Kemi patur raste ku djali ka vrarë nënën ndërsa vrasja e gruas prej burrit dhe ndonjëherë e burrit prej gruas është bërë e shpeshtë. Pra, po ndodhin tragjedi, dhembje që nuk kanë ndodhur në familjen tradicionale. Ka një fajtor për këtë dhe kjo është politika. Sot nuk merret askush me familjen, nuk i kushton njeri vëmendje familjes. Për këtë arsye mund të ndodhë, fjala vjen, që të jepen para për festimin e përvjetorit të Vatrës në Nju Jork por që të mos gjenden para që të vendoset nëna me katër fëmijë që ka mbetur në rrugë është diçka e paparë dhe e padëgjuar. Dhe e dyta, agresivitetet që po ndodhin në familje dhe në jetën shqiptare e them me përgjegjësi intelektuale dhe qytetare, si një njeri që ndjek mjetet e informimit, këtë agresivitet e frymëzon edhe Kuvendi i Shqipërisë, një Kuvend ku dëgjojmë shumëçka dhe gjithçka, një Kuvend ku zotëron një gjuhë shumë e vrazhdë, një Kuvend ku dy forca janë shumë të ndara, një Kuvend ku shprehen pasione, mosdurime, urrejtje. Epo thuhet se Kuvendi është një institucion jo vetëm politik por është edhe një institucion pedagogjik dhe moral. Populli i sheh ata njerëz dhe prej tyre do mësojë të mirën dhe të keqen. Nuk do të duhej të ishte kështu.
Profesor, bashkimin e shikon të afërt, të mundshëm?
Ka individë politike dhe intelektuale të cilët thonë sot se Shqipëria dhe Kosova do të bashkohen në Bashkimin Evropian. Nuk më duket i pranueshëm ky mendim sepse nuk sjell ndonjë farë fryti në idenë e bashkimit të Shqipërisë dhe Kosovës. Në Bashkimin Evropian Shqipëria dhe Kosova mund të bashkohen ashtu siç do të bashkohej Shqipëria ose Kosova me Francën, Gjermaninë, Luksemburgun, Kroacinë, Slloveninë por problemi shtrohet ndryshe. Si dhe kur duhet të bashkohen dhe a mund të bashkohen Shqipëria dhe Kosova? Unë them se bindja, vetëdija ime historike më thotë se Shqipëria dhe Kosova në mënyrë të pashmangshme do të bashkohen dhe ky bashkim nënkupton të mirën, mundësinë, gjasën për përparim më të madh, për arritje më të mëdha, për jetë më të mirë të qytetarëve të Shqipërisë dhe Kosovës. Shqipëria dhe Kosova bashkë, me potencialet e tyre, mundësitë e tyre natyrore, njerëzore, dot ë bënin një shtet me mundësi shumë më të mëdha. Do të bënin sigurisht një shtet të lumtur.
Po si, duke bashkuar problemet? Sepse ne kemi probleme të ngjashme si ne, si ju këtu.
Sigurisht që kemi probleme por ideja e bashkimit i bën këto probleme të parëndësishme me vet bashkimin madje vetë bashkimi do t’i zgjidhë, do t’i rrafshojë këto probleme. Problemi i bashkimit të Kosovës dhe Shqipërisë ka edhe një rëndësi tjetër politike të veçantë. Kosova dhe Shqipëria do të hyjnë në Bashkimin Evropian. Bashkimi Evropian dhe Evropa nuk janë i njëjti nocion, kanë një dallim midis të dyjave. Bashkimi Evropian sot, parë realisht dhe objektivisht, drejtohet prej kombeve të mëdha si Gjermani, Franca dhe Britania e Madhe të cilat janë tre shtetet me rolin, ndikimin më të madh në drejtimin e Bashkimit Evropian. Këto janë shtete, këto janë popuj, këto janë kombe me identitete të forta shtetërore, kulturore, qytetëruese dhe këto kombe me identitete të forta realisht përfaqësojnë një sfidë për popujt e vegjël që do të inkuadrohen në Bashkimin Evropian. Nuk mund të jenë të sigurta identitetet e këtyre popujve të vegjël në Bashkimin Evropian për shkak të mbisundimit objektiv të identiteteve të fuqishme gjermane, franceze, britanike, italiane, spanjolle. Kosova e bashkuar me Shqipërinë sjell një premtim se identiteti shqiptar do të ruhet, zhvillohet, pasurohet dhe po kështu do të ndodhë edhe në Bashkimin Evropian. Shqipëria dhe Kosova bashkë janë premtimi i ruajtjes së identitetit etnik, kulturor, kombëtar të shqiptarëve. Dhe jo vetëm kaq. Ruajtja e identitetit të këtij shteti të bashkuar, Shqipëri-Kosovë, në të cilin mund të jetë edhe Maqedonia perëndimore, e përsëris, mund të jetë, ky shtet i bashkuar siguron që të ruhen identitetet edhe të shqiptarëve që janë pakica në shtetet e tjera të Ballkanit që do të inkuadrohen në Bashkimin Evropian. Pra, bashkimi i Kosovës dhe i Shqipërisë, ku disa analistë të huaj, edhe amerikanë, flasin edhe për bashkimin e Maqedonisë perëndimore, ka anën ekonomike, zhvillimore, kulturore por ka edhe anën politike. Me një fjalë, bashkimi, për mendimin tim, përfaqëson çështje ekzistenciale të popullit shqiptar sot.
Urimin per 100 vjetorin, do ta dërgoni nëpërmjet “Shqip” në Top Channel apo do t’ju shohim në Shqipëri, profesor, për 100 vitet tona të përbashkëta?
Unë e di se në shënjimin e 100 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së shtetit modern të Shqipërisë së sotme nuk do të jem në Tiranë. Se ku do të jem, do ta shoh. Por këtë urim e kam për sonte. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kur janë krijuar në vitin 1776, u janë dashur 10 vjet që të shkruajnë kushtetutën që çmohet si kushtetuta më e mirë, më demokratike, më humane në botë, iu janë dashur 89 vjet që të ndërpresin robërinë, iu janë dashur 144 vjet që t’i japin të drejtën e votës gruas dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës iu janë dashur 189 vjet që t’i sigurojnë të drejtat politike, qytetare, të drejtat njerëzore të gjithë nënshtetasve të Amerikës. Amerika është shtet i madh, shtet i përbërë prej racave të ndryshme, kombeve të ndryshme, popujve të ndryshëm dhe kjo zgjatje e këtyre arritjeve të mëdha në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është e kuptueshme. Shqipëria dhe Kosova, shqiptarët në përgjithësi, jetojnë në një hapësirë që është më e vogël dhe çështjet mund të zgjidhen, synimet, qëllimet mund të realizohen më shpejt. Unë besoj se ato që i dëshiron populli shqiptar do t’i realizojë shumë më shpejt dhe bashkimi i Kosovës me Shqipërinë, dhe mund të jetë edhe i Maqedonisë perëndimore me Shqipërinë, është një ide e madhe që do realizohet jo shumë larg. E them, e ka dëshmuar historia, se kur një popull dëshiron të bëjë diçka, ai doemos e bën atë që ia ka vënë për qëllim vetes për ta bërë. Populli shqiptar dëshiron të jetojë i bashkuar dhe ashtu do të jetojë.
Burimi: tch