Nga Mero Baze
Më bëri përshtypje dështimi i vizitës së Berishës në Gjirokastër. Ai mblodhi rreth 2 mijë vetë në një rreth-rrotullim në lagjen 18 Shtatori në Gjirokastër, ku shumica ishin nëpunës të sjellë që nga Tirana dhe të punësuar lokal, dhe bëri një vizitë në një fshat të minoritetit grek, ku tentoi të imitonte vizitën e Enver Hoxhës në Grapsh më 1978-ën. Për të gjithë lexuesit që nuk e dinë, Berisha në atë qark ka një bastion të vetëm që shpesh kthehet në depo votash për të, dhe është Lazarati, i cili i jep më shumë vota se qyteti i Gjirokastrës, dhe në Dropull i vetmi fshat që i ka dhënë vota më 2009 ishte Derviciani, fshati i Spiro Kserës. Berisha nuk shkoi as në Lazarat dhe as në Dervician. اështja e Dervicianit është e diskutueshme pasi Ksera ka humbur terrenin dhe nuk i ka më votat e 2009-ës, por Lazarati ngelet një enigmë.
E di që për shumë shqiptarë emri i këtij fshati u kujton hashashin dhe mungesën e shtetit. E kanë fituar këtë status prej Berishës. Për shumë shqiptarë normalë, Lazarati është një fyerje ndaj raporteve të tyre me shtetin ligjor dhe humbje e çdo standardi të kontrollit mbi territorin. Por për pushtetin e Berishës nuk është ashtu. Për të Lazarati është një depo votash dhe një territor ku banojnë 5 mijë vetë, të cilët në raportin që kanë krijuar me shtetin, janë pengje të njëri- tjetrit. Lazaratasit janë pengje të Berishës për të mbushur krahas thasëve të hashashit, dhe kutitë e votimit, ndërsa shteti është peng i tyre, pasi është i detyruar të dënojë qytetarë pse pinë një cigare hashash dhe të mos shkelë dot në një fshat ku mbillen mijëra ton.
Sali Berisha është personi kyç që e ka nxitur këtë raport varësie të ndërsjellët. Ai është autori i inkurajimit të këtij shteti brenda shtetit dhe një përndjekës i vetë atyre që i shërbejnë. Kryetari i komunës së Lazaratit, Dashamir Aliko, prej vitesh është nën presionin e Berishës për t’u arrestuar duke i mbajtur dosjen në sirtar vetëm që ta përdorë për votime. Njerëzit e tij janë krahu i djathtë i Rulit në Gjirokastër, duke injoruar çdo vlerë tjetër të PD-së. Disa grupe të tjera “menaxherësh” në Lazarat janë po ashtu nën presionin e tij duke ua dokumentuar çdo punë të paligjshme dhe duke ua mbajtur dosjen gati në sirtar. Dhe fshati me 5 mijë banorë, që është me një prezencë votuesish më të madhe se shumë qytete të jugut, mbush kutitë për Berishën.
Për një udhëheqës politik normal, për PD-në nëse do të vizitojë qarkun e Gjirokastrës, çdo vizitë duhet të fillojë nga Lazarati. Gjirokastra është një qytet që voton 75 përqind kundër Berishës dhe ai e pa vetë që nuk mblidhte dot as 500 vetë nga qyteti në miting, nëse nuk do zbriste “administrata e shtetit të Lazaratit” dhe administrata e shtetit të Berishës. Të injorosh një bastion që të voton 75 përqind për PD dhe të shkosh në një qytet që nuk do t’i dëgjojë as zërin, do të thotë të bësh hipokritin në një qark ku realisht ke në rrezik dhe mandatin e dytë.
Historia e shtetit të Lazaratit është një histori që mund ta prodhojë vetëm një politikë që urren njerëzit e lirë. ثshtë e vërtetë se në Lazarat inkriminimi ka prodhuar rezistencë kundër shtetit, por ky është një radikalizëm me leje. Në thelb ata njerëz janë lënë pa asnjë alternativë punësimi dhe integrimi dhe po vazhdojnë të getoizohen që të kenë vetëm një rrugë, mbështetjen për Sali Berishën. Fshati i ngjan një getoje të madhe ku hashashi rritet rrugëve dh bahçeve, ku bile dhe emigrantët shkojnë e punojnë në atë industri dhe shteti i Berishës bën kujdes që ata të mos kenë asnjë mundësi tjetër veç të përdorurit si kamikazë prej Berishës.
Genc Ruli, i cili bën sikur respekton “të parët e fshatit”, në të vërtetë është personi që ka interes jetik për këtë situatë, pasi lazaratasit janë sot të vetmit pengje, që mund të votojnë PD dhe kësisoj Ruli të duket si deputet i votuar. Po të ishin të lirë ata të zgjidhnin për kë do të votonin, situata do të ishte shumë më ndryshe.
ثshtë kjo arsyeja që Sali Berisha shkon në qarkun e Gjirokastrës, shkon në Dropull dhe tenton të paraqesë Spiro Kserën si Vitori Currin, dhe pastaj vjen në Gjirokastër ku e urrejnë dhe nuk kthen dot as kokën nga Lazarati. Ky është rasti kur kryeministri nuk përballet dot me veprën e tij tetëvjeçare, krijimin e një shteti brenda shtetit, nga nevoja për mbështetje të dhunshme politike. Lazarati është shenja që tregon se çfarë është në gjendje të bëjë Sali Berisha për një grusht vota. Nëse në Tiranë është gati të bëjë pazare, të marrë enveristët e t’i fusë në lista të PD-së, të marrë socialistët dhe t’i shkëmbejë me deputetë demokratë, të marrë shokët e djalit dhe vajzës që i kanë mbushur shtëpinë me miliona euro dhe t’i bëjë deputetë, në jug është gati të krijojë një parajsë droge për të marrë një grusht votash. Në Lazarat ai ka pasqyrën më të kthjellët të fytyrës së kësaj qeverisje, ku mijëra njerëz punojnë legalisht në industrinë e drogës, dhe arrestohen fshatarë apo adoleshentë pse u gjenden gjethe hashashi në xhepa.
Unë i njoh dhe i respektoj lazaratasit për temperamentin e tyre dhe fuqinë për të diktuar politikën për interes të tyre, por ndjej dhimbje për getoizimin e tyre dhe lënien në një burg pa xhandarë, ku nuk janë të lirë të kapërcejnë telat. Ata janë në kurthin e atyre që u kanë premtuar parajsën e drogës për një grusht vota, të cilët kanë dhe turp të shkojnë t’i takojnë. Ai është gati të shkojë në një fshat të Dropullit kur merr 10 vota dhe në një qytet ku është parti e tretë, dhe nuk shkon dot në Lazarat, në bastionin që më ngjan si fytyra me gunga e Genc Rulit, i cili dhe kur qesh me ndonjë lazo në krah, do të tregojë që e bën nga halli. Sali Berisha është njeriu që ndjehet i turpëruar prej tyre, edhe pse ka qejf ta quajë bastion të vet. Ai nuk i do ata si qytetarë. I do si njerëz të dënuar për të votuar për të. Ndaj dhe nuk përballet dot me ta./TemaOnline