Titulli: Pamje tronditëse, Ilia Kareli pak minuta para vdekjes në burg - VIDEO + FOTO
Nikoleta Kovaçi
-Mediet greke vijojnë të trondisin me transmetimet ditë pas dite të makabritetit të zyrtarëve të shtetit të tyre, që torturuan për vdekje shqiptarin Kudret Kume. Vetëm pak orë pasi ‘To Vima’ vë në dispozicion të gjithë botës fotot e masakrës dhe fundin brutal të shqiptarit, të cilit i merrej jeta nga dhuna me urdhrin e shtetit, ditën e djeshme ka qenë ‘Kathimerini’ që ka publikuar videon mbi 5-minutëshe në të cilën më shumë se sa momentet fatale të jetës së shqiptarit, duket motivimi i drejtuesit të burgut dhe i vartësve të tij për të vrarë të burgosurin. Në krye të turmës së tërbuar të gardianëve, shihet thuajse gjithë kohës drejtuesi i institucionit, i cili fillimisht shfaqet me kostum dhe në mbrëmje vjen pa xhaketë; është momenti kur trupin e masakruar dhe të pajetë prej orësh e tërheq ambulanca për të vënë në dispozicion të ekspertëve të mjekësisë-ligjore të Serresit. Autopsia që u krye në atë spital, bëri që Kume të varroset pa zemër, ndërsa zbulimi erdhi nga familjarët e tij, të cilët e pritën trupin në Kakavijë. Ekspertët tanë, të pamundur të devijojnë nga fakti-makabër, munden thjeshtë të vërtetojnë britmën e familjes së Kumes për mungesën e zemrës, ndërsa rreth 10 ditë pas aktit-horror përfaqësuesit e ambasadës tonë ‘qetësojnë’ familjen: Zemra është mbajtur për kryerjen e plotë të ekspertimit mjeko-ligjor!!!
Pamjet filmike të katër kamerave
Pas fotografive të gazetës 'To Vima' nga çastet e fundit të jetës së të burgosurit shqiptar Ilia Kareli, që humbi jetën në burgun e Nigritës, prestigjiozia 'Kathimerini' publikoi dje një video 5-minutëshe të nxjerrë nga 20 orë material filmik i përmbledhur. Përmbledhja është kryer prej katër kamerave të këtij burgu të vendosura në vende të ndryshme. Sipas të dhënave dhe pamjeve që shikohen në video, njëra nga kamerat është në oborrin e burgut, kur mbërrin makina e policisë që e sjell atë nga rajoni. Tjetra, në hyrjen kryesore të burgut, prej të cilës janë shkëputur pak momente. Ndërsa e treta është në korridorin përballë “frigoriferit”, dhomës së torturave dhe vendit në të cilin iu mor jetë Kumes dhe e fundit në qelinë që e çojnë 43-vjeçarin pas torturave.
Video-ja fillon me mbërritjen e shqiptarit në burgun e Nigritas, ndërsa shquhen 10 gardianë që e presin. Siç lexohet në titrat që përmban kjo video, drejtori i burgut jep urdhër për ta fotografuar atë. Në disa foto, duket se shqiptari ka pësuar disa goditje pasi ka disa hematoma në trup dhe në kokë prej burgut të Malandrinos, ku tri ditë më parë ai kishte vrarë një roje. Më pas duken të gjithë gardianët, të cilët ishin në shërbim atë ditë dhe të tjerët jashtë shërbimit pasi janë thirrur me telefon të paraqiten në ambientet e burgut atë ditë. Disa prej tyre hyjnë në dhomën e quajtur “frigoriferi“, ndërsa drejtori qëndron në fund të korridorit dhe më pas largohet.
Momentet fatale
Në materialin filmik të bashkuar në një video përcaktohet qartë koha nëpër të cilën ka kaluar vdekja e shqiptarit, që nga momenti që është përballur i vetëm dhe me duar të lidhura me rojet e Nigritas dhe me drejtuesin e këtij burgu. Në minutën 1 e 45 të videos në fjalë duken tetë gardianë që futen në “frigorifer” ku ndodhet shqiptari, dhoma në të cilën sipas dëshmive të dhëna tek oficerët e policisë së Shërbimit të Brendshëm është rrahur për vdekje i burgosuri shqiptar. Në minutën 2:03 të videos fillojnë të rrahin Karelin me shkelma, grushte dhe me anë të një litari të trashë. Më pas duket se një prej rojeve nuk është dakord me atë ç`ka po bënin kolegët e tij, ndërsa paralelisht bëhet gati qelia ku do të çohet më pas shqiptari. Pas 35 minutash, prej futjes së shqiptarit në “frigorifer”, zbret edhe drejtori i burgut, i cili duket që u flet nëpunësve të tij duke u treguar dhomën e torturave. Sipas dëshmive në këtë moment ai ka kuptuar çfarë po ndodh, që i burgosuri po rrihet dhe torturohet ndaj u thotë rojeve: Kush është burrë le të shkojë ta gjuajë tani, por të pranojë atë që po bën…". Pak minuta me vonë ai duket që ka një bisedë të tensionuar me një roje burgu dhe më pas largohet. Dy orë pas kësaj bisede qelia e shqiptarit është gati, ndërsa ai që nuk qëndron dot në këmbë, çohet atje i tërhequr zvarrë nga rojet në gjendje kritike dhe thuajse krejtësisht i zhveshur. Në orën 7:25 të mbrëmjes i sjellin darkën. Katër orë më vonë dy roje zbulojnë se ai nuk lëviz. Pak më vonë mbërrin urgjenca me ambulancë dhe mjeku vërteton vdekjen e tij.
Nasip Naço për vrasjen e Karelit
“Gjyqi të jetë i drejtë, kam ftuar ndërkombëtarët që ta monitorojnë”
Ndërkohë, ministri i Drejtësisë Nasip Naço tha dje në Parlament se i ka kërkuar autoriteteve në Greqi, që të vendosin drejtësi për vrasjen e shqiptarit Ilia Kareli. Duke e cilësuar ngjarjen si të paprecedent, Naço tha se ka kërkuar edhe monitorimin e procesit nga ndërkombëtarët. Ai kërkoi që çdo i dënuar shqiptar të denoncojë padrejtësinë që i bëhet, si brenda ashtu edhe jashtë vendit, ku vuan dënimin. “Unë, sot, garantoj publikisht se si ministër i Drejtësisë, menjëherë i kam kërkuar dhe i kam marrë informacione nga autoritetet gjyqësore greke për këtë ngjarje të rëndë. Njëkohësisht kam marrë garanci nga ana e tyre se çështja do të hetohet dhe do të gjykohet në një kohë sa më të shpejtë, duke shërbyer si një shembull në dhënien e drejtësisë. Ne nuk kërkojmë hakmarrje, sigurisht që kërkojmë drejtësi nga autoritetet gjyqësore greke. Gjithashtu u kam kërkuar partnerëve tanë ndërkombëtarë që t’i kushtojnë një vëmendje dhe ta monitorojnë nga afër këtë ngjarje, sa tronditëse aq edhe të paprecedent në sistemin peniteciar. Përsëri nuk kërkojmë hakmarrje, por drejtësi nga autoritetet gjyqësore greke. Gjej rastin t’u kërkoj publikisht dhe të inkurajoj, jo vetëm institucionet dhe shoqërinë civile, por çdo person që vuan dënimin brenda dhe jashtë vendit, që të denoncojnë rastet e trajtimeve çnjerëzore, që bien ndesh me konventat ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut”, u shpreh në Kuvendin e Shqipërisë, ministri i Drejtësisë Naço.