Luis Tanushi
-Organizata “Lidhja Radikale” pretendoi se AK-ja nxit urrejtjen racore,etnike dhe krijon destabilitet në marrëdhënie me fqinjët luis tanushi Shfuqizimi, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, i vendimit nr.2747, datë 21.03.2012 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për regjistrimin si person juridik të partisë “Aleanca Kuq e Zi”. Mësohet se organizata “Lidhja Radikale”, i është drejtuar kushtetueses duke kërkuar nxjerrjen jashtë ligji të AK-së duke pretenduar se me deklaratat e drejtuesve të kësaj partive me tone nacionaliste ka nxitur urrejtjen racore dhe etnike. Sipas pretendimeve të drejtuesve të “Lidhjes Radikale”, kryetari i partisë “Aleanca Kuq e Zi”, në fjalimet e tij, të transmetuara nga kanale televizive të ndryshme, është shprehur për mbrojtjen e kufirit të Shqipërisë nëpërmjet grupeve vullnetare, për moslejimin e martesave me kombësi të ndryshme, për përkrahjen e urrejtjes racore dhe etnike, si dhe ka përdorur stemën e Republikës së Shqipërisë dhe shqiponjën dykrenore në njoftimet dhe simbolin e partisë. Në kërkesën drejtuar Gjykatës Kushtetuese shprehet se “veprimtaria e partisë “Aleanca Kuq e Zi” vjen në kundërshtim me nenin 12 të Kushtetutës, sepse vendimi i kësaj partie për krijimin e “Lëvizjes së vullnetarëve për mbrojtjen e kufirit të Shqipërisë” konsiston në formimin e strukturave paraushtarake për mbrojtjen e kufirit detar dhe tokësor të Republikës së Shqipërisë dhe krijon destabilitet në marrëdhënie me fqinjët. Sipas “Lidhjes Radikale”, veprimtaria e partisë “Aleanca Kuq e Zi” mbështet urrejtjen racore, etnike si dhe përdorimin e dhunës për të ndikuar në politikën shtetërore, aktivitet i cili vjen në kundërshtim me nenin 9 të Kushtetutës. Në pretendimet e kësaj organizate të [paraqitura në kushtetuese, thuhet se Partia “Aleanca Kuq e Zi”, në kundërshtim me nenin 14 të Kushtetutës, ka përdorur simbolet shtetërore, stemën e Republikës së Shqipërisë si dhe shqiponjën dykrenore në njoftimet dhe simbolin e partisë, duke krijuar konfuzion te qytetarët. Një tjetër shkelje kushtetuese sipas drejtuesve të kësaj lëvizjeje, është cënimi i nenit 53 të Kushtetutës, duke deklaruar se kjo parti synon ndalimin e martesave ndërmjet shtetasve me kombësi të ndryshme. Por, të gjitha këto pretendime janë rrëzuar prej Kolegjit duke mos legjitimuar “Lidhjen Radikale”, për të vënë në lëvizje kushtetuesen. Kolegji vlerëson se midis kompetencave të kësaj Gjykate, ka sanksionuar edhe shqyrtimin e kushtetutshmërisë së partive dhe organizatave të tjera politike, si dhe të veprimtarisë së tyre, sipas nenit 9 të Kushtetutës. Ndërsa ligji nr.8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, në nenin 57, paragrafi i parë, ka parashikuar se, në lidhje me këtë kompetencë, kjo Gjykatë vihet në lëvizje me kërkesë të Presidentit të Republikës, të Kryeministrit dhe jo më pak se një të pestës së deputetëve. “Në rastin në shqyrtim, Kolegji konstaton se kërkuesi, organizata “Lidhja Radikale”, nuk hyn në sferën e subjekteve, të përcaktuara nga ligji organik, që mund të vënë në lëvizje këtë Gjykatë për shqyrtimin e antikushtetutshmërisë së veprimtarisë së partisë “Aleanca Kuq e Zi”. Për sa më lart, Kolegji vlerëson se kërkuesi nuk legjitimohet për t’iu drejtuar kësaj Gjykate. Për pasojë, Kolegji arrin në përfundimin se kërkesa nuk mund të kalojë për shqyrtim në seancë plenare”, theksohet në vendimin e Kolegjit të Gjykatës Kushtetuese./Shekulli