“Pashallarët e kuq”

Pas publikimit që iu bë dje në disa të përditshme shqiptare të ditarit sekret të Enver Hoxhës, lidhur me shënimet e tij ndaj poemës “Në mesditë Byroja Politike u mblodh”, apo siç njihet ndryshme tashmë “Pashallarët e kuq” të shkrimtarit Ismail Kadare, që mban datën 20 tetor 1975, si dhe një letre te ish-kryeministrit të asaj kohe, Mehmet Shehu në adresë të Enverit, dokumente të cilat bëhen të njohura për publikun për herë të parë pas plot 41 vjetësh, si dhe interesit të madh të lexuesve ndaj tyre, ne iu drejtuam për një intervistë shkrimtarit të njohur Ismail Kadare, (i cili prej disa ditësh ndodhet në Shqipëri), gjë së cilës ai iu përgjigj pozitivisht edhe në respekt të lexuesve të shumë të veprës së tij. Në intervistën që po botojmë më poshtë në këtë shkrim, z. Kadare sjell në kohë atë ngjarje të largët të vitit 1975, duke dhënë kujtime, versionet, argumentet dhe analizat e tija, jo vetëm për incidentin e Enverit me Ramiz Alinë për shkak të poemës së tij “Pashallarët e kuq”, por edhe gjithçka tjetër ai di rreth saj. Si p.sh.: kush kishte dijeni për poemën që kishte shkruar, takimin me Ramiz Alinë pas porosisë që atij i kishte dhënë Enveri, pyetjet provokative të Ramizit ndaj tij në prezencë të 20 personave dhe si iu përgjigj ai, marrëdhëniet e Kadaresë me Dritëro Agollin dhe bisedat e tyre kundra regjimit, dyshimet se kush ka qenë i interesuar që të zhduk dy faqet e para të letrës së Mehmet Shehut etj., etj.
kadare2_zpsoiratpf9.jpg



Pyetje: Zoti Kadare, a keni pasur dijeni se në ditarin e tij personal që ne po e publikojmë për herë të parë, diktatori komunist, Enver Hoxha ka shkruar plot 11 faqe për ju, lidhur me poezinë “Në mesditë Byroja Politike u mblodh”, apo siç është njohur ndryshe “Pashallarët e kuq”?


I.K. “Jo, nuk e kam ditur. Kam dëgjuar pëshpërima për ditarin e tij, por për asgjë të saktë nuk kam pasur dijeni”.

Pyetje: Nuk është e vështirë të merret me mend tronditja e autorit (në këtë rast e juaja), kur lexon, qoftë edhe me kaq vite vonesë, këtë lumë akuzash, të shprehura kaq ashpër prej njeriut që drejtonte Shqipërinë dhe që kishte në dorë fatin e gjithkujt? A mund të na thoni diçka më tepër?


I.K. “Natyrisht. Askush nuk mund të thotë se mund të lexojë me gjakftohtësi një tmerr të tillë. Ajo që do të shtoja në këtë rast është se sado që të përfytyrohen saktësisht lemeritë e rendit komunist, ato kanë qenë më të rënda se çdo përfytyrim. ثshtë kjo arsyeja që shprehjet: zbulimi i të vërtetës për krimet e kohës, hapja e arkivave dhe e dosjeve me të cilat veshët tanë janë mësuar ndërkaq, kanë një ngarkesë shumë më të madhe nga ajo që duket në shikim të parë. ثshtë përsëritur shpesh se pas rrëzimit të një diktature, çlirimi i ndërgjegjes prej kujtesës dhe peshës së saj është akti më i ngutshëm, për të mos thënë, më shpëtimtar për të ardhmen e Shqipërisë. Kështu është thënë, por fatkeqësisht kjo nuk është bërë”.

Pyetje: Cila mendoni që është pjesa më delikate që e ka acaruar veçanërisht E. Hoxhën? Apo ndoshta ka qenë krejt poezia?


I.K. “Mendoj se pjesa më acaruese e vjershës kanë qenë vargjet për “duart e përgjakura”. Ato u morën si për duart e përgjakura të zyrtarëve të shtetit e të Partisë. Duart me gjak janë gjëja kryesore që një diktaturë ka frikë t’ia kujtosh. Kam kujtuar mendjelehtësisht se fjala “burokratët”, do të më mbronte vetvetiu prej kuptimit të rëndë të këtyre vargjeve. Por Ramiz Alia, në një nga pyetjet e tij, që më bëri përpara njëzet vetave, në zyrën e tij në Komitetin Qendror, ishte pikërisht kjo: na shpjego pak, ç’janë këta burokratë, domethënë, këta zyrtarë me duar me gjak? S’kam ditur ç’të përgjigjem, veç kam ngritur supet, siç bëjnë njerëzit kur duan të thonë “s’e di”. E ndjeva që isha zënë ngushtë dhe s’më mbetej gjë tjetër veç të pranoja se kisha gabuar”.

Pyetje: ثshtë folur disa herë për autokritikën tuaj në sensin negativ. Disa nga detraktorët tuaj, kanë shprehur qëndrim kritik ndaj saj, por pa e sqaruar përse. A mund të na jepni ju vetë, një shpjegim?


I.K. “E kam dëgjuar këtë dhe më ka ardhur për të qeshur nga mungesa e plotë e logjikës në këtë rast. اështja ka qenë e thjeshtë: një shkrimtar (në këtë rast, unë), akuzohet se në një vjershë të vet ka goditur shtetin komunist, partinë, marksizëm – leninizmin, diktaturën e proletariatit e gjithë ato që vijnë pas. Shkrimtari përgjigjet se e pranon akuzën. Madje, ai përsërit me radhë shtetin, partinë, diktaturën, marksizmin etj., madje arrin gjer atje sa të saktësojë se “armën që Partia ia dha për të goditur armiqtë, ai e ktheu kundër Partisë!”

Të gjitha këto akuza, bashkë me tekstin e autokritikës dihen botërisht. Ajo që nuk arrij të kuptoj është se ku qëndron gabimi këtu? Shumë shumë ky shkrimtar mund të quhet mendjelehtë dhe fare i papërgjegjshëm që flet kështu. Ta marrim nga një anë tjetër: si do të ishte qëndrimi i tij i kundërt, domethënë “i mirë”? S’mbetej tjetër veçse ai të mos pranonte asgjë. Me fjalë të tjera, të thoshte se ai nuk e ka goditur aspak shtetin, partinë, marksizmin etj. Përkundrazi, është gati të japë jetën, t’i thyejë duart e kokën për to etj., etj. Përvoja e terrorit komunist i njeh të dy versionet, që ndahen në; “e pranoi fajin” ose “nuk e pranoi fajin”. Në raste të ndryshme ato marrin kuptime të ndryshme, krejtësisht të kundërta, për mirë ose për keq. Shkurt, pranimi i gabimit, në rastin për të cilin flasim, s’ka ndonjë gjë të keqe, në kuptimin e kujdesit të tepërt, të frikës etj. E keqja e vetme mbetej rrezikimi im si person.

Sa për arsyen përse e mbajta këtë qëndrim të pakujdesshëm, nuk mund të them se e kam krejt të qartë sot. Ka gjasë që një bisedë e një nate përpara me Anastas Kondon, sekretarin e partisë, i cili ishte dashamirës, u bë shkak. Ai ishte i dëshpëruar dhe më tha haptas se kishte frikë se nuk do ta kaloja dot. Ai shtoi se ndoshta mund të ndodhte ndonjë mrekulli dhe mbase autokritika ime tepër, tepër e sinqertë, mund të më shpëtonte. Me sa dukej interpretimi im i fjalëve të tij, më shtyu drejt atij “hipersinqeriteti”. Më vonë, kur teksti i autokritikës m’u sekuestrua bashkë me vjershën dhe m’u kërkua që të mos ia tregoja askujt, më shkoi në mendje se kjo hynte ndoshta në metodat djallëzore të tyre. Ata mbanin prej teje një tekst të rrezikshëm që mund të përdorej kundër teje në çdo çast. Kjo me sa dukej iu jepte qetësi”.

Pyetje: A mendoni se dërgimi i vjershës në Komitetin Qendror dëshmonte për ekzistencën e një paragjykimi ndaj jush?


I.K. “Nuk mendoj se dërgimi i vjershës në Komitetin Qendror, ka qenë ndonjë gjë e pazakonshme. Në praktikën e botimeve kjo ndodhte shpesh për dyshimin më të vogël. Vjersha zgjonte dyshime të tilla. Me sa më kujtohet, unë vetë, për të mos e shqetësuar, nuk ia tregova gruas time, Helenës, se po e çoja në shtyp. S’duhet harruar se në atë kohë çdo krijim letrar kishte dy faza të rëndësishme: e para, vetë shkrimi, e dyta, botimi. Ky i dyti ishte edhe më delikat. Në prag të tij, qëllonte që autorët bënin ndryshime për të shmangur rrezikun. Merret me mend që ndryshimet dëmtonin shpesh nivelin artistik. Më kujtohet se në tekstin e kësaj vjershe kam bërë ndryshime gjer në minutën e fundit. Megjithatë, nuk arrita ta shmang të keqen”.

Pyetje: Në ditarët e Enver Hoxhës përmendet emri i kryetarit të Lidhjes, Dritëro Agollit. ثshtë folur dhe vazhdon të flitet disa here për acarimet midis jush. Në përgjigjet ndaj gazetarëve shqiptarë, por edhe përpara të huajve, ju keni mohuar se keni pasur grindje me Agollin. Nisur edhe nga ky episod i kësaj vjershe a mund ta konfirmoni prapë një gjë të tillë?


I.K. “E konfirmoj pa asnjë mëdyshje. Së pari, lidhur me episodin e vjershës, për të cilën po flasim, nga letra e Enver Hoxhës nuk del askund se Lidhja e Shkrimtarëve dhe Ramiz Alia, të cilit iu dërgua vjersha, kanë kërkuar dënimin e saj. Përkundrazi, të dyja instancat, sidomos Ramiz Alia, kritikohet rëndë për mungesë vigjilence ndaj vjershës. Lidhur me marrëdhëniet e mia me Dritëro Agollin, këtë e kam bërë të qartë gjithmonë përpara opinionit publik shqiptar dhe atij europian. (Për këtë të fundit e kam fjalën sidomos për një intervistë të gjerë dhe shteruese me Stefan Kurtua, autorin e “Libri i zi i Komunizmit”, që çmohet gjithkund si eksperti më i madh për shpjegimin kritik të komunizmit botëror).

Ne të dy, Dritëro Agolli dhe unë, kemi qenë për një kohë tepër të gjatë shokë të ngushtë. Të ishe shok i ngushtë me dikë në atë kohë, do të thoshte që midis jush të mos kishte sekrete politike. Ne kishim mendime pothuajse të njëjta kritike ndaj regjimit komunist, në Shqipëri dhe në botë. Në radhë të parë, kundër stalinizmit dhe gjithçkaje që lidhej me të. Kjo vazhdoi prej fundit të viteve ‘50, gjatë gjithë viteve ‘60 dhe deri në fillim të viteve ‘70, kur Dritëro Agolli u zgjodh kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve. Pas kësaj ngjarjeje, bisedat tona politike vetvetiu u rralluan, por aspak në mënyrë dramatike. Rrallimi ishte i natyrshëm nga të dy anët, madje mund të quhej një mirëkuptim i heshtur, për të mos e vënë në pozitë të vështirë njeri tjetrin. (Si kryetar Lidhjeje ai më ka kritikuar disa herë, por unë jam përpjekur ta marr këtë si një kritikë të detyrueshme prej pozitës së tij.)

Kisha një shpresë të brendshme se ai ruante mendimet e mëparshme. Kureshtja për një gjë të tillë, më ka shtyrë, siç e kam treguar, që në vitin 1983 kur u gjendëm të dy, vetëm për vetëm, në një kafene të Parisit, të rihap një nga bisedat e vjetra delikate dhe të rrezikshme. Gëzimi im ishte i madh kur shpresa ime u vërtetua. Biseda jonë u zhvillua sikur të ishte vijim i bisedave të vjetra. E botova këtë bisedë më vonë në shtyp, i bindur se po i bëja mirë dhe ai e pranoi atë fakt aq delikat. Shkurt, ky ishte thelbi i të vërtetës për marrëdhënien tonë. Ajo që më habit sot është se ka mjaft njerëz që nuk u pëlqen kjo e vërtetë pajtuese, por e kundërta e saj. Ata gjuajnë gjithkund për të kërkuar grindje dhe mohim. Për fat të keq, kjo rendje pas së keqes është bërë sot modë në Shqipëri. Ajo është pjesë e çoroditjes morale , e kaosit të mendimit, i cili gjendet shpesh në rrënjët e çdo lloj kaosi. Ka kohë që Shqipëria ka nevojë të ngutshme për të kundërtën”.

Pyetje: Nga shënimet e Enver Hoxhës shpërthen një zemërim i jashtëzakonshëm. Mendoni se ky ka qenë një çast i rrallë, i nxitur nga kjo vjershë, apo tregon një mungesë besimi të përhershme ndaj shkrimtarëve?


I.K. “Pyetja është shumë e vështirë nga që ka të bëjë me dredhitë e një tiranie, qoftë tek ne, qoftë në vendet e tjera të kampit socialist. Ato kanë qenë të pafundme, duke shkuar nga lavdërimet e tepruara për shkrimtarët tek dënimet më mizore e të pamëshirshme ndaj tyre. Rusia sovjetike ka qenë shembulli i parë. Sublimimi i Maksim Gorkit, nuk i pengon sot shumë studiues të dyshojnë se ai ka vdekur i helmuar pikërisht prej atij regjimi që e sublimonte.

Tek ne në Shqipëri, ka një prirje për t’i rënduar më shumë se ç’duhet shkrimtarët dhe artistët. Natyrisht që ata kanë përgjegjësinë e tyre për pjesëmarrjen në atë mbrapshti famëkeqe që quhej realizëm socialist, por veprimtaria e tyre, sado e dështuar të ishte, nuk mund të krahasohet kurrë me krimet themelore: torturat, burgjet, internimet. Me vjersha e romane të dobët është mbushur bota, por ato s’kanë sjellë kurrë fatkeqësi si krimet klasike që u përmendën më lart. Prandaj, prirja për të bërë krahasimin midis tyre nuk është përveçse një alibi e tërthortë në favor të krimit shtetëror diktatorial. Një përgjigje e plotë për pyetjen tuaj do të ishte e mundur vetëm pas hapjes së plotë të arkivave të fshehta”.

Pyetje: Nga letra që ish kryeministri Mehmet Shehu i ka dërguar Enver Hoxhës, lidhur me vjershën “Në mesditë Byroja Politike u mblodh”, mungojnë dy faqet e para, të cilat janë zhdukur dhe nuk gjenden askund. A keni ndonjë mendim për arsyen e kësaj zhdukjeje?

I.K. “Duke pasur parasysh se kjo letër është ruajtur në arkivin e gruas së Enver Hoxhës, kemi të drejtë të mendojmë se dy fletët e para, janë hequr prej të afërmve të Hoxhës, pra të vetë gruas. Ka gjasë që veprohej kështu me materialet tepër komprometuese, të cilat duhet të zhdukeshin pa asnjë gjurmë. Në këtë rast, teksti i letrës është i Mehmet Shehut, por është jashtë çdo logjike, që ndaj këtij të fundit të tregohej ndonjë kujdes për të shmangur pjesët turpëruese, siç ka qenë një zakon i njohur i gjithë tiranive. Problemi, me sa dukej, ka qenë gjetkë. Po të shihet me kujdes letra është vërtet e Mehmet Shehut, por në fillimet e saj kuptohet se është cituar gjerësisht Enver Hoxha. Pra frazat e zhdukura mund të jenë të shefit kryesor. Ato duhet të kenë qenë aq të rënda, sa që besnikët e tij (gruaja vetë), mund t’i kenë gjykuar se nuk përputheshin me imazhin e tij “aq humanist”, sidomos kur bëhej fjalë për diçka të fisme si poezia”.

Pyetje: Nga përplasja e regjimit tiranik me artin dhe letërsinë, a është e mundur që arti të thyhet? Pas incidentit për të cilin folëm, a e ndjetë ju vetë këtë rrezik?

I.K. “Arti është shumë më i fortë se ç’duket. Historia e njerëzimit nuk njeh raste të kundërta. Njerëzit me pushtet, të çdo lloj regjimi qofshin, të dehur pikërisht prej pushtetit, iu pëlqen t’i përfytyrojnë poetët dhe artistët si krijesa që mund të gabohen lehtë. Sipas një mendimi fare të cekët të Karl Marksit, poetët kanë nevojë të përkëdhelen, që të krijojnë. Ky mendim që citohet ende sot mendjelehtësisht, është po aq larg të vërtetës, sa shumë thëne të tjera gjysmëfeudale për artin. Lidhur me pasojat e incidentit, për të cilin folëm, ndryshe nga ç’kam kujtuar në fillim, mendoja se nuk ka luajtur ndonjë rol në krijimtarinë time të mëvonshme. Nuk po them se më bëri mirë, por po aq nuk guxoj të them se më bëri keq. Njëfarë kohe pas tij, krijimtaria ime letrare nuk pësoi ndonjë ndryshim në kuptimin e pranisë së kooperativave ose e personazheve pozitivë e optimistë nëpër uzina. Përkundrazi, ajo u zymtua e u ashpërsua edhe më fort. Nuk po zgjatem, por po kujtoj se romanin “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave” e kam shkruar pikërisht pas ngjarjes”.

Marre nga “Koha Jone”
 

Konkursi Letërsisë

  • Jeta pa ty

    Votat: 7 46.7%
  • Simfonia e bisedave tona

    Votat: 2 13.3%
  • Bora e parë

    Votat: 3 20.0%
  • Larg

    Votat: 3 20.0%
Back
Top