Personalitetet që studiuan në Liceun e Korçës

WxP

Staf në FV.AL
Kur i hapi dyert shkolla më e famshme, e hapur në qytetin jugor. Kush ishin nxënësit e saj që bënë emër dhe si rrodhi jeta e tyre më pas, në diktaturë

Përse oficeri “parisien”, Dekoing vendosi të bëhej mësuesi i parë i shkollës dhe si erdhën 14 profesorët francezë në Korçë, për të mësuar nxënësit shqipëtarë

Korça, qyteti i bukur i serenatave, nuk mund të kuptohej në fillim të shekullit të kaluar pa Liceun e famshëm Francez dhe kulturën franceze, që do të përqafohej nga familjet qytetare korçare. Në shkëlqimin e dikurshëm dhe të vetëm të saj, Korça dhe liceu do të ishin të pandarë nga njëri-tjetri, ndërkohë që ky qytet i veçantë në juglindje të Shqipërisë do të cilësohej si Parisi i vogël në tokën shqiptare. Liceu Francez do të çelte dyert e tij, më 25 tetor të vitit 1917, pas përpjekjesh të shumta dhe vetëm pak kohë nga shpallja e Korçës Republikë autonome. Mbas mbylljes së shkollave greke të përhapura në masë në atë periudhë, korçarët do t'i lidhte pazgjidhshmërisht një dashuri speciale për Francën, kryeqendrën e kulturës mbarë botërore.
Mësuesi i parë, oficeri francez, Dekoing
Sipas dëshmive të asaj kohe, mësuesi i parë i liceut të famshëm do të bëhej një ish-oficer i lartë i ushtrisë franceze, shumica e ushtarëve të tij preheshin në tokën e Korçës. Dekoing do të bëhej zyrtarisht mësuesi i parë i huaj për t'u mbështetur nga ish- studentë të universiteteve franceze, korçarë të njohur si: Thoma Avrami, Llambi Gërmenji, Haki Mborja, Gaqo Geco etj,. Nxënësit e parë të kësaj shkolle që niste nga klasa e pestë deri në klasën e nëntë do të ndienin mungesën e librave shkollorë, pasi të gjitha mësimet kryheshin në gjuhën frënge me përjashtim të gjuhës shqipe, ndërsa, ato do të mbërrinin nga Stambolli me urgjencë drejt Korçës nga tregtarët që kishin lidhje më këtë qytet të madh të ish-Perandorisë Otomane. E veçanta e këtij liceu ishte se të gjithë studentët që përfundonin plotësisht atë, mbas diplomimit kishin të drejtë të hynin në të gjitha universitet franceze me të drejta të plota ashtu, si dhe vetë vendasit. Mbas vitit 1921 ish- liceu i cili kishte konturuar institucionin e tij dhe ishte mirëpritur nga korçarët në tërësi, pavarësisht nga cila shtresë ata ishin, kanë nisur të vijnë dhe profesorët e parë francezë të cilët u lidhën dhe u dashuruan me këtë qytet të veçantë dhe njëkohësisht të kulturuar në vendin e shqiponjave. Profesorët e parë francezë janë zonja Joinon dhe zoti Roland, ndërsa numri i tyre do të shtohej vazhdimisht nga viti në vit. Sipas të dhënave të dokumentuara të asaj kohe, mësohet se gjatë periudhës 1921-1939 kanë qenë plot 14 profesorë nga Franca që punonin dhe jetonin në Korçë, pa përfshirë drejtuesit teknikë dhe 32 mësuesit shqiptarë.
Liceu Francez jetoi për plot 22 vjet, duke i dhënë një tjetër dimension qytetit që e kërkoi dhe e adhuroi përjetësisht kulturën e këtij vendi të zhvilluar në Evropë. Edhe sot pas kaq dekadash, korçarët vazhdojnë të jenë të lidhur me vendin e Balzakut, ndërsa frëngjishtja mbetet gjuha primare e intelektualëve të njohur. Në këtë lice u regjistruan gjatë gjithë jetës së tij, 700 nxënës, megjithëse jo të gjithë e patën mundësinë ta mbyllnin atë me diplomë, ndërkohë që ishte e para herë në vend, që në të studionin bashkë si vajzat dhe djemtë. Në 22 vjet ekzistencë në këtë lice nga viti 1917-1939 kanë mbaruar plotësisht shkollën 246 nxënës, shumica e të cilëve, pra 200 nxënës kanë mbaruar degën e Filozofisë. Nga ky numër i konsiderueshëm, 117 persona kanë qenë qytetarë korçarë që i përkisnin si pjesës së aristokracisë, ashtu dhe niveleve të tjera të popullsisë, ndërkohë që në këtë shkollë kanë mësuar edhe nxënës nga fshatrat e kësaj treve, por që nuk munguan as arsimdashës të shumtë nga rrethe të ndryshme të vendit.
Liceist edhe vëllai i mbretë-reshës Geraldinë
Ishin nxënës të liceut edhe dy nipërit e mbretit Zog Hysen dhe Sali Zogu, apo vëllai i mbretëreshës Geraldina, Gyula Apponiy. Ish-liceistët, pjesa më e madhe e të cilëve sot nuk jetojnë më, nuk mund të mos dashuroheshin me letërsinë e mrekullueshme franceze, duke lexuar në gjuhën frënge kryeveprat e të mëdhenjve Balzak, Hygoi, Dyma, La Fontenin. Në atë kohë të artë të Korçës në libraritë e shumta të saj, mund të porosisje dhe mund të gjeje pa asnjë lloj problemi bashkë me librat e letërsisë franceze edhe gazetat "Le Figaro", "Paris soir", "Le Match"etj., pa munguar dhe revistat e njohura të asaj kohe. Bashkë me letërsinë, gjuhën e damave korçarët i shtuan kulturës edhe pianot, të cilat në vitin 1936 u shtuan së tepërmi dhe në familjet e ndryshme korçare numëroheshin 36 të tilla. Në morinë e shumtë të liceistëve do të vinte nga Gjirokastra bashkë me shumë bashkëmoshatarë të tij edhe nxënësi E. Hoxha, i cili do të ndryshonte bashkë me rrjedhën e tij të fatit edhe atë të shqiptarëve, duke u kthyer në udhëheqësin e një regjimi të pashembullt komunist në Evropën Lindore. Kështu, në një moshë fare të re vetëm 12 vjeç, ai u ul në bankat e shkollës, bashkë me dhjetëra bashkëmoshatarë të tij për të mësuar gjuhën frënge siç i thonë në Korçë. Hoxha, ka ardhur në klasën e pestë në Liceun Francez në vitin 1926, për ta mbaruar atë në vitet '30. Askush nuk mund të mendonte në atë kohë se djaloshi që jetonte vetëm pak metra larg shkollës së tij në afërsi të ish-kinema "Majestik" të merrte drejtimin e shtetit shqiptar, ndërkohë që në këtë qytet, ai do të njihej me idetë komuniste dhe do të bashkohej në lëvizjet e asaj kohe për të marrë një ditë edhe drejtimin e kësaj partie të re që po formohej dhe ingranohej në jetën e shqiptarëve. Mbasi ka përfunduar liceun me 9 klasat e tij, Enver Hoxha do të fitonte një bursë për të studiuar në Francë. Duket se Enverin do ta lidhte një fill i veçantë me Korçën, këtë qytet ku zonjat respektoheshin dhe nuk dallonin nga francezet e asaj kohe. Megjithëse, ai vinte nga një qytet tradite si Gjirokastra, Korça për të kishte një tjetër dimension. Sipas një ish-liceisti bashkënxënës i Enver Hoxhës, 83-vjeçarit, Lefter Pepo, Enveri dallonte për korrektësinë, sjelljen e tij të mirë dhe njohjen që kishte me korçarët.
Rëfimi i ish-liceistit Pepo
Në një bashkëbisedim me Pepon, aktualisht kryetar i shoqatës së Ish-liceistëve dhe zëvendëspresident i Aleancës Franceze mësojmë se Enveri ishte një figurë e njohur në këtë qytet. "Mbaj mend shumë mirë, rrëfen Pepo, se Enveri më jepte lëndën e moralit. Ai sillej shumë mirë me ne nxënësit, ndërsa preferencë e tij e veçantë ka qenë hyrja dhe lidhja me familjet aristokrate të Korçës". Pepo, gjithashtu tregon se si Hoxha nuk linte asnjë ballo pa shkuar dhe duke respektuar rregullat e ballos, ai do të vishej me kostum të zi dhe papion për të vallëzuar me vajzat korçare. Ekonomisti dhe ish-liceistit ka thënë për "Tirana Obserever", se Enveri ishte një djalë përveçse i pashëm dhe shumë modern për kohën. Veshjet e tij kanë qenë gjithmonë të stilit francez me plot elegancë, një kulturë kjo që e shoqëroi më pas, gjatë gjithë jetës së tij. Ndërkaq, nga një tjetër bashkëkohëse e Enverit, Mësuesja e Popullit, Dhimitra Maliqari, e cila ka vdekur vetëm pak kohë më parë, ka treguar për Enver Hoxhën që e ka njohur nga vajzat franceze, të cilat e kishin ëndërr të dilnin shëtitje me të. Maliqari, apo "Maliqarka", siç e thirrën tërë jetën e saj korçarët ka qenë në Francë për një specializim gjatë viteve '30, dhe aty ka dëgjuar për herë të parë për gjirokastritin. Më pas, vajza e re arsimtare sapo ka mbërritur në qytetin e saj të lindjes ka vrapuar të pyesë shoqet e saj, se kush ishte ai për të cilin vajzat franceze çmendeshin dhe flisnin me adhurim. Ajo iu ka dhënë më pas të drejtë atyre kur e ka parë atë nga larg. Vajzat korçare, megjithëse nuk mund të dilnin xhiro me ish-liceistin dhe më pas pedagogun e moralit që paguhej me orë në lice, e ndiqnin atë me vëmendje, ndërsa e shihnin prapa dritareve sa herë ai kalonte me kostumet elegante dhe flokët të lyer me brilantinë.
Dashuritë misterioze
Askush nuk mund të thotë me saktësi historitë e dashurisë. Thuhet vetëm se E. Hoxha kishte synim të martohej me ndonjë vajzë korçare të bukur, të pasur nga familje me emër. Sipas të dhënave të asaj kohe, mësohet gjithashtu, se ai ka bërë tentativë për t'u martuar me vajza që kishin kushtet e duhura, por kërkimi zyrtarisht i dorës te familjarët është refuzuar nga vetë të afërmit e tyre. Lefter Pepo, tregon se Enveri bënte një jetë të rregullt si gjithë pedagogët e tjerë francezë apo vendas dhe kishte hyrë në jetën e qytetit, pa u ndier se vinte nga një qytet tjetër i Shqipërisë. Ai aktivizohej në të gjitha aktivitetet kulturore, por ajo që nuk pëlqente te Korça ishte i ftohti i saj. Dimri i ashpër i këtij qyteti, i cili shoqërohej me një dëborë të pazakontë i krijoi probleme të mëdha shëndetësore, sa një periudhë tregon Pepo, ai dilte i shoqëruar nga një bastun ashtu si më të moshuarit. Mbas disa muajsh në këtë gjendje, ai u përmirësua, ndërsa më pas do të largohej për t'u kthyer në Korçë vetëm si udhëheqës i vendit pas luftës. Jeta e Enverit në Korçë, në dukje është e thjeshtë e zakonshme, ndërsa ai është treguar gjithmonë i kujdesshëm për të lënë përshtypje pozitive te korçarët. Gjithsesi, është përfolur gjithmonë një lidhje apo idil dashurie mes tij dhe vajzës, në shtëpinë e së cilës ai rrinte me qira. Vajza e re mjaft simpatike dhe shumë punëtore, nuk u martua kurrë, dhe më pas ka vazhduar lidhjen shpirtërore të saj me Enverin në takime të veçanta, si në Korçë dhe në Tiranë edhe gjatë kohës ku mbretëroi Hoxha me regjimin e tij të ashpër. Gjithsesi, një pjesë e kësaj jete ka mbetur e veshur nga misteri për vetë faktin se shumë bashkëkohës të ish-liceistit dhe pedagogut Hoxha, ashtu si ai vetë dhe vajza e dikurshme e ëndrrave të tij nuk jetojnë më dhe në vitet që ata jetonin padyshim që nuk mund të flisnin kurrë për gjëra, që mund t'u kushtonin jetën.
Liceu Francez bashkë me gjuhën e lidhi ish-diktatorin me Korçën, por dhe Francën, të cilës në forma të ndryshme duket se nuk iu nda dot kurrë me muzikën që do ta shoqëronte gjithmonë…


Mësuesit e parë të liceut

Oficeri francez Dekoing
zonja Joinon
zoti Roland
Thoma Avrami
Llambi Gërmenji
Haki Mborja
Gaqo Geco

Të dhëna për Liceun e Korçës

U hap më 25 tetor të vitit 1917,

Niste nga klasa e pestë deri në të nëntën

Mësimet jepeshin në gjuhën frënge

Studentët që përfundonin mund të hynin në të gjitha universitet franceze

Profesorët e parë francezë erdhën pas vitit 1921

Liceu kishte 14 mësues francezë gjatë periudhës 1921-1939

Rreth 32 ishin mësuesit shqiptarë

Liceu Francez jetoi për plot 22 vjet

Kanë mbaruar plotësisht shkollën 246 nxënës

Plot 117 persona kanë qenë korçarë

Rreth 200 nxënës kanë mbaruar degën e Filozofisë.

E nisën shkollën 700 nxënës
 
Titulli: Personalitetet që studiuan në Liceun e Korçës

E lexova me kureshtje postimin dhe tuaj dhe per nje pike mendoj se eshte abuziv. Mesuasja e kaq brezave ne Korce dhe shume e nderuar Dhimitra Maliqari (Gjini) nuk e ka njohur fare E. Hoxhen. Gjyshja ime, Dhimitra i ka kryet studimet ne Lion, dhe E. Hoxha mesa di une ne Grenoble, pra nuk ka sesi te beje komente per nje person qe nuk e ka njohur . Nderkaq , gjate periudhes qe E. Hoxha ka qene ne Korce, mesues, ime gjyshe ka punuar dhe jetuar jashte Korces. Pra perseri nuk ka gjasa te kete bere komente per dike qe nuk e ka pare, jo me 'te vrapoje dhe ta shohe' dhe 't'u jape te drejte francezeve'.
Do t'i lutesha shume autorit te mos vere ne gojen e njerezve te nderuar si gjyshja ime, thashetheme te veta, se keto nuk e nderojne.


Kandidat i shkencave mjekesore. B Qirjazi
(mbesa e Mesuese Maliqarkes)
 
Back
Top