Për një politikë bamirëse, jo për bamirësi politike

AnGeLiC

VIP
V.I.P
Nga Albina FERKO-NANAJ: Për një politikë bamirëse, jo për bamirësi politike

14483576_10208631414361025_1653658707_n-1.jpg
Të gjithë i kemi të gjalla në mendje skenat e paharrueshme aktoriale të filmit “Lulëkuqe mbi mure”. Një jetimore, një kujdestar i pashpirt dhe cinik dhe bamirësit e pispillosur italianë, pushtuesit që mbanin me bukë jetimët e përvuajtur, shtresën simbol të mjerimit shqiptar. Dhe sidokudo, pushtuesit Italian, përfaqësues të një qytetërimi të vetëkonsideruar të epërm, i takonte të përkujdesej edhe për imazhin e tij, për marrëdhëniet me publikun, apo PiAr-in, siç e emërton trendi i sotëm, në mënyrë që të përcillte fytyrën e një vendi human, që përhapte mirësi dhe dinjitet. Mirëpo, pavarësisht propagandës, të gjithë i dimë krimet e shëmtuara dhe rrënimin që mbolli fashizmi, bashkë me shumë izma të tjerë që u pollën nga mendjet e liga të njerëzimit.

E bëra këtë hyrje, sepse ditët e fundit të 2016-ës ngjajnë njësoj si skenat e këtij filmi, por tashmë të përthyera në realitet, nga një kastë aktorësh hipokritë, por edhe mediokër, krahasuar me të mëdhenjtë e kinematografisë shqiptare qëaktorjnë tek “Lulëkuqet mbi Mure”. Sigurisht që si në filmin në fjalë, nga pas fshihet një regji e tërë, me mjeshtra të PR-it, me përpunues të opinionit publik, skenaristë, por edhe me teknikë, montazhierë, fotografë. Një sipërmarrje e tërë njerëzish, kostot e punës së të cilëve ia tejkalojnë me disafish çikërrimave që shpërndahen për bamirësi. Cinizëm i pastër, nëse mbajmë parasysh se nga këto para dhe ndihma mund të kishin përfituar shumëfish njerëz, nëse qëllimi do të ishte vërtet bamirësia, dhe jo propaganda.

Dhe aktor kryesor në këtë shfaqje të dobët, nuk mund të mos shfaqej kryeministri shqiptar, që pasi përvetësoi rolin e babagjyshit të Vitit të Ri, filloi të shpallte si dhurata të qeverisë, ato që në fakt janë detyrime të çdo shteti normal, ndër të cilat do të radhisja edhe shpërblimet e fundvitit, që meqë ra fjala u parashikuan vetëm për pensionistët, ndërkohë qësegmente të tëra të administratës, përfshi mjekët, policët, mësuesit etj, me sa di nuk përfituan gjë, paçka detyrimit për një pagë të trembëdhjetë. Për të mos pëmendur përfituesit e legalizimeve, apo dëmshpërblimet nga përmbytjet që gjithashtu po trajtohen si dhurata fundviti, të realizuara falë dhembshurisë dhe zemërgjerësisë së qeverisë dhe jo si të drejta ligjore të personave që i përfitojnë, dhe që mospërmbushja nga qeveria e mëparshme, për çka u dënua edhe me votë, nuk mund t’i shndërrojë në bonuese të qeverisë aktuale.

E megjithatë kryeministri, falë edhe shijeve, etikes dhe finesës së tij prej piktori, mbetet sërish aktor ku e ku më i mirë se shumë të tjerë poshtë tij, si ministra, deputetë (përfshi edhe të opozitës), por edhe kryetarë bashkish, që gjithashtu të përfshirë nga ethet e zgjedhjeve të ardhshme, dhe në mungesë të një bilanci vjetor pozitiv me të cilin të paraqiten ballëhapur përpara shqipëtarëve, po përpiqen tëmiklojnë shtresat më vulnerablë, që fatkeqësisht përbëjnë shumicën në këtë vend, me dhurata kryesisht në ushqime, për të kaluar edhe ata barkngopur ndërrimin e viteve. Pjesë e kësaj koreografie sigurisht që janë dhe amnistitë, faljet, shuarjet e detyrimeve të shumë hallexhinjve që kanë mbajtur mbi supe peshën e shpërndarë shproporcionalisht të reformave të ashtuquajtura shtetbërëse të kësaj qeverie.

Dhe në fund, ajo që të gjithëve duhet të na shqetësojëështë se pengmarrja e rolit të bamirësve nga ana e politikanëve që s’kanë guxuar njëherë të ngrenë zërin për interesat e qytetarëve, madje edhe në raste flagrante, po e shndërron edhe bamirësinë në diçka të rëndomtë, po e përdhos dhe njollos konceptin e saj, si dhe po zhvleftëson shumë nisma, lëvizje, apo njerëz që e ndjejnë vërtet bamirësinë dhe bëjnë vërtet bamirësi, jo njëherë në vit, por çdo javë apo çdo ditë. Sepse abuzimi politik me bamirësinë, nëse rezulton një eksperiment i suksesshëm, rrezikon të shndërrohet në model për çdo aventurier dhe sharlatan që dëshiron të përfitojë politikisht përmes saj.

Në dy religjionet kryesore, atë islam dhe të krishterë, që me të drejtë mund të konsiderohen themeluese të bamirësisë, nxitja e vazhdueshme për të dhënë shoqërohet edhe nga paralajmërimi permanent për të qenë të kujdesshëm, për të mos abuzuar me bamirësinë, për të mos synuar përmes saj përfitime tokësore. Shembulli që e përmbledh të gjithë këtë filozofi në mënyrën më të bukur ështëthënia e Profetit Muhamed se nga të shpëtuarit në botën tjetër është edhe një person “që ka bërë bamirësi aq fshehtë, sa dora e tij e majtë nuk e ka ditur çfarë ka dhënë dora e tij e djathtë.” Sepse bamirësia e vërtetëështë ajo që bëhet për hir të Zotit, e zhveshur nga çdo interes, nevojë apo përfitim, nga çdo kundërshpërblim. Bamirësia është akti më intim që njeriu mund tëndërmarrë, akti që mbetet veç mes tij dhe Zotit. Dhe kjo s’mund të ndodhë për sa kohë politikanët rrethohen nga dhjetëra kamera, duke vënë në dyshim edhe vetë kryerjen e këtij akti nëse ato kamera nuk do të ishin aty për të dëshmuar para votuesve.

Detyra e politikanëvëështë të bëjnë politika, të zhvillojnë vendin, të rrisin ekonominë, të ulin papunësinë, të mendojnë për mirëqenien e shqipëtarëve, për shëndetin e tyre si dhe të frenojnë fenomenet negative. Dhe që këto të kenë sukses, duhet modesti, ndjeshmëri, empati, dhembshuri, sinqeritet, pra nuk nevojiten thjesht politika të duhura dhe të zgjuara, por edhe politika njerëzore, të dinjitetshme, pa arrogancë, fodullizëm, mendjemadhësi. Politika të cilat do të parapëlqeja t’i quaja bamirëse, qëbëjnë mirë, janë të frytshme dhe mbrothësojnë shoqërinë. Por ja që në vend të këtyre politikave bamirëse, si kompensim për dështimin në realizimin e tyre, ajo që na ofrohet është bamirësia politike. Një bamirësi që shqipëtarëve nuk u vlen për asgjë. Një bamirësi që njësoj si tek “Lulëkuqe mbi Mure”, nuk e ka asfare problem të na sakrifikojë njësoj si Sulon e gjorë, në çastin e parë që“bamirësi” kupton se populli jetim nuk pranon të shesë dinjitetin dhe të drejtat e tij për një kothere. /tesheshi.com/
 

Attachments

  • 14483576_10208631414361025_1653658707_n-1.jpg
    14483576_10208631414361025_1653658707_n-1.jpg
    30.3 KB · Shikime: 0
Back
Top