Prokuroria

ida angel

:)
V.I.P
Bazat kushtetuese për funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë vendosen nga pjesa 10 e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Sipas Kushtetutës Prokuroria ushtron ndjekjen penale, si dhe përfaqëson akuzën në gjyq në emër të shtetit. Prokurorët janë të organizuar dhe funksionojnë pranë sistemit gjyqësor si një organ i centralizuar.

Prokurori i Përgjithshëm emërohet nga Presidenti i Republikës me pëlqimin e Kuvendit.

Prokurori i Përgjithshëm mund të shkarkohet nga Presidenti i Republikës, me propozim të Kuvendit, për shkelje të Kushtetutës ose për shkelje të rënda të ligjit gjatë ushtrimit të funksioneve të tij, për paaftësi mendore a fizike, për akte e sjellje që diskreditojnë rëndë pozitën dhe figurën e Prokurorit. Prokurorët e tjerë emërohen dhe shkarkohen nga Presidenti i Republikës me propozim të Prokurorit të Përgjithshëm.



Por në mënyrë më të detajuar organizimi dhe funksionimi i Prokurorisë rregullohet nga Ligji Nr.8737, datë 12.2.2001 "Për Organizimin dhe Funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë". Sipas këtij ligji, Prokuroria organizohet dhe funksionon nën drejtimin e Prokurorit të Përgjithshëm si strukturë e centralizuar, ku përfshihen Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm, Këshilli i Prokurorisë dhe Prokuroritë pranë sistemit gjyqësor. Prokurorët në ushtrimin e detyrës u nënshtrohen Kushtetutës dhe Ligjeve si dhe i ushtrojnë kompetencat e tyre duke respektuar parimet e proçedimit të drejtë, të barabartë e të rregullt ligjor dhe mbrojtjes të së drejtave, interesave dhe të lirive të ligjshme të njeriut.



Përveç funksionit të saj parësor në ushtrimin e ndjekjes penale dhe përfaqësimit të akuzës Prokuroria organizon dhe bashkëpunon me institucione shtetërore, si dhe me subjekte të tjera publike e private në veprimtari për edukimin e shoqërisë, me synim njohjen e ligjit dhe parandalimin e kriminalitetit.



Edhe në rastin e veprimtarisë së Prokurorisë, informimi i publikut mbetet një nga parimet parësore të kësaj veprimtarie. Megjithatë, prokurorëve nuk i lejohet të japin të dhëna që dëmtojne proçesin e hetimeve, që cënojnë dinjitetin dhe jetën private të personave, që cënojne të drejtat e të miturve dhe moralin publik.



Roli i Prokurorit të Përgjithshëm
Prokurori i Përgjithshëm qendron në krye të të gjithë sistemit dhe strukturës së Prokurorisë. Prokurori i Përgjithshëm ështe përgjegjësi primar për mbarëvajtjen e punëve në Prokurori si dhe për plotësimin e detyrave nga ana e saj.



Shkurtimisht, kompetencat apo detyrat kryesore të Prokurorit të Përgjithshëm konsistojnë në propozimet që Prokurori i Përgjithshëm i bën Presidentit të Republikës për përcaktimin e numrit të përgjithshëm të prokurorëve, pasi të ketë marrë mendimin e Ministrit të Drejtësisë si dhe në propozimet për emërimin, transferimin, ngritjen në detyrë dhe shkarkimin e prokurorëve.

Gjithashtu, Prokurori i Përgjithshëm cakton drejtuesit e prokurorive dhe zëvëndësit e tyre në Prokuroritë pranë Gjykatave, miraton strukturën, organikën dhe rregulloret e funksionimit të Prokurorive pranë Gjykatave dhe të Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm, urdhëron komandimin e prokurorëve, ushtron funksionet e drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Lartë, emëron dhe shkarkon punonjësit e administratës në strukturat e Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm, përfaqëson Prokurorinë në marrëdhëniet me të tretët, përcakton pagesat për rastet e shpërblimit të dëshmitarëve apo për sigurimin e provave të rëndësishme për hetimet si dhe jep udhëzime për punën e Policisë Gjyqësore.



Prokurori i Përgjithshem i ushtron funksionet e mësipërme duke nxjerrë urdhra dhe udhëzime për ushtrimin e detyrave të përcaktuara nga Kushtetuta dhe Ligjet. Pranë Prokurorit të Përgjithshëm funksionon një zyrë e cila quhet Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm. Kjo zyrë përbëhet nga Kabineti i Prokurorit të Përgjithshëm, i cili jep të dhëna, përgatit dhe bashkërendon marrëdhëniet e Prokurorit të Përgjithshëm me strukturat në varësi të tij, me institucionet shtetërore dhe me publikun; nga Drejtoritë e hetimit dhe të kontrollit të ndjekjes penale, të cilat bashkërendojnë, kontrollojnë dhe ndihmojnë Prokuroritë pranë Gjykatave në ushtrimin e funksioneve të tyre; nga Drejtoria e Marrëdhenieve Juridiksionale me jashtë, e cila inicion, përgatit dhe ndjek realizimin e marrëdhenieve të Prokurorisë me institucionet analoge ose me subjekte të tjera, të huaja si dhe nga Drejtoria e Personelit dhe Inspektimit, e cila administron dokumentacionin me të dhënat vetiake të kandidatëve, prokurorëve dhe punonjësve të tjerë të Prokurorisë, kontrollon, në mënyrë të planifikuar ose për çështje të veçanta, ushtrimin e detyrës nga prokurorët, verifikon pasuritë e tyre, si dhe përgatit dokumentacionin për emërimin, transferimin, ngritjen në detyrë dhe shkarkimin e prokurorëve.



Këshilli i Prokurorisë
Këshilli i Prokurorisë është një organ këshillimor i cili përbëhet nga shtatë anëtarë. Në Këshillin e Prokurorisë bëjnë pjesë një përfaqësues i Presidentit, një përfaqësues i Ministrit të Drejtësisë dhe pesë prokurorë të cilët zgjidhen nga mbledhja e përgjithshme e prokurorëve.



Këshilli i Prokurorisë organizon konkursin për emërimin e prokurorëve, shqyrton vlerësimin e punës dhe shkeljet disiplinore të kryera nga prokurorët dhe jep mendim për projektet e Prokurorit të Përgjithshëm, si dhe për praktikën hetimore.



Struktura e Prokurorisë Pranë Sistemit Gjyqësor
Struktura e Prokurorisë ndjek atë të sistemit gjyqësor. Me fjalë të tjera, pranë çdo niveli të sistemit gjyqësor kemi edhe Prokurorinë përkatëse. Pranë Gjykatës së Lartë funksionet e Prokurorisë ushtrohen nga prokurorët e Prokurorisë së Përgjithshme. Prokurorët pranë Gjykatës së Lartë ushtrojnë ndjekjen penale, si dhe përfaqësojnë akuzën në gjyq kundër Presidentit të Republikës, Kryeministrit dhe anëtarëve të Këshillit të Ministrave, deputetëve, gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë.



Pranë Gjykatave të Apelit funksionet e Prokurorisë ushtrohen nga prokurorët e Apelit. Juridiksioni i tyre përfshin të gjithë territorin, ku shtrihet juridiksioni i Gjykatës përkatëse. Pranë Gjykatave të Shkallës së Parë funksionet e Prokurorisë ushtrohen nga prokurorët e shkallës së parë. Juridiksioni i tyre përfshin të gjithë territorin ku shtrihet juridiksioni i Gjykatës përkatëse.

Emërimi i Prokurorëve
Emërimi i prokurorëve bëhet me konkurs. Prokurori i Përgjithshëm, pasi ka marrë mendimin e Këshillit të Prokurorisë shpall publikisht vendet vakant për prokurorë, së paku një muaj para datës së caktuar për zhvillimin e konkurimit. Shpallja bëhet në të paktën dy gazeta me shpërndarje kombëtare dhe tirazh të mjaftueshëm, si dhe me anë të Radios dhe Televizionit Publik. Depozitimi i kërkesave të shoqëruara me dokumentet e kërkuara për pranimin në konkurim duhet të bëhet nga konkuruesit jo më vonë se dy javë nga data e fundit e shpalljes publike të vendit vakant.



Megjithatë, jo çdo person ka të drejtë të aplikojë për t'u emëruar prokuror. Më poshtë do të shikojmë që shteti me të drejtë kërkon garanci të mëdha për personat që kryejnë funksionin e prokurorit. Për t'u emëruar si prokuror një person duhet të jetë shtetas shqiptar jo më pak se 25 vjeç, të ketë zotësi të plotë për të vepruar, të ketë arsim të lartë juridik, të ketë përfunduar Shkollën e Magjistraturës, të mos jetë dënuar me vendim të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale, të mos jetë larguar, për shkelje disiplinore, nga administrata publike brenda një afati prej 3 vjetësh nga data e depozitimit të kërkesës. Kur shkelja disiplinore është kryer gjatë ushtrimit të funksionit si gjyqtar, prokuror, oficer i Policisë Gjyqësore, noter ose avokat, afati i parashkrimit të kësaj shkeljeje është 5 vjet.



Kur personi nuk ka mbaruar Shkollën e Magjistraturës ai mund të emërohet prokuror vetëm në qoftë se ka punuar gjyqtar ose prokuror ose ka punuar, jo më pak se 3 vjet, pedagog në Shkollën e Magjistraturës, në Fakultetin Juridik, këshilltar ligjor, drejtues ose specialist në strukturat juridiko-profesionale në Kuvend, pranë Presidentit, në Këshillin e Ministrave, në Gjykatën e Lartë, në Ministrinë e Drejtësisë, pranë Zyrës së Avokatit të Popullit ose deputet me arsim të lartë juridik, si dhe oficer në Policinë Gjyqësore.



Në fund të proçesit të përzgjedhjes, Këshilli i Prokurorisë bën vlerësimin e kandidaturave dhe mendimin e tij ia paraqet Prokurorit të Përgjithshem, i cili duhet të vendosë për emërimet brenda 15 ditësh. Kandidatet për prokuror emërohen në detyrë nga Presidenti i Republikes me propozimin e Prokurorit të Përgjithshëm mbi bazën e rezultateve të konkurimit.
 
Konflikti i Interesave dhe Ndalime të Tjera

Për të siguruar paanshmërinë dhe integritetin maksimal të prokurorëve, ata nuk mund të shërbejnë pranë të njëjtës Gjykatë ku ushtrojnë funksionet e prokurorit ose të gjyqtarit persona me të cilët ka lidhje gjinie ose martesore, cilado qoftë shkalla e lidhjes në vijë të drejtë dhe deri në shkallën e dytë në vijë të tërthortë. Gjithashtu, prokurorët nuk mund të shërbejnë në rrethin ku kanë punuar si avokatë.



Megjithëse prokurori ështe i lire të marrë pjesë në shoqata apo organizata me veprimtari jo fitimprurëse ose që kanë për qëllim respektimin e etikës ose ngritjen profesionale atij i ndalohet të bëjë pjesë në parti politike ose të marrë pjesë në veprimtari me karakter politik. Gjithashtu, prokurorit i ndalohet të bëjë grevë dhe funksioni i prokurorit ështe i papajtueshëm me kandidimin dhe me çdo mandat zgjedhor, detyrë ose veprimtari publike, me përjashtim të veprimtarive edukative e të mësimdhënies. Prokurorit i ndalohet dypunësimi dhe pjesmarrja në organet drejtuese të shoqërive tregtare.



Për të ruajtur integritetin e hetimeve, prokurorëve u ndalohet të bëjnë publike ose t'u japin personave të tretë të dhëna që mund të dëmtojnë çështjen në proçes hetimi apo gjykimi, si dhe të dhëna me karakter konfidencial ose të rezervuar. Gjithashtu, prokurorëve u ndalohet të bëjnë deklarata ose të japin mendime për veprimtarinë e organeve të tjera.



Në mënyrë për të përfituar nga përvoja e prokurorëve me eksperiencë, prokurori mund të punojë në nivele drejtuese dhe ekzekutuese të Kabinetit të Ministrit dhe të strukturave juridiko-profesionale të Ministrisë së Drejtësisë. Periudha e punësimit të tyre në këto struktura njihet si periudhë vjetërsie në punë si prokuror, për efekt të kërkesave të karrierës profesionale. Prokurorët që punojnë si nëpunës civil në Ministrinë e Drejtësisë, me kërkesën e tyre riemërohen pa konkurs prokurorë.



Sigurimi i Pavarësisë së Prokurorëve

Për të mbrojtur prokurorët nga ndikimet e ndryshme dhe për të siguruar pavarësinë e tyre, ligji për Prokurorinë ka dhënë shumë garanci në lidhje me ngritjen në detyrë dhe transferimin, pezullimin, largimin dhe shkarkimin e tyre nga puna. Ngritja në një detyrë më të lartë ose transferimi mund të bëhet, vetëm për nevoja dhe interes të punës nga Presidenti i Republikës, me propozimin e Prokurorit të Përgjithshëm, pasi të jetë marrë mendimi i prokurorit. Edhe rastet e shkarkimit të tyre janë përcaktuar në mënyrë taksative në ligj. Shkarkimi bëhet vetëm si rezultat i proçedimit disiplinor në qoftë se përmbushen disa kushte të caktuara dhe vetëm me vendim të Presidentit të Republikës.



Në rastet kur prokurori ka kryer shkelje ligjore apo të disiplinës në punë, Prokurori i Përgjithshëm mund të fillojë proçedimin disiplinor. Ky proçedim mbështetet në të dhënat e nxjerra nga inspektimi, për të cilin prokurori që proçedohet ështe njoftuar paraprakisht. Proçedimi fillon kur nga çasti i vënies re të shkeljes nuk kanë kaluar me shumë se gjashtë muaj dhe nga çasti i kryerjes së shkeljes nuk kanë kaluar më shumë se tre vjet. Prokurori, në ngarkim të të cilit ështe nisur proçedimi disiplinor, ka të drejtë të mbrohet, duke u paraqitur vetë para Këshillit të Prokurorisë, i cili është i detyruar ta dëgjojë dhe të verifikojë pretendimet e ngritura. Për mendimet e dhëna nga Këshilli i Prokurorisë për shkeljet disiplinore, Prokurori i Përgjithshëm shprehet brenda 15 ditëve nga paraqitja, duke arsyetuar qëndrimin e vet.



Rastet që konsiderohen si shkelje të disiplinës në punë janë përcaktuar në mënyrë taksative nga ligji duke mos lënë vend për interpretime. Sipas ligjit do të konsiderohen si shkelje:

1.Mospranimi i bërjes së betimit ose shkelja e tij;
2.Zvarritjet e rënda ose sistematike të proçedimeve ose detyrave të tjera të ngarkuara ose mos përmbushja e detyrave;
3.Nxjerrja e sekretit të hetimit ose e të dhënave të tjera me karakter konfidencial;
4.Mungesa për më shumë se pesë ditë pa arsye në punë;
5.Kryerja e veprimeve që diskreditojnë rëndë figurën e prokurorit;
6.Kryerja e veprimeve që, sipas ligjit, janë të papajtueshme me funksionet e prokurorit.
Për shkeljet e mësipërme, ndaj prokurorëve merren masa disiplinore si vërejtje, vërejtje me paralajmërim për shkarkim nga detyra, pezullim nga detyra dhe kalim në një detyrë tjetër, më të ulët, brenda organit, për një periudhë nga 6 muaj deri në një vit dhe shkarkim nga detyra. Shkarkimi nga detyra bëhet nga Presidenti i Republikës, me propozimin e Prokurorit të Përgjithshëm. Propozimi për shkarkim shoqërohet me kundërshtimet e prokurorit që proçedohet disiplinarisht.





Statusi dhe Karriera e Prokurorit
Prokurori ka të drejtë të ketë mbrojtje të veçantë vetjake si dhe për familjen dhe pronën, kur një gjë e tillë paraqitet e nevojshme në rrethanat e një rreziku serioz, të lidhur me ushtrimin e detyrës.



Gjithashtu, prokurori nuk mund të ndalohet, kontrollohet ose arrestohet, pa pëlqimin e Prokurorit të Përgjithshëm, përveç rasteve kur kapet në kryerje e sipër të një krimi ose menjëherë pas kryerjes së tij. Në këto raste, organi përgjegjës njofton menjëherë Prokurorin e Përgjithshëm. Në qoftë se Prokurori i Përgjithshëm, brenda 24 orëve nuk jep pëlqimin për dërgimin në Gjykatë të prokurorit, organi përgjegjës është i detyruar të lirojë prokurorin e ndaluar.

Prokurorët kanë të drejtë dhe detyrim të marrin pjesë në trainime periodike për ngritjen e nivelit të tyre profesional. Prokurorët përfitojnë falas "Fletoren zyrtare" dhe literaturë tjetër juridike.



Pas ushtrimit të detyrës për një afat jo më të shkurtër se 5 vjet në Prokuroritë pranë Gjykatës së shkallës së parë, prokurori mund të emërohet në njërën nga Prokuroritë pranë Gjykatave të Apelit. Pas ushtrimit të detyrës për një afat jo më të shkurtër se 10 vjet në Prokuroritë pranë Gjykatës së shkallës së parë, ose jo më të shkurtër se 5 vjet në Prokuroritë pranë Gjykatave të Apelit, prokurori mund të emërohet në strukturën e Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm.

Prokurori ka të drejtë të mbajë armë vetjake si dhe ka të drejtë të përfitojë banesë me kredi me kushte lehtësuese kur nuk ka banesë ose siperfaqe të banueshme banimi në rrethin ku banon.



Paga e prokurorit rregullohet me ligj. Paga e prokurorit është e barabartë me pagën e gjyqtarit të Gjykatës pranë së cilës funksionon Prokuroria ku ai është emëruar. Prokurori mund të përfitojë edhe shpërblime për merita profesionale në masën e caktuar me propozimin e eprorit dhe me miratimin e Prokurorit të Përgjithshëm.



Megjithëse institucioni i Prokurorisë është një institucion i pavarur, në ushtrimin e funksioneve të tij ai ka dhe duhet të ketë marrëdhënie të ngushta me shumë institucione të tjera të shtetit.



Marrëdhëniet me Kuvendin

Prokurori i Përgjithshëm informon Kuvendin ose Komisionet Parlamentare të paktën një herë në gjashtë muaj ose sa herë që kërkohet prej tyre. Njoftimi përmban të dhëna dhe shpjegime për numrin, llojet, shtrirjen territoriale, intensitetin dhe format e kriminalitetit në Republikën e Shqipërisë si dhe drejtimet dhe përparësitë në luftën ndaj kriminalitetit. Nuk lejohet njoftimi për çështje konkrete, me përjashtim të çështjeve të dërguara me vendim të Kuvendit.

Kuvendi mund t'i kërkojë Prokurorit të Përgjithshëm sugjerime për rregullimin ligjor të çështjeve të ndryshme. Prokurori i Përgjithshëm bashkëpunon edhe me Komisionet e hetimeve parlamentare sipas dispozitave ligjore në fuqi.



Marrëdhëniet me Këshillin e Ministrave


اdo vit, jo më vonë se data 31 Mars, Ministri i Drejtësisë, në emër të Këshillit të Ministrave, i përcjell Prokurorit të Përgjithshëm rekomandimet që duhet të mbahen parasysh për vitin në vazhdim në luftën kundër kriminalitetit.


Prokurori i Përgjithshëm ua bën të njohura rekomandimet e Këshillit të Ministrave drejtuesve të Prokurorive të të gjitha shkallëve në një mbledhje të përbashkët, ku merr pjesë edhe Ministri i Drejtësisë, jo më vonë se muaji Prill.Rekomandimet e analizuara në mbledhje bëhen publike.



Duke pasur parasysh pavarësinë në hetim, ndalohet që Këshilli i Ministrave t'i rekomandojë Prokurorit të Përgjithshëm për të proçeduar ose jo për çështje konkrete.



Marrëdheniet me Këshillin e Lartë të Drejtësisë

Këshilli i Lartë i Drejtësisë, nëpërmjet Ministrit të Drejtësisë, mund t'i kërkojë Prokurorit të Përgjithshëm që, në bazë të të dhënave të dala nga mbledhjet e tij dhe që implikojnë prokurorët, të nisë proçedimin disiplinor.



Prokurori i Përgjithshëm mund t'i drejtohet Këshillit të Lartë të Drejtësisë për të kërkuar çdo material përgjithësues për gjendjen e proçedimeve penale në Gjykata, problemet e ndjekjes penale apo për çështjet organizative e strukturore që lidhen me prokurorinë.



Marrëdhëniet me Ministrinë e Drejtësisë

Ministri i Drejtësisë kontrollon në mënyrë të planifikuar ose në bazë të informacioneve të dhëna nga organe, institucione ose persona të interesuar, ligjshmërinë e veprimtarisë së prokurorëve.



Objekti i kontrollit të Ministrisë së Drejtësisë në organin e Prokurorisë është:

1.Ndjekja e ecurisë së çështjeve që përmbahen në rekomandimet vjetore të dhëna nga Këshilli i Ministrave për luftën kundër kriminalitetit;
2.Respektimi i afateve të hetimit;
3.Respektimi i afateve të paraburgimit;
4.Respektimi i të drejtave të njeriut dhe lirive themelore të subjekteve të proçedimit penal dhe, në veçanti, të të ndaluarve dhe të arrestuarve;
5.Rregullshmëria dhe vijueshmëria e kryerjes te veprimeve hetimore;
6.Respektimi i detyrimit ligjor të prokurorit për fillimin e ndjekjes penale;
7.Ecuria e politikës penale dhe, në veçanti e politikës së dënimeve që ndiqet nga prokurorët:
8.Rregullshmëria e mbajtjes dhe administrimit të statistikave dhe rregjistrimit të veprave penale;
9.Respektimi i parimeve të drejtësisë, barazisë dhe ligjshmërisë së veprimtarisë së prokurorit në marrëdhëniet e tij me subjektet e tjera të proçedimit penal.
Për rezultatin e kontrollit vihet në dijeni Presidenti i Republikës, Prokurori i Përgjithshëm dhe prokurori veprimtaria e të cilit ka qenë objekt kontrolli

Gjykata e Shkalles se Pare Tirane
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Kur flet shpirti.

    Votat: 6 27.3%
  • 2-Buzëqeshje Maskuar.

    Votat: 12 54.5%
  • 3-Jam femër.

    Votat: 2 9.1%
  • 4-Je ti Nënë.

    Votat: 1 4.5%
  • 5-Ne duart e kohes.

    Votat: 1 4.5%
Back
Top