Përderisa qeverisemi nga oligarkë hajdutë

Guest2

Antarë i Respektuar
Nga Ilirian DEMIRI Zvarritja deri në paradoks e reformës në drejtësi është ndër faqet më të errëta të këtij viti, të politikës shqiptare. Aq sa për ta lëvizur vetëm ndonjë milimetër nga vendi i kësaj reforme është dashur ndërhyrja e miqve ndërkombëtarë, e SHBA apo e BE. Ndërsa klasa jonë politike pa u shqetësuar për gjë tjetër ka vazhduar ecurinë e saj me një rezultante: varfërimin e vazhdueshëm të shumicës së shqiptarëve. Të gjithë shqiptarët e dinë tashmë se gjatë këtyre viteve të demokracisë shumë janë varfëruar dhe pak të tjerë janë pasuruar. Duke vjedhur nga të gjitha krahët. Ndodh kështu, sepse kemi vënë në krye të punëve lloj-lloj monstrash. Këtë, ne shqiptarët e dimë, por e dimë edhe se nuk kemi asnjë të saktë. Kjo na ka bërë të gjejmë si zgjidhje vetëm largimin nga Shqipëria.

Ndaj shqiptarët pyesin: ا’po ndodh me klasën drejtuese në Shqipëri? Jo thjesht se prej kohësh ajo po çudit dynjanë. Të gjithë në këtë botë ku jetojmë e dinë se jemi më të varfërit. Vetëm klasa jonë politike vazhdon pa ndërprerje të broçkullisë se rritja ekonomike është e pandërprerë. Vite më parë na thonin se jemi ndër shtetet që kemi rritjen më të madhe ekonomike në Evropë. Afërsisht disa të tjerë kështu kanë nisur të na thonë edhe tani, pa iu dridhur qerpiku për gënjeshtrat që thonë. Edhe pse shohin se çdo ditë shqiptarët po ia mbathin me të katra duke boshatisur Shqipërinë. Tani është e kuptueshme, duan të na gënjejnë për t’u dhënë votën. Se zgjedhjet tashmë sikur janë në prag. E dinë se kodi zgjedhor kështu siç është, i ngjan një monstre të përçudnuar. Sepse me këtë kod ne zgjedhim deputetë që as i njohim, as na njohin. Vetëm gjatë ndonjë muaji na gënjejnë pa iu dridhur qerpiku, ndërsa ne i votojmë.

Tashmë te ne, korrupsioni ka kapur majat. Edhe pse çdo fushatë elektorale nis me moton: të luftojmë korrupsionin. Shqiptarët e kujtojmë fushatën e vitit 2005 të PD-së, që kishte moto luftën kundër korrupsionit galopant të PS-së. Pas 8 vitesh të njëjtën moto kishte PS për korrupsionin e PD-së që kishte arritur majat, sa një drejtor që nuk dinte të vidhte i thonin: budalla dhe e largonin nga posti. (Vërtet kështu ka ndodhur në Shqipëri.) Ajo PD që largonte nga puna pak vite më parë drejtorët që nuk dinin të villnin tashmë ka moto: luftën kundër korrupsionit, kundër oligarkëve. Një përsëritje kaq e përpiktë nga fushata në fushatë çudit dynjanë, por duket se nuk çudit shqiptarët që sërish të tillë monstrave do t’u japë votën. Sepse kështu janë mësuar gjatë këtyre 26 viteve.

Tani është kjo PS që prej 3 vitesh emëron e ç’emëron drejtorë shkollash duke i mbajtur gjithnjë me komandim. Kësisoj i largon kur t’i dojë qejfi. Po ashtu i mban të lidhur pas qeres së vet edhe drejtorët e drejtorive arsimore. Me komandim dhe i ndërron çdo vit nga dy a tre herë. I ndërron më keq se mbreti gratë. Tashmë po bëhet e zakonshme që fushatat elektorale t’i kryejnë oligarkët hajdutë e maskarenj. Një përcaktim i tillë është më i saktë. Oligarkët e të dyja krahëve i kryejnë votimet për të ndryshuar radhën e qeverisjes idiote që i ka zënë frymën Shqipërisë.

Bota çuditet me ç’po ndodh me ne. Sa nuk mundemi të miratojmë as një reformë për drejtësinë. Kur të gjithë ne shqiptarët e dimë se drejtësia në këtë vend është në vdekje klinike, sa nuk i beson asnjë shqiptar. Të gjithë e dimë se rreth 80 – 90 për qind e gjyqtarëve e prokurorëve janë hajdutë që na vjedhin sapo u biem në dorë. Drejtësia për ta është baraz me pasurim të përditshëm për ta. Ata i besojnë vetëm oligarkët që zvarrisin reformën me të vetmin synim: të mos largojnë nga sqetulla e tyre llumin e gjyqtarëve e prokurorëve mbrojtës të tyre. Nga monstra të tilla oligarkësh jemi mbajtur e mbahemi të gozhduar, në një varfëri të thellë që sa vjen e na rëndon supet e lodhura. Në këtë vend nuk vuajnë vetëm aktorët e kësaj zallamahie, vetëm një grup oligarkësh që kanë “pushtuar” gjithçka. Ndërsa njerëzit e thjeshtë, që përbëjnë shumicën e popullit, janë ata që jetojnë në kufijtë e ekzistencës, janë ata që marrin bukën dhe ilaçet me listë, janë ata që përbuzen nga oligarkët deri në shpërfytyrim. Me këtë monstër drejtësie, oligarkët peshkaqenë të krimit do të vazhdojnë të bëjnë sikur na qeverisin, duke mbushur vetëm xhepat e tyre. Pa patur një drejtësi profesionale, me gjithë dëshirën e mirë për të bërë shtet, demokracia në Shqipëri do të mbetet vetëm një ëndërr e brishtë e shumicës. Një ëndërr e brishtë, e cunguar, e pafuqishme për t`u krijuar qytetarëve besimin se një ditë shqiptarët do të dinë vërtetë të ëndërrojnë për një jetë më të mirë.

Tashmë korrupsioni dhe krimi në Shqipëri, janë në përmasa të frikshme dhe mbahen nën sqetullën e oligarkëve të fuqishëm. Sa duket sikur vetëm fuqizohen. Këtë e thonë edhe vetë deputetët në Parlamentin tonë të enjteve, në daljet publike. Po këto monstra një herë nuk i kemi dëgjuar të thonë se, shumica e shqiptarëve mezi shtyjnë muajin me të ardhurat që arrijnë të fitojnë duke punuar ku të mundin. Nuk dinë të thonë se gjatë këtyre 3 viteve të fundit çmimet janë rritur, por pagat kanë mbetur në vend numëro. Kështu ne shqiptarët i jemi nënshtruar fatit. Dhe themi: ky është fati që na ka rënë. Ndaj vetëm largohemi në kërkim të një fati më të mirë. Shumë prej nesh, vetëm në Shqipëri nuk duam të kthehemi.

Ndërsa shqiptarët vetëm largohen nga varfëria, oktapodët e drejtësisë kërkojnë rritje page. Sa herë i dëgjojmë të flasin për reformën e tyre (ata urojnë që kurrë të mos miratohet), fjala e parë që thonë është: duhet të na rritet paga. Edhe pse çfarë nuk po i bëjnë këtij populli. Vetëm drejtësia nuk ia kanë idenë si jepet. Asnjë prej oktapodëve nuk është dënuar deri tani. Po kush ka rënë në dorën e tyre, ka lënë edhe leshtë e kokës. Në fund të fundit, kush do t’i denoncojë oktapodët? Ku do t’i denoncojë? Te kjo Drejtësi në vdekje klinike? Në këtë situatë, tashmë ne shqiptarëve na ka humbur besimi dhe shpresa. Se fijet e ndryshimit i mbajnë në dorë oligarkët monstra që duam, apo nuk duam, janë ata që vendosin për fatin tonë.
 
Back
Top