Pasqyrë e vjetër shkodrane

Love

βeℓℓe â๓e
20-maj-aubrey-beardsley-the-stomach-dance-1893.jpghalfhd1.jpg


Kthye në Shkodër mbas shumë vitesh largese, një ditë qesh i grishun për drekë ke do të afërm të mi. Si mbaroi sofra, më vunë me pushue në zheg në një odë të gjanë që i hapte dritoret me hekura kah kopshti mbas shtëpie. Gjithkund ngjeti, mbrendë e jashtë, dielli mizor i kulmit të verës derdhte dritë verbuese e vapë zharritëse. Por në atë odë s’hynte aspak vapa e pak fort drita. Ishte fresk. Jo vetëm fresk, por gadi si të ftoftë. Kështu, nemose, m’u duk mue. Si një kujtim ditësh të gjata shiu, të shiut dimnor të Shkodrës, rrinte pezull aty mbrendë e më dha një të dridhun të papritun, jo aq në trup sa në shpirt. Këtë përshtypje të çuditshme dimnore në pikë të verës, tue hy në atë odë, s’ta epte gjysmëterri saj (dritoret, të ulta e të thella në mur, s’e linin dritën e madhe të jashtme të depërtojë me plotni të lirë), por vjetërsia e orendive, ngjyrat e zbeta që aty vinin tue u venitun e sidomos akulli i një pasqyre të stërmadhe rrethue me një suazë të trashë, prarimet e së cilës ishin nxi e çue leskër.
Ato orendi, ato ngjyra të morituna e atë pasqyrë unë i njifja. Kalama, shpesh herë luejta e fjeta në mes tyne.
Sa më lanë vetëm para dyshekut të shtruem, m’u përkujtuen netët e fëmijnisë kur buja ke ata të afërm të mi.
Një shërbëtore më çonte me fjetë mbas darke tue mbajtë me njanën dorë kandilin vojguri e rue shtrëngue me tjetrën dorën time të vogël, e cila dridhej si të tanë trupi nga friga e bubazhelave që struken ndër skaje të errta të shtëpive për me iu kërcnue trathmend kalamajve. Drita e kandilit e lëvizun në ecje kërcente me hov mbi orendi të mbytuna në terr, të cilat si të grishuna nga një urdhën i vrikshëm, paraqiteshin një ças në tubë të rrezeve e zhdukeshin prap, tue u fshi prej shikimit tim të trembun. Por, i vendosun kandili mbi komoh, drita e qetë që lëshonte rrotull m’a fashiste tutën e unë fleja menjiherë tue e lanë përgjysmë përrallën e shërbëtores.
Një natë drita e kandilit shkoi e shkrepi në pasqyrë të madhe ndërmjet dy dritareve.
Si nëpër një derë befas të çelun, vërejta një lëvizje të frigueshme hijesh në atë odë tjetër që dukej përtej pasqyrës. Këlthita. Shërbëtores gadi sa s’i shpëtoi kandili doret.
- اa ke, more shënjallë?…
- Shifi, aty mbrendë…
- Karabush, aty s’ka kurrgja, kujtova se çka pate!
- اoje kandilin… Due me pa aty mbrendë… Ajo më tha me nji za të premë:
- S’ban. Nuk duhet me u shikue natën në pasqyrë. Asht keq.
- Keq? Pse keq?
- Pse njashtu!
Edhe me pasë dashtë, ajo sigurisht nuk do të dinte me dhanë zhvillim ma të gjatë. Si njerëzit e popullit, bestytnit i ndiqte me bindim pa kërkue psehin e tyne. Mue ajo fjalë e saj më mbet e ngulun ndër tru, kështu që deri vonë i dreshta pasqyrat natën.
Ky kujtim më mbante në kambë midis asaj ode të vjetër e më bante me harrue pushimin e zhegut, ndonëse gjithë-shkafja aty ku ndodhesha ndiellte gjumin. Flinin orendit e repuna e të plasarituna, flinin pelhurnat të daluna boje; flinin pa kurrnjë uzdajë zgjimi. Bashkë me trishtimin që japin gjithmonë sendet e bukura të vjetrueme, në shikim tim u përzie malli i hollë grumbullue mbrenda meje nga një mergim i gjatë jashta Shkodre.
Shortia e jetës madhështore shkodrane, tashma në perëndim, më kapi e më robnoi.
Ajo shtëpi, ajo odë, ato orendi, të gjitha ato sende të heshtuna dikur kishin qenë plot jetë.
Përkujtova në atë zheg vetmitar ditët e sosuna kur emni i qytetit tonë përmendej nëpër tregje të largta në Lindje e në Perëndim, e kuajt që niseshin me mall Shkodre për Rumeli dredheshin ngarkue me pare, e barkët e Ulqinakëve që lundronin mbushë me prodhime të vendit na sillnin në kthim cohna të çmueshme për reshperesha, gryka të mermerta pusi për oborret e dyerve të para, pasqyra të mëdha Venedikut për odat tona. E aty në trapazan tash flinin mbulue me pluhun vjetërsie sinia e tepsia, legena e jebrikë remi që dikur dorë nëpër dorë vezulluen ndër darsma e gostina, tue përcjellë me tingull të tyne kumbor, në të shtruem e në të çuem të sofrave, jonet e qemaneve e të sazeve edhe takllimën e dajreve. Flinin minderët me shtroje të zverdhueme tue andrrue ndoshta mëngjeset kur shtëpia vlonte me fare-fis, miq, dashamirë e zotnijt me brandavekë të mundafshtë e çarapë të bardhë e këpucë lustrafini me llastika, kthye mbas sa muejve prej tregtimeve përtej deti, pritnin, krenarë e të ngrehun ndër jelekë me sumbulla ari çelë mbi këmishë të fortë ku spikaste kravata e zezë, shokët që ngarendëshin me u urue mirardhjen. Halia me ngjyra të tretuna, ku unë kisha kambët, përkujtonte pashmangët e kuqe me të qindisuna ari, ato pashmangë nusesh e zojash që e shkelen ambëlsisht kur lajlet e saja shëndritshin të reja.
Një botë e lume zgjatej në atë gjysmaterr, një jetë sot gadi e harrueme nisi me lëvizë në atë odë e kërkoi ngjyrat e veta të dikurshme, dritën e shkimun të agimeve. Kërkoi një za që ta ringjallte. Zanin tim.
E papritmas pasqyra ndriti. U përshkue në dritë të saj si një vetimë zgjuese. Ajo përfshini në gjinin e vet atë botë e atë jetë të harrueme e m’i qiti përpara rrethue me avuj
mallëngjimi e bukurie. Më kishte rrëmbye kryekëput shortia amullore e jetës shkodrane. Dëshirova për vetë një lumni të përgjumëshme në atë shtëpi të vjetër, në atë odë të madhe e të errët, tue ndjekë besnikisht zakone perënduese, tue u qarkue në një rreth kujtimesh të qeta e përkundëse. Deshirova një lumni anakronistike që të m’a shuente hovin e gjakut rinor në ritmin e kadalshëm të vet.
Iu avita pasqyrës. Fytyrimi im u shkep prej fiindit të saj edhe eci kah unë tue u zmadhue në breshnor të akulluem. Por s’pata kohë me shikue veten. M’a tërhoq vërejtjen dishka tjetër.
Pasqyra s’e kishte ma atë dritë të qartë që pati në kohën e fëmijnisë sime. Ca avuj të zbardhukët ia mjegullonin fundet e mistershme ku pash tue ardhun e tue u shkrue, përherë ma qartas, disa fytyra trimash e grashë. U solla me shpejti por askush nuk gjindej në odë, veç meje.
Pasqyra po hapte gjinin e vet ma të mshefun e po shpaloste para meje shka pasqyroi në kalesën e saj.
Kallëzohet ndër përralla se natën prej kënetës s’argjantë ndriçue nga rrezet e zbeta të hanës dalin një nga një jashta valëve të qeta Zanat e ujit me tisa të shtjelluem për me endun valle mbi brigje të heshtuna. Krejt njashtu prej fundeve të asaj pasqyre të vjetër dolen edhe m’u rreshtuen përpara, aty në breshnor të mugët, pa qitë za prej goje, zotnij e zoja të kohës që u fik. Fytyra ime i ngjiste fytyrave të tyne.
Heshtja në odë ishte e lehtë si mazë qumështi që një krisëm e papritun mund të bajë me u plasë.
Unë theva atë heshtje të mrekullueshme me një gaz shpotar që i shkundi e i trembi ato hije të parësh.
- Jeni strukë aty në fund të pasqyrës për me rrejtë Dekën. Keni ndejë me vite e vite tue më pritë. E s’mbrami, kujtuet se erdhi dita juej. Jo, poeti s’e humbë jetën e vet për me ringjallë tuejen. Gëzimet e idhënimet, që ju tronditen, qenë tepër të ngushta. Unë kam dëshirë ma të gjana e ma të nalta. Lumnia që ju shijuet motit më duket e pakrypë. Në këtë breshnor të marrun drite, unë due me kundrue fytyrën time të re jo fytyrat e jueja të vjetra.
Një zojë e hijeshme më përgjegji tue buzëqeshë mallëngjyeshëm:
-Po fytyra jote asht jona. Na jemi përtri në ty. Këtë ngushullim falë jeta e brishtë njerëzore, drita e gjakut sa fiket në prindin ndezet në djalin e me të, fisnikia e dëshireve. Ti je djali ynë e në ty vlon gjaku që bani me lulëzue prendverat tona. Mos na bje mohit. Ringjalle tue përlavdue motin në të cilin na gëzuem e vuejtem. Mate jeten tande në ritmin e zakoneve që prej nesh trashigove. Ti je krejt yni. Na të kemi gjinikue. Gojdhana jonë duhet të vazhdojë në ty e në poezinë tande.
- E kam këndue dikur paqin e plogët të ditëve tueja, andjet e përgjumshme mbrenda avullijave që ndajnë prej botës. Sot ndrrova. Dëshireve ju u vutë për caqe murin e shtëpisë edhe lumin e qytetit. Unë dashunoj lirinë që then çdo cak të padrejtë e çon, përtej mureve e përtej lumejve, në vllaznim me të panjoftunin e udhës që flet gjuhën time. Lumnia që ju kërkuet pat një ritëm të ngathët e qe rrethue me një bukuri tepër vetmitare. Unë due ndiesit e forta e të hapta që nxisin me ia hy veprimeve të guximshme, dashunoj lëvizjet përtrise, sruhit pastruese, luftat plot rrezik që nxjerrin nga fati me përdhuni agime ma të lume për të gjithë; adhuroj qiellat e lira, shqipet fiuturuese dhe theroret e përtrime maje maleve që kanë Zanat për priftnesha.
Ata ulen kryet e, një nga një, u larguen kah fundet e mjegullueme të pasqyrës edhe humben në mbretninë e hijeve.
Bukuria e zbehtë e jetës shkodrane të dikurshme mbet e robnueme në avujt e një pasqyre të vjetër, ku unë s’deshta me u pasqyrue.
Ernest Koliqi
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Kur flet shpirti.

    Votat: 6 27.3%
  • 2-Buzëqeshje Maskuar.

    Votat: 12 54.5%
  • 3-Jam femër.

    Votat: 2 9.1%
  • 4-Je ti Nënë.

    Votat: 1 4.5%
  • 5-Ne duart e kohes.

    Votat: 1 4.5%
Back
Top