Është kjo fushatë denigruese që ka shkelur rregullat elementare të ndarjes së përgjegjësive civile nga përgjegjësitë penale, të marrëdhënieve të punës në një vend demokratik dhe ka vënë një ushtri të korruptuar propagandistike kundër një grushti qytetarësh, vetëm e vetëm se këta të fundit kanë guxuar të protestojnë si punëmarrës, në një vend ku greva e fundit në sektorin publik është shënuar mbi dy dekada më parë.
Sipas mbështetësve të qeverisë, protestuesit, përmes veprimeve të tyre, kanë bërë, mes të tjerash, abuzim me detyrën, një grusht shteti, një komplot kundër një stërvitjeje të NATO-s, kanë cënuar sigurinë kombëtare, kanë prishur imazhin e vendit në botë, kanë shkaktuar sa e sa tragjedi njerëzore me udhëtarët e penalizuar nga mungesa e fluturimeve ajrore, kanë penguar fushatën e vaksinimit, (gjë që ndoshta i bën ata përgjegjës edhe për të vdekurit nga COVID-19). Ata u akuzuan edhe se kishin një “plan për pengmarrje”, një nga veprat penale më të rënda.
Argumenti i vetëm kundër kontrollorëve është një nen i Kodit të Punës, i cili sanksionon se disa sektorë nuk e kanë të drejtën e grevës për shkak të specifikave të tyre. Kjo është tërësisht e vërtetë dhe kontrollorët dukshëm nuk kanë shpallur grevë, por kanë shpallur diçka tjetër: kanë shpallur paaftësi për punë.
Por, le ta zëmë se kontrollorët kanë bërë grevë dhe kanë shkelur kodin e punës: a përbën kjo argument për arrestimin e tyre? Kodi i Punës është një ligj civil. Ai nuk rregullon marrëdhënie penale mes individit dhe shtetit; Kodi i Punës rregullon marrëdhënie civile mes punëdhënësit dhe punëmarrësit. Kodi i Punës është hartuar për të mbrojtur punëmarrësit. Kodi Penal, siç mund ta dijë z. Hajdari dhe mbështetësit e tjerë të qeverisë, është ligji që rregullon marrëdhënie për të cilat qytetarët mund të bien në burg. Kodi i Punës, jo, ai nuk është ligj që të dërgon në burg. Po në rast se punëdhënësi shkel kodin e punës, a e fut njeri në burg? Jo! A keni dëgjuar ndonjë zyrtar shteti të arrestuar pasi ka pushuar pa të drejtë nga puna ndonjë punëmarrës?
Ajo që ndodh në raste të tilla është që punëdhënësi, ashtu edhe punëmarrësi, në rast të shkeljes së Kodit të Punës, përballen me pasoja civile. Një punëmarrës mund t’i shkaktojë miliarda dollarë dëme një punëdhënësi me paaftësinë e tij në punë, por ai nuk arrestohet sepse ti nuk mund të arrestosh dikë për prishje të marrëdhënieve kontraktuale civile. Kjo është çfarë është sanksionuar në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, neni 23, pika 3.
Kushtetuta thotë: “Askujt nuk mund t’i hiqet liria vetëm për shkak se nuk është në gjendje të përmbushë një detyrim kontraktor.”
Në historinë e gjatë të njerëzimit, kristalizimi i një ndalimi të tillë kushtetues i burgut për të falimentuarit ka kaluar përmes vuajtjeve të mëdha. Njerëzimit iu desh shumë shekuj për të kuptuar rëndësinë e mbajtjes veçmas të problemeve që lindin në marrëdhëniet civile mes subjekteve të së drejtës nga ligji penal.
Dhe pavarësisht këtij ndalimi kushtetues të burgosjes për çështje të marrëdhënieve kontraktuale, fakti është që tre punëmarrës janë arrestuar aktualisht dhe pritet të dalin para gjykatës nën një akuzë absurde, abuzim me detyrën, një vepër penale që kushtëzon funksionarët publikë, por që, në mendjen e mbështetësve të teorive të qeverisë me grushte shteti, na shtrihet edhe në marrëdhëniet e punës.
Jo vetëm kaq, por 22 kontrollorë të tjerë protestues u ndaluan nga policia shqiptare në orën 11.30 të mbrëmjes së të mërkurës, formalisht “për t’u marrë në pyetje”. Policia ka të drejtë të shoqërojë qytetarët për shkaqe të shumëfarëllojshme dhe t’i mbajë të ndaluar për disa orë, deri sa të pyeten nga një oficer. Por policia dukshëm ka zgjedhur orën 11.30 të mbrëmjes me qëllim që orët e lejuara të ndalimit nga policia të përkojnë me orët e natës. Të 22 kontrollorët u detyruan të qëndrojnë një natë të tërë pa gjumë nëpër birucat e komisariateve, të ulur nëpër karrige të parehatshme, në pritje që një inspektor t’i marrë një deklaratë formale që përbën asgjë më shumë se sa një letër bakalli, të nesërmen në mëngjes.
Pasi kanë kaluar një natë pa gjumë, të ndaluar të tillë firmosin bakallinën e policisë dhe ikin në shtëpi. Policia e përcjell bakallinën në prokurori, e cila, fle mbi të për disa muaj dhe pastaj e mbyll çështjen. Por pse duhej që policia ta bënte shoqërimin e tyre për marrje në pyetje në orën 11.30 të natës dhe jo, fjala vjen, në orën 3, në orën 5 apo në orën 7? Pse nuk i mori në pyetje brenda një ore dhe t’i linte të lirë, por i mbajti përgjatë të gjithë natës për t’i marrë deklaratën të nesërmen në mëngjes?
Përgjigjja është e dukshme: policia u përdor nga njëra palë e kontratës së punës, shteti, për presion të neveritshëm ndaj palës tjetër të kontratës, kontrollorëve punëmarrës, me qëllim që këta të fundit të dorëzoheshin në një protestë njerëzore dhe normale kundër uljes së pagës. Në fakt, keqpërdorimi i policisë së shtetit nga punëdhënësi shtet në konfliktin me punëmarrësit është abuzimi i vetëm me detyrën që duhet të hetohet.
Pastaj kemi edhe sulmin propagandistik të mbështetur mbi idenë se sa shumë rrogë të lartë marrin këta punëtorët. Fakti është që anëtarët e qeverisë sot, përfshirë kryeministrin Edi Rama, kanë bërë nga njëqindmijë apo më shumë euro të pasuri shtesë në vit që kur erdhën në pushtet kështu që vështirë se kanë të drejtë të gjykojnë pagat e të tjerëve.
Nevojitet një lehtësi e papërballueshme banaliteti që të mohosh të gjitha këto për të bërë deklarata bombastike të llojit: “po të isha unë, do t’i kisha arrestuar në flagrancë”. Nëse do të ishe ti, dhe do t’i arrestoje në flagrancë, ti duhej të viheshe nën hetim dhe ndjekje penale për abuzim me detyrën.
Kjo është ajo çfarë sindikata Evropiane e kontrollorëve ajrorë e quajti një lajm “tmerrues”, që të rikujton periudhën staliniste. Në asnjë vend demokratik nuk mund të arrestohet dikush vetëm e vetëm se po shpreh pakënaqësi në një marrëdhënie pune.
/Mapo.al