Panik ne bursat nderkombetare.

korado

President
اmimet e aksioneve shënuan rënie të theksuara në tregjet aziatike në shkëmbimet e para të ditës së martë, pasi bursa amerikane regjistroi rënien më të madhe Brenda një dite të vetme në të gjithë historinë e saj, në një atmosphere shqetësimesh për thellimin e krizës financiare amerikane. Indekset kryesore në Tokio dhe Sidnej ranë secili nga 5 për qind, pasi ligjvënësit amerikanë në Dhomën e Përfaqësuesve hodhën poshtë planin qeveritar për të ndihmuar me një paketë të madhe fondesh institucionet financiare në nevojë. Projekt-ligji u hodh poshtë në Dhomën e Përfaqësuesve, megjithëse udhëheqësit në Kongres kishin paralajmëruar se vota "jo" ndaj këtij plani mund të ishte parathënia e një krize të rëndë ekonomike.

Kur u njoftua numri përfundimtar i votave, demokratët dhe republikanët filluan të këmbejnë akuza se kujt i binte faji për hedhjen poshtë të projekt-ligjit.
Më pas, ligjvënës dhe amerikanë të revoltuar patë rezultatin e votimit që u pasqyrua me një rënie të ndjeshme në çmimin e aksionene në Uoll Strit. Udhëheqësit republikanë thanë në komentet për shtyp se komentet që kishte bërë kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nensi Pelozi para delegatëve i kishin ofenduar republikanët, duke bërë që shumë veta të mos hidhnin votën në mbështetje të projekt-ligjit.
Udhëheqësi i republikanëve në Dhomën e Përfaqësuesve, Xhon Bejnër shprehet:
"Ne u angazhuam me sa fuqi që kishim për të tërhequr vota në mbështetje të projekt-ligjit, por Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve foli me tone partiake që hodhën helm mbi këtë takim, duke bërë që një numër ligjvënësish që mendonim se do ta mbështesnin projekt-ligjin, ta kundërshtonin atë."
Në komentet para udhëheqësve demokratë, zonja Pelozi tha se linjat e komunikimit mbeten të hapura për republikanët dhe administratën, dhe shtoi se kishte folur me Sekretarin e Thesarit Henri Polson:
"I thashë: 'Zoti Sekretar, ne e përmbushëm detyrën tonë. Ju latë përshtypje të mira tek ligjvënësit demokratë, ashtu si edhe Presidenti kur foli për rëndësinë e kësaj situate dhe për nevojën për të vepruar në mënyrë që të stabilizohen tregjet dhe të mbrohen taksapaguesit.' Duket qartë se ky mesazh nuk u përqafua nga pala republikane."
Pas takimit me Presidentin Bush në Shtëpinë e Bardhë, zoti Polson tha se ndjehej i zhgënjyer pas gjithë asaj pune dypalëshe për projekt-ligjin. Ai shtoi se administrata dhe Kongresi duhet të veprojnë pa vonesë për një plan të rishikuar që mund të vihet në zbatim sa më parë që të jetë e mundur:
"Unë do të vazhdoj punën me udhëheqës në Kongres për të gjetur rrugën përpara që të miratojmë një plan gjithë-përfshirës për stabilizimin e sistemit financiar dhe për mbrojtjen e amerikanëve duke minimizuar shanset për një keqësim të ekonomisë. Kemi shumë punë përpara dhe kjo është një çështje aq e rëndësishme, sa s'mund të tolerojmë dështim."
Ndërkaq Senati priste që të hidhte në votë projekt-ligjin, pasi të ishte miratuar në Dhomën e Përfaqësuesve. Pasi projekt-ligji u hodh poshtë në Dhomën e Përfaqësuesve, Senatori republikan Xhad Greg dha komente për shtyp:
"Mendoj se kjo situatë mund të përmblidhet me pak fjalë: Nëse nuk veprojmë pa vonesë, shumë amerikanë do të humbin punën dhe pjesa më e madhe e amerikanëve do të përjetojë kohë shumë të vështira."
Në përgjigje të pyetjes se çfarë hapash do të merren më tej, Kryetari i Komisionit të Financave në Dhomën e Përfaqësuesve Barni Frenk tha se Kongresi nuk ka rrugë tjetër, përveçse të vazhdojë punën për një plan që gëzon mbështetje nga të dyja palët. Por ai iu përgjigj në këtë mënyrë kritikave të republikanëve:
"Gjendja është kjo: një krizë e rëndë i kanoset ekonomisë amerikane. Ne po punojmë së bashku për një ligj për ta shmangur këtë krizë. Tani, dikujt i mbeti hatri nga fjalët e dikujt tjetër dhe si shpagim, ata përpiqen t'ia nxjerrin inatin vendit."
Në variantin e rishikuar nga Kongresi, plani do të kishte autorizuar qeverinë të blinte deri në 700 miliardë dollarë asete të firmave në vështirësi. Po sipas planit, do të krijohej edhe një komision mbikqyrës si dhe do të ndërmerreshin hapa për të mbrojtur amerikanët të cilët rrezikoheshin t'u konfiskohej banesa, si dhe do të vendoseshin kufizime në kompensimet e drejtuesve të këtyre kompanive.
Gjatë debatit, republikanët theksuan se plani i propozuar për ndërhyrje qeveritare nuk merrte në shqyrtim problemet themeltare të tregut, duke e cilësuar atë si një "program ndihmash sociale për korporatat," ndërsa demokratët thanë se plani nuk mbronte sa duhet taksapaguesit amerikanë.
Përfaqësuesi republikan nga Teksasi, Xheb Hensarling, shprehet:
"Kam frikë se ky projekt-ligj mbart me vete një numër pasojash të padëshiruara. Kam frikë se kur të vihet në zbatim, nuk do të ketë sukses. Kam frikë se theksi kryesor është tek shpëtimi i kompanive dhe jo ndreqja e gabimeve. Kam frikë se taksapaguesve mund t'u mbetet në kurriz një borxh kolosal."
Ligjvënësi demokrat Bred Sherman ishte ndër demokratët që e kundërshtuan projekt-ligjin:
"Afro 400 ekonomistë të shquar, ndër ta edhe 3 laureatë të çmimit Nobel, kanë theksuar se është e nevojshme që të përgatisim një projekt-ligj tjetër, të mirë."
Fati i planit të administratës në ndihmë të sektorit financiar është në pikëpyetje, ndërkohë që afron viti i ri hebraik, festa Rosh Hashana, kur Kongresi ndërpret punimet, të cilat aktualisht e kanë kapërcyer afatin e parashikuar për ndërprerjen e punimeve në përgatitje për zgjedhjet e përgjithshme të nëntorit.
 

Konkursi Letërsisë

  • Jeta pa ty

    Votat: 7 50.0%
  • Simfonia e bisedave tona

    Votat: 2 14.3%
  • Bora e parë

    Votat: 3 21.4%
  • Larg

    Votat: 2 14.3%
Back
Top