Privatizimi, Berisha po nxitohet.

Hostel

Anëtar i Nderuar
FORUM/ Ekspertë të ekonomisë komentojnë vendimin për shitjen e aksioneve të shtetit: I papërshtatshëm në prag fushate elektorale​

Mbledhja e fundit e Këshillit të Ministrave, drejtuar nga Kryeministri Berisha ka lançuar projektin e radhës: shitjen e të gjitha aksioneve, ku shteti zotëron në kompani të ndryshme. Për ta konkretizuar sfidën e radhës, qeveria miratoi që në fillim, nisjen e procedurave për shitjen e aksioneve të mbetura te kompania celulare AMC, ndërsa të tjera vendime priten të merren deri në përfundim të procesit. Ndërkaq, plani i qeverisë për t‘i shitur të gjitha asetet e saj në kompani të ndryshme nuk përputhet në një periudhë të përshtatshme, kjo e lidhur me disa shkaqe. Për Selim Belortanë, ekspert i ekonomisë për fushën e investimeve dhe tregtinë me jashtë, qeveria ka zgjedhur kohën më të papërshtatshme për shitjen e të gjitha aksioneve, jo vetëm të atyre në minorancë, por edhe i kompanive të mëdha si OSSH apo "Albpetrol". Deklarata e Kryeministrit, se "brenda periudhës 1-vjeçare, do të hiqet dorë plotësisht nga zotërimi i aksioneve në kompani dhe ndërmarrje të ndryshme", shikohet me mjaft dyshim nga ekspertë të fushës. Belortaja, drejtor Ekzekutiv i ACIT (Qendrës për Studimin e Tregtisë me Jashtë), thotë për gazetën se, procesi i privatizimit për të gjitha kompanitë është i vonuar dhe se efektet në buxhet do të jenë tepër të vogla, kjo për faktin se interesi i investitorëve të huaj ka rënë, për shkak të krizës globale. "Si fillim, qeveria duhet të përmirësojë kuotat, të cilat në vitet e fundit kanë pësuar rënie. Nuk mund të nxirren në treg aksione, për të cilat është investuar shumë pak, ndërsa të ardhurat nga to nuk kanë asnjë vlerë. Shumë prej ndërmarrjeve paraqesin bilance me humbje, ndërsa të tjerat nuk derdhin dividendin ose e vonojnë atë". Një tjetër shkak, që e bën procesin tepër dyshues, lidhet me periudhën elektorale. "Nuk është momenti për t‘i shitur të gjitha aksionet në bllok, në një kohë kur kanë mbetur dhe pak muaj nga zgjedhjet parlamentare. Ndryshe, të ardhurat nga shitja e aseteve do të përdoreshin për fushatën zgjedhore, ndërsa procesi i privatizimeve mund t‘i shërbejë atyre bizneseve që kanë lidhje me qeverinë", vijon komentin Belortaja. Tjetër problem lidhet me ligjin për buxhetin, i cili me ndryshimet e fundit përcakton qartë rastin se të ardhurat nga privatizimet përdoren me vendim të qeverisë dhe jo me votën e Kuvendit. "Shitja e aksioneve mund të bëhej vetëm për përqindjet e vogla, pra aty ku shteti ka minorancën, ndërsa për kompanitë e mëdha, llogaritë duhen bërë mirë. Për kohën që jetojmë, asnjë investitor i huaj nuk ka interes të shpenzojë para, pa marrë më parë siguri për gjendjen e kompanisë", përfundon shefi i ACIT.

ar.ko



Som

Procesi i privatizimit për të gjitha kompanitë është i vonuar dhe efektet në buxhet do të jenë tepër të vogla



Dyshimet

Për Selim Belortanë, shitja e të gjitha aseteve në një proces të vetëm do të ishte një hap i gabuar nga ana e qeverisë. "Nuk është koha e përshtatshme për nisjen e këtij procesi, për shkak të vitit elektoral dhe krizës globale".



"Albtelekom"


Prej kohësh, qeveria ka nisur procesin e shitjes së pjesës së mbetur të "Albtelekom", gati 24 për qind, ku të parët që priten të përfitojnë janë ish-pronarët. Këta të fundit kanë kohë edhe dy ditë për dorëzimin e dokumenteve.



Debati

Ish-kreu i Autoritetit të Konkurrencës komenton vendimin e qeverisë për privatizimin e të gjitha ndërmarrjeve



Preçi: "Qeveria, e interesuar në ‘emërimin‘

e pronarëve të rinj të aksioneve shtetërore"




Deklarimi i Kryeministrit Berisha se shteti (qeveria) heq dorë plotësisht nga pjesa e vet e pronësisë në sektorët strategjikë të ekonomisë sonë kombëtare është analizuar nga ish-kreu i Autoritetit të Konkurrencës, Zef Preçi, në disa këndvështrime. Si fillim, qeveria duhet të bëjë publike listën e kompanive që do të privatizohen, si dhe situatën ekonomike të tyre, duke u nisur në pesë vitet e fundit. Preçi, ekspert i ekonomisë për sektorin e konkurrencës në treg dhe të privatizime, komenton për "Shqip" planin e fundit të qeverisë, që, sipas tij, duket një manovër e pastër politike, në drejtim të fushatës elektorale. "Ky proces çon në tkurrjen përfundimtare të pronës publike, jo më me grabitje, por me një dekret, pra me akt formal zyrtar të qeverisë. Nxitimi për një hap të tillë, kur vendin e kërcënon kriza botërore e bankave, efektet e së cilës nuk mund të mos ndjehen edhe në ekonominë tonë, tregon se qeveria është më e interesuar në "emërimin" e pronarëve të rinj të aksioneve të shtetit në shoqëritë strategjike, sesa në pasojat ekonomike që krijon një masë e tillë. Kjo, jo se duhet venë në dyshim epërsia e padiskutueshme e sektorit privat mbi atë publik, e provuar tashmë në të gjitha vendet e zhvilluara të botës. Personalisht, mendoj se qeveria në këtë rast motivohet edhe nga nevojat e ngutshme për të shtuar të ardhurat buxhetore, d.m.th., përgatit edhe një të ashtuquajtur "buxhet suplementar" tjetër në vitin elektoral 2009", shpreh disa nga qëndrimet, Preçi. Komenti e tij lidhet më së shumti edhe me faktin se të ardhurat nga privatizimet nuk planifikohen në vitin përkatës fiskal.

"Në interes të ekonomisë sonë kombëtare dhe maksimizimit të përfitimeve të ardhshme nga shitja e pjesëve publike në sektorët strategjike të saj - kurdo që kjo të ndodhë, do të ishte rritja e transparencës rreth veprimtarisë shtet-privat, si dhe publikimi i raporteve vjetore të rezultateve financiare. Stadi i ndryshëm i zhvillimit në shoqëritë, në të cilat shteti është ende pjesërisht pronar, nuk lejon një motivim ekonomik të mjaftueshëm për një "privatizim total", siç deklarohet nga qeveria". Po ashtu, Preçi shton se, nuk duhet injoruar edhe mundësia që nisma të tilla të shfrytëzohen nga individë dhe sipërmarrje të caktuara me mbështetje politike për futjen në qarkullimin ekonomik (zbardhjen) e parave të siguruara në rrugë kriminale. "Mendoj se nuk është një masë në kohën e duhur, dhe shpallet në një kohë që në botë janë shfaqur edhe prirje të kundërta, natyrisht me një motiv të vetëm të qenësishëm: rritjen e efektivitetit të përdorimit të çdo fraksioni të pronës, publike a private qoftë në të mirë të pronarit a pronarëve të saj. E kjo bëhet e mundur vetëm në kushte transparence dhe konkurrence, të cilat, për fat të keq të ekonomisë sonë kombëtare, mungojnë të dyja...", përfundon komenti i tij.



"Nuk duhet injoruar edhe mundësia që nisma të tilla të shfrytëzohen nga individë dhe sipërmarrje të caktuara me mbështetje politike, për futjen në qarkullimin ekonomik (zbardhjen) e parave të siguruara në rrugë kriminale"




Rajoni


Kosovë

Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) sapo është ngritur, ndërkaq pritet privatizimi i Korporatës Elektrike të Kosovës dhe PTK-së, ku përfshihet edhe operatori "Vala", dy prej kandidatëve më të fortë për t‘u shitur.


Bosnja

Republika Serbe, një nga gjysmat e Bosnjës, ka privatizuar të gjitha asetet, ndërsa privatizimi në federatën kroate-myslimane ka ngecur për shkak të grindjeve politike. Në proces "Aluminij Mostar" dhe "BH Telekom".


Kroaci

Qeveria kroate zotëron aksione në rreth 1100 kompani, por shumica prej tyre janë të zhytura në borxhe, me përjashtim të disa hoteleve në Adriatik. Pesë nga portet në gjendje të keqe do të shiten vitin e ardhshëm.


Mali i Zi

Qeveria ka shitur rreth 95% të aksioneve në të gjitha sektorët, ndërsa ka mbetur pa shitur kompania e energjisë elektrike "Elektroprivreda" (e vlerësuar 300 milionë euro), kompania "Montenegro Airlines" etj.


Serbia

"Telekom Srbija", procesi i privatizimit mund të shtyhet si pasojë e krizës financiare globale, ndërsa nuk ka asnjë plan për monopolin e energjisë elektrike, EPS. Në fondin e privatizimit të shtetit ka rreth 300 kompani.



Shitja e të gjitha aksioneve? Nevojitet punë, por edhe kohë

Artan Hoxha argumenton pse procesi është i dobishëm




Në parim mbështes privatizimin e të gjitha aksioneve të shtetit, të dobishme për zhvillimin e tregut financiar të vendit. Që në fillim të fjalës së tij, ekspert dhe dëshmitar i shumë ndryshimeve ekonomike shqiptare, Artan Hoxha jep vlerësimin për vendimin e fundit të qeverisë, i cili lidhet me shitjen e të gjitha aksioneve, ku shteti zotëron në kompani të ndryshme, qoftë të mëdha apo të vogla. Drejtori i Institutit të Studimeve Bashkëkohore, thotë se, privatizimi i aksioneve të mbetura të ARMO, AMC, "Albtelekom", OSSH etj., është një proces i mbetur nga privatizimet e mëparshme dhe në fakt aksione në minorancë. "Personalisht, besoj se privatizimi i tyre është i dobishëm", vijon Hoxha, duke shtuar nga pas një por...

Argumentet

Sipas logjikës së tij, privatizimi i aseteve të mbetura në dorë të shtetit nënkupton shlyerjen e angazhimeve të marra e të deklaruara për ish-pronarët dhe për punonjësit, sipas planeve të privatizimit të paketave kryesore të këtyre shoqërive. Pra, do të mjaftonin këto dy kategori, si shkaqet kryesore që e detyrojnë qeverinë të ndërmarrë këtë nismë, por, për Hoxhën, i cili mban dhe postin e kryetarit të Këshillit Mbikëqyrës të KESH-it, kjo nuk mjafton. "Pas shlyerjes së këtij detyrimi aksionet e tjera mund t‘iu shiten qoftë investitorëve strategjikë, apo publikut në përgjithësi. Kjo e fundit do të mundësonte edhe krijimin e bursës së aksioneve. Përsëri një privatizim i tille është i dobishëm nëse arrin t‘i japë jetë këtij tregu financiar që mungon. Megjithëse këto përbëjnë paketa aksionesh në minorancë, privatizimi i tyre ka nevoje për përgatitje dhe kohë", sqaron njëri ndër zv/ministrat e parë të qeverisë pluraliste, pas zgjedhjeve të ‘91.

Dilema

Qeveria aktualisht ka në dorë procesin e privatizimit të INSIG-ut dhe kolaudimin e automjeteve, ndërsa sapo ka mbyllur ARMO-n (85 për qind) dhe OSSH-në (76 për qind), blerësit e të cilëve u shpallën disa investitorë strategjikë. A do ta kenë fatin edhe të tjerat si "Albpetrol" dhe INSIG? "Privatizimi i tyre është një proces që do të duhet të kërkojë fillimisht një investitor strategjik, lidhur me privatizimin e shumicës së aksioneve dhe më pas, për pakicën e aksioneve do të veprohet si në rastin e mësipërm", shprehet Hoxha. Sipas tij, këto privatizime kërkojnë kohë. "Koha e kërkuar për përgatitjen e privatizimeve mundet që ta sjellë momentin e shitjes pranë zgjedhjeve. Në parim, nuk shoh ndonjë problem. Qeveria dhe Parlamenti janë legjitime deri në krijimin e qeverisë dhe parlamentit pasardhës. Por, nëse opozita dhe opinioni publik do të shpreheshin energjikisht kundër dhe kjo çështje do të shndërrohej në debat të nxehte publik, p.sh., me teza të tilla "nuk i njohim këto privatizime", "do t‘i zhbëjmë ato", atëherë ka gjasa të besohet se besimi i blerësve të këtyre aksioneve do të dobësohej dhe ne mund të rrezikonim që vlera e tyre të ishte në atë optimale të tregut. Në një rast të tillë, një qeveri e urtë do të duhej të tërhiqej nga ambicia për privatizim dhe t‘ia linte këtë qeverisë pasardhëse që ta kryente në një atmosferë më të qetë. Këtu përjashtoj atë pjesë të privatizimit që nënkupton shlyerjen e detyrimeve të ish-pronarëve dhe punonjësve", thotë Hoxha. Megjithatë, shefi i ISB-së, shton në fund se, "që të fillojnë përgatitjet për qartësimin e bilanceve, vlerësimin e aseteve, qartësimin e rregullave të tjera, mendoj se nuk bëjnë keq në asnjë rast".


Selami Xhepa: Nuk ka vendim për shitje në bllok


Këshilltari i Kryeministrit Berisha, për çështjet ekonomike, Selami Xhepa, qartëson disi situatën e krijuar pas vendimit të qeverisë. "Nuk ka asnjë vendim të qeverisë që lejon privatizimin e të gjitha aseteve në bllok të vetëm. ثshtë marrë vendimi vetëm për shitjen e aksioneve të AMC-së", sqaron për "Shqip", Xhepa. Në fakt, vendimi për shitjen e aksioneve të AMC u mor pas deklaratës publike të Kryeministrit Berisha për të hequr dorë nga çdo aksion i shtetit në kompani të ndryshme dhe se brenda vitit do të përfundojë i gjithë procesi. "Kjo është deklaratë politike dhe se qëndrimi i Kryeministrit duhet marrë si çështje parimore. Pra, në parim, qeveria do të heqë dorë nga asetet e saj, por vendim për këtë nuk është marrë ende".



Raporti

Kontrolli i Lartë i Shtetit ngre alarmin: 27 shoqëri me humbje. Bilancet e kompanive që dalin në shitje


Kompanitë shtetërore, bilance me 160 milionë dollarë humbje


Për vitin 2007, kanë dorëzuar bilance me humbje plot 27 shoqëri, me vlerë rreth 160 milionë dollarë. Mes tyre, 20 shoqëri janë me kapital 100 për qind shtetëror, me një vlerë humbjeje 130 milionë dollarë. Shifrat skandaloze janë publikuar së fundmi nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, gjatë monitorimit të buxhetit të shtetit për vitin 2007. Në raport janë paraqitur të gjitha bilancet e shoqërive anonime, si dhe të kompanive, ku shteti zotëron aksioneve, ndaj të cilave Kryeministri Berisha ka shpallur fillimin e shitjes së tyre.

Bilancet

Për gjithë vitin 2007, Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës kishte parashikuar të merrte një normë fitimi nga shoqëritë nën mbikëqyrje të saj, në masën e 50 milionë dollarëve, por në fakt mori 10 milionë dollarë më pak. Dividendi i llogaritur sipas bilanceve të vitit 2006, ose më saktë interesat nga zotërimi i aksioneve të shtetit në disa kompani nuk rezultoi sipas parashikimit, përfshi edhe ndaj atyre kompanive në zotërim të Ministrisë së Financave (INSIG). Kompania që ndodhet aktualisht në proces privatizimi ka derdhur në arkën e shtetit për llogari të Financave rreth 5 milionë dollarë, ndërsa të tjera subjekte, ku qeveria ka aksione, nuk i kanë derdhur ende dividendët. Ndër to bie në sy AMC-ja (pjesa shtetërore-9%), e cila nuk ka derdhur detyrimet ndaj shtetit. Problem mbeten "Albpetrol" dhe Operatori i Sistemit të Shpërndarjes-OSSH, të cilat nuk kanë derdhur për vitin 2007 në arkën e shtetit rreth 1 milion dollarë, kjo si rrjedhojë e bilanceve negative. Edhe disa ujësjellës, ku shteti zotëron 100 për qind aksione, nuk kanë derdhur një pjesë të fitimit, në një masë që shkon në 30 mijë dollarë. Ndërkaq, në total, Ministrisë së Ekonomisë i mungojnë rreth 4 milionë dollarë, të ardhura të garantuara nga zotërimi i aksioneve në këto shoqëri. "Për Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës mbetet akoma problem i pazgjidhur arkëtimi i të ardhurave nga dividendi, për detyrimet viteve të kaluara, 1996-2002, me vlerë 1.1 milionë dollarë", shpreh shqetësimin KLSH. Më tej, institucioni më i lartë i kontrollit të shpenzimeve buxhetore pohon se, "rreth 8 milionë dollarë mbeten pa shpresë arkëtimi, tërësisht si pasojë e mospagimit të detyrimeve nga subjektet që janë privatizuar.



Aksionet

Berisha: Heq dorë nga pronësia


Javën e kaluar, kreu i qeverisë shpalli nismën e radhës, e cila lidhet me fillimin e privatizimeve të të gjitha aseteve shtetërore. "Privatizimet kanë qenë plotësisht të suksesshme dhe kanë tejkaluar parashikimet në suksesin e tyre. Shpresojmë që edhe INSIG-u, për të cilin është hapur tenderi ndërkombëtar dhe kanë treguar interes të veçantë 8-12 kompani, do të privatizohet brenda vitit dhe po kështu aksionet e AMC-së, më pas aksionet e "Albtelekomit", të ARMO-s. Qeveria nuk dëshiron të jetë aksionere Ajo ka mision e detyra të tjera. Në këtë kontekst, ne realizojmë me sukses të plotë një prej premtimeve më madhore në fushën ekonomike, premtimin e privatizimit transparent të sipërmarrjeve publike", tha kreu i qeverisë.


Gazeta Shqip
 
Back
Top