Perspektiva letrare

Love

βeℓℓe â๓e
(Një vështrim tjetër i poezisë shqipe)
Dr. GAZMEND KRASNIQI


ars-poetica1-150x150.jpg
ars-poetica1-150x150.jpg
madame-bovary-150x150.jpg


Nëse ngremë pyetjen se اfarë bën një poet pranë një fushe në shi, plot pellgje, një mendim i parë, një mendim që kemi për poezinë tradicionaliste, na thotë se shkruan për melankolinë, kohën që ikën, miqësinë a dashurinë e humbur, për jetën e luleve a fatin e tyre, e gjëra të tjera si këto.

Si sinkron i kësaj që përmendëm, në vitin 1957, para një fushe të tillë, Kadareja i ri shkruan:
Një ditë në fushë shëtisnim,/
Dhe ja, te ky pellg mu në fund/
Të qeshur të dy ne u pamë/
Në ujët që era lëkund.//
Tani erdha prap’ tek udha/
Bredh tutje me mallin në gji! Por pellgu është tharë… siç duket,/
Që veten mos shoh në vetmi.

Vetëm tre vjet më vonë, pra në vitin 1960, duke parë piketat që ngulin punëtorët në fushë, Ismail Kadareja (i cili vjen pas studimeve në Moskë) ka vegimin e një qyteti të ardhshëm industrial dhe shkruan një poemë (ثndërr industriale) ku gjejmë përvijimin e ndërtesave vigane, zhurmën shurdhuese të makinave, fabrikat që derdhin çelik dhe oxhaqet që vjedhin tym kuq e zi. Pra, vargje si këto:
Metali do të derdhet/
metali i parë/
Shqipëria do të japë metal të saj,/
çelik të gjallë./ …………../
avujt kuq e zi/
dhe flamujt kuq e zi./
Ky qytet i shqiptarëve/
për shqiptarët.//
Dhe s’do të mbajë ai emra të bujshëm,/
“Qyteti i diellit”/
“Qyteti i parajsës”/
“Qyteti i lumturisë”,/
Ky do të quhet thjesht/
Qyteti i ri industrial/
i RP të Shqipërisë.

Në një poemë tjetër, po ky poet e sheh Republikën “me syze të zeza” “mbi fise oksidrike”, me shtylla tensioni të lartë që përshkojnë vendin ngado (Shënime për brezin tim). Citojmë:
E shoh Republikën/
në mëngjese industriale/
me kombinezonin proletar veshur./
Republikën time/
q’akoma mban qeleshe.

“Patetika” dhe “romantika e së ardhmes” do të shkruante kritika zyrtare e kohës për këtë lloj krijimtarie, edhe në botimet akademike dhe universitare, duke harruar se metoda krijuese – pra realizmi socialist – duhet të kuptonte diçka tjetër që lidhet me termat e emërtimit – realizëm dhe socialist. Kjo mënyrë krijuese që po natyralizohej në letërsinë shqipe, sigurisht që ishte jashtë frymës së saj të deriatëhershme. Ajo po sillej nga disa poetë të rinj që studiuan në vendet e Lindjes komuniste, apo të demokracive popullore, siç quheshin atëherë. Dimë se, edhe pse gjeti rezistencë te krijuesit dhe kritikët tradicionalistë të kohës – në mesin e të cilëve, në të vërtetë, mungonin talentet e spikatura, pasi nuk kanë lënë ndonjë shenjë – kjo letërsi mori “bekimin” e udhëheqjes politike të vendit, me anë të sloganit: “Afirmohuni me vargun tuaj”, por duke marrë kështu, automatikisht, vulën e një krijimtarie të funksionit.

Nuk mund të mohohet se modeli i asaj krijimtarie qe letërsia sovjetike, më saktë Majakovski, poeti me devizën e famshme: Govorit partija, padrazumevajem Lenin./ Govorit Lenin, padrazumevajem partija. (Kur themi partia, nënkuptojmë Lenini./ Kur themi Lenini, nënkuptojmë partia.)

Kritiku sovjetik David Samoilov ka shkruar shumë herët, që në parathënien e vëllimit “Lirika” të Ismail Kadaresë të botuar në BS, se “ndikim të fuqishëm te Kadare ka ushtruar njohja me letërsinë e Majakovskit”. Por nuk mund të harrojmë se Majakovski, ky poet me ndikim të madh në letërsinë e angazhuar botërore, kishte formimin e një futuristi, madje të një lideri të kësaj rryme poetike ruse e europiane. Ai mbetet shembulli i madh i simbiozës së një letërsie me deviza ekstravagante si “Shkatërrimi i sintaksës”, “Shuplakë shijes së publikut”, “E kaluara është shumë e ngushtë”, “Flakini Pushkinin, Dostojevskin, Tolstorin etj., etj., jashtë Anijes së Modernitetit” me një letërsi të funksionit, duke u vënë në shërbim të një ideologjie a partie politike të caktuar. Se cilat qenë bazat e këtij futurizmi, na e thotë Marineti, me të cilin Majakovski ka qenë shumë i afërt në ide, përveç ndonjë parimi mbi luftën (të cilën Marineti e quante “higjiena e vetme e botës”) si dhe talentit që ndjek ndjeshmërinë e vet, kur shkruan: “Futurizmi bazohet në rinovimin e plotë të ndjeshmërinë njerëzore. Ata njerëz që përdorin sot telegrafin, telefonin, gramafonin, trenin, biçikletën, motoçikletën, automobilin, transoqeanikun, zepelinin, aeroplanin, kinemanë, gazetën e madhe (përmbledhja e një dite të jetës së botës) nuk e kuptojnë se këto mjete të ndryshme komunikimi, transporti dhe informacioni kanë një ndikim vendimtar mbi psikikën e tyre”.

Thyerja e vrullshme dhe e zhurmshme me të shkuarën, shtrimi për zgjidhje i problemit të domosdoshmërisë së gjetjes së formave të reja shprehëse – ku spikat futja e një leksiku të paparë ndonjëherë – trajtohet sot si vlera më kulmore e këtij drejtimi letraro-artistik. Letërsia e angazhuar i shfrytëzoi ide si këto për të modifikuar idetë e veta mbi letërsinë e funksionit, përfshirë këtu edhe Majakovskin. Në Shqipëri, ku ky poet u mor si pikë reference, sidomos nga Ismail Kadare, ndodhi e njëjta gjë me të quajturën Letërsia e Realizmit Socialist, edhe atëherë kur ajo pati vlerat e saj më të larta artistike.

Sot, meqë nga pikëpamja përmbajtësore (me të cilën mburrej aq shumë kritika e kohës, shoqëruar aq shpesh edhe me qëndrime naiviste…), kjo metodë letrare ka rënë bashkë me kohën që përfaqësonte, sfidat e një historie letrare përballë saj do të ishin të një natyre tjetër.

Veçojmë dy prej tyre: a) ligjërimi; b) leksiku (diksioni).

Nga pikëpamja e ligjërimit, te këto poema epiko-lirike, apo monologë lirikë shohim:

a. Kontribute më të spikatura, kemi një varg tonik, i cili ngrihet mbi sintaksën e të folurit të zakonshëm, që në letërsinë tonë e pat futur Migjeni. Poeti e zhvesh vargun prej muzikalitetit që rrjedh nga ruajtja strikte e sasisë së theksave dhe të rrokjeve duke u përpjekur të sigurojë më shumë një numër të caktuar theksash në çdo varg.

b. Nga pikëpamja e historisë letrare, një tjetër veçori mbetet qëndrimi ndaj rimave. Rimat janë: Të sakta – të guxojë/ xixëllojë – vini/ bini; Të pasakta – vjetër/ vjet – maleve/ madhe; Të përafërta – rrëmujës/ rrokopujë – valëve/ stërkalave.

c. Hiperbolat dhe antitezat mbeten figurat dominante. Ato mund të përdoren edhe njëherësh, si në rastin kur plakut të thinjur – që zbret për të vrarë bijën që e koriti, sepse la të fejuarin dhe u bë metalurge – do t’i thonë “ndal” furrat “martin”, me ulërima sirenash dhe mijëra sy shkëndijash e avujsh të tmerrshëm.

Nga pikëpamja e leksikut, kemi një qark që zgjerohet vazhdimisht:

1. Në poema hyjnë fjalët e rëndomta si gavetë, pension etj.

2. Hyjnë kompozitat si vargje – binare etj.

Mund të shihet që, përmes ndikimit të Majakovskit, të kenë depërtuar edhe elemente të poetikës futuriste, të cilat përmblidhen te konceptet: antitradicionalizmi; antiakademizmi; antisentimentalizmi; fryma militante; himnizimi i teknikës; kulti i shpejtësisë.

Ato koncepte gjejnë lidhje me idetë e manifestit futurist të Marinetit, ku thuhet: “Ne do të këndojmë për njerëzit e punës, për kënaqësitë e pakënaqësitë e tyre; për baticën e dallgëve shumëngjyrëshe të revolucionit në metropolet moderne; për kantieret që shkëlqejnë në dritën e fortë të hënave elektrike të natës; për stacionet hekurudhore që gëlltisin gjarpërinj të mëdhenj tymi; për fabrikat e kapura për re me penjtë e tymtë të tymtarëve; për urat që zgjaten si atletë përmbi brigjet e lumenjve; për anijet aventurore që me flegrat e tyre nuhasin horizontet; për lokomotivat gjoksfryra që rendin binarëve si kuaj gjigantë të çeliktë…”.

Gjithsesi, me poemën ilustruese, gjykojmë se mbetemi te një poezi që priret nga funksionalja dhe e dimë se ky funksionalitet shkoi në një shpërdorim të skajshëm nga pikëpamja e imponimit ideologjik e doktrinar. Nxitja për t’u marrë me këtë pjesë të krijimtarisë së Kadaresë erdhi ngaqë flitej pikërisht për të në botimin Historia e letërsisë shqiptare të realizmit socialist (Akademia e Shkencave të RPS të Shqipërisë, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë. Tiranë 1978), çka presupozon veprën më ndikuese për studiuesit, kritikët, lexuesit, krijuesit dhe tekstet shkollore nga pikëpamja e perspektivave letrare.

Sot shohim se Kadareja vetë nuk i ka përfshirë poemat e sipërpërmendura në përmbledhjet poetike të bëra pas ‘90-s. Ato nuk gjenden as te Vepra 7, Poezi e poema, Onufri, Tiranë 2008. Aty, poema si Përse mendohen këto male e ndonjë tjetër janë dhënë të riprekuara, sigurisht për probleme tematike e jo të formës artistike, që do të ishte tjetër problem, sepse për këtë trajtesë, tjetër është se si synon të mbetet në letërsi poeti Kadare, dhe tjetër fenomeni letrar i kohës me të cilin janë ushqyer breza të tërë dhe studimet letrare shqiptare të kohës. Sigurisht, ndryshimet e bëra në këto vepra, që mëtojnë një tjetër perspektivë letrare, na shtyjnë të mendojmë për panatyrshmërinë që karakterizonte veprimtarinë letrare në shqyrtim. Sidoqoftë, ky veprim i heqjes, i cili bëhet për hir të lexuesit të sotëm e të ardhshëm, nga ana e vet pasuron historianin e letërsisë në rrugën për gjetjen e paradigmave më të qëndrueshme për studimin e kësaj periudhe të shtrirë në disa dekada, qoftë për të evidentuar vlera – për t’i bërë ato pjesë të historisë letrare – qoftë për të evidentuar antivlera – në mënyrë që të gjendet rruga e përmirësimit të tyre në të ardhmen.

Gjykimi se ndryshimi i perspektivave letrare lejon, nxit rihapjen e debatit mbi thelbin e veprës letrare, kërkon një trajtim të zgjeruar dhe përdorimin e disa shembujve ilustrues.

E para, kur Flaubert-i botoi “Edukimi i ndjenjave” (1869), ky roman ishte një ngjarje për krijimtarinë e tij, po jo edhe për sistemin letrar francez të kohës. Vetëm me ribotimin e vitit 1879, kjo vepër (e ndryshuar vërtet nga 495 modifikimet që u bëri Flaubert-i detajeve) shndërrohet në një ngjarje të sistemit letrar francez, një ngjarje që do të shërbente si model për natyralizmin, në atë kohë në lulëzim të plotë.

E dyta, për poetin nobelist W.B. Yeats (1865-1939) thuhet se, po ta kishte mbyllur krijimtarinë e tij në vitin 1900, sot do të quhej një poet minor, megjithëse ndonjë nga poezitë e asaj periudhe është nga më antologjiket, si për shembull poezia Ujdhesa e liqenit Inesfree. Mirëpo pas kësaj periudhe, nën ndikimin e poezisë moderniste (Pound-i bëhet sekretari tij personal), ai bëhet njëri nga poetët më të mëdhenj të gjuhës angleze në përgjithësi, si autori i disa poezive emblematike, ku renditen Mjellmat e egra në Coole, Leda dhe mjellma, Drejt Bizantit, Bizant dhe Vizita në shkollë. Madje, një pjesë të shkruara pas çmimit “Nobel”.

E treta, rasti tjetër lidhet me romanin Madame Bovary. Shkrimtari përfundon në gjyq për shkak të tij, ndërsa romani i një bashkëkohësi, i njohuri i tij, ribotohet 13 herë. Sot për këtë autor nuk dimë asgjë, ndërsa se çfarë përfaqëson romani Madame Bovary për letërsinë botërore dihet nga të gjithë ata që kanë një ide për këtë art të fjalës.

Në shembullin e tretë vendos receptimi i veprës, ku horizonti i pritjes (term i Jaus), që vepron në mënyrë të dyfishtë – nga pikëpamja se vepra karakterizohet nga shenjat që e bëjnë atë të lexueshme dhe nga pikëpamja se lexuesi duhet të zotërojë tërësinë normative me të cilën e lexon veprën – është shumë larg nivelit të tretë, që përbëhet nga bashkimi i dy të parëve.

As letërsisë sonë nuk i mungojnë shembujt në shërbim të kësaj çështjeje.

E para, në një vështrim për Asdrenin lexojmë: “…e fillon krijimtarinë poetike me vargje bombastike, retorike, të cilët e tregojnë natyrën e ndjenjës së tij në momentet e krijimit të tyre më mirë se ç’e përmbajnë atë ndjenjë brenda strukturës së vet figurative dhe ritmike. Vjershat e tij të para i shkruan nën presionin e një temperature të lartë emocionale që nuk është shndërruar pra edhe në vlerë të tyre të brendshme artistike. Në këto vjersha duhet kërkuar me pishë ndonjë figurë e përshtatshme stilistike dhe nuk është e sigurt se mund të gjendet aq lehtë. Me kohë, Asdreni vjen duke u liruar prej kësaj retorikës së fillimit dhe vargjet e tij bëhen gjithnjë e më kuptimplota, më të thelluara, në pikëpamje të strukturës figurative më të pasura, domethënë stilistikisht më të përsosura”.

Ky përcaktim përshkruan punën e tij nga veprat e para, deri tek ato të pjekurisë artistike. Te vëllimi i fundit i tij, Psallme murgu, nuk kemi më poetin që i dallohen ndikimet nga Naim Frashëri apo romantizmi shqiptar dhe ai europian në përgjithësi, por një lirik shqiptar që shtron rrugë të reja për letërsinë shqipe.

E dyta, në rastin e Frederik Rreshpjes kemi rastin e poetit që, po të mos e vazhdonte krijimtarinë gjatë viteve ‘90 të shekullit të kaluar, do të kishim të bënim me një poet me talent të realizmit socialist, nga pikëpamja tematike disi nën hijen e poezisë së Ismail Kadaresë. Krijimtaria e dekadave të fundit priret të vendosë një piketë shumë të rëndësishme për lirikën shqiptare moderne, duke ndikuar mbi sistemin letrar shqiptar në përgjithësi. Vetëm vitet ‘90-të dhanë atë liri që i shërbeu gjetjes së zërit të mirëfilltë të poetit.

E treta, edhe Camaj është një poet krijimtaria e të cilit shtrihet midis dy skajesh shumë të largëta me njëra-tjetrën. Dy librat e parë të botuar në Kosovë, edhe pse kishte ndikuar aq shumë te poetët e atjeshëm (Azem Shkreli është shembulli më i mirë), ai nuk deshi t’i përmblidhte në botimin e veprës së plotë, për ndeshi në kundërshtinë e mikut të vet, një njohës i mirë i letrave shqipe, Arshi Pipa. Kur merrte këtë vendim, Martin Camaj kishte shkruar veprën Dranja, që gjeti mbështetje si një nga kryeveprat e modernitetit shqiptar, pra një piketë e rrallë për të gjithë poezinë shqipe në përgjithësi. Konkretisht, kritiku Arshi Pipa e shihte si të barabartë me një nga kryeveprat e së shkuarës: Milosaon e De Radës.

Kur ndodh dhe pse ndodh ndryshimi i perspektivës letrare?

Një përgjigje të kësaj pyetjeje, ndoshta e jep Rexhep Qosja, kur shkruan: “Shkrimtarët tanë, për shkak të kushteve në të cilat kanë jetuar dhe kanë punuar, shpesh janë kujdesur më shumë ç’të thonë sesa për mënyrën si të thonë diçka. Ata kanë dashur të jenë mobilizues dhe edukatorë të popullit të vet në pikëpamje patriotike dhe nuk janë kujdesur sa duhet për edukimin e shijes dhe për zgjerimin e kulturës së tij. Noli ka futur në letërsi një kujdes shumë më të madh ndaj krijimtarisë poetike dhe një kulturë shumë më të gjerë letrare. Gabimet e mëdha formale që janë përsëritur edhe te disa nga shkrimtarët tanë më të mirë, siç janë Naimi, اajupi dhe, madje, Asdreni. Noli i ka evituar, pothuaj, plotësisht. Kur i ka shkruar vjershat e tij më të mira Fan Noli, disa prej shkrimtarëve shqiptarë akoma vegjetonin rreth temave, motiveve dhe shprehjeve romantike apo neoklasiçiste”.

Ose kur thotë: “Ndre Mjeda është shembulli që flet se vendi i një shkrimtari në historinë kombëtare të letërsisë nuk varet aq prej kuantitetit sa prej kualitetit të veprës së tij”.

Zhvendosja e perspektivave letrare nxit një (ri)lexim jashtë konvencioneve dhe postulateve, që mund të kenë kushtëzuar pa të drejtë studimin e një letërsie.
G.Shqip
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Nje veshtrim, nje dashuri.

    Votat: 5 21.7%
  • 2-Agim shpërthyes

    Votat: 2 8.7%
  • 3-Për të voglën

    Votat: 1 4.3%
  • 4-Qiriu pa fjalë

    Votat: 4 17.4%
  • 5-Për të satën herë ….

    Votat: 2 8.7%
  • 6-Tik tak.

    Votat: 3 13.0%
  • 7-Nuk je më vetëm.

    Votat: 6 26.1%
Back
Top