Duke nisur që në vjeshtën e këtij viti, çdo polic do të jetë i pajisur me një kamera në trup dhe i lidhur “online” me sallën operative, ku do të regjistrohet çdo veprim i tyre në orarin e punës.
Gjatë një aktiviteti për Komisariatin Dixhital, ku u paraqitën edhe shifrat e para, kryeministri Rama njoftoi projektin e ri të Ministrisë së Brendshme.
Rama ka zbuluar se projekti për monitorimin dhe vëzhgimin e efektivëve të policisë në terren, do të shmangë ankesat e qytetarëve ndaj forcave të policisë. “Monitorimi ndihmon shpërndarjen në terren, për organizimin, e planifikimin e forcave. Në këtë mënyrë marrin fund dhe ankesat e qytetarëve për çdo efektiv policie, pasi monitorimi do të bëjë gjithçka transparente”.
Më pas Rama ka deklaruar se Komisariati Dixhital, brenda një kohe të shkurtër nga krijimi i tij, ka sjellë rezultate të mira dhe një vlerë të shtuar për Policinë e Shtetit.
Gjatë publikimit të të dhënave të këtij aplikacioni dy muaj e gjysmë nga ngritja e tij, Rama tha se policia ka filluar të marrë frytet e punës.
“Një numër i madh qytetarësh kanë bashkëpunuar me policinë, duke sjellë parandalimin e veprave penale apo veprimeve të paligjshme, – tha Rama. – Aplikacioni është një histori suksesi. 14 mijë denoncime në 10 javë janë një shifër fantastike. Komisariati Dixhital është një eveniment dhe jo pjesë e turinës së punës së përditshme. Megjithatë, ka akoma vend për përmirësime sa i takon cilësisë rritjes së shërbimit nga ana e policisë”.
Sipas Ramës, “Ne kemi 50% më pak vrasje, krahasuar me një vit më parë. 6 mujori i parë i këtij viti na jep të dhëna inkurajuese. Ne do të vazhdojmë luftën kundër drogës, për të cilën kemi akoma për të bërë. اdo ditë kemi rezultate të mira”.