Në vigjilje të fushatës elektorale në Shqipëri është rishfaqur një personazh, emrin dhe bëmat e të cilit kasta politike dhe fansat e saj i njohin mirë. Ai është zëvendës ndihmës sekretari i Shtetit për Evropën, Matthew Palmer, i cili ka pasur një rol kyç në periudhën e krizës, që kur opozita ndoqi mandatet e deputetit e deri kur ajo bojkotoi zgjedhjet lokale të 2019-ës. Ndonëse pushteti në ShBA ka ndryshuar, ky bir shkrimtari, i mbetur vetë një shkrimtar në tentativë, me sa duket do të mëtojë të luajë rolin e dorë së fortë edhe në prag të 25 prillit.
Në fakt, ky këndvështrim lidhej disi me të shkuarën e Matthew Palmer si ish diplomat në Beograd, prej ku ai njohu edhe gruan serbe, Danica, me të cilën është i martuar ende sot. Ish ministri i jashtëm serb dhe aktualisht kreu i parlamentit, Ivica Daçiç, e thërriste atë kudo si “dhëndëri ynë”: “ne në Serbi themi se jemi nga fshati i gruas” shtonte ai me humorin e tij të njohur.
Vetë Matthew Palmer e ka rrëfyer këtë episod në vitin 2014 për median serbe “Vjesti”: “E kam takuar gruan time Danica, ish-Damjanovic në Beograd disa vite më herët. Edhe pse Danica ka lindur në Beorad, familja Damjanoviq i ka rrënjët në Mal të Zi. Ne kemi një shtëpi në ‘Dobri Voda’, ku kalojmë shumicën e kohës gjatë verës”, kishte thënë Palmer.
Natyrisht, që ndryshe nga sa mendojnë disa mendje të sëmura nga konspirativizmi, qëndrimet e Palmerit për politikën shqiptare nuk lidhen aspak me origjinën e bashkëshortes së tij. Ato kanë të bëjnë më shumë me konceptin që ai ka në diplomaci për të bërë aleancë me më të fortin. Dhe në Tiranë këtë e ka treguar hapur duke mbajtur qëndrime flagrante pro qeverisë të Edi Ramës. Ajo u duk më shumë gjatë kohës së krizës, kur opozita vendosi aksionin radikal të djegjes së mandateve.
Matthew Palmer, pas protestës të opozitës të marsit 2019 dhe bërjes publike të vendimit ekstrem, ngriti telefonin për të folur me Bashën e Kryemadhin.
Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit i tha pas këtyre bisedave Zërit të Amerikës se zoti Palmer “i këshilloi” dy kryetarët e partive “kundër dorëheqjeve të koordinuara dhe në masë të deputetëve nga parlamenti, pasi kjo do të dëmtonte përpjekjet për reforma dhe do të dëmtonte një institucion të rëndësishëm të demokracisë”. Palmeri i këshilloi ata të dënojnë publikisht dhunën ndërkohë që qëndrimi i tij qe krejt i ndryshëm nga ai i një shteti lider të BE-së, si Gjermania. Ish ambasadorja Gjermane në Tiranë, Susanne Schütz (poshte), fliste edhe për dhunë të ushtruar nga policia dhe e quante djegjen e mandatit të drejtë personale.
Por historia nuk mbaron me kaq. Ajo qe një kohë kur pavarësisht se opinioni akuzonte dhe tregonte fakte për grabitjet e mëparshme elektorale, selia e rrugës së Elbasanit nuk linte rast pa përmendur se: “njeh zgjedhjet e vitit 2017” dhe për rjedhojë dhe parlamentin e qeverinë e dalë prej tyre.
Zëvendës ndihmës sekretari i Shtetit për Evropën do të merrte edhe vetë rrugën për ta ardhur në Tiranë.
Prej bisedës telefonike që ai pati me Bashën dhe Kryemadhin në shkurt 2019 në fillim të prillit kishte ndryshuar vetëm një element. Përpos djegjes së mandateve, PD-LSI kishin hedhur në treg edhe idenë e shkatërrimit të zgjedhjeve lokale. Gjatë një bashkëbisedimi “ON” me reporterë të shtypit shqiptar, Palmer do ta godiste fort edhe këtë opsion: “Unë do t’i nxisja të gjitha partitë politike të marrin pjesë në zgjdhjet lokale, është diçka për të cilën partitë politike i detyrohen mbështetësve të tyre, i detyrohen votuesve të tyre, që të hyjnë në arenën politike, që të garojnë fort, të fitojnë zgjedhjet dhe të përdorin fitoren si një mjet për të përmbushur premtimet dhe vizionin e tyre për të ardhmen” tha ai.
Pa kaluar as dhjetë ditë nga ky mesazh, e ngarkuara me punë Leyla Moses-Ones, që kryente përkohësisht rolin e drejtueses së ambasadës në periudhën e ndryshimit të kryediplomatëve vazhdoi linjën paralele të shantazhit ndaj PD -LSI. Ajo u bë një mbështetëse e opozitës fallco dhe organizimit të ri të saj. “Formimi i grupeve parlamentare do të forcojë më tej aftësinë e tyre për të përfaqësuar zgjedhësit e tyre si anëtarë aktivë të parlamentit” tha ajo.
Deklaratat si “Basha po tradhëton zgjedhësit e tij”, se ai “po cënon rrugën euroatlantike të Shqipërisë dhe të ardhmen e vendit”, u bënë konsante e deklarimeve të diplomatëve amerikanë.
Më e nxehtë u bë situata kur në lojë u fut personalisht Mathew Palmer. Pas protestave me zjarr dhe Molotov ai tha: “Dua të jem shumë i qartë me Z. Basha, Znj. Kryemadhi dhe të tjerë në partitë e tyre: nëse në protestat e ardhshme ka akte dhune, për ne ata do të jenë përgjegjësit”. Ai u kujdes të nënvizojë se: “Pengimi i zgjedhjeve mund të përbëjë bazë për t’u përjashtuar nga marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara”.
Formula e “përjashtimit nga marëdhëniet me SHBA-në” u bë lajtmotivi i Edi Ramës në fushatën fallco të zgjedhjeve me një parti. Tamam si lideri i një republike bananesh, ai u fliste zgjedhësve me kërcënimin që mund ta japin vetëm gjykatat: “kush prish zgjedhjet në Shqipëri nuk do ti lejohet hyrja në SHBA”.
Pasi përdori për 30 ditë me radhë si gogol Amerikën (natyrisht një tallje me leje e nxitur nga deklaratat e Palmerit) duke thënë se çdo shqiptari që bënte dhunë në 30 qershor do ti hiqej e drejta për të shkelur aty, kryeministri bëri gjoja sikur u tërhoq nga kjo nismë, pas zgjedhjeve, athere kur nuk i duhej me. Dhe më e bukur se gënjeshtra e parë qe arsyetmi publik që Taulant Balla gjeti për të justifikuar zbythjen: ” Për këtë do të konsultiohemi me opozitën e re”.
Por qëndrimet e zotit Palmer nuk kan qenë në sinkron me ato të mazhorancës qeverisëse vetëm për sa i përket djegjes së mandateve dhe bojkotit të zgjedhjeve lokale. Ato kanë konverguar edhe për çështje të tjera flagrante. Palmer ka deklaruar me gojën e tij se Shqipëria ka bërë hapa përpara në luftën kundër krimit të organizuar, ndërkohë që raportet e Departamentit të shtetit për të cilin ai punon theksonin krejt të kundërtën (lexo poshtë).
Ai nuk ka nguruar të himnizojë reformën në drejtësi për të cillën shqiptarët po e shohin me sytë e tyre si po degradon dhe ndaj së cilës sondazhet po dëshmojnë një thyerje të thellë besimi.
Pra ky është negociatori virtual që ka zbarkuan në Tiranë për të folur me palët e përfshira në zgjedhje. Në një farë mënyre, për një pjesë të shqiptarëve ai nuk është asgjë më shumë sesa Alter egoja e tij e kundërt, Rik Grenell, qe për një pjesë të kosovarëve. Ai është thjeshtë palë. Jo për shkak të lidhjeve të tij familjare, por si pasojë e konceptit të tij diplomatik, se gjërat zgjidhen më mirë me më të fortin. Në një forme Mathew Palmer e ka pranuar edhe vetë këtë, gjatë një interviste për korespondentin Nike Ching, të VOA: “Ne kemi një partneritet të mirë e të ngushtë me qeverinë aktuale të Shqipërisë ashtu siç kemi pasur një partneritet të mirë e të ngushtë me qeverinë e mëparshme”. Pra është e kollajshme të imagjinohet se ç’pritet nga ndërmjetësimi i tij.
©Lapsi.al