Për Dritanin dhe Aliçen, Haxhinasto jep dorëheqjen!

Nga Rudina Xhunga

Në 7 maj, një nënë e re me tre fëmijët e saj në makinë, po shkonte në burgun e Rrogozhinës. E kishte marrë patentën pak muaj më parë dhe ecte me 60 në autostradë, kur lejohej me 100. Fëmijët bërtisnin nga gëzimi, në sediljen e pasme. Do të takonin babin, pas 4 muajsh. E dinin se ishte sëmurë, në spital dhe atë ditë kishin zbrazur oborrin, për ta mbushur makinën me lule.

Nuk ia çuan kurrë, nuk e panë kurrë babanë. Makina rrëshqiti në atë rrugë të lagur dhe shkoi u përplas pikërisht te trafikndarësja e çarë, që hyri mes përmes në trupat e dy të vegjëlve.

Mos i mbyllni sytë! Mundohuni ta shikoni këtë skenë. Mundohuni të imagjinoni, si ajo nënë ka marrë veten nga përplasja dhe ka çuar kokën nga timoni. Asnjë zhurmë nga sedilja pas. Pastaj ka parë fëmijët e larë në gjak dhe është rrëzuar mbi ta. Derisa ka dëgjuar të voglën që mbeti gjallë, të lëshojë zë. Ka menduar se mbase edhe Dritani e Aliçe mbetën gjallë dhe me Ebin në krahë, është munduar ta nxjerrë Aliçen, të parën, nga makina. Atë Aliçen me kaçurrelat e gjakosura, që llamarina e kishte çarë më dysh. Nuk kishte mbetur jetë, prej asaj kërthije ende të ngrohtë. Pasi nxori Aliçen në rrugë, te Dritani, e la shpresa, e lanë duart. Mbeti aty, në mes të gjakut dhe ulërimave të kalimtarëve, pa zë, pa jetë, pa fëmijë.

Këtë javë të gjithë kemi qenë shumë të zënë me Shukriun. Po Shukriu e pagoi dëmin e vet. E larguan nga detyra që shfrytëzoi. ثshtë nën hetim.

Po për ata dy fëmijë, kush thotë, më fal? Kush paguan? Kush ndëshkohet? Kush dënohet?

Ministri përgjegjës i transporteve, i rrugëve, autostradave, trafikndarëseve, është Haxhinasto. Ai foli ditën e tragjedisë, ngushëlloi familjen dhe tha se hetimet do të gjejnë shkaktarin.

Hetimet u bënë. Shkaktari u gjet. Vdekja ndodhi sepse trafikndarësja ishte çarë për të lehtësuar punën e një karburanti, në pronësi të babait të shefit të kabinetit të vetë ministrit Haxhinasto.

Tre vetë nga ministria e Edmond Haxhinastos, janë në burg.

Tani, ministër Haxhinasto, jep dorëheqjen! Je ti përgjegjësi moral i vdekjes së dy fëmijëve.

Ti je nga ministrat më jetëgjatë në gjithë qeveritë shqiptare, do bësh si do bësh, edhe pa një vit më shumë në qeverisje, por nuk do ia bësh dot po vazhdove, sepse askush nuk ka më dyshime, askush nuk ka më dilema; fajtori je ti.

Nuk ke ushtruar kontroll në një rast të pastër përfitimi nga pushteti. Me mungesën e informacionit, në rastin më të mirë dhe me mbylljen e syve, para një rasti përdorjeje të pushtetit tuaj, në rastin më të keq, fajtori je ti.

Merr përgjegjësi për vdekjen e dy fëmijëve! Përgjegjësi morale. Bëje se je baba. Kush është prind e di ç’do të thotë sa e vështirë është të rrisësh fëmijë, por kur i rrit, i bën vogëlushë, 5 dhe 3 vjeç dhe t’i ndan në mes, një llamarinë e mallkuar, çfarë të bësh? Kur je i fortë, kur je i pasur, kur je ministër, e gjen lehtë, madje edhe e tejkalon të drejtën, po kur je i thjeshtë, i zakonshëm, pa zë, pa fuqi, çfarë të bësh? Do bësh si Sokoli, që rri e mbjell lule në oborr dhe përsërit me zë të shuar; e ç’rëndësi ka, i kujt është faji, tani që askush nuk m’i sjell dot fëmijët.

E dini pse e thotë ai këtë? Se me siguri mendon, që fajin e ka e shoqja, Silvana, që të gjithë e ruajnë, mos vret veten, se po e ha faji.

Silvana, nuk ishte faji yt. Hetimet e thanë qartë që nëse do të kishe rrëshqitur pak më tej, të katërt do mbesnit gjallë. Ju vrau trafikndarësja. Sepse korrupsioni vret. Përfitimi nga pushteti vret.

Mallkuar qoftë, kush bën sikur nuk kupton që Dritanin dhe Aliçen, tre dhe pesë vjeç, i vrau Ministria shqiptare e Transporteve!

Ndaj, Haxhinasto, na bëj të ndihemi njerëz, jep dorëheqjen!

Mapo
 

Konkursi Letërsisë

  • Jeta pa ty

    Votat: 7 46.7%
  • Simfonia e bisedave tona

    Votat: 2 13.3%
  • Bora e parë

    Votat: 3 20.0%
  • Larg

    Votat: 3 20.0%
Back
Top