“Për katolikët në politikë dhe Sandër Lleshin si njërin prej tyre!”

  • Hapësi i temës Hapësi i temës Frank
  • Start date Start date
F

Frank

Aty nga mesi i viteve 30, kur zhvillohej një luftë e ashpër mes qeverisë së Zogut dhe Klerit katolik për mbylljen e* gjimnazit “Ilricum” në Shkodër e të tjera shkolla, çështje kjo që përfundoi në gjykatën e Hagës, e cila u fitua nga Fishta dhe të tijtë, françeskanët i dërgonin një letër Mbretit, ku i thonin “në jemi* këtu tash 2000 (mijë) vjet, katolikë dje e katolikë sot, shqiptarë dje e shqiptarë sot”!

Prej dy ditësh, që kur Kryeministri Edi Rama, emëroi si ministër të Brendshëm gjeneralin në rezervë Sandër Lleshin, histeria dhe mazokizmi, paragjykimet dhe pandehmat, trazimi dhe komplekset e të gjitha natyrave morën udhë për të zbritur në gazeta, portale,* Tv e kafene me* potere, egërsi e banalitet. Si një krusmë, a thyerje apokaliktike u përjetua ajo. Konsideratat aspak me karakter fetar u konsideruan zell dhe entuziazëm katolikësh sikur të ishte mëkat. Të tjerë, dalldisur nga këndvështrime ngushtësisht fetare e quajtën, gjëmë, komplot, shitje e shumëçka tjetër. Për ata që nuk e dinë, katolikët nuk janë minoritet, por shqiptarë. Nuk po themi më shumë se të tjerët, por së paku si gjithë të tjerët.

Rrëfimi për ta është pak i bezdisshëm se përfundon në mburrje! U duhet t’ju kujtojnë atyre që e kanë harruar, se përgjatë motesh të rënda katolikët, mbeten ura e vetme me kontinentin europian,* u dhanë bashkatdhetarëve të tyre heroin kombëtar, shqipen e shkruar, shkrimtarët e Rilindjes së pare, ideologun e shumë të tjerë në atë të dytën, revistat, shkollat, artistët, lëndën e gatshme për kryengritjet e mëdha kombëtare, ngritën për herë të parë flamurin e Skenderbeut, në Bratilë të Deçiçit, u bënë garancia e pavarësisë kombëtare në kancelaritë europiane në 1912, 13 …19, 20!

Nuk e pranonin me gjithë rixhatë e pafund Turhan Pashën, Kryeministrin ish ambasador të Portës së Lartë në Rusi si përfaqësues të atij Parisi të vitit 1919, jo për fajin tim u dukej me bindës Imzot Bumçi me Gjergj Fishtën! Rezistencën ndaj komunizmit në emër të së cilës u martirizuan dhe u persekutuan* më shumë se gjithë të tjerët, pothuaj për çdo derë në masë të madhe e kryen malësorët katolikë! Ndërsa përfaqësimi i tyre në postet e Shqipërisë nga viti 1912 e këtej ka qenë minor, hileqar, abuziv. I tillë ka mbetur edhe pas vitit 1990.

Edi Rama duke përzgjedhur si përfaqësues të tyre në parlamentin e Shqipërisë persona me preçedente penale, duke deklaruar se ato zona ashtu i duan, ka kryer një nga aktet më fyese dhe më të shëmtuara pas Enver Hoxhës në raport me atë pjesë të popullsisë! Duke emëruar Sandër Lleshin në krye te Punëve të Brendshme nuk është se ato harrohen.

Të tilla bëma janë vraga që nuk ikin nga balli i tij dhe nga përditshmëria jonë. Rama përtej bixarrive propagandistike në thelb me katolikët është sjellë si Mehmeti, Shefqeti apo Kristo Themelko, por me armë të tjera. E vërteta i bën ndër çdokujt dhe duhet thënë. PD nuk ka përzgjedhur element kriminal nga komuniteti katolik, por vit pas viti ka realizuar një tjetër metamorfozë, shkatërrimin e përfaqësimit të vërtetë.

Kush i ka zëvendësuar Pjetër Arbnorin, Jozefina Topallin, Rudolf Markun, Dode Kaçajn, Preç Zogajn, Mark Markun, Luigj Gjokën e të tjerë, në këtë parti? Kush i zëvendësoi martirët, të persekutuarit, shkrimtarët, profesorët në atë formacion? Cili është statusi politik dhe kulturor i katolikëve në PD? Shih e shkruaj thotë një fjale. Druaj se edhe aty shihen si minorancë etnike për simbolizëm se ashtu janë do pune e halle me Europën. Hallall me rrejtë kaurin jepte leje dikur Haxhi Baba.

Duke u kthyer tek rasti i Gjeneral Lleshit, personalisht kam zero nevojë e interes për të, dhe ministra të tjerë, dreq rritjua nderen, siç nuk kam pasur as për ata të PD-së, kjo për hir të zgjedhjes, jetës modeste dhe dashurisë për profesionin tim! Indiferenca ndaj karrigeve të tyre është çmim lirie. Më shumë impresionohem nga një lypsar i vogël në trotuar se nga qeveritarët. Nëse jam i djathtë, madje “reaksionar”, jam për qejfin tim gegë dhe nuk pres të ma çertifikojë këtë bindje as Sali Berisha, as Lulzim Basha. E vërteta duhet shqiptuar edhe kur në dukje të kthehet kundra nga gjykimet militante.


Deri sot Sandër Lleshi shfaqet si një person me integritet të larte etik dhe profesional. Kadare kishte të drejte kur e propozoi për postin e lartë të Presidentit të Republikës. Nëna e tij nuk mbante pistoletë në brez të dhënë nga sigurimi i shtetit për vigjilencë ndaj armikut të klasës, as baba, këtë e di me siguri. Për atë që është deri tani me* CV-në e tij nuk meriton paragjykim pa filluar ende punën.

Si format ai krijon një thyerje me tipologjinë e ministrit shqiptar. Nga militanti riosh, sharës profesionist Saimir Tahiri që bëhet ministër, tek ish sekretari i rinisë dhe ish hetuesi Fatmir Xhafa , Gjeneral Lleshi mbart një ndryshim cilësor. Ai* fut në krizë shumë nga ministrat aktuale, por edhe ata që aspirojnë të behën në PS dhe PD, të cilët grijnë peca me dhëmbët çatall gjithë ditën pa bërë asgjë në jetë. Nëse provojmë tu heqim logon PS, PD, LSI shumë personazheve të politikes cfarë mbetet prej tyre? Një asgjë e madhe. Dy ditë i duhen kujtesës për t’i fshirë, apo hedhur në mejhane tu fërku barkun kodër e tuj ra mendjes lodër.

Sandër Lleshi vetëm si ekstremist politik nuk është shfaqur kurrë. Ndiej keqardhje kur një ish President serioz e dinjitoz, nji mik i vyer, si Bujar Nishani mbetej peng i një padrejtësie me frymëmarrje politike, të kryer së bashku me Arben Imamin dhe Xhemal Gjunkshin gjashtë vite më parë ndaj tij. Vete Imami ç’ka qenë? A ka pasur me ekstremist se ai ne vitin 1997 me thirrjet dhe veprimet jakobine krah komiteteve të shpëtimit? Apo ato harrohen kur e ul kokën dhe të shërben?

Më e bukura është se vetë Imamit ja zuri vendin Gjunkshi i përfolur ngeshëm nga kabllogramet e ambasadës së SHBA, dhe kjo është një nga shakatë më interesante të Lulzim Bashës, e denjë për admirim. Gjithsesi Basha po hesht për ministrin e ri dhe ky është veprimi i duhur. Kohen e kemi në prag.

A po bën retush e politike me sa i ha krahu Edi Rama? Sigurisht që po. Me Lleshin ai ka shansin e fundit* pas triumfit të krimit dhe dështimeve të tmerrshme në rendin publik. Në cdo vend normal, kur të bien dy ministra te Brendshëm për probleme si ato te tyret, ikën edhe Kryeministri. Sandër Lleshi, s’ka kuptim të jetë armik apo kundërshtar me Edi Ramën siç po ja kërkojnë, por nëse do bëhet gjethe fiku për ndjelljen dhe përzgjedhjen elektorale të krimit në Shqipëri i duhet vetëm pak që të turpërohet duke kompremtuar gjithçka deri me sot ka ndërtuar me punën dhe emrin e tij.

Nese nuk jane çmendur te gjitha parimet qe e bejen funksionuse nje shoqeri, nje person si Gjenerali ne krye te ministrise se brendshme te ngjall optimizem te kujdeshsem,* i cili nuk duhet pare thjesht si* katolik* megjithse te jesh katolik nuk eshte faj siç nuk eshte jesh musliman, ortodoks, bektashi, protestant,* ateist, agnostik sepse kjo eshte reduktive dhe mohuese, tejet.

Por nëse e shihni edhe si katolik ani s’ ka të keqe, thjesht ka marrë një vend që shteti shqiptar jua kishte borxh prej dekadash atyre.* Duke i dhënë Gjeneralit atë që i takon për të cilin Presidenti Meta po bën sikur mendohet, shohim të lidhet fija e këputur në PD e përfaqësimit elitar te katolikëve në politikë, e mbi të gjitha një revolucion imazhi paçka se nga halli në historinë terroriste të PPSH-së shndërruar në PS me urimin qe nuk sillen ndaj tij si ndaj Gjin Markut e Tuk Jakoves.

“Nëse kështu ndodh, si mbetet tjetër, veçse si të parët motit me vikatë “Rrnoftë Shqipnia edhe pa ne”!

/Agron Gjekmarkaj
Shkodra.News
 

Konkursi Letërsisë

  • Jeta pa ty

    Votat: 6 46.2%
  • Simfonia e bisedave tona

    Votat: 2 15.4%
  • Bora e parë

    Votat: 3 23.1%
  • Larg

    Votat: 2 15.4%
Back
Top