Poezia e Podrimjes, shqisa dëshmitare

braziljania

Anëtar i Nderuar
Nga Dhurata Hamzai
Duke qëndruar një çast për të lexuar disa poezi të Ali Podrimjes, të cilat tashmë gjenden në botime të reja dhe të hershme të vëllimeve të tij poetike, befas vë re një dukuri tjetër nga ato që janë thënë me të drejtë prej zërit të kritikës. Përveçse lëndë poetike, poezia e Podrimjes ka regëtimën e rrëqethjen gati inkoshiente të një shqise si të përtejme, sidoqoftë është shqisë që prek, lëndon dhe dhemb. Nëse na jepet rasti të përzgjedhim mes poezive që i ka shkruar dëgjon nga ai (lexon) se:

“Nën dritë pishe të malit tim

e shkruaj librin

tek lexoj yjet para se të shuhen

në katakombet e errëta të kujtesës”.

Poezitë e Podrimjes përherë i ngjajnë një lumi që lëshohet me vrull shtatit e rrjedhës pa e ditur se ku do të ndalë, ku do të kthejë e ku do të përfundojë. Kjo mënyrë të shkruari e ruan edhe të freskët krijimtarinë e tij, sikur rrjedha e lumit që s’bëhet dot moçal. Nga kjo mënyrë të qeni si poet, ndodh që lexuesit shqiptar ia ngatërrojnë shpesh Podrimjes moshën. Disa nga ata që i dinë vetëm emrin nga librat dhe nuk e kanë takuar asnjëherë mendojnë se ka qenë këtu e 20 vjet më parë plak, e disa mendojnë se është sot ndoshta edhe 20 vjet më i ri. Ky ngatërrim imazhi me moshën ose fizikun e poetit, saqë kur nuk e kishin parë disa e mendonin se pikërisht ai ishte një burrë shumë shtatlartë..! Kjo e fundit ka ndodhur aq shpesh, saqë dyshoj se nuk mund të shpjegohet kjo gjasë me dukuri tjetër veç me të ndjerit pranë të poetit si njeri, si frymë, si zë, mandej ka qenë i pranishëm me pushtetin e fjalës. Po përfytyrimi mbi shtalartësinë e madhe të poetit mundet të ketë ndodhur edhe pse në vargjet e tij duket sikur fati i atdheut e kombit është ashtëzuar në të. Madje në të gjitha poezinë e tij atdheu (jo vetem Kosova, por mbarë trojet shqiptare) është i pranishëm njëjtësisht me lindjen dhe pritjevdekjen e poetit:




“Vendi im quhej Dardani pastaj

ia ndërruan ardhacakët

Në ngadhnjimin tim unë besoj.”

Sa herë që kujtesa e poetit bredh dlirësisht në prej jetën historike të të parëve tanë (shqiptarëve), nuk mundet të mos qaset një dëshirim prej burri që i del zot kombit, një kumtesë ose një fjalë urtësie që gjithsesi më mënyrë paqësore do t’i dali zot. Shih:





“Me zotëra vë bisedë në horizont

që rrëshqet

Përfytyroj paranoikët dhe gjurmët

kah Maja




Identiteti i Evropës si të lexohet

në porta të hekurta kur trokasin

e më zgjojnë krrokamët e zogjve

parahistorikë




Dëshmoj se kam të drejtë të jetoj

(Poezia “Dëshmi” A.Podrimja)




Kështu thotë burri i urtë Ali Podrimja..! Për të shquar shqisën e tij poetike si dëshmi të pamohueshme ka vargje të Podrimjes që të bëjnë të vuash bashkë me poetin a ndoshta të qash nëse e di përse është fjala...si në vargjet:




“Librin mbi të qenit e shkruaj

në shkretëtirën gllabëruese

ku guri pikon gjak dhe e uroj

për fuqinë që ma fal”




Ku guri pikon gjak dhe ti uron për fuqinë që ta fal, është një përjetim ndoshta nga më surealët, nga ata që të rrëqethin mishtë. Prekja e poetit bëhet dhimbja jote. Kemi këtu një nga ato poetikat që kanë krijuar simbiozën e bashkëvuajtjes së individit sikur kombi i tij vuan. Jemi këtu mëdyshas në hapësirën frymore të lejuar për poetin dhe krijimin dhe rezonancën ose më saktë hapësirën frymore të lejuar për lexuesin dhe ndjesitë e tij. Vargu i Podrimjes kullon si një bashkëbisedim që nuk t’i rronit veshët, por e tërheq edhe shpirtin edhe zemrën të dëgjoj. Shih në vargjet e poezisë së Podrimjes “Hiena”:


“Dekën ia pashë

Ia dëgjova gjamën

Mbi dhè hiena

Na i ha fëmijët më?”


Poezitë e Ali Podrimjes janë në gjendje të krijojnë një shfaqje të plotë të dramave të mëdha, duke ligjëruar në situata poetike hiperrealiste lakuar nga ndjesi gati paranormale, që ligjërojnë shqisën e dëshmisë më të plotë të një poeti që nuk di të jetë ndryshe, përveç atdheu i tij, ose miti i atdheut-shqiptari model. Muzat e poetit janë autoktone. Ai di të bisedojë me to si në një zgjëndër ndërsa fantazisë së tij pa frikë i faniten të gjalla muzat e Drinit, muzat e Mortjes, etj. Edhe shtriganitë epike janë pasuri e metaforës dhe simbolikës së Podrimjes aq sa në shumë raste vjen i plotë perceptimi i gjarpërit dhe lotit. Tek poezia “Mortja i harroi”, Podrimja e fillon bashëndrrën e tij me këto fjalë:


“Pse nuk plaken shqiptarët

Më pyeti një mikeshë e veriut




Tek i bija Fyellit në breg të Drinit




Mortja diku i harroi zonjë

Se koha u shndërrua në guri”




Duket se pesha e rëndë e fatit të Kosovës, e gjithë shqiptarisë është bërë barrë e epërme në poezinë e Podrimjes, por jo makth, por as ndjesi që kalon pa u lënduar, pa u prekur. Megjithatë poeti i përulet atij dëshirimi metaforik me ndjesi të mirë, pasi kalon nga dhembja njëherë ku guri pikon gjak dhe mandej uron për fuqinë që i fal. Në një poezi që i ka kushtuar Aleksandër Zotos ai i thotë:
“Do vdesim

në mënyrë ilire




Duke puthur

TokëDiell




Do i marrim me vete

edhe vrasësit




Fundi i lojës

Zgjimi i perëndive”.




Jemi aktualisht në bashkëbisedim me poezitë e Ali Podrimjes që nuk ndal rrjedhën prej afër 50 vjetësh krijimtari. Ai gjithmonë shkruan. Nëse duam e lexojmë një poezi dhe jo pak turbullohemi prej asaj që na kumton. E ndjejmë që nga ky çast se kohë më vonë, më shumë se fantazmat e historisë, do ta na duhet ta ndjejmë gjallë ekzistencën tonë prej kësaj poezie, një shqise pothuaj dëshmitare. Ai, Podrimja do ta ketë lënë shpirtin në poezitë e tij, bashkë me truallin ku jeton dhe për ne që e lexojmë në kohë pas kohe tërë sy e veshë. Për ata që bashkëbisedojmë me poezinë e tij ka një kumtesë të tillë në formë dedikimi:


“Putha pikën e gjakut

Mes Qiellit e Tokës

Më mbuloi drita hyjnore

Guri ia lëviz, rrënja

Frymon atDheu, paska Zot”.




Këtë poezi Podrimja ia kushton poetit Visar Zhiti, jo aq si poet, por si një gëzim takimi me të pse gjuha gjen gjuhën e kuptimit mes shqiptarëve, gjithaq ua dedikon edhe lexuesve të poezisë së tij plot dhimba dhe hare.





Ali Podrimja - Poezi




DثSHMI




Librin mbi të qenit e shkruaj

në shkretëtirën gllabëruese

ku guri pikon gjak dhe e uroj

për fuqinë që ma fal




Vendi im quhej Dardani pastaj

ia ndërruan ardhacakët

Në ngadhnjimin tim unë besoj




Nën dritë pishe të malit tim

e shkruaj librin

tek lexoj yjet para se të shuhen

në katakombet e errëta të kujtesës




Me zotëra vë bisedë në horizont

që rrëshqet

Përfytyroj paranoikët dhe gjurmët

kah Maja




Identiteti i Evropës si të lexohet

në porta të hekurta kur trokasin

e më zgjojnë krrokamët e zogjve

parahistorikë




Dëshmoj se kam të drejtë të jetoj




(Ulpianë, 1987)





Nث SHTثPINث E MARTIN CAMAJT




Erikës, bashkëshortes së Poetit




Gjithçkafës i vinte era Dukagjin

Dranja dhe Temali aty

Oda e burrave me qilima Peje

Në ballë të oxhakut Lahuta

Nga lëkura e Buallit të Drinisë

Dorë e një artisti anonim

Që e kishte qitur belaja në Evropë

Mungonte vetëm i zoti i shtëpisë

Kishte dalë

për pak kohë

Ta kërkojë tëMadhin se ishte vonuar

Në kreshta të Krujës

Fluturimi i shkabës ku ngrin

E fillon

ثndrra dimërore




(Lenggris, 16.5.1992)





HIENA


Dekën ia pashë

Ia dëgjova gjamën

Mbi dhè hiena

Na i ha fëmijët më?




(1990)





FUNDI I LOJثS




Aleksandër Zotos




Do vdesim

në mënyrë ilire




Duke puthur

TokeDiell




Do i marrim me vete

edhe vrasësit




Fundi i lojës

Zgjimi i perëndive




(1991)





MORTJA I HARROJ




Pse nuk plaken shqiptarët

Më pyeti një mikeshë e veriut




Tek i bija Fyellit në breg të Drinit




Mortja diku i harroi zonjë

Se koha u shndërrua në guri




Të më harronte edhe mua

Ofshani Hijerënda nga Evropa




Lotin ia pashë në sy të shkruar

Në pasqyrë kur e pa gjarprin e viteve




Drini ma kish rrëmbyer Fyellin




(1990)





PRIZRENI




Visar Zhitit




Putha pikën e gjakut

Mes Qiellit e Tokës

Më mbuloi drita hyjnore

Guri ia lëviz, rrënja

Frymon atDheu, paska Zot



Gazeta Tema - GAZETA SHQIPTARE ALBANIA - Gazeta shqiptare online
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Nje veshtrim, nje dashuri.

    Votat: 4 25.0%
  • 2-Agim shpërthyes

    Votat: 2 12.5%
  • 3-Për të voglën

    Votat: 1 6.3%
  • 4-Qiriu pa fjalë

    Votat: 3 18.8%
  • 5-Për të satën herë ….

    Votat: 2 12.5%
  • 6-Tik tak.

    Votat: 0 0.0%
  • 7-Nuk je më vetëm.

    Votat: 4 25.0%
Back
Top