Qentë rrugaçë "pushtojnë" Durrësin, rrezik epidemish

  • Hapësi i temës Hapësi i temës E3
  • Start date Start date

E3

Anëtar i Nderuar
V.I.P
Qentë rrugaçë kër-cënojnë Durrësin. Askush nuk e di me saktësi numrin e mishngrënësve endacakë që bredhin rrugëve, shesheve apo plazheve. Numri i tyre llogaritet pa hezitim me mijëra, por ajo që është e sigurt është shifra që vjen nga Urgjenca e qytetit. Që nga fillimi i muajit qershor e deri më tani numërohen 15 raste të kafshimit të kalimtarëve nga qentë pa pronar. Ato raste kanë qenë nga më të ndryshmet, nga gërvishtjet e lehta të lëkurës e deri tek ngulja e dhëmbëve gjer në kockë. Ndërhyrja e shpejtë ka shpëtuar pacientët nga sëmundja e tërbimit. Qentë rrugaçë livadhisin ku të mundin, madje edhe në territorin e supersurvejuar me kamera sigurie të portit të Durrësit. Dogana, e cila është prezantimi i parë i turistit me Shqipërinë është shndërruar në një "rezidencë" të qenve rrugaçë. Vath Osmani është një veteriner 50-vjeçar, i cili gjysmën e jetës së tij ia ka kushtuar mjekësisë së kafshëve. Ai është një ndër specialistët më të mirë të fushës në Drejtorinë Rajonale të Ushqimit, Bujqësisë dhe Mbrojtjes së Konsumatorit në Qarkun Durrës-Krujë. Vath Osmani jep alarmin se Durrësi rrezikohet nga sulmet e qenve rrugaçë. "Ka me mijëra qen të braktisur nga pronarët apo të lindur në rrugë, të cilët duke krijuar grupime, marrin të njëjtat karakteristika me kopenë. Që nga ai moment i konsiderojnë kalimtarët prenë e tyre ndërsa veten predatorë. Ata janë një "minë me sahat" për turizmin në Durrës. Janë jashtë çdo kontrolli veterinar dhe preken kolektivisht nga lloj-lloj parazitësh, virusesh, apo bakteresh nga më të rëndomtat e deri tek ato fatalet për jetën", u shpreh Osmani. Ai deklaron se këtë vit nuk ka mbërritur në institucionin ku ai punon raporti vjetor i Bashkisë për qentë rrugaçë. Me këtë rast ai i bën apel Bashkisë së Durrësit, që të mos e injorojë situatën, pasi do të mjaftonte një incident i vetëm me ndonjë turist të huaj për të minuar për 10 vitet e ardhshme turizmin në Durrës. Me përjashtim të vitit elektoral 2009, në çdo vit tjetër të kaluar Bashkia e Durrësit ka kryer fushata të gjera për ekzekutimin e qenve rrugaçë. Specialistë të gjuetisë me çifte ndaheshin në skuadra për të vrarë kopetë e qenve. Vrasjet e qenve endacakë kryheshin në mes të lagjeve të banuara dhe shpeshherë veç zhurmave që krijonin nuk jepnin rezultatet e duhura. Shpeshherë qentë plagoseshin dhe njollat e gjakut dukeshin me ditë të tëra mbi asfalt. Mes tyre kishte edhe raste kur agonia e kafshës së plagosur zgjaste me ditë, derisa ai ngordhte në ndonjë gardh ose kazan plehrash. Në BE, ku Durrësi dhe Shqipëria synon të integrohen një gjë e tillë nuk kryhet prej dekadash. Ekzistojnë disa mënyra ku më të efektshmet janë mbledhja e qenve në kanile, vende në të cilët ato veç ushqimit marrin periodikisht edhe vaksinat. Por një tjetër metodë është edhe sterilizimi i qenve rrugaçë përmes injeksioneve. Specialisti Osmani shprehet se ky program kërkon fonde, por më shumë se paratë duhet në radhë të parë vullnet dhe bashkëpunim për një strategji të qartë dhe të efektshme.

Pse rrezikohen njerëzit?
Sëmundja e tërbimit është më e rrezikshmja për njerëzit, pasi rrezikon paralizë deri në vdekje, nëse nuk kurohet shpejt. Megjithatë, ankthi i kafshimit nga një qen rrugaç nuk mbaron me mbylljen e plagës, pasi ka shumë raste kur inkubacioni i sëmundjes zgjat me javë ose muaj. Lista e sëmundjeve që kanos një pacient të kafshuar nga qeni rrugaç është shumë e gjatë. Ajo vijon me leshmanjozën, zgjeben, ekinokokun (një lloj paraziti) etj, por këto të fundit nuk janë të rrezikshme për jetën nëse kapen shpejt.
*panorama*
 
Back
Top