Nga: KIاO BLUSHI
Përherë më ka pëlqyer të veroj në Vlorë. Dikur në kampin e punëtorëve, lart në kodër, tek Uji i Ftohtë, tani në apartamentin e të afërmit tim në Orikum. Vlonjatët së jashtmi e së largëti ngjajnë të ashpër, harbutë, sherrxhinj e inatçinj për hiçmosgjë, pasi përherë flasin me zë të lartë, si në rrugë e në klub, kurse në të vërtetë janë njerëz të sakrificës, të dashur, bujarë, besnikë, shpirtbutë, sigurisht nëse di t’ua fitosh zemrën e rrahur aq së tepri me vaj e me uthull, nëpër dallgët e vuajtjeve dhe të skamjes së tejzgjatur. Si shumica e shqiptarëve, edhe mendësia e vlonjatëve ka ndërruar e ndryshuar përsëmbari në këto vite të pluralizmit tranzicional. Ekonomia e tregut, emigracioni, skafet, marrëdhënia e re me pronën, me punën, me djersën me paranë dhe me detin e sidomos viti i mbrapshtë 1997 kanë lënë vragë të dukshme në sjelljen dhe në qëndrimin e vlonjatëve ndaj njëri-tjetrit e sidomos ndaj “të huajve”, të ardhurve të shumtë për pushime në brigjet e Vlorës.
Për fat, në këtë zonë ku deti dhe mali janë motër e vëlla nuk ka ndodhur ende ajo masakër kriminale urbane me mjedisin, me detin dhe rërën si në Durrës, ku tanimë është e pamundur të ndërhyhet që plazhi, uji, bregu dhe bukuria e natyrës së dhënë nga dora bujare e Zotit t’u kthehet qytetarëve. Edhe pse përgjatë rrugës që të çon në Llogora janë ngritur qindra hotele dhe lokale, njëri pas tjetrit, përveç një ndërhyrjeje të habitshme pas Ujit të Ftohtë, pas së cilës, si thuhet në shtyp, fshihet firma e një “të madhi” në Tiranë, nuk ka ndërtime, ngrehina e “çimento” që mund të të vrasin sytë e të të lenë pa shijuar mrekullinë kaltërore të mesdetit, zhytjen e flakëruar të diellit në perëndim, bishtin e Karaburunit, apo nishanin e zi të Sazanit.
Ashtu si në Pogradec, ku ka shpëtuar shëtitorja deri në Tushemisht, vlonjatët janë treguar largpamës e të mençur se kanë mundur t’i shpëtojnë tahmasë dhe makutërisë së zyrtarëve, të bosëve dhe të grabitqarëve të papërballueshëm të trojeve, të cilët nuk ngurrojnë të zaptojnë pronat publike, qofshin ato kala apo edhe reparte ushtarake, deri në kufijtë e një vetëvrasjeje urbanistike, si ka ndodhur tashmë në Golem të Durrësit e jo vetëm. Nuk është e nevojshme të bëhen vëzhgime në periferi, në pyje e male të rrjeposura, në toka bujqësore të shkretuara, në lumenj e në liqene të ndotur e të gërryer, por mjafton të ngjitesh disa kilometra lart në Dajt të kuptosh përmasat e katrahurës mjedisore që na ka ndodhur në këto njëzet vjet në anarko-liberalizëm, ku më i forti ka gjithmonë të drejtë.
Vlora e bregu i saj i pakrahasueshëm të shtyjnë të pyesësh veten: Sa do të vazhdojë kjo mrekulli e Vlorës, deri kur? A thua qytetarët vlonjatë të jenë treguar më të zgjuar e më të vetëdijshëm se krahinorët e tjerë, aq sa ta kenë kuptuar se deti, bregu, prona publike si dhe bashkësia në përgjegjësi është shkaku i vetëm përse ka shpëtuar pa u masakruar e pa u shpërbërë mjedisi i tyre, si ka ndodhur rëndom, kudo nëpër Shqipëri, në veri e në jug, në perëndim e në lindje, ku nuk gjen jo më parqe e plazhe publike, po as WC publike?
Hidhnueshëm, por dyshoj për këtë. Dyshoj se e di që nuk ka burrë e as komunitet, ligj e Kushtetutë, shoqëri civile a veprimtarë mjedisorë, sado të ndërgjegjshëm qofshin që të përballojnë egërsinë e babëzinë e pronarëve të rinj, më sak, e pashallarëve të rinj të politikës e të industrisë së ndërtimit. Se ja, TEC-i në Vlorë nuk u ndalua dot të ngrihej. Para ca kohësh u synua të privatizohej edhe Sazani, i cili do të bëhej, me gjasë, kazinoja më e madhe e Mesdheut. Por fatmirësisht Sazanin e shpëtoi prania aty e anijeve patrulluese italiane. Po ashtu edhe Karaburuni, i cili do të mbulohej tejembanë me mullinj ere, por meqë ende quhet bazë ushtarake detare e për më tepër se është nën kontrollin e turqve, i ka shpëtuar gllabërim-shkatërrim-përvetësimit. Rrallë mund të gjesh një popull tjetër që të jetë sjellë aq keq me mjedisin, me ujërat, me detin, me tokën, me pyjet, me rrugët, me ajrin, me pronën publike, se sa ne. Tanimë edhe repartet ushtarake, të fundit që kanë mbetur ende pa u shitur e pa u tenderuar paskan hyrë në “thertoren e privatizimit” përfundimtar. Kurse bregun e Vlorës, besoj më shumë se ndërgjegjja e komunitetit specifik vlonjat, që nga Uji i Ftohtë e deri në Llogora duhet ta ketë shpëtuar e ndihmuar edhe hija e vitit 1997, se vlonjatët, medemek “të marrin gjak në vetull”! Sepse në ato zona nuk kanë mundur të ngulen të ardhurit që edhe mbi bunkerë shkruajnë: “Pronë private”.
Kjo pandehmë duhet të jetë e saktë po ta krahasosh atë me rropamën urbane që ka ngjarë në Sarandë, në Ksamil, në brigjet e mëposhtme joniane, të cilat gjenden ku e ku më larg se Vlora, por që po “durrësakëzohen” e bathorizohen me shpejtësi e pa asnjë mundësi për kthim në identitet. “Shpëtoni së paku Vlorën!”, kjo duhet të jetë thirrja jo vetëm e vlonjatëve në këtë 100-vjetor të shtetit modern shqiptar, në kryeqytetin tonë të parë, në Vlorë, ku ethet e mbijetesës, si kudo, mjerisht, nuk të lënë të shohësh as qartë, as larg, as në dobi të komunitetit.
***
Para shumë vitesh, kur punoja në Kinostudio u ngarkova të shkruaj skenarin e festivalit folklorik të Gjirokastrës, ndaj m’u desh të shkoj nëpër të gjitha qytetet “për të mbledhur material”, për të parë grupet folklorike që ishin grumbulluar pranë shtëpive e vatrave të kulturës për të bërë përgatitje e prova. M’u dha një makinë, një bëçë kineze, luks për atë kohë. Meqë kishte një vend në makinë, u bashkua me grupin edhe ime e shoqe. Nuk e parashikova që ardhja e saj do të ishte një hall i madh jo vetëm për mua, por për gjithë “ekipin”. Që natën e parë, pasi ndoqëm provat e grupit të Vlorës, shkuam të kërkojmë hotel. Pas një ore lutjesh e kërkesash shpresëkota e kuptuam se ishte e pamundur të gjendej një dhomë, jo vetëm te Turizmi e te Krimea në qendër, po as te një hotel i vogël, si një han apo pension pleqsh, diku andej nga shëtitorja kryesore e qytetit, afër Bashkisë së sotme. Shoferi, i stërvitur me këtë “përvojë” na lehtësoi barrën e tha se ai për vete mund të flinte në makinë, kurse unë dhe ime shoqe nuk kishim asnjë zgjidhje. Lokalet, restorantet, në atë kohë mbylleshin e shumta në orën 22:00, po edhe më parë, kështu që na mbetej veç një zgjidhje: Nata në rrugë. Dikush na tha që në Komitetin Ekzekutiv mund të na ndihmonin, se për ekipet që vinin nga Tirana ruhej nga një kuotë. Shkuam aty por nëpunësi dezhurn na tha se: “Kuotat ishin djegur”. Por mund të shkonim në një konvikt nxënësish. E gjetëm konviktin, i cili po lyhej, se ishte verë. Nëpër korridoret e errëta dalluam disa hekurishte të salduara si krevatë marinari. Edhe në konvikt kishte një dezhurn, një mësues, i cili kur na pa që mbetëm pa asnjë shpresë, na propozoi të na lironte një dhomë në plazhin e vjetër, ku kishte marrë një kabinë për gruan dhe për fëmijët. Ky mësues e kishte emrin ثngjëll dhe qëlloi të ishte vërtet një ëngjëll, pasi në mes të natës na çoi te kabina, zgjoi gruan, fëmijët dhe vjehrrën dhe na la çelësin në dorë. Ku të ta lemë çelësin? Lëreni në derë, ose poshtë nën parmak. Këtë njeri, vite më pas, e kam takuar rastësisht në Paris, ku kishte shkuar refugjat e ku shiste pikturat e mikut tim Zamir Mati.
***
Ngjarja e mësipërme sot ngjan e pabesueshme. Më e pakuptueshme ngjan po t’u tregosh të rinjve të sotëm se çfarë vuajtje ishte të gjeje jo vetëm një dhomë hoteli, por edhe një kabinë plazhi, një makinë për transport, por edhe disa kokrra limoni për një të sëmurë në spital. Sot nuk mungon asgjë, ndoshta përveçse është e vështirë të gjesh një ثngjëll, nëse mbetesh në rrugë. Nuk e di sa hotele e restorante ka Vlora, po që nga Uji i Ftohtë për në Radhimë shikon pleq e fëmijë me tabela në duar ku shkruhet sllavisht: Ima Soba! Të gjithë pronarët ankohen se sivjet nuk kanë punë. Një kronist i Vlorës raportoi në një TV të Tiranës se askush nuk jep të dhëna për numrin e saktë të turistëve dhe të pushuesve, po mendohet se sivjet kanë mirëseardhur më pak se gjysma nga vjet. ثshtë kulmi i sezonit dhe këtë “shifër” mund ta verifikosh nga restorantet bosh, nga kamerierët e veshur labçe që të zënë rrugën e të ftojnë, nga mungesa e makinave të parkuara, teksa një vit më parë ishte tejet e vështirë të parakaloje e të gjeje një vend për të parkuar. Të gjithë flasin e flasin për krizën greke dhe evropiane, për qëndrimin e Merkelit, për paranë që “është trembur”, me përjashtim të qeverisë, e cila, e dehur nga vetvetja, përditë shpall vende të para në botë.
Duhej të ndodhte e kundërta. Individi, qoftë edhe i pasur, e ka të pamundur të përballet i vetëm me një të tillë krizë, aq më tepër kur ajo është globale. Aq më tepër për ne që jemi një vend i vogël, i varfër e nuk jemi në strukturat e BE-së, as si mysafirë. Qeveritë andaj janë shpikur, që t’i dalin të keqes përpara. Po a ka njeri që mund të thotë se cilat janë masat që ka marrë qeveria për t’u përballur me krizën? E pra, vetëm tek ne nuk ka antikrizë. Ne jetojmë, fatkeqësisht, me po atë situatë narkoze të propagandës qeveritare që gëlonte para se të shembeshin piramidat. Mjafton p.sh të shohësh qindra mijëra pallate të ndërtuara anekënd Shqipërisë që kanë mbetur, prej disa vitesh pa u shitur. Kanë mbetur miliarda investime të groposura. Shumica e pronarëve kanë rënë në kredi të zezë, apo në një sistem piramidal financiar ku punohet me borxhe, me klering: Të jap kaq tulla e llaç e më jep kaq hyrje, etj. Por, gjithsesi ky nuk është treg, ky është sistem allishverishi që prodhon pashmangshmërisht, krizë, kolaps, edhe pa qënë kriza globale, pasi kapitalet mbeten të varrosura, nj’ashtu si dikur tregtarët që mbanin floririn nëpër qypa ose nëpër mure me plitharë. Në këtë klimë bllokimi edhe vjelja e taksave dhe tatimeve do të bjerë, gjë që ka ndodhur. Por qeveria jonë nuk ka as sy e as veshë, e me sa duket nuk ndjen asnjë lloj përgjegjësie sepse nuk ka as mend për të kuptuar se ç’erëra po fryjnë jo vetëm nga Adriatiku, Joni e kufijtë tokësorë, po edhe nga brenda. Një popull që lufton për mbijetesë e që e kalon ditën edhe me një copë bukë e një domate është i duruar, por ama kur i vete thika në palcë nuk ka qeveri, polici e ushtri që e mban.
Vlora e di mirë këtë të vërtetë dhe sigurisht për fat të mirë, jo vetëm ajo!
(GSH/BalkanWeb)