Titulli: Qeveria thotë se nuk dorëzohet para veprimeve kriminale të opozitë
Shifra kundërthënëse rreth pjesëmarrjes në protestë
(E plotësuar) - Disa mijëra qytetarë sot u janë bashkuar tri partive opozitare në protestën e mbajtur në Prishtinë, ku u kërkua largimi i Qeverisë së Kosovës.
Por, se sa ka qenë numri i pjesëmarrësve ende nuk dihet, ngase organet e rendit dhe partitë opozitare kanë publikuar shifra të ndryshme rreth numrit të pjesëmarrësve.
Gjatë një konference të mbajtur në Prishtinë në lidhje me ngjarjet e sotme, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, ka thënë se në protestën e sotme ishin të pranishëm rreth 8 mijë qytetarë.
Ndryshe nga policia, partitë opozitare kanë treguar për numër shumë më të madh të protestuesve.
Në një postim në rrjetin social Facebook, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka thënë se në protestën e sotme kanë marrë pjesë rreth 70 mijë qytetarë.
Lëvizja Vetëvendosje ndërkaq, përmes një postimi në Facebook, protestën e sotme e ka quajtur si të më madhen të organizuar në Kosovën e pasluftës, duke pohuar për rreth 100 mijë pjesëmarrës.
Protesta e sotme në Prishtinë ka përshkallëzuar dy orë pasi që ka nisur.
Katër policë në flakë si pasojë e koktej molotovit
Katër policë të njësiteve speciale që u përballën me protestuesit janë përfshirë nga flaka si pasojë e një koktej molotovi e hedhur nga protestuesit.
Ndërsa një polic tjetër është parë të jetë lënduar, si duket nga gjësendet e forta të hedhura nga protestuesit në drejtim të forcave policore.
Qetësohet situata
Situata momentale është e qetë (ora 17:30).
Tek Posta e Madhe e Kosovës, në Ulpianë, janë pozicionuar një grup i madh i policëve të cilët kanë arritur ta shpërndajnë turmën e protestuesve.
* * * *
Po vazhdon aksioni i Policisë për shpërndarjen e protestuesve të dhunshëm.
Sipas njoftimeve policia me topa uji po shpërndan protestuesit të cilët tashmë gjenden afër Postës së madhe në lagjen Ulpiana.
Policia me topa uji dhe gaz lotsjellës shpërndan protestuesit
Policia po përdor gazin lotsjellës dhe topat e ujit për të shpërndarë protestuesit e dhunshëm.
Ata janë barikaduar në hyrje të sheshit “Zahir Pajaziti” dhe tek Katedralja.
Protestuesit pak më herët kanë gjuajtur fishekzjarrë në drejtim të tyre.
* * * *
Protestuesit në rrugën “George Bush” po gjuajnë me mjete piroteknike në drejtim të policisë.
Këta të fundit kanë krijuar një kordon në hyrje të sheshit “Zahir Pajaziti” për të mos lejuar rikthimin e tyre në shesh.
Fishekzjarrët e gjuajtur u ngjajnë atyre që hidhen për Vitin e Ri, ndërsa që opozita 9 janarin e kishte konsideruar vit të ri për Kosovën.
Protesta e dhunshme, ku po vazhdojnë të përdorin mjete të ndryshme të forta dhe koktej molotiv ndaj policisë, e këta të fundit po përdorin topa uji për t’i shpërndarë, është zhvendosur te Posta.
Në fotografi mund të shihni e si protestuesit gjithçka që po u del para po e gjuajnë në rrugë për t’ia bllokuar qarkullimin Policisë.
Ndërsa një kordon tjetër i Policisë është vendosur te Fakulteti Filologjik në drejtim të Mensës së Studentëve ku edhe aty janë një grup protestuesish që po vazhdojnë të gjuajnë me gurë.
Protesta vazhdon
Megjithëse udhëheqësit e partive opozitare deklaruan zyrtarisht mbylljen e protestës, disa pjesëmarrës në këtë protestë, po vazhdojnë të konfrontohen me forca të policisë.
Disa protestues janë duke hedhur koktej mollotov në drejtim të kordonit të policisë, që po qëndron pranë ndërtesës së Qeverisë. Ndërkohë që policia vazhdon me hedhjen e gazit lotsjellës në drejtim të këtyre protestuesve.
Policia e Kosovës tashmë po gjuhet edhe me koktej molotovi nga disa njerëz që janë të maskuar. Policia nuk po largohet nga oborri i Qeverisë së Kosovës e cila në asnjë moment nuk po afrohet afër proestuesve dhe nuk po ndërmerr asgjë.
Protestuesit kanë filluar të gjuajnë në drejtim të Policisë së Kosovës. Organizatorët e protestës po bëjnë apel që qytetarët të mos gjuajnë.
Megjithatë protestuesit po gjuajnë në drejtim të policisë me gurë dhe mjete të ndryshme piroteknike.
Rexhep Selimi mundohet ta qetësoj situatën, Ai vazhdimisht kërkon që qytetarët të mos hedhin gurë, por është e pamundur që të ndalet vlugu i qytetarëve./Bota sot
Limaj: Kosova ngrihet në këmbë kurdo që rrezikohet sovraniteti i saj
Lideri i NISMA-së, Fatmir Limaj ka nisur fjalimin e tij para qytetarëve. Kjo është një pjesë e fjalimit të tij:
Sot Kosova është bashkuar në Prishtinë për të ju thënë shkelësve të kushtetueses së ju nuk mund të qeverisni më me Kosovën. Jemi bashkuar pa dallime partiake e politike, jemi bashkuar si qytetarë sepse e kemi obligim për vendin tonë e cila ka shkelur kushtetutën e republikës.
Sot është dëshmi më e mirë se asgjë tjetër prezenca e juaj e fuqishme në këtë shesh. Sot Kosova është ngritur në këmbë ashtu siq do të ngritej çdo vend i qytetëruar i Evropës.
Jepni llogari për shkeljen e kushtetutës. Nëse ju refuzoni të jepni llogari ne refuzojmë që ju ta qeverisni republikën tonë. Qytetarët e Kosovës sot në Prishtinë po dërgojnë këtë mesazh. Ne jemi të bashkuar dhe kundër askujt mirëpo nuk duam që të na qeverisin ata që kanë shkelur kushtetutën tonë.
Haradinaj: Po përfundon dita e tyre, po vjen dita e juaj qytetarë
Lideri i AAK-së Ramush Haradinaj para qytetarëve të shumtë në sheshin “Skënderbeu” ka thënë se sot është dita kur do të bie Qeveria.
Duke iu drejtuar qytetarëve ai i ka uruar ata për “ditën e juaj”, urime dita e merituar”.
Fjalimi i Ramush Haradinajt
Të nderuar qytetarë, ngado që keni ardhë, faleminderit,
Kjo është dita juaj. Më në fund erdhi. Me meritë. Urime.
ثshtë bërë shumë gjatë dhe u bënë shumë herë që këta që po qeverisin e mashtruan qytetarin.
E thirrën qytetarin që t’ju besojë, që ti mbrojë nga armiku, do të thotë nga njëri-tjetri dhe e armiqësuan qytetarin, në kohët më të vështira për popullin tonë, duke i shkaktuar plagë të rënda vendit dhe shoqërisë. Armiqësi e cila u shfrytëzua nga të gjithë, kundër nesh.
Këta i thanë njëri-tjetrit vëlla, dhe u bënë bashkë vetëm në kohë të vështira për këta vet.
Ju kujtohet 14 shkurti 2014, kur Isa dhe Hashimi i përbinë të gjitha ato me të cilat na kishin armiqësu ma herët dhe u bënë bashkë për vete, që të shpëtojnë edhe ndonjë ditë nga qytetari, nga populli.
Por, edhe ditët e këtyre po perëndojnë. Po vjen dita juaj qytetarë. Po vjen dita juaj atdhetarë, dita juaj të rinjë e të reja. E drejta po fiton.
Këtyre sot iu thonë JO pikërisht ata të cilët u mashtruan gjatë prej tyre, atdhetari - në vlerat e të cilit u thirrën, intelektuali, i riu dhe e reja që e kuptuan mashtrimin e tyre.
Këtyre sot, të gjithë ne iu themi: JO - SHKONI.
Në ditët e fundit të tyre, për ta shpëtu lëkurën e vet edhe ndonjë ditë, e treguan dhe po e tregojnë egërsinë e tyre duke arrestu e shypë opozitën, e cila iu tha jo këtyre. I tha Jo - korrupcionit që e ka varfëru Kosovën,
JO - Kosovës pa ushtrinë e vet, JO “zajednicës” që na e bje n Serbinë në Kosovë, JO – demarkacionit, që nga اakorri e bjen kufirin në Kuqishtë dhe nga Kulla e Zhlepit në Savino Vodë.
Këta po e humbin fuqinë, po e humbin kontrollin, këta po shkojnë, e bashkë me ta edhe korrupcioni, edhe “zajednica” edhe demarkacioni. Gjykata Kushtetuese ua konfirmoi këtë.
Këta që dikur na armiqsonin ndërmjet vete e që populli e ka kuptu hilen e tyre, e që nuk po munden me e mashtru më qytetarin e vendit, tani po duan me e tutë bashkësinë ndërkombëtare prej opozitës, dhe në panikë po shkojnë te miqt, e besa edhe te armiqtë me iu thanë se Kosova është në rrezik nga opozita.
Por miqt e dijnë të vërtetën për Kosovën dhe e njohin Kosovën e vërtetë. E Kosova e vërtetë nuk janë këta mashtrues.
Po mundohen me i frikësu të gjithë, edhe komunitete etnike në Kosovë, por nuk po ju bën punë më. Të gjithë e kanë kuptu hilen e tyre.
Edhe pse zor është me e ba Kosovën, Kos ova do të fillojë me u ba kur të shkojnë këta.
Shkoni, që të bëhet Kosova,
Shkoni, që të ndalet korrupcioni,
Shkoni, që të ndodhë zhvillimi ekonomik,
Shkoni, që të kthehet Trepca…
Shkoni, që të mos i mbushim kampet e azilit nëpër Evropë,
Shkoni, që të kemi Ushtrinë tonë,
Shkoni, që t’i kthejm kufijt tanë,
Shkoni, që të kemi shtet me sovranitet!
Isë dhe Hashim – shkoni, se Kosova nuk ju duron ma.
Mijëra protestues në sheshin “Skënderbeu”
Derisa liderët po marshojnë drejt sheshit “Skënderbeu” këtu janë mbledhur shumë protestues ku po presin që të arrijnë për t’iu drejtuar masës.
Në çdo moment pritet ardhja e marshuesve para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës. Aktualisht ata janë sheshin “Zahir Pajaziti”.
Nis marshi drejt sheshit “Skënderbeu”
Marshi i protestuesve që janë mbledhur te Biblioteka Kombëtare ka filluar në këto çaste.
Sipas reporterit të kp, masës po iu prijnë liderët e partive opozitare.
Protestuesit po brohorasin “UاK”, “UاK”, “Poshtë Zajednica”, etj.
Marshi do të ndalojë në sheshin “Skënderbeu” aty ku pritet edhe të mbahen fjalimet e liderëve të tri partive politike.
Iu bashkohet mases Haradinaj dhe Limaj
-Drejtuesit e Nisma-s për Kosovën, të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe një pjesë e drejtuesve të Vetëvendosjes iu kanë bashkuar mijëra protestuesve te Biblioteka Kombëtare e Kosovës.
Aty kanë arritur, Fatmir Limaj, Jakup Krasniqi, Ramush Haradinaj dhe përfaqësues të tjerë të subjekteve opozitare.
Një numër i madh i protestuesve po qëndrojnë edhe në sheshet e kryeqytetit.
Fillon grumbullimi i protestuesve
Ka filluar grumbullimi i protestuesve të opozitës drejt oborrit të Biblotekës Kombëtare në Prishtinë, ku nga aty do të kërkojnë dorëheqjen e qeverisë së Kosovës pas nënshkrimit të marrëvëshjes së Asociacionit e Komunave me shumicë serbe, dhe atë të demarkacionit me Malin e Zi.
Protestuesit po vijnë nga të gjitha komunat e Kosovës, pas thirrjes së tri partive opozitare për të protestuar për rrëzimin e qeverisë Mustafa-Thaçi.
Rrethohet Qeveria dhe pastrohet sheshi
Njësia Speciale e Policisë së Kosovës ka arritur në oborrin e Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës. Ndërkohë, kompanitë e pastrimit kanë hequr të gjitha gjërat e forta që ishin në sheshin “Skenderbe”.
Në shesh tanimë kanë dal edhe një pjesë e madhe e mediave. Kurse, shumica e protestuesve tanimë janë nis drejt Prishtinës.
Opozita dhe policia para protestës
Aktivistë të subjekteve opozitare kanë filluar të vendosin binen në sheshin “Skenderbe”, ku pritet të flas lideri i Vetëvendosjes, Visar Ymeri, ai i AAK-së, Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj nga Nisma për Kosovën.
Ndërkohë edhe policia e regjioneve dhe njësive të ndryshme tanimë kanë arritur nëpër stacionet policore në kryeqytet, ku po mbajnë takimin e fundit konsultues para protestës që do të fillojë në ora 14:00, te Biblioteka Kombëtare dhe do të vazhdojë para Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës.
Edhe aktivistët e subjekteve opozitare, tanimë kanë përfunduar shumicën e organizimeve të tyre.
Sot mbahet protesta e opozitës, synim rrëzimi i Qeverisë
Sot do të mbahet protesta e paralajmëruar prej javësh nga tri partitë opozitare për anulimin e marrëveshjeve me Serbinë e Malin e Zi, si dhe për të kërkuar llogaridhënie nga ata që opozita konsideron ta kenë shkelur Kushtetutën e Kosovës.
Që të tri partitë opozitare disa herë radhazi, nëpërmjet konferencave për shtyp, prononcimeve për mediet e intervistave, kanë paralajmëruar se 9 janari shënon fillimin e një serie protestash deri në rrëzimin e Qeverisë dhe shkuarjen në zgjedhje të parakohshme.
Opozita e bashkuar e ka përsëritur vazhdimisht mungesën e legjitimitetit të koalicionit qeverisës pas vendimit të Kushtetueses në lidhje me themelimin e Asociacionit të komunave serbe në Kosovë.
Marshi protestues i partive opozitare nis nga Biblioteka Kombëtare në Prishtinë duke filluar nga ora 14:00.