Paratë e VEFA-s dhe “Cenajt”, në “dorë” të Strasburgut

Iron_Leon

شيطان בעל זבוב
Avokatura e Shtetit do të përfaqësohet si palë e tretë në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut
Shqipëria kujtohet pas 13 viteve për të transferuar kapitalet e firmave piramidale që janë në shtetin grek. Avokatura e Shtetit Shqiptar do të përfaqësohet si palë e tretë në proceset gjyqësore në Gjykatën e Strasburgut me tituj: Shoqëria VEFA kundër shtetit grek dhe Lefter Cenaj kundër shtetit grek. Këto firma, të shpallura debitore në Shqipëri, kanë paditur shtetin grek për disa pasuri të sekuestruara dhe bllokuara, pasi kanë shpallur falimentin në vitin 1997. Rreth 10 milionë USD të dy firmave janë aktualisht të bllokuara në shtetin helen dhe, me gjithë kërkesën e vazhdueshme të shtetit shqiptar, ende nuk u janë kthyer për t’iu shpërndarë kreditorëve. Kjo është nisma e dytë dhe ndoshta e fundit për të tentuar që të riatdhesohen milionat e fajdeve shqiptare të transferuara kohë më parë në Greqi, në mënyra të jashtëligjshme.

Kërkesat
Një përfaqësuese e Avokaturës së Shtetit ka marrë disa javë më parë një prokurë përfaqësimi nga grupi mbikëqyrës i firmave piramidale për të përfaqësuar Shqipërinë si palë e tretë në proceset gjyqësore që janë hapur në Gjykatën e Strasburgut. Burime nga grupi mbikëqyrës thanë për gazetën “Shqip” se në Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut është në proces gjykimi çështja: Shoqëria VEFA kundër shtetit grek. Kjo shoqëri ka paditur shtetin helen, pasi nuk i ka kthyer disa pasuri e kapitale të bllokuara. Janë rreth 2.5 milionë USD që VEFA synon t’i rimarrë. Në shtetin grek, shoqëria VEFA i ka humbur të tria proceset gjyqësore dhe e vetmja mundësi që të rimarrë këtë pasuri është Gjykata e Strasburgut. Mësohet se çështja ka kaluar dhomën e konsultimeve dhe pritet të gjykohet nga një kolegj penal. Për këtë arsye, shteti shqiptar ka vepruar me shpejtësi, duke dërguar në Strasburg edhe përfaqësuesen nga Avokatura e Shtetit si palë e tretë. Ekziston mundësia që kjo shumë t’i kalojë në administrim grupit mbikëqyrës të firmave piramidale, nëse gjithmonë Strasburgu vendos që kjo shumë t’i kthehet VEFA-s. Burime nga grupi mbikëqyrës thanë se ekzistojnë vendime dhe ligje që të bllokojnë të gjitha pasuritë e firmave rentiere dhe në këtë rast nuk do të bënte përjashtim as VEFA.

Ndërkohë, në Gjykatën e Strasburgut është regjistruar edhe çështja me titull: Lefter Cenaj kundër shtetit grek. Kreu i firmës piramidale “Cenaj”, pasi humbi betejën ligjore me shtetin helen, i është drejtuar Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut, duke kërkuar që shuma prej 8 milionë USD, që është e bllokuar në bankat greke, t’i kthehet në posedim. Edhe në këtë rast, çështja do të ndiqet me interes nga drejtësia shqiptare dhe pritet që një përfaqësi nga Avokatura e Shtetit të marrë pjesë si palë e tretë. Ekziston mundësia që të gjitha kapitalet e firmave piramidale të kthehen në vendlindje dhe më pas të vendoset me urdhra ekzekutimi për bllokimin e këtyre pasurive që u janë marrë shqiptarëve në mënyrë të jashtëligjshme, duke përdorur format e mashtrimit.

Padia në Greqi
Grupi Mbikëqyrës i Firmave Piramidale ka filluar procedurat për ngritjen e një padie në Gjykatën e Athinës për të riatdhesuar milionat e fajdeve që ndodhen në Greqi. Kryeadministratori i fajdeve, Bajram Malaj, tha disa ditë më parë për gazetën “Shqip”, se është në përfundim të procedurave për lidhjen e marrëveshjes me një studio ligjore greke. “Jemi në përfundim të procedurave për lidhjen e marrëveshjes me një studio ligjore greke për ngritjen e një padie gjyqësore për riatdhesimin e parave të disa debitorëve grekë ndaj shoqërive huamarrëse në administrim, ‘Gjallica’, VEFA dhe ‘Cenaj’”, deklaroi Malaj, duke shtuar se bëhet fjalë për një pretendim fillestar në shumën prej rreth 15 milionë dollarësh.
 
Back
Top