Titulli: “Pse gjykohem unë dhe s’gjykohen Ksera e Bollano?”
Qirje Bollano, e xum tria lia la laaaaa!
Në të vërtetë, në këto ditë të para të vitit nuk ia vlen të merresh me kundrat, të çdo lloji qofshin! E mira e lyp të urosh: - Gëzuar Vitin e Ri 2009, o shqiptarë medemek të lirë e sovranë!
Ejani të këndojmë në korr: “E xum tri a lia la aaa, e pika që s’na ra”! Le të harrojmë hallet, gërrmërret e keqkuptimet e të besojmë më shumë te vetja, te njëri-tjetri, te Shqipëria demokratike! Le t’u gëzohemi sukseseve të papara të qeverisë Berisha që po dehet nga vetkënaqësia “me dy shifra” e rritjes së njëkohshme hëm të ekonomisë hëm të varfërisë!...Le të ngazëllehemi me udhëheqësit tanë që nuk na harruan as në këto ditë: ca shkuan nëpër jetimore, ca në maternitet, ca nëpër spitale, ca te dyert e burgjeve të plakave, por më rëndësorët u bënë personazhe skeçesh për të na gajasur!…Oh, sa të dashur janë me fakirfukarenjtë, me njerëzit në nevojë këta udhëheqësit tanë në ditë feste! Kur i sheh nëpër ekrane të vjen të qash e pastaj të ulërish: kush dreqin janë ata edepsëzë (të tjerë, natyrisht!) që na bëjnë të vuajmë, xhanëm?...Se këta duken kaq të mirë e kaq të përkushtuar?!
Por të gjithë fajin me sa duket e ka tranzicioni dhe shpikja që quhet televizion! E kanë kamerat! E ka vargu i pakuptimtë i këngës nëpër votimet tona festive: “E xum tri a la laaaa!” Sikur të mos ishte ky i uruar televizion, që tani ka hyrë pa trokitur në çdo shtëpi, ne nuk do të shihnim çdo natë, dy e tri herë, këtë lukuni udhëheqësish kaq të panginjur me surretërit e fjalët e tyre! Nuk do ta dinim që jemi të fundit e më të vetmuarit jo vetëm në Evropë, po edhe në Ballkan! Pa kamerat e TëVërave, Kuvendi nuk do të ishte estradë e as fushëbetejë, pasi edhe deputetët do të këndonin:”E xum tri a la laaaa”! Krerët tanë nuk do të pozonin e ligjëronin para kamerave për jetimët e për pleqtë e azileve, e as për hallet tona ( këta, sipas traditës së Enverit, ende përdoren si figurantë e dekor), por për të na hedhur sërish hi syve ne, zgjedhësve të mbetur jetimë dhe azilantë në vendin tonë të dashur që qesh edhe me fatkeqësitë e veta! Fajin pra e kanë ekranet, aktori i humorit Agron Llakaj dhe ne qytetarët që u mbajmë iso! Ndaj urimi i tyre “Gëzuar!” më shumë ngjan si një tallje e radhës për të mos thënë si një mallkim tjetër për (mos)ndryshim! E megjithatë, ejani mblidhuni këtu-këtu që të këndojmë të gjithë tok: “E xum tria la lia lalaaaa!”
***
Por le të largohemi paksa nga Tirana e nga liderët tanë maniakë televizivë e të shohim veten nga një tjetër pasqyrë, nga pasqyra e një politikani provincial, të dorës së tretë, në dukje pa peshë e pa rëndësi, por që, megjithatë, jo pa sukses ka sfiduar dhe vënë në provë shtetin shqiptar, dinjitetin kombëtar dhe peshën e Shqipërisë! Ky Bollano e meriton të ishte shpallur “njeriu i vitit” në Greqi, sepse gjatë 2008-tës ai ka qenë një nga protagonistët më të spikatur si në Shqipëri e në Greqi! Venizollisti i vonuar Vasil Bollano, i cili, edhe në ditë festash, para Krishtlindjeve, nuk mënoi të trazojë klimën festive dhe harmoninë ndëretnike në Shqipëri, sepse pas “memorandumit” kaloi në intervista flakëhedhëse për gazetat greke që të na detyrojë të besojmë se Shqipëria sa vjen e po leqendiset nga Bollanoja i Himarës! Më me guxim edhe se Berisha, ky nëpunës shkel Kushtetutën për të ngjallur të vdekurin e palindur, Vorio-Epirin! Ky “misionar” i përçarjes nuk ngurron të shpallet hapur si antishqiptar! Ky bulon kërkon të bëhet martir i Megaloidhesë, madje kërkon të futet patjetër në burg që të bëhet i famshëm në Greqi! Ky njeri kërkon sherr me çdo kusht, jo vetëm me banorët e Himarës, po me të gjithë qytetarët e Shqipërisë! Qirje Bollano është modeli ballkanik i tjetërsimit, i shitblerjes së vetes për të përfituar sadopak lavdi, ofiqe e pasuri të pamerituar! Ky i ngjet atij nëpunësit të tregimit të اehovit që i doli karrocës përpara që t’i përmendej emri në gazetë! Bollano i del përpara qerres së shtetit shqiptar për ta atë vënë në provë se sa takat dhe dinjitet ndërkombëtar ka!...E xum triala laaaa!
Ajo që të habit është fakti që PBDNJ-shi, kjo parti e regjistruar si parti shqiptare dhe jo greke nuk reagon kur na shkelen të drejtat ne shqiptarëve… Edhe qarqet zyrtare greke (ato që janë vërtet demokratike) nuk po e kuptojnë se një bulon i tillë në të vërtetë u prish punë, se dëmton jo vetëm marrëdhëniet Shqipëri-Greqi, po edhe imazhin e Greqisë…Ndaj Bollanoja vlen për të shtruar këto pyetje: Përse i leverdis Greqisë të mbjellë në Shqipëri farën “Bollano” të urrejtjes? Tekefundit,përse i duhet një “Bollano” kaq provokativ? A thua vërtet ka në Greqi qarqe që shpresojnë se mund të aneksojnë një ditë territore të Shqipërisë, pasi të ketë mbirë “fara” Bollano? Por as PBDNJ dhe as zërat demokratikë grekë, çuditërisht, (ndoshta duhet thënë: jo dhe aq çuditërisht!) nuk i vënë fre në gojë këtij buloni të spanarur! Pikërisht ky fakt e bën “çështjen Bollano” një dukuri që lipset të trajtohet seriozisht!
Me sa duket përçarja dhe urrejtja ndëretnike, këto mbeturina atavike të së kaluarës së largët në marrëdhëniet Greqi-Shqipëri, në disa qarqe ende prodhojnë emër dhe pasurim të padrejtë e të atypëratyshëm, madje edhe dalje nga anonimati provincial i askërrkushit. Bollano dhe xhinsi i tij “vorioepirot” është prodhimi më i shpërdorur i këtij investimi shovinist që synon të mbjellë një klimë që e kemi provuar dhe shijuar veçanërisht në kohën kur po sendërtohej Pavarësia e Shqipërisë, natyrisht jo vetëm me fjalë, po edhe me terror, me vrasje patriotësh e masakra të pashembullta në Jug të vendit! Në të vërtetë, po ta vështrosh nga larg, nuk ia vlen të merresh me Bollanon, por ama ky shembull vulgariteti ballkanik shërben për të kuptuar se sa janë përkequr punët në shtetin tonë! Sepse në çdo vend normal demokratik, një zyrtar i tillë, nuk do të guxonte të shkelte Kushtetutën e të mbillte përçarje ndëretnike, pasi do të kishte marrë përgjigjen e merituar nga organet e Drejtësisë! Në cilin vend demokratik, “sovran e të lirë” (si u shprehën kohët e fundit Berisha dhe Topalli në përgjigje të ambasadorit amerikan), mund të ndodhë që një kryebashkiak province të kërkojë ndarjen e vendit, të vendosë nëpër rrugë tabela me alfabet grek, të heqë ato shqip, të ndërrojë emrat e qytetarëve në regjistrat e gjendjes civile, të hedhë parrulla armiqësore me flamuj grekë (si në një tokë të pushtuar!) nëpër fushatat zgjedhore të Himarës, të stimulojë “homogjenizimin” e popullatës dhe shteti e përfaqësuesit e saj të mos pipëtijnë?! Ku mund të bëjë vaki që një zyrtar, qoftë edhe përfaqësues minoriteti, t’i bëjë thirrje një vendi tjetër që ky të mos ratifikojë MSA-në, pa na vënë kushte për dizintegrimin e vendit? Por derisa Greqia nuk po jep asnjë shenjë se mund të ratifikojë MSA-në dhe hyrjen tonë në NATO, (njëlloj si ka vepruar me “ligjin e luftës”),duke mbetur e fundit në radhën e shteteve anëtare të BE-së, dëshmon se deklaratat dhe letrat e Bollanos në Parlamentin grek nuk janë “bulona vetiakë”vetëm të tij!Kjo është ana më e dyshimtë, por edhe më e qartë e “çështjes Bollano!”
***
Greqia është në ditët e saj më të vështira, pas trazirave gati njëmujore të rinisë dhe të popullit grek. Këto trazira që nuk u shuan as për Krishtlindje provojnë se kriza greke nuk është vetëm krizë e qeverisë aktuale, por e mbarë shoqërisë greke që po kërkon, me të drejtë, ndryshime rrënjësore e strukturore! Ndërkohë Greqia e megalomanisë dhe e megaloidesë, -ky burim i pashterur antievropjan i krizave të saj -, veç situatës së brendshme, deri tani të pazgjidhshme, ka probleme të vështira me Maqedoninë, pas vetos kundër këtij vendi për çështjen e emrit! Së largu, kjo duket si një trill tipik grek që ka vënë në vështirësi BE-në, SHBA-në, madje edhe OKB-në. Por Greqia ka probleme historike me Turqinë, natyrisht jo vetëm për shkak të Qipros…Atëherë, në këtë kontekst, përse i lipset edhe një tjetër sherr në rajon? Përse po rindizen urat e zjarrit me Shqipërinë?
Pavarësisht se nuk kemi ecur përpara si do të dëshironim, ne, shqiptarët, nuk jemi më ata të viteve 90-të! Tani ka dy shtete shqiptarësh. Ne kemi mbi gjysmë milion shqiptarë në Greqi. Shumë shpejt edhe si popullsi ne do të jemi më shumë se grekët. Shqiptarët po lënë punët e zeza në Greqi e po punësojnë grekët edhe këtu, edhe në Greqi. Vetëm siguracionet dhe depozitat e shqiptarëve në Greqi do të mjaftonin për të destabilizuar ekonomikisht Greqinë…Për të mos folur për çështjen çame, e cila, edhe pse nuk përmendet nga politika e sotme e Tiranës, nuk do të thotë se është e humbur dhe e harruar në arkivat tona…Ka për të ardhur shpejt dita që Greqia të jetë fort e interesuar ta ketë mirë me Shqipërinë…Atëherë kujt i leverdis kjo miopi “Bollanosh” e bulonash në Athinë?
Të gjitha deklaratat e Bollanos, madje edhe trysnia e MPJ greke për varrezat e ushtarëve grekë në Jug të Shqipërisë të cilat po na serviren, më shumë si kushte, si provokacione e si ultimatume të njëanshme, se sa si akte humanizmi, apo si leksione “për respektimin e të drejtave të njeriut dhe të minoriteteve”, duket sikur po kalojnë pa u vënë re…Kjo sepse shqiptarët ende janë në “tenxheren me presion” të varfërisë, të pasigurisë dhe sidomos të mosbesimit te klasa e sotme drejtuese…(Mos vallë edhe për këto arsye e mbajnë më këmbë Berishën?)…Por edhe pse prapa derës së Greqisë ende qëndron “fshesa” dhe vetoja për në NATO dhe BE, si një kamxhik i ngrehur. Megjithatë, këto veprime antidemokratike të një anëtari të BE-së duhen denoncuar nga BE-ja e MPJ jonë, e cila asnjëherë nuk është shprehur zyrtarisht, edhe pse sjelljet e Athinës shkojnë ndesh me detyrimin për reciprocitet dhe fqinjësi të mirë, duke na poshtëruar jo vetëm në pikat e kalimit të kufirit…Përse nuk i ushtrohet asnjë trysni nga Tirana e sotme Greqisë që nuk po ratifikon MSA-në dhe NATO-n? ثshtë e qartë, kjo dëshmon frikën prej një sejmeni katundar para një Athine që të bën gjëmën, andaj këtu qeveria vazhdon të këndojë me iso:E xum triala lalaaa!
Deri tani nuk ka kurrfarë reagimi as nga qeveria, as nga Presidenti i Republikës, as nga “nacionalisti”i thekur Berisha! Këta pranojnë me përulësi poshtërimin vetjak dhe sidomos atë kombëtar, që në rastin më të mirë do të thotë se atyre nuk ua mban të përballen me ultrat obskurantiste dhe zërat shovinistë, të cilat kanë provuar mëse një herë se mund të të rrëzojnë nga pushteti!Mjafton një telefonatë nga Athina që të dalë nga koalicioni PBDNJ që qeveria Berisha të shembet!Për të mos përmendur edhe “mjetet” diplomatike” të lobingjeve greke…Këtë mësim-pësim më mirë se kushdo e di Berisha që nuk e harron kurrë “koston” që pagoi kur arrestoi minoritarët grekë. Ndaj Berisha nuk kruhet dot më me “vëllezërit” e tij grekë…Por tani as diaspora jonë e mençur nuk dëgjohet të thotë se “në Tiranë paska një qeveri greke”, si thuhej e madje edhe besohej për qeverinë Nano…Këtë e di Bollano, omonistët e tij dhe veçanërisht disa deputetë grekë, kinse shovinistë që provokojnë e luajnë si macja me miun mbi fuçinë me barut…!Por një sjellje e tillë lapangjozërishte nuk ndodh me klasën politike të Maqedonisë, edhe pse ky shtet ende është pa një emër zyrtar, edhe pse nuk ka atë ndikim ekonomik dhe njerëzor (mbi gjysmë milion shqiptarë që punojnë në Greqi) si kemi ne…Edhe në Maqedoni qënkesh një prift serb që bën të njëjtat provokime që bën Bollano! Por prifti nacionalist serb nuk ka atë ndikim dhe përkrahje nga qeveria si e ka Bollanoja, madje atë e rrasin herë pas here edhe në burg për ta sjellë në vete!...Maqedonia madje sakrifikoi edhe futjen në NATO, hyri edhe në zgjedhje të parakohshme, po hedh në gjyq ndërkombëtar Greqinë, po ankohet për të drejtat e pakicave maqedonase në Greqi, etj,etj, të cilat, gjithsesi, meritojnë respekt!
Kurse ne po na tërheq për hunde një copë Bollanoje!E xum tria la lalaaaaa!
Analiza e Kico Blushit ne BalkanWeb