Pas zgjedhjeve do ndjehet kriza e vërtetë - Frika nga kolapsi dhe borxhet e mëdha

Зngjεll

___________
Ekspertët: Pas zgjedhjeve do ndjehet kriza e vërtetë
Arsyet e rikthimit të detyruar te FMN: Frika nga kolapsi dhe borxhet e mëdha

Nga: Gjergj Erebara

Një ekspert i mirënjohur nga Instituti i Vjenës për Ekonominë Ndërkombëtare, vlerëson se ekonomia shqiptare mund të qëndrojë në vendnumëro këtë vit, në rastin më të mirë. Profesor Mario Holzner, ekspert për Shqipërinë në këtë institut, tha në një intervistë për agjencinë "Reuters" se parashikimi fals i qeverisë për rritje prej 4 për qind, është thjesht një deklaratë elektorale. Instituti i Vjenës është një organizatë autoritative për sa u përket analizave ekonomike mbi vendet e Europës Lindore dhe Juglindore. Profesor Holzner mbulon Shqipërinë prej shumë vitesh për llogari të këtij instituti.

"Një vlerësim optimist tregon se Shqipëria do të ketë rritje ekonomike zero. Kjo, gjithsesi, i jep Shqipërisë situatën më të mirë në Europë", tha Holzner.

I pyetur për deklaratën e Kryeministrit se rritja ekonomike e Shqipërisë do të jetë katër për qind këtë vit, Holzner tha: "Ai falsitet është ajo çfarë qeveria dëshiron. Kjo është e kuptueshme për shkak se në fund të qershorit do të mbahen zgjedhjet".

Ndërsa qeveria këmbëngul te rritja ekonomike 4 për qind, Fondi Monetar Ndërkombëtar ka vlerësuar se rritja do të jetë 0.4 për qind, ndërkohë që profesor Holzner, thotë se rritja do të jetë zero nëse do të kemi shumë fat.

Ndërkohë, ekspertë të tjerë ndërkombëtarë, të cituar pa emër nga "Reuters", tregojnë se Shqipëria do të detyrohet të kërkojë ndihmën e Fondit Monetar Ndërkombëtar në një të ardhme të afërt, për shkak të borxheve të mëdha që ka marrë për veprat infrastrukturore, të cilat do ta detyrojnë vendin të shtrëngojë rripin për një periudhë të konsiderueshme kohe.

"Edhe nëse vetë demokratët i fitojnë zgjedhjet, do të detyrohen të kërkojnë FMN-në", tha një ekspert i huaj, i cituar pa emër. "Qeveria do të duhet të marrë vendime të vështira dhe do të mallkojë FMN-në për këtë".

Ekspertët thonë se detyrimet e larta financiare që Shqipëria ka marrë për të ndërtuar rrugën Rrëshen-Kalimash, mund ta shpien vendin në faliment financiar ose në një periudhë kursimesh të detyruara që do të zgjasin për së paku një dekadë.

Kryeministri Sali Berisha ka deklaruar të paktën dy herë se nuk e dëshiron praninë e Fondit Monetar Ndërkombëtar. Sipas tij, "FMN në kohë krizash shkakton pakënaqësi sociale". Edhe zyrtarë të tjerë të qeverisë kanë hedhur poshtë idenë e diskutimeve me FMN-në. "Ne nuk jemi në krizë dhe nuk kemi nevojë", deklaroi disa kohë më parë, zëvendësministri i Financave, Sherefedin Shehu.

Opozita e ka bërë të qartë se do të kërkojë ndihmën e FMN-së në rast se i fiton zgjedhjet.

Shqipëria vlerësohet se e ka rritur borxhin e brendshëm me gjysmë miliardi euro vetëm këtë vit, për shkak të rritjes së pagave dhe pensioneve në mungesë të rritjes ekonomike, për shkak të rënies së të ardhurave nga tatimet dhe doganat, si dhe për të financuar segmentin Rrëshen-Kalimash. Qeverisë së ardhshme do t‘i duhet të ndjekë një politikë kursimi që mund të zgjasë disa vite. Dy kredi të rënda prej 480 milionë eurosh maturohen në vitin 2012. Në këtë rast, vendi mund të gjendet në pamundësi për të shlyer këto borxhe. Rritja e borxhit të brendshëm ka sjellë edhe rritjen e interesave të lekut, gjë që nga njëra anë bllokon kreditimin dhe rritjen ekonomike dhe nga ana tjetër, rrit barrën e interesave për buxhetin.

Shqipëria nuk është bunker përballë krizës ekonomike


Nga Adam Tanner

Reuters

Shqipëria, dikur e izoluar, tashmë është e ekspozuar ndaj krizës ekonomike botërore, ndërsa zyrtarët thonë se ka shumë gjasa që qeveria e ardhshme do t‘i shtrijë dorën për ndihmë Fondit Monetar Ndërkombëtar, cilado qoftë ajo. Në pritje të zgjedhjeve të 28 qershorit, Kryeministri Sali Berisha thotë se ekonomia e vendit me 3.3 milionë banorë ende po rritet me 4 për qind. Megjithatë, ekonomistët dhe shqiptarët e zakonshëm të intervistuar muajin e kaluar, thonë se vitet e rritjes së fortë ekonomike në vendin ish-stalinist duket se kanë mbaruar.

Qeveria po mbjell para për ndërtimin e rrugëve, në mënyrë që të ndihmojë ekonominë, por kostoja e tyre mund të detyrojë qeverinë e re të kërkojnë ndihmën e FMN-së, ashtu si Serbia dhe Bosnja.

"Me siguri që nëse unë do të isha qeveria e re, do të kërkoja FMN-në," tha një zyrtar ndërkombëtar. "Qeveria mund të marrë vendime të rënda dhe të mallkojë FMN-në... edhe nëse demokratët fitojnë, ato do të kthehen nga Fondi."

FMN parashikon rritjen ekonomike të Shqipërisë në 0.4-0.5 për qind, ndryshe nga rritja prej 6.8 për qind e vitit të kaluar. Rënia është më e lehtë në krahasim me pjesën tjetër të Europës të goditur nga recesioni.

"Një skenar i rritjes pozitive, është ai i rritjes zero. Kjo gjithsesi, është shifra më e mirë në Europë", thotë Mario Holzner, ekonomist tek Instituti i Vjenës për Ekonominë Ndërkombëtare. Për sa i përket parashikimit të qeverisë për rritje 4 për qind, ai shton: "Ky falsitet shpreh thjesht një dëshirë. ثshtë e kuptueshme për shkak se në fund të qershorit ka zgjedhje".

Duke skalitur bunkerët

Rënia ekonomike në vendin më të varfër të Europës është e qartë te punëtorë si Asllan Saliu, i cili nxjerr para duke shkulur çelik nga bunkerët që komunistët patën ndërtuar në të gjithë vendin për të luftuar kundër një pushtuesi që nuk erdhi kurrë.

"Gjërat po përkeqësohen", thotë Saliu, ndërsa përdor një vare për të ndarë betonin nga hekuri. "Tani më duhet të punoj më shumë për të nxjerrë të njëjtën sasi parash."

Saliu fiton 5 euro në ditë për tetë orë punë, po aq sa fitonte vitin e kaluar, kur punonte në një gurore. Por rënia e shpejtë e çmimeve të çelikut në treg ndërkombëtar, bëri që blerësit e skrapit t‘i paguajnë më pak para atij.

Berisha, i cili ka dominuar skemën politike që kur komunizmi mbaroi në vitin 1991, u tregua i kujdesshëm përballë pyetjes nëse ekonomia mund të përkeqësohet. "Ekonomia po rritet, jo me ritmin e vitit të kaluar, por gjithsesi, më shumë se 4 për qind ndërsa nuk ka dhimbje koke për sa i përket buxhetit", tha Berisha për "Reuters".

"Shumë gjëra do të varen nga turizmi... Mund të bëhet më keq, por kurrë nuk do të bëhet krizë", tha ai.

 
Back
Top