Qeveria i rikthehet huamarrjes, ankand miliardësh një ditë pas zgjedhjeve

Зngjεll

___________
Huamarrja e brendshme në bono thesari do të jetë 53 miliardë lekë . Ankandi ka shumën më të madhe të kërkuar që nga 15 janari i këtij viti
Përgatitur nga: Ervin KOاI

Mungesa e likuiditetit (parasë kash) për gjysmën e dytë të vitit, e ka detyruar qeverinë shqiptare që t’i kthejë sytë vetëm nga ankandet e bonove të thesarit. Për këtë qëllim ajo ka programuar të tërheqë 53.2 miliardë lekë (rreth 410 milionë euro) bono thesari dhe obligacione, nga të cilat, 36.2 miliardë lekë janë emetime, ndërsa pjesa tjetër janë maturime. Lajmi bëhet i ditur nga të dhënat e Ministrisë së Financave, sipas të cilave superankandi do të mbahet në datën 30 qershor 2009. Të martën e ardhshme, Banka e Shqipërisë do të hapë ankandin për 21.6 miliardë lekë bono thesari 3-mujore dhe 12-mujore, ankandi me shumën më të madhe të kërkuar që nga 15 janari i këtij viti. Shuma prej 53.2 miliardë lekësh e kërkuar për korrikun, është më e larta e kërkuar për një muaj gjatë këtij viti. Gjatë muajve të fundit, qeveria ka tërhequr nga tregu mesatarisht 35 miliardë lekë në muaj. Që nga fillimi i vitit, qeveria ka emetuar 206 miliardë lekë borxh publik të brendshëm. Huamarrja e brendshme është zakonisht agresive në mes të vitit dhe në fund të tij, gjë që po vërehet edhe këtë vit. Por vetëm gjatë qershorit, qeveria tërhoqi borxh të brendshëm një shumë prej 29 miliardë lekësh dhe borxh në euro nga bankat e huaja shumën prej 155 milionë eurosh, për një total prej 378 milionë eurosh.

Borxhi publik

Borxhi publik shqiptar pritet të arrijë në 56 për qind të PBB-së deri në fund të vitit, si pasojë e rritjes së borxhit përballë mungesës së rritjes ekonomike. Shumë ekspertë të pavarur besojnë se borxhi i brendshëm i Shqipërisë do të rritet me rreth gjysmë miliardi euro vetëm këtë vit. Vlerësuesi i borxhit publik shqiptar, kompania "JCR ratings", rishikoi klasifikimin e pritshmërisë së borxhit nga "stabël" në "negativ", duke cituar si shkak "shpenzimet populiste të qeverisë në prag të zgjedhjeve". Por në rast se parashikimi i ndërkombëtarëve për rritjen ekonomike të Shqipërisë për vitin 2010 del i saktë, atëherë qeveria mund të detyrohet të realizojë një buxhet pa deficit. FMN-ja dhe BB-ja parashikojnë rritje ekonomike prej vetëm 2 për qind për vitin e ardhshëm.

Problemet e buxhetit

Buxheti i shtetit ka qenë nën presion të vazhdueshëm që nga tetori i vitit të kaluar, si pasojë e rënies së të ardhurave dhe rritjes së shpenzimeve, gjë që është pasqyruar edhe në kërkesën për borxh. Qeveria ka planifikuar në programin buxhetor të marrë një borxh të ri prej 50 miliardë lekësh, por vetëm kredia tregtare prej 250 milionë eurosh ka ezauruar rreth 60 për qind të programit të borxhit. Gjatë muajve të parë të këtij viti, shpenzimet e buxhetit tejkaluan programin, fenomen që ndodh për herë të parë që nga viti 2001. Ministria e Financave ka deklaruar më parë se buxheti i shtetit nuk ka ndonjë problem të madh për këtë vit, me përjashtim të faktit se shumë shpenzime janë programuar për gjashtëmujorin e parë, gjë që ka krijuar një hapësirë boshe mes realizimit të të ardhurave dhe realizimit të shpenzimeve. Por të dhënat periodike mbi të ardhurat dhe shpenzimet e buxhetit nuk janë publikuar që nga nëntori i vitit të kaluar, duke e bërë të vështirë informimin mbi gjendjen reale të buxhetit.

Faktorët e borxhit

Rruga Rrëshen-Kalimash, e cila është përuruar pjesërisht dy ditë më parë me dy korsi dhe me një tunel me sens të alternuar, ka qenë gllabëruesi më i madh i shpenzimeve buxhetore në Shqipëri. FMN-ja parashikon që ky projekt do t‘i kushtojë ekonomisë shqiptare 3.2 për qind të PBB-së këtë vit (rreth 250 milionë euro), nga e cila 80 për qind shkojnë jashtë vendit në formë importesh dhe fitimi për kontraktorët. Rritja e kërkesës së qeverisë për borxh të brendshëm shkakton kërkesë për lekë në treg nga bankat, të cilat janë blerëset kryesore të borxhit publik. Për pasojë, leku forcohet për një periudhë të shkurtër. Studime të ndryshme kanë vënë re një korrelacion të konsiderueshëm mes ecurisë së kërkesës për bono thesari dhe vlerës së lekut në treg. Leku u forcua ndjeshëm gjatë javës së fundit, si pasojë e kombinimit të disa faktorëve, por huamarrja e qeverisë ishte një nga faktorët. Por efekti i borxhit te forcimi i lekut është afatshkurtër, për shkak se paratë do të rikthehen në treg shumë shpejt.
 
Back
Top