Projektet shqiptare në këtë shekull

Gjarperesha

Anëtar i Respektuar
Projektet shqiptare në këtë shekull


Ndjehem shumë i nderuar që ndodhem këtu, i ftuar në Oksford Union, jo vetëm se në këtë tribunë kanë folur personalitete botërore, disa prej të cilëve i kam njohur dhe të tjerë admiruar, ndër ta edhe gruaja më e shquar e shekullit që kaloi, bashkëkombësja ime, Nënë Tereza, por në veçanti se unë flas këtu në një tribunë që pothuaj për rreth dy shekuj është njohur dhe bërë e famshme si tribunë e fjalës së lirë.

Prandaj dhe dua t'ju falenderoj me përzemërsi, zoti President, për rastin e madh që më keni krijuar të flas dhe debatoj sonte për Shqipërinë dhe shqiptarët, të paraqes këtu projektet e tyre të këtij shekulli.

Shqipëria është një vend i vogël në Europën Juglindore që, pas rënies së "perdes së hekurt", po ndërton demokracinë e bazuar në treg. Në hartën e Gadishullit të Ballkanit, ajo përbën bririn më përëndimor të tij. Nga veriu, lindja, jugu kufizohet përkatësisht nga Mali i Zi, Kosova, Maqedonia e Greqia. Kurse në përëndim, brigjet e saj, prej rreth 400 km, lagen në 2/3 nga Deti Adriatik dhe në 1/3 jugore nga Deti Jon. Bregu i saj ka plazhe të mrekullueshëm që po tërheqin gjithnjë e më shumë turistë. Vetëm dy vitet e fundit, numri i turistëve është rritur me shpejtësi. Në tërësi, Shqipëria është një vend malor, me lartësinë mesatare më të madhe në Europë, rreth 640 metra, me peizazhe mahnitëse, për të cilat e kanë quajtur kopshti shkëmbor i Europës Juglindore. Peizazhet e saj magjepsëse bënë që Eduart Lear të vizitojë Shqipërinë 6 herë nga 1848-1864. Në Britaninë e Madhe, prej shekujsh janë shkruar nga historianë, shkrimtarë, poetë, piktorë, analistë, librat dhe studimet në tërësi më të mira, më të ndershme për të vërtetat e lidhura me shqiptarët. Ndër anglezët e mëdhenj që e kanë vizituar Shqipërinë, nga kohëra të kaluara gjer në ditët e sotme, do të përmendja Lordin Bajron, që i ka kushtuar asaj strofat më të bukura të poemës së "Child Harold", Eduart Lear që i ka kushtuar një libër të çmuar dhe mbi 200 punime, piktura, skica, litografi, ndër më të mirat e krijimtarisë së tij, Edith Durham që shkroi librat ndër më të mirët për shqiptarët. Por unë, në morinë e autorëve të shumë botimeve, do të përmend gjithashtu edhe Profesor Noel Malcolm, që me librin e tij, të shkruar pak vite më parë, për Kosovën, ndriçoi me vërtetësi historinë, realitetin e atij vendi nga lashtësia në ditët e sotme. Vitet e fundit, Shqipërinë e kanë vizituar Kryeministri Tony Blair dhe shumë ministra dhe zyrtarë të lartë të Britanisë së Madhe. Sot, me "British Airways", në më pak se tre orë fluturim, secili nga ju mund të gjendet në Tiranë. Ju ftoj të gjeni kohë të vizitoni vendin tim! Do të jeni shumë të mirëpritur. Shqipëria ka nevojë për miq si ju.

Vendi, në historinë e tij tejet të gjatë, ka njohur dyndje të shumta që nga dorët, grekët, romakët, barbarët, sllavët, spanjollët, frankët, otomanët dhe ka qenë pjesë e mbretërive dhe e perandorive të mëdha të kohës. Historianët, në tërësi, besojnë se Ilirët janë paraardhësit tanë dhe se shqiptarët nuk kanë ndryshuar kurrë shtëpitë e tyre, ata janë aty që nga fillimi. Edhe studime të shkencave të tjera kanë faktuar identitetin e tyre qartësisht të veçantë nga të gjitha kombet e tjera të rajonit dhe kontinentit. Në tërësi, popullata ka qenë e përqëndruar në zona të thella dhe male, por një pjesë edhe në qytete, që janë ndër më të lashtat e Europës.

Gjuha shqipe që flasim, shumë e pasur dhe e bukur, i përket familjes indo-europiane, vjen direkt nga trungu i kësaj familjeje dhe shkruhet në alfabet latin. Shqiptarët janë komb me vokacion përëndimor, me letërsi, art, kulturë në tërësi përëndimore. Shkrimtari ynë i njohur Ismail Kadare, për të stigmatizuar disfatën që pësuan nga fundi i shekullit të 13-të ushtritë e koalicionit të gjashtë vendeve të Ballkanit, në betejën me ushtritë otomane në Fushë-Kosovë shkruan se: "vendi fjeti Europë dhe u zgjua Azi". Mirëpo, megjithëse rreth pesë shekuj ndën perandorinë otomane, pra gjumi aziatik, sërish shqiptarët u zgjuan europianë. Rilindja shqiptare ishte e vonuar, por punoi dhe krijoi ndën moton se: për shqiptarët dielli lind nga Përëndimi.

Shqiptarët, ndonëse njihen si ndër themeluesit e krishtërimit, sot ata janë një komb plurireligjioz, myslimanë, ortodoksë, katolikë. Kjo sepse linja e demarkacionit mes të dy kishave të mëdha, asaj romake dhe asaj bizantine apo linja e Teodosit, kaloi në gjatësinë e territorit tonë dhe më vonë sundimi otoman imponoi një konvertim të rëndësishëm të popullatës në myslimanë. Megjithëkëtë, megjithëse jetojnë në një kontinent në të cilin jo pak kombe, gjatë gjithë historisë së tyre dhe sidomos asaj moderne, përjetuan luftëra dhe konflikte të egra fetare, kombi im, në tërë historinë e tij shekullore, nuk ka të regjistruar as edhe një rast të vetëm konflikti ndërfetar. Toleranca fetare e shkëlqyer është një nga virtytet më të arrira, vlerat shpirtërore më të çmuara të tij. Kjo tolerancë është e njëjtë dhe në marrëdhëniet ndëretnike. Mbi 90 për qind e popullatës është me origjinë shqiptare, pjesa tjetër janë pakicë me origjinë greke, arumune, romë, sllavë. Kam shumë kënaqësi t'ju informoj se raporte serioze ndërkombëtare faktojnë se Shqipëria ka përmbushur standardet e OSBE-së për arsimimin e pakicave.

Shqipëria është nga vendet më të pakta në botë, në të cilin numri i hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore ishte shumë më i madh në fund se sa në fillim të saj. Asnjë hebre nuk u dorëzua tek nazistët. Historia e kombit tim nuk është një histori e sheshtë, përkundrazi është e shoqëruar nga vështirësi, madje edhe drama të vështira.

Nga viti 1389 gjer në vitin 1480, territoret e banuara nga shqiptarët u pushtuan njëra pas tjetrës nga Perandoria Otomane dhe u ndanë në katër vilajete të kësaj Perandorie. Vitet 1870 gjer në vitet 1928 janë vitet e përpjekjeve të mëdha të shqiptarëve për të formuar shtetin e tyre në territoret ku ata ishin vilajete. Kjo pikëpamje u mbështet edhe nga disa fuqi të mëdha të kohës. Por, fuqi të tjera më të fuqishme, në një nga padrejtësitë më të mëdha historike, në disa konferenca ndërkombëtare, duke filluar nga Kongresi i Berlinit, më pas Konferencat e Londrës dhe e Versajës, vendosën dhe realizuan me forcën e tyre copëtimin e territoreve shqiptare në pesë shtete të rajonit, ndonëse këto territore, në asnjë rast, nuk ishin enklavë, por vazhdimësi etnike dhe gjeografike. Në vitin 1912, pas një seri kryengritjesh të mëdha që u zhvilluan në Kosovë, u shpall pavarësia e Shqipërisë. Por, sërish vazhduan përpjekjet dhe projektet për një copëtim tjetër të ri të Shqipërisë, mirëpo kjo u kundërshtua nga Presidenti Willson, i cili refuzoi t'i firmosë këto marrëveshje. Në vitin '22 të shekullit që kaloi, Shqipëria do të ishte vendi i vetëm në Ballkan që zhvilloi zgjedhje parlamentare dhe vendosi një parlament pluralist dhe regjim republikan. Në vitin '27 vendi do të shpallej mbretëri.

Më 7 Prill të vitit 1939, Shqipëria do të ishte vendi i parë në Europë që do të pushtohej dhe do të mbetej e tillë gjer në tetor të vitit '44. Shqiptarët, gjatë Luftës së Dytë Botërore bënë një luftë të vendosur për çlirimin e tyre. Ata patën në këtë luftë një ndihmë të madhe me armë, mjete financiare, ekspertë ushtarakë nga qeveria e Madhërisë së Saj. Rreth 160 ushtarë, aviatorë, oficerë madhorë të ushtrisë britanike ranë në luftë në territoret shqiptare, për lirinë e kombit tim. Ne do t'i nderojmë ata gjithmonë.

Vendi u çlirua më 28 nëntor të vitit '44. Por, historia do të dëshmohej sërish njerkë e pamëshirë ndaj nesh. Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, gjer në vitin 1990, në Shqipëri u vendos diktatura më e egër komuniste, e cila e shkëputi tërësisht vendin nga bota e lirë, e bunkerizoi në të gjitha aspektet, ngriti gulagë, më shumë dhe më të rreptat se në çdo vend tjetër, ekzekutoi pa gjyqe apo me farsë politike gjyqësore mijëra qytetarë, pothuaj të gjithë intelektualët e shkolluar në Përëndim, ndaloi pronën private dhe e renditi atë në 3-4 vendet më të varfra të planetit, ngriti një propagandë kaprolalike monstruoze, kundër botës së lirë. E tillë erdhi Shqipëria në vitet '90. Të shumtë ishin ata, në Europë dhe botë, që mendonin që ky vend të mbetej si muzeumi i socializmit, si një lloj Kube e Adriatikut.

Por këtë nuk e mendonin intelektualët shqiptarë, të cilët, pas rënies së "perdes së hekurt", shfrytëzuan çdo mundësi për të kërkuar liritë e munguara. Këtë nuk e mendonin studentët dhe pedagogët e Universitetit të Tiranës, të cilët, në Dhjetor të vitit '90, mbushën rrugët dhe sheshet e kampusit të tyre dhe Tiranës, nën moton "Liri-Demokraci", "E duam Shqipërinë si Europa". Ata menjëherë themeluan partinë e parë opozitare shqiptare, Partinë Demokratike të Shqipërisë, e cila në zgjedhjet e përgjithshme të 22 Marsit të vitit 1992 do të shënonte njërën prej fitoreve më të thella në vendet ish-komuniste. Qeveria demokratike e dalë nga këto zgjedhje ndërmori reforma të thella të gjithanshme, politike, institucionale, liberalizoi ekonominë, aplikoi terapinë e shock-ut dhe privatizimin e shpejtë të tokës, banesave, ndërmarrjeve shtetërore, nxori vendin nga izolimi dhe e hapi atë drejt vendeve mike, Bashkimit Europian, NATO-s dhe institucioneve të tjera ndërkombëtare.

Në të gjitha këto përpjekje, opozita shqiptare dhe më pas qeveria demokratike, pati ndihmën e madhe dhe të çmuar të qeverisë së Madhërisë së Saj, forcave politike, institucioneve të Britanisë së Madhe. Unë, si kryetar i opozitës, kam hapur fushatën elektorale që solli fitoren e forcave të opozitës, me Sir Joefry, dhe po si kryetar i opozitës jam pritur nga kryeministri Major dhe kam patur një takim tejet mbresëlënës me Lady Thacher, nga e cila u largova e bindur se në rast se ajo nuk do të kishte dhënë dorëheqjen, Sllobodan Millosheviçi do të kishte marrë përgjigjen e merituar shumë më herët, dhe se Ballkani i viteve '90 do të ishte një histori tjetër. Po në atë kohë jam takuar me Presidentin aktual të Universitetit tuaj, Lord Patten, për të cilin ruaj një respekt dhe miqësi të veçantë. Më pas, si President i Republikës kam vizituar dy herë vendin tuaj të madh, jam pritur nga Mbretëresha Elisabeth, Kryeministri Major dhe zyrtarë të tjerë më të lartë të këtij vendi.

Gjej rastin për t'u shprehur një mirënjohje shumë të thellë autoriteteve, institucioneve dhe taksapaguesve të Britanisë së Madhe, për të gjithë ndihmën e tyre tejet të çmuar që i kanë dhënë dhe i japin Shqipërisë.
 
Zonja dhe zotërinj,

Në këto 15 vite të pluralizmit politik, ndërtimit të lirisë dhe vlerave të saj, Shqipëria ka njohur vështirësi serioze, por, në rast se kemi parasysh nivelin, gjendjen nga nisi, dua t'ju siguroj se ajo ka ndryshuar më shumë se çdo vend tjetër. Kështu, nga vendi i monizmit më ekstrem, izolimit më të thellë, militarizimit të plotë, lirive dhe të drejtave njerëzore të ndaluara me Kushtetutë, ateizmit të imponuar, hiperkolektivizmit ekstrem, varfërisë dhe mjerimit të madh, është sot vendi i pluralizmit politik të konsoliduar, i demokracisë së re, por që funksionon, i shtetit ligjor, i respektimit të lirive dhe të drejtave njerëzore dhe minoriteteve, i mediave të lira, vendi i pluralitetit religjioz dhe tolerancës së shkëlqyer fetare dhe etnike, vendi i ekonomisë së lirë të tregut, në të cilin 90 për qind e Prodhimit Bruto të Brendshëm vjen nga sektori privat dhe ku të ardhurat për frymë, nga 200 dollarë, që ishin në vitin '92, janë sot mbi 4000 dollarë. Shqipëria është sot anëtare e KE-së, partnere e NATO-s, ka firmosur Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me BE-në. Në Samitin e Rigës është deklaruar si një vend që, në Samitin e Bukureshtit mund të marrë ftesën për anëtarësim të plotë në NATO.

Qeveria që unë kryesoj ka përcaktuar si objektiv më madhor konsolidimin e shtetit ligjor, luftën me tolerancë zero kundër krimit dhe korrupsionit, që kanë dëmtuar rëndë qytetarët shqiptarë në vend dhe imazhin e Shqipërisë në botë, shndërrimin e Shqipërisë në vendin më tërheqës të investimeve të huaja, vendi me ngarkesën fiskale më të ulët në Europë, reformën e thellë të sistemit arsimor, sjelljen e vendit në moshën dixhitale, reformën e pronësisë.

Në një luftë me zero tolerancë ndaj krimit të organizuar, agjencitë e zbatimit të ligjit, në rreth dy vjet, kanë çmontuar rreth 204 grupe dhe organizata kriminale dhe vendosura para ligjit, 850 anëtarë dhe bosë të tyre, kudo që janë ndodhur, në Shqipëri apo vende të tjera. Parlamenti, në këtë kuadër, miratoi një moratorium për ndalimin e skafeve të shpejta në ujërat tona, mbasi ato përdoreshin për trafiqe. Shqipëria, sot, është një nga vendet më të qeta dhe më të sigurta në Europë. Nga viti 2005 në vitin 2007, numri i turistëve është rritur me 70 për qind dhe nuk është regjistruar as edhe një incident i vetëm ndaj tyre.

Për një luftë me zero tolerancë ndaj korrupsionit, ne kemi ndërmarrë: zvogëlimin e qeverisjes qendrore me 25 për qind të portofoleve dhe 30 për qind të punonjësve, kemi nxjerrë administratën jashtë konfliktit të interesit, kemi vendosur kritere, të cilat nuk lejojnë të përdoren paratë publike për qëllime private dhe personale, parlamenti ka miratuar një ligj për mbrojtjen e denoncuesve të korrupsionit njëlloj si ato të krimeve të rënda dhe shpërblimin me 6 për qind të vlerës që vjen nga denoncimi i tyre, janë privatizuar një seri procedurash dhe decentralizuar të tjera. Rezultatet e kësaj lufte kanë bërë të mundur shkurtimin e shpenzimeve operative të administratës qendrore me 40 për qind, uljen e kostos së prokurimeve publike me 23 për qind. Megjithë uljen drastike të taksave, nëpërmjet luftës kundër kontrabandës, evazionit dhe informalitetit, qeveria ka dërguar dy vjet me radhë, në muajin qershor, një buxhet të dytë në parlament, me vlerë rreth 24 për qind të buxhetit vjetor. Të ardhurat buxhetore janë rritur nga 22 për qind e GDP-së në vitin 2005, në 27 për qind të GDP-së në vitin 2007. Përveç këtyre, dhjetra zyrtarë të të gjitha rangjeve janë dërguar para ligjit.

Për përmirësimin e klimës së biznesit dhe shndërrimin e Shqipërisë në vendin më tërheqës për investimet e huaja, kemi ulur barrën dhe pengesat burokratike për biznesin, kemi shkurtuar kohën e regjistrimit nga 42 ditë në një ditë, pas inaugurimit të "One Stop Shop"; kemi liberalizuar licensat dhe lejet si dhe pothuajse përgjysmuar ato; së shpejti do të nisë puna për vendosjen e "One Stop Shop" për lejet dhe licensat. Dje, ne kemi inauguruar taksën online, është miratuar ligji i ri për partneritetin publik, privat si dhe prokurimet publike; po aplikohet gjithnjë e më shumë iniciativa "Shqipëria një euro", në të cilën investitorët mund të përfitojnë me një euro objekte apo edhe tokën për investime industriale, bujqësore, turistike dhe të gëzojnë një seri shërbimesh me një euro.

Në këto dy vjet, ne kemi ndërmarrë një revolucion të vërtetë fiskal. Kemi vendosur taksën e sheshtë me 10 për qind, ulur taksën e korporatave dhe atë të ardhurave personale përkatësisht nga 25 dhe 23 në 10 për qind, taksën e biznesit të vogël me 50 për qind, kontributin e sigurimeve shoqërore me 31 për qind, çmimin e energjisë për biznesin me 33 për qind. Më 1 janar të vitit 2008, Shqipëria është vendi me barrën fiskale më të ulët në Europë. Rezultatet dëshmojnë se ekonomia shqiptare është në një shkëputje të vërtetë, rritja ekonomike ishte 6 për qind vitin që shkoi, pritet më e lartë këtë vit; inflacioni është 2-4 për qind, deficiti buxhetor 2.6 për qind; krediti bankar për ekonominë është rritur tre herë, krahasuar me vitin 2005; eksportet këtë vit janë 28 për qind më të mëdha se vitin që kaloi; investimet e huaja në vitin 2006 ishin tre herë më të larta se në mesataren e 10 viteve që shkuan; indeksi i shitjeve është rritur me 22 për qind; depozitat bankare janë rritur me 25 për qind. Shqipëria ka ardhur në fokusin e kompanive të mëdha europiane dhe botërore, të cilat me projektet e tyre në fushën e energjisë, turizmit, manifakturës, minierave, çimentos, bankave dhe sigurimeve shoqërore, kanë nisur dhe do të nisin në muajt që vijnë investime me shumë miliard euro.

Po punojmë për krijimin e zonave të lira dhe parqeve industriale.

Në përpjekjen tonë për të sjellë Shqipërinë në moshën dixhitale, ne kemi nënshkruar një marrëveshje me Microsoft, që do të hapë një qendër inovative në Tiranë, si dhe dy akademi. Me UNDP-në përfundojmë projektin pilot të e-shkolla, kemi përfunduar e-dogana, e-taksa, e-prokurime, e-regjistër biznesi dhe nga mesi i vitit 2008 përfundon e-regjistri civil dhe do të përfundojë me e-government.

Në dy vjet kemi liberalizuar plotësisht universitetet tona. Numri i studentëve është rritur nga 50.000 në 100.000 dhe kemi katërfishuar investimet për arsimin e lartë, ndërsa jemi duke dyfishuar buxhetin për arsimin.

Këto reforma që unë përmenda më sipër si dhe ato të ndërmarra në institucione dhe fusha të tjera, bënë të mundur shpejtimin e procesit të integrimit të vendit. Për Shqipërinë dhe shqiptarët, anëtarësimi i vendit të tyre në BE dhe NATO janë projektet më madhore, ndaj dhe jemi të vendosur të ndërmarrim dhe zbatojmë të gjitha reformat e domosdoshme për të merituar këto anëtarësime.

Në këto 15 vite, Gadishulli i Ballkanit u shndërrua në një teatër tragjedish, luftërash, barbarisht të vërteta çnjerëzore. Shkaku themelor i tyre qëndron në ultranacionalizmin, obsesionin e një kombi që ndjehej hegjemon ndaj komeve të tjera dhe mbizotërohej nga ideja e shtetmadhësisë së tij. Sot, Ballkani është rajon paqeje dhe integrimi rajonal në Europë. Në të gjitha zhvillimet, luftërat dhe konfliktet, Shqipëria mbështet fuqishëm përpjekjet e NATO-s dhe komunitetit ndërkombëtar për paqe dhe stabilitet në rajonin tonë dhe më gjerë.

Në këtë kuadër, njësitë ushtarake të Shqipërisë janë të shpalosura në misionin paqeruajtës të NATO-s, në Bosnjë, Afganistan dhe në kuadrin e luftës kundër terrorizmit ndërkombëtar në Irak. Por sot, zgjidhja e statusit të Kosovës përbën njëkohësisht kusht vendimtar për paqen dhe stabilitetin jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon dhe më gjerë. Qeveria shqiptare ka mbështetur dhe mbështet projektin e Presidentit "Ahtisaari" si projektin më të mirë për zgjidhjen e statusit të Kosovës. Ky projekt vendos, nga njëra anë, standardet më të gjëra për liritë dhe të drejtat e minoriteteve, standarde që nuk ekzistojnë në ndonjë vend tjetër dhe, nga ana tjetër, respekton vullnetin e shumicës për pavarësi.

Ne mbështesim përpjekjet aktuale të Trojkës, por mendojmë se zgjatja e mëtejshme e zgjidhjes së statusit të Kosovës kërcënon seriozisht stabilitetin e rajonit. Zgjidhja e statusit të Kosovës duhet të ndihmojë serbët të shkëputen nga e shkuara e luftërave dhe barbarive, genocideve që provoi në rajon diktatura e Millosheviçit dhe i orienton ata drejt së ardhmes.

Ne përshëndesim dokumentin e paraqitur nga autoritetet e Kosovës për bashkëpunim, pajtim dhe miqësi midis serbëve dhe kosovarëve, dhe besojmë se shqiptarët dhe serbët duhet të angazhohen për një kapitull të ri në marrëdhëniet ndërmjet tyre.

NGA Sali BERISHA Fjala e mbajtur ne Universitetin e Oxfordit
 
Back
Top