Projektuesi: Berisha dhe ministrat sabotuan rrugën për 500 milionë euro

Зngjεll

___________

Nga: Leonard Bakillari
Marrë nga: Gazeta Korrieri

TIRANث - Dy ditë para përurimit të rrugës Durrës-Kukës zbulohen fakte të tjera, që tregojnë se abuzimet “astronomike” financiare nuk janë i vetmi problem i projektit me vlerë mbi një miliard euro. Kryeministrit i vendit dhe pesë ministra janë cilësuar përgjegjës për të gjitha shkeljet e vërejtura në ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës, ku më kryesorja është devijimi i projektit fillestar, i cili është hartuar pas një studimi të plotë dhe të detajuar. Një nga bashkautorët e studimit 10-vjeçar për fizibilitetin, koston dhe gjurmën ku do të kalonte kjo rrugë, ka depozituar në Prokurorinë e Tiranës kallëzimin penal ndaj qeverisë “Berisha”, të cilën e akuzon për korrupsion dhe shpërdorim detyre. Avokati Gjet Kola, i cili ka qenë një nga tre personat që kanë punuar për 10 vjet me radhë për projektin fillestar të kësaj rruge, shkon edhe më tej, kur pohon për “Korrierin”, se kryeministri Berisha dhe ish-ministri i Transporteve, Lulzim Basha, sabotuan projektin e segmentit rrugor Rrëshen-Orosh, duke rritur koston në rreth 500 milionë euro.

Kallëzimi i projektuesit

Faktet e renditura në kallëzimin penal tregojnë se qëllimisht, qeveria e drejtuar nga Sali Berisha ka kryer një sërë shkeljesh me ndërtimin e kësaj rruge, ku një nga më të rëndat është sabotimi i projektit, duke sjellë jo vetëm një dëm të konsiderueshëm ekonomik, por edhe mjedisor. Në listën e personave të kallëzuar penalisht nga avokati Gjet Kola janë: Sali Berisha, Lulzim Basha, Sokol Olldashi, Genc Ruli, Ridvan Bode dhe Lufter Xuveli, sipas të cilit, në bashkëpunim midis tyre, duke qenë përgjegjës dhe të përgjegjshëm, kanë abuzuar me fondet publike, kanë sabotuar në mënyrë të qëllimshme e të pariparueshme parametrat e rrugës Rrëshen-Morin, që ka çuar në zgjatjen e saj deri 12 km, në kundërshtim me projekt- idenë, me qëllim të vjedhjes e abuzimit me fondet publike. Një tjetër çështje e trajtuar në kallëzimin penal, që tashmë është në duar e prokurorisë, është shmangia e studimit të projekt-idesë dhe fillimi i punimeve pa hartuar mbi bazën e tij projekt-zbatimin.

Dëmi ekonomik

Në kallëzimin e tij, bashkautori i studimit “Rruga e zhvillimit dhe e integrimit” hyn në detaje teknike, ku sipas tij, devijimi i projektit nuk ka sjellë vetëm dëm ekonomik, por rruga aktuale është ndërtuar në një terren të paqëndrueshëm, si dhe janë shkaktuar dëme të pariparueshme mjedisore. Po ashtu, në kallëzim renditen të paktën 16 abuzime, që sipas avokat Kolës mbajnë autorësinë e personave të kallëzuar penalisht, pasi janë pikërisht ata zyrtarët e ngarkuar për menaxhimin e taksave dhe të ardhurave. Avokati Gjet Kola pohoi për “Korrierin”, se ajo që qeveria ka bërë me rrugën Rrëshen-Kalimash, është një sabotim i pastër, pasi ka ndryshuar tërësisht gjurmën, jo vetëm për qëllime përfitimi. Sipas tij, është injoruar tërësisht një studim i hollësishëm dhe një punë 10-vjeçare që është bërë për këtë rrugë, duke rritur koston financiare, kur kjo gjë nuk ishte aspak e nevojshme. Tashmë kallëzimi pritet të merret në shqyrtim nga sektori taskë-forcë në Prokurorinë e Tiranës, ku si provë kryesore për veprimet paraprake do të përdoret studimi prej më shumë se 400 faqesh, me bashkautorë inxhinierët Esat Kastrati e Feti Gjici, si dhe avokatin Gjet Kola.

Ekspertiza

Kola: Ja si u vodhën 500 milionë euro

TIRANث - Dëmi ekonomik i rrugës Durrës-Kukës rritet nga njëri raport në tjetrin. Sipas fakteve të paraqitura nga studiuesit e projektit fillestar, dëmi rezulton të jetë rreth 500 milionë euro, duke dyfishuar kështu vlerën e përcaktuar nga ekspertët gjatë hetimit që prokuroria kreu ndaj ish-ministrit të Transporteve, Lulzim Basha dhe kreut aktual të rrugëve, Andi Toma. Bazuar në studimin e realizuar nga inxhinierët Esat Kastrati e Feti Gjici, ku bashkautor është edhe avokati Gjet Kola, si dhe në studimin e realizuar nga firma “Tecnic/Mott Mcdonald”, me financimin e Bankës Botërore, vetëm për fizibilitetin e zbatimit të projektit, nga ndryshimi i projektit abuzimi rezulton të jetë rreth 500 milionë euro. “Duke u bazuar në çmimet mesatare me të cilat ishin realizuar punimet në rrugë deri në vitin 2002, kostoja e ndërtimit të segmentit Rrëshen-Orosh (Rreps)-Thirrë-Fushë-Dukagjin-Kukës-Morin, me pagesat e shpronësimeve, plotësimin e rrugëve dytësore llogaritej në 445 milionë dollarë me kursin e kohës prej 140 lekë/dollari. Me kursin e disa kohëve më parë të këmbimit prej 94 lekë/dollarë, shpenzimet e ndërtimit do të rezultonin rreth 663 milionë dollarë, ndërsa me kursin aktual prej 133 lekë/euro, objekti duhej të realizohej me 469 milionë euro”, - thuhet në kallëzimin penal. Duke reflektuar rritjen e vlerës së shpronësimeve dhe çmimeve të punimeve, në nivelin maksimal prej 50 për qindësh në krahasim me vitin 2002, për segmentin Rrëshen-Orosh (Rreps)-Fushë-Dukagjin-Kukës-Morin, çmimi faktik i punimeve në këtë segment duhet të ishte: 445 milionë dollarë x 140 lekë/dollarë x 150 për qind: (kursin aktual 94 lekë/ dollarë, 133 lekë/euro) = 994 milionë dollarë, respektivisht 703 milionë euro. Sipas tyre, llogaritja e çmimit të punimeve, relativisht të saktë, rezultoi fatal si për fatin e rrugës, ashtu edhe për pagesën e çmimit të punës sonë. Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe ekspertët e pajtuar nga prokuroria kanë arritur në përfundimin, se dëmi ekonomik që është konstatuar në ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës është rreth 230 milionë euro. Por një shifër e tillë pritet të dyfishohet, pas analizimit të fakteve që avokati Gjet Kola ka depozituar dje në prokurori. L. Bakillari

Durrës-Kukës

12 shkeljet e kallëzimit penal


1. Kanë vendosur fillimin e punimeve pa projekt zbatimi, duke bashkëpunuar dhe lejuar ndërtuesit që të sabotojnë, në gjithë gjatësinë, parametrat e rrugës Rrëshen-Orosh (Rreps)-Kukës-Morin, që ka sjellë për pasojë abuzimin me fonde publike e përfitime deri 500 milionë euro.

2. Janë financuar paraprakisht shoqëritë e ndërtimit me disa dhjetëra milionë euro fonde nga buxheti i shtetit për blerje makinerish e pajisjesh. Këto shoqëri janë trajtuar si sipërmarrëse, edhe pse ato kanë vepruar me fonde të parapaguara të Buxhetit të Shtetit.

3. Kanë lejuar shoqëritë ndërtuese që të punojnë në kundërshtim me ligjet e shtetit shqiptar dhe të dëmtojnë rëndë mjedisin, duke shkaktuar një masakër të pariparueshme në gjithë gjatësinë e rrugës Rrëshen-Orosh-Morin.

4. Me qëllim lehtësimin e punës së ndërtuesve dhe për sabotimin e parametrave të rrugës, kanë lejuar ndërtimin e segmentit rrugor Rrëshen-Rreps në shpatet e Gëziqit, në formacione gjeologjike të paqëndrueshme.

5. ثshtë miratuar ndërtimi i rrugës në zonën turistike-ekonomike të qytetit të Kukësit, duke dëmtuar rëndë perspektivën e zhvillimit të këtij qyteti.

6. Kanë lejuar ndërtimin e rrugës Rrëshen-Orosh-Kukës-Morin, rreth 12 km, ose rreth 20 për qind më të gjatë në krahasim me variantin më optimal të mundshëm të paraqitur në studimin e fizibilitetit të rrugës Durrës-Morin dhe “Projekt-idenë e përgjithshme të rrugës Durrës-Orosh-Kukës-Morin”, të kryer nga grupi i studimit në dhjetor 2002.

7. Kanë lejuar zgjatjen e tunelit të Thirrë-Kalimash për 1450 ml, me justifikimin për ulje në kuotë, por për të lejuar ngjitje në kuotë pas hyrje-daljes nga Kalimashi, duke shkaktuar një dëm prej dhjetëra milionë eurosh buxhetit të shtetit.

8. Për të lehtësuar punën e ndërtuesve, në të gjithë rastet për përfitime dhe në dëm të parametrave dhe me rritje të gjatësisë, për shkak se kërkohej inventar mjetesh shpuese, punë e kualifikuar, kanë miratuar shmangen e ndërtimit të shtatë tuneleve, gjysmë tuneleve e usekëve në segmentin Rrëshen-Rreps me gjatësi 2290 ml, të tuneleve me gjatësi 160 ml në Rreps, 150 ml në Sang, 200 ml në Kalimash (pas daljes nga tuneli i Thirrës), 450 ml në kthesat e Kolshit (për të realizuar parametrat) dhe një tuneli në Kodër të Pecës.

9. Kanë lejuar shkatërrimin e qëllimshëm të tokës bujqësore dhe të shumë banesave në gjithë gjatësinë e luginës së Fanit të Vogël në fshatrat Pëshqesh, Mashtërkor, Zajs, Shtrungaj, Bisakë, Klos, Zall-Xhuxhë dhe Sang, kur një gjë e tillë ishte shmangur në projekt-ide dhe ishte plotësisht e mundur të shmangej edhe gjatë ndërtimit.

10. Për të lehtësuar punën e ndërtuesve dhe për të rritur shkallën e përfitimit nga të gjithë, kanë lejuar shkatërrimin e rrugës lokale Kukës-Morin, 24 km të gjatë. Një nga pasojat e këtij akti kriminal, është se rindërtimi i rrugës lokale për lidhjen e qendrave të banuara të kësaj zonë do të kërkojë miliona dollarë të tjerë dhe do të shkaktojë dëmtimin e sipërfaqeve të tjera të tokës bujqësore.

11. Për të shmangur vështirësitë gjatë ndërtimit, për rritjen e masës së përfitimeve për ndërtuesit dhe për vete, kanë miratuar ndërtimin në gjurmën e rrugës ekzistuese Kukës-Morin, me pjerrësi deri 5 për qind e me rreze kthesash nën 250 metra, duke shmangur qëllimisht ndërtimin e rrugës nga Kullë-Luma, bregut të liqenit të hidrocentralit të Fierzës (degëzimi i Drinit të Bardhë).

12. Për të rritur shpenzimet e punimeve dhe masën e përfitimit, kanë lejuar ndërtimin e rrugës Rrëshen-Morin rreth 12 km më të gjatë, duke lejuar sabotimin e qëllimshëm të parametrave, që përbëjnë veprime e mos veprime në kundërshtim të hapur me ligjin.
 
Back
Top