Historiani nuk do të donte të ishte mes firmëtarëve.
Pëllumb Xhufi: Peticioni, me maraz “anti-Turqi”
“Ka ndërhyrë më parë dhe Italia, Bashkimi Sovjetik, Greqia, por s’është reaguar kaq ashpër”
Sipas historiani tekstet tona duhen korrigjuar, e kërkojnë ose jo të tjerët.
“Turqia partner, këtë e kuptoi Ismail Qemali, Noli dhe Enveri”
“Nuk do ta kisha nënshkruar edhe sikur të më ishte ofruar”. Kështu shprehet historiani Pëllumb Xhufi në lidhje me peticionin kundër ndryshimit të teksteve të historisë në Kosovë, me kërkesën e qeverisë turke. Në një intervistë për “Panoramën” historiani thotë se tekstet e historisë kanë nevojë për t’u riparo, pavarësisht nëse këtë e kërkojnë të huajt ose jo. Ai e konsideron peticionin “politik” dhe “anti-Turqi”.
A jeni njohur me peticionin kundër ndryshimit të teksteve të historisë në Kosovë, ju është paraqitur për të nënshkruar, pasi në fund të fundit për këto çështje, ata që duhet të jenë më të prekur, janë pikërisht historianët…?
Peticioni nuk më është ofruar për ta nënshkruar. Me sa duket, organizatorët e peticionit nuk më vlerësojnë të përshtatshëm, nuk më vlerësojnë “të tyrin”, ose ndoshta-ndoshta më rreshtojnë edhe mua në aradhën e “pseudohistorianëve”, pjesëtarë të komplotit që synon “turqizimin” e historisë sonë kombëtare, që aq shumë stigmatizohen në peticionin në fjalë. E dimë tashmë. Peticione të tilla vuajnë thuajse gjithnjë nga qasje intolerante e përjashtimore.
E megjithatë jeni dakord me këtë iniciativë dhe a do ta nënshkruanit nëse do t’ju ishte paraqitur?
Por nuk është ky problemi që më shqetëson. Në fakt, nuk do ta kisha nënshkruar peticionin edhe sikur të më ishte ofruar, dhe jo për një, por për disa arsye. Po e filloj nga më e parëndësishmja. Vërtet mes nënshkruesve gjendet një shumicë emrash, krahas të cilëve do ta kisha për nder e privilegj të rreshtohesha, sigurisht për beteja e kauza të tjera. Por gjej aty edhe emra personazhesh, me ndonjërin prej të cilëve kam pasur edhe debate të hapura, që më duket se i janë bashkuar listës për oportunizëm, për fanatizëm, për snobizëm intelektual, për qurravitje, për mosdije apo edhe për një lexim egoist e të paragjykuar të qëllimit të peticionit. Nuk e shpjegoj ndryshe faktin, që midis nënshkruesve të atij peticioni, që gati sa nuk pëlcet nga pasioni “pro-Europë” dhe nga marazi “anti-Turqi”, gjej edhe ndonjë syresh që diku e dikur, në një konferencë të organizuar nga Komuniteti Mysliman, u mburrej dëgjuesve të rreshtit të parë për identitetin dhe për ndjenjat e pastra islamike, duke tundur kravatën e tij të përzgjedhur posaçërisht me ngjyrë jeshile! Apo ndonjë tjetër që, për mendimin tim, është vetëpërjashtuar nga shqetësime e nga iniciativa të tilla me dimension mbarëkombëtar, përderisa predikon idenë se shqiptarët e besimit katolik i përkasin një “race të zgjedhur”, ndërkohë që të tjerët duhet të heshtin, të pendohen e të vuajnë në ferr mëkatin e tyre fillestar, atë të braktisjes së krishterimit! Më tej shoh edhe ndonjë emër ish-funksionari epror të Kosovës, që edhe pse në moshë të thellë, ende nuk ka bërë vizitën e tij të parë në Shqipëri dhe do të shuhet, i mjeri,… duke kujtuar vitet e lumtura të studentllëkut në Beograd! Edhe ky i mungonte kësaj liste! E pra, edhe për këtë arsye shtyhem të dyshoj në sinqeritetin e atij peticioni. Nuk besoj në njerëz që trimërohen e kreshpërohen rregullisht, sa herë që “armiku” nga Anadolli kërkon t’u prekë historinë. Por, pyes, ç’bënë ata kur vetë Kryeministri Sali Berisha rrëmbeu skeptrin e historianit për të na e sharë e për të na e vrarë Fan Nolin e madh, duke e quajtur “bashibozuk”, ndërkohë që na e shiti Ahmet Zogun si “demokratin më të madh të Ballkanit”? E ç’na bëri më shumë “turku” i Anadollit, nga ç’na bëri “turku” ynë Sali Berisha në 100-vjetorin që sapo lamë pas? Por atëherë, askush nuk pipëtiu. Dëgjuan, heshtën, duartrokitën.
A është korrekte që një shtet tjetër t’i kërkojë, për të mos përdorur fjalën imponim, një shteti tjetër të ndryshojë historinë e vet?
Por, përse e kanë kaq shumë me “turkun”, xhanëm? Në dijeninë time, në vitet 1930 Italia i bënte presion Zogut të “rektifikonte” disa pasazhe të historisë së Shqipërisë në frymën e “miqësisë” shqiptaro-italiane; në vitet 1950 akademikët sovjetikë “u sugjeronin” historianëve shqiptarë të evidentonin në tekstet e historisë vetëm anën pozitive të marrëdhënieve shqiptaro-sllave. Dhe, më në fund, në vitin 2004, nën presionin e qeverisë greke, qeveria shqiptare pranoi të krijohej një komision i përbashkët greko-shqiptar për “rishikimin” e teksteve tona të historisë. Nënshkruesit e peticionit janë që të gjithë aq të rritur, sa t’u kujtohet ky fakt. Duhet të jenë, gjithashtu, aq të ditur, sa ta kuptojnë se ç’donte të ndryshonte pala greke në tekstet tona të historisë. Por edhe në atë rast, asnjëri prej tyre nuk u ndje, ashtu siç nuk u ndje kur me ndërhyrjen brutale të politikës së Athinës uzurpohej Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë, ktheheshin përmbys varret tona, shitej territori dhe ndryshohej identiteti shqiptar. اudi, edhe atëherë heshtën!
Atëherë, le të na lejohet edhe neve që ta zhdramatizojmë disi edhe këtë situatë të fundit. Nga pozita të padyshimta shqiptare dhe… laike. Nga shembujt e mësipërm rezulton se të gjitha shtetet e mëdha kanë dashur të gjitha “ta ngjyejnë” paksa dorën në historinë tonë. Kështu, Italia dikur, Bashkimi Sovjetik, Greqia dhe, siç po duket, edhe Turqia. Por asnjëherë nuk është shënuar një reagim kaq i ashpër, sa ky i fundit ndaj Turqisë. Unë nuk e vë në dyshim se këtu ka një qëndrim të paragjykuar, prej nga vjen edhe një reagim kaq shumë shproporcional.
Pra, ju jeni pro rishikimit të historisë?
Nëse ka një kërkesë të palës turke për të “riparë” pasazhe të caktuara të teksteve të historisë në Shqipëri apo në Kosovë, përse duhet të na kapë paniku? Në fund të fundit, rishikimi i teksteve të historisë është edhe një detyrim i vendosur nga Këshilli i Europës dhe nga vetë Bashkimi Europian ndaj të gjitha vendeve të Ballkanit. Përse të mos e shfrytëzojmë këtë rast ne vetë, për të ngritur probleme që kanë të bëjnë me trajtimin e historisë në tekstet e shkollave turke, greke, serbe etj.? Unë jam i sigurt që në tekste të këtyre vendeve gjenden fakte dhe interpretime, të cilat vetë shkenca historike e atyre vendeve i ka braktisur me kohë, por që politika insiston t’i ruajë në tekstet e vocërrakëve për të “indoktrinuar” brezat e rinj. Unë jam i bindur, gjithashtu, se në një ballafaqim të tillë, serioz e shkencor, ne mund të mbrojmë e të promovojmë idetë tona. Në fund të fundit, shqiptarët nuk i kanë bërë asnjëherë keq të tjerëve. I kanë bërë keq vetëm vetes së tyre. Edhe në historiografi.
E në këtë vazhdë edhe ndryshimi, apo “zbutja” e terminologjisë së përdorur deri më sot në tekstet tona, apo jo?
Them se po, dhe e them këtë jo për të marrë anën e “turkut”. Para pak vjetësh debatonim me një koleg nga Kosova, që sot e shoh në listën e peticionistëve, lidhur me trajtimin e sundimit osman në Shqipëri në tekstet e historisë së Kosovës. Ai ishte i bindur se gjithçka ishte korrekte. Hapa kuturu një nga tekstet që ai kishte sjellë për ilustrim në atë debat televiziv dhe syri më shkoi te definicioni “sundim barbar e obskurantist” që i jepej në atë tekst sundimit osman në Shqipëri, ndërkohë që në të njëjtën faqe ishte zgjedhur për ilustrim një pikturë bashkëkohore, që tregonte se si luftëtarët shqiptarë shkelnin me këmbë flamurin turk! E pra, përballë një teksti të tillë, çdo historian serioz do të rrudhte buzët. Ashtu siç do të rrudhte buzët edhe përpara një teksti të “Historisë së Shqipërisë”, që qarkullon sot e gjithë ditën me plot sukses nëpër shkollat tona, ku veç të tjerash, për të ilustruar “barbarinë serbe”, përcillet një pamje e inskenuar, ku shihet një ushtar serb që i ngul thikën në gjoks një fshatari shqiptar! E pra, ja që paska gjëra për të korrigjuar në tekstet tona, pavarësisht se këtë e kërkojnë apo nuk e kërkojnë të tjerët; pavarësisht se këta tregojnë takt apo tregohen arrogantë; e, pavarësisht nëse janë turq, apo janë serbë e grekë.
Atëherë si duhet konsideruar periudha 5-shekullore nën Perandorinë Osmane, mund të quhet “bashkëjetesë” apo “qëndresë”?
Vetë grekët, që dikur na kërkonin ne shqiptarëve të rishikonim historinë e marrëdhënieve greko-shqiptare, po e revolucionarizojnë ata vetë historinë e marrëdhënieve të tyre me Perandorinë Osmane. Më së pari, nuk e quajnë më si dikur “kohë e humbur” ose “histori e munguar”, gjë që në kuptimin historik nuk bën sens. Akoma më shumë, historiografia e re greke, në hullinë e asaj europiane, krahas anëve negative, po zbulon gjithnjë e më shumë edhe motive të jetës, të zhvillimit, të tolerancës, që paskëshin qenë prezente edhe në atë Perandori. Nënshkruesit e peticionit tonë nuk i shohin gjërat kështu. Perandoria Osmane, për ta, është “një gropë e zezë”, është thjesht e vetëm perandoria e së keqes in toto et per totum. Për rrjedhojë, jeta jonë 500-vjeçare nën kupolën e saj është një histori që duhet harruar. E kotë t’i pyesësh se si e shpjegojnë faktin që nën sundimin “mizor” e “obskurantist” osman, në këto treva lindën qendra të mrekullueshme kulture e zhvillimi, si Voskopoja, Janina, Shkodra e Prizreni. Ndonjëri, me siguri, do të përgjigjej se dukuri të tilla u zhvilluan “ilegalisht”, pa dijeninë e Portës. Dhe këtu i vihet pikë çdo bisede të mëtejshme. Megjithatë, a do të thotë kjo që ne duhet të ndryshojmë qëndrimet e historiografisë shqiptare mbi efektet negative të pushtimit osman, mbi rrënimin e shpopullimin që ai solli, sidomos në impaktin e parë? A duhet ne të heshtim për dëmin kolosal që solli në Shqipëri islamizimi me dhunë i popullsisë dhe, më tej, zbatimi në Shqipëri i sistemit të miletit, që i identifikonte shqiptarët sipas besimit fetar dhe u mohonte atyre kombësinë? A duhet ne të fshehim e të fshijmë figurat e ndritura të historisë sonë, duke filluar nga Skënderbeu? T’ia shtrosh pyetje të tilla një historiani shqiptar, do të thotë të provokosh, dhe një gjë të tillë e bëjnë peticionistët, për sa kohë aludojnë për një aleancë të fshehtë midis “turkut” dhe “pseudohistorianëve” shqiptarë. Por pyetje të tilla do të ishin të tepërta, të paktën në këtë fazë të njohurive tona, edhe për ata qeveritarë turq, që janë shprehur për rishikimin e librave të historisë. Me sa di unë, deri tani ata kanë qëndruar në deklarata “në parim” për rishikim të momenteve të veçanta të historisë; asnjëri prej tyre nuk ka hyrë në detaje, nuk ka prekur temat e mësipërme, për të cilat përgjigjen me breshëri të papërmbajtura hartuesit e peticionit.
Pra, ju mendoni se pas këtij peticioni ka një “prapamendim”?
Më duket se këtu nuk është vendi të diskutojmë për historinë. Shqetësimi i zotërinjve të peticionit është kryekëput politik: i tremben një rikthimi në Shqipëri e në Ballkan të “gogolit”, të Perandorisë Osmane, nën petkun e Turqisë moderne. Por ç’duhet të bëjë sipas tyre një vend i madh e në zhvillim të madh ekonomik, siç është Turqia? Të struket në Anadoll dhe të qajë për mëkatet që osmanët kanë bërë dikur në dëm të katragjyshëve të peticionistëve tanë? Mirëpo, kështu qenka e shkruar: “një shtet i fuqishëm nuk mund të quhet i realizuar, në rast se nuk arrin të shprehet edhe jashtë kufijve të vet”! E ka thënë shqiptari Françesko Krispi në vitin 1878, kur drejtonte politikën e Italisë. Pra, ne nuk mund t’i mohojmë, dhe aq më pak t’i ndalojmë Turqisë që të zhvillojë një politikë të jashtme në përputhje me peshën dhe me interesat e vet. Ne, pa bërë kompromise e pa lëshuar në çështje që i konsiderojmë jetike, siç kemi bërë vazhdimisht, duhet të gjejmë konvergjencat dhe mënyrën për të zhvilluar më shumë në interesin tonë një marrëdhënie që ka qenë gjithnjë pozitive. Turqia ka qenë dhe është një partner shumë i rëndësishëm i Shqipërisë. Një gjë të tillë e kuptoi që të nesërmen e 28 Nëntorit pikërisht njeriu që e ndau historinë e re të Shqipërisë nga e kaluara osmane, Ismail Qemali. E pas tij, edhe shtetari më i kultivuar e më europian që ka njohur Shqipëria, Fan Noli, e akoma më tej, edhe diktatori Enver Hoxha. Nuk i vlerësoi drejt marrëdhëniet me Turqinë Mbreti Ahmet Zogu. Por, dhe besoj që këtu biem dakord të gjithë, Ahmet Zogu nuk është për t’u marrë shembull, të paktën për sa i përket mbrojtjes së interesave e të dinjitetit kombëtar.