Përballë oligarkëve: PD dhe qytetarët shqiptarë

Guest2

Antarë i Respektuar
Nga Namir Lapardhaja



Ka një paradoks në narrativën e kritizerëve të lidershipit të Lulzim Bashës: nga njëra anë, ata i kërkojnë atij të shkëputet nga modeli i paraardhësit, ndërsa, nga ana tjetër, e kritikojnë atë për një opozitë të butë, jo luftarake dhe të njëtrajtshme.

Kjo për sa i përket një kategorie që në artikulimet e tyre janë “miqësorë” me liderin e opozitës, ngase një kategori tjetër, shpeshherë e inspiruar, promovuar dhe paguar nga pushteti, shkojnë edhe më tej duke mos e konsideruar fare Bashën si lider të PD-së, por duke vijuar dhe artikuluar në mënyrë permanente akuza ndaj ish-kryetarit Berisha, ndaj familjes dhe ndaj gjithë filozofisë së tij të drejtimit të pushtetit. Kuptohet që një gjë e tillë është e qëllimshme. Duke e mbajtur Berishën ende në qendër të akuzave dhe të sulmeve, ata duan të tregojnë që PD-ja vijon të jetë ai, ndaj në këtë forcë politike nuk ka kurrfarë shprese dhe të ardhme, rrjedhimisht mundësitë për të fituar në zgjedhjet e qershorit janë zero.

Sa më sipër, nuk është problem i Lulzim Bashës, ngase ai botërisht e ka shpallur konceptin e tij për të mos qenë një lider i adhurueshëm nga masa dhe anëtarësia e PD-së, por modeli i tij synon të ngrihet mbi kolegjialitetin dhe institucionalizimin e çdo vendimmarrjeje, duke tejkaluar kështu një herë e përgjithmonë në politikën e vjetër shqiptare parimin leninian të identifikimit të partisë me kryetarin dhe anasjellas.

Sfida e tij e parë është me veten, ndërsa “problemi” i tij real dhe që vlen për t’u marrë në konsideratë është me qytetarët shqiptarë.

Sfida e tij me veten konsiston në atë që ai duhet me patjetër të përfundojë ndërtimin tërësor të “godinës” së re të Partisë Demokratike sipas modelit dhe konceptit të tij dhe guri i provës janë zgjedhjet e radhës.

Sendërtimi i imazhit me të cilin do t’iu dalë përballë shqiptarëve, është çelësi i suksesit, prej nga do të burojë besimi dhe shpresa e tyre.

Partia Demokratike nuk mund t’i konkurrojë kundërshtarët politikë me para. Paratë i kanë ata që kanë dhënë koncesione, ata që e kthyen Shqipërinë në plantacion të drogës dhe me paratë e drogës do të synojnë blerjen e votës, ata që vjelin çdo ditë pushtetin. As me poste e të mira pushteti. As me premtime të tilla, nëse do vijë në pushtet.

Ka një tregim të mrekullueshëm A. اehovi me 12 rublat dhe një kovë me vodkë. Kur i thonë muzhikut se çfarë do: 12 rubla apo një kovë me vodkë, ai pa menduar kërkon kovën me vodkë, për shkak të perceptimit utilitar të dhuratës, ndonëse po të mendohej paksa me 12 rublat do të blinte 3 kova me vodkë. Varfëria ia ka mpirë mendimin shumicës së varfër të qytetarëve shqiptarë, ndaj do të zgjidhnin “kovën me vodkë” në kulm të dëshpërimit, nëse nuk do të kenë një alternativë shprese për ndryshimin e jetës së tyre. Dhe e majta te ne, historikisht e ka përvojën e shndërrimit të popullit në një turmë të mjerë, lehtësisht të manipulueshme.

Në këtë kuptim, PD-ja mund ta mundë këtë mazhorancë vetëm nëpërmjet imazhit të saj dhe ky imazh mund të ndërtohet vetëm me vlerat fondamentale të saj në bashkëpunim me vlerat e reja, të cilat kurrë nuk i kanë reshtur së afruari një force të madhe politike, siç është ajo.

Vlerat sigurisht që janë ish-pushtetarët e PD-së, që dhanë provën se ishin të aftë profesionalisht në pozicionet drejtuese që kishin dhe pushtetin e përdorën në të mirë të qytetarëve dhe të vendit. Të tillë nuk ka pak në PD.

Të rinjtë që kurrë nuk i kanë munguar PD-së nuk mund të lihen te dera, ngase imazhi i tyre, në vetvete, është imazh fitues.

Imazhi i mirë i PD-së mund të jenë disa intelektualë që në këto ditë të vështira për të në opozitë u bënë mbrojtës dhe promovues të thelbit të saj të mirë.

Autokritika më e mirë dhe më e besueshme e PD-së para qytetarëve dhe votuesve është forcimi i imazhit, duke mos kandiduar si deputetë në parlamentin e ardhshëm ata që kryen privatizime të gabuara dhe pa efektivitet, duke qenë ministra, ata që zvarritën mjaft reforma të ndërmarra nga PD-ja, për shkak të pazotësisë së tyre dhe mungesës së vizionit. Ata që me mefshtësinë dhe mungesën e personalitetit nuk ngritën kurrë probleme në kryesinë e PD-së, në grupin parlamentar, në këshillin kombëtar, vetëm e vetëm nga mungesa e kurajës dhe për të qenë brenda ngrinin dorën për pro edhe kur mendonin ndryshe. Këta individë kapën majat vetëm për t’i shërbyer vetes, familjes së tyre dhe fisit. Ata e përbaltin imazhin e PD-së, ndërsa largimi i tyre nga këto pozicione e lartëson imazhin e PD-së.

Vetë fjala e Lulzim Bashës për 35% të përfaqësimit nga të rinjtë në këtë force politike në zgjedhjet e radhës shkon në sinkron të plotë dhe të drejtpërdrejtë me ngritjen e këtij imazhi, duke e forcuar dhe e kthyer shpresën dhe besimin e votuesve.

Imazhi i PD-së do të ndërtohet si parti fituese nëse këta pesë muaj që kemi para do të dëgjohet me vëmendje çdo qytetar shqiptar kudo që është dhe kërkesat e tyre do të bëhen pjesë e programit të PD-së. Atëherë imazhi i saj do të ndërtohet me projeksionin e dëshirave dhe interesave të të gjithë qytetarëve. Nëse kjo do të realizohet më së miri dhe do të artikulohet nga drejtues me besueshmëri te publiku, atëherë fitorja e PD-së do të shihet si fitorja e shumicës së qytetarëve dhe PD-ja do të ketë mundësinë që në pushtet të realizojë projektin e saj ambicioz për drejtësi, nxjerrje nga varfëria dhe shfrytëzim të të gjitha resurseve në të mirë të qytetarëve
 
Back
Top