One-Man-Show kryeministror

! - !

Once upon a time...
Nga Edmond Tupja

Këtë javë ndodhi e pabesueshmja: Edi Rama, ende kryeministër, na u shfaq krejt papritmas si një aktor në gjininë teatrore one-man-show. Ky togfjalësh na vjen nga anglishtja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe, si shumëkush e di, është një shfaqje variete që jep një artist apo artiste, duke lëvizur vetëm teksa monologon në një skenë teatri; këtë lloj shfaqjeje, na mëson zoti Internet, e parapëlqejnë shpesh humoristët dhe ata që rrëfejnë historira, përralla ose dokrra zbavitëse në përgjithësi. Deri para kësaj ngjarjeje, e dinim që kryeministri i Republikës sakate të Shqipërisë, pasi kishte dështuar si basketbollist në rininë e vet, ishte shfaqur si piktor (disa thonë “pikturist”), por pa suksesin që ëndërronte. Mirëpo, ja që, këtë javë, na u shfaq si aktor ose, më saktë, si cabotin, siç thonë francezët, pra, si aktor pa talent. Monologjet (me “gj”, aspak me ndonjë shkronjë tjetër) që shkoqiti para publikut të pranishëm, por njëkohësisht edhe në ekranet e vogla të tabletave dhe në ato të mëdha të televizorëve, monologjet e tij, pra, ishin zhgënjyese, por edhe lëvizjet i dukeshin disi të çakorduara, vështrimet i kishte të luhatshme, pavarësisht provave provave që, me shumë gjasë, duhej të kishte bërë paraprakisht. Fort e çuditshme kjo performancë kryeministrore. “Përse mendoni, kështu?” mund të më pyesë aksh lexuese apo lexues i rubrikës sime të përjavshme. Përgjigjja ime është e thjeshtë fare: Sepse po afron 25 prilli! Me gjithë përpjekjet e tij, pasiguria e kryeministrit kryekëput kryeneç nuk mund të kalonte pa u vë në re nga një sy i vëmendshëm, po aq sa dihatja e tij dëshpëruese nuk mund të kalonte pa u kapur nga një vesh i mprehtë.
Nga ana tjetër, kur ironizonte opozitën apo kur shpotiste Lulzim Bashën, Edi Rama, ende kryeqeveritar (me “t”, aspak me ndonjë shkronjë tjetër) të kujtonte adoleshentët e llastuar që e përdorin ironinë apo shpotinë pikërisht kur nuk kanë më argumente, me një fjalë ai nuk ishte bindës. Kurse për sa i takon interpretimit të tij mashkullist të fotografisë së Grida Dumës, ai më kujtoi fabulën “Dhelpra dhe rrushtë” të frëngut La Fontaine! Megjithatë, herë pas here dukej sikur hiqte dorë nga taktikat e tij cingëritëse duke e mbledhur veten dhe orvatej të futej nën lëkurën e Shefit apo të Bosit të pagabueshëm, për shembull kur nisi të fliste për “skuadrën” e vet a thua se ishte një trajner apo strateg sportiv ngadhënjimtar (Nostalgji ish-basketbollisti pa shkëlqim?) që i mobilizon lojtarët e vet me parullën “Të gjithë në sulm për të ardhmen e Shqipërisë!”. Për të ardhmen e Shqipërisë? Oh, kryeministri harroi, i gjori, i mjeri dhe i shkreti, se kur erdhi në pushtet më 2013, të ardhmen e kishte përpara, ashtu si e pati më 2017, por ajo e ardhme shumë shpejt u kthye në të tashme e më tej në të shkuar duke i siguruar popullit tonë të sfilitur e të velur me premtime boshe e ndjellje kallpe vetëm pasiguri jetese, papunësi, varfërim, korrupsion, narkotrafiqe, shpopullim të frikshëm të vendit për shkak të emigrimit të pandalshëm të të rinjve e të kuadrove të kualifikuara, etj. etj! Tani na u dashka, sipas kësaj logjike të mbrapshtë kryeministrore, të presim lumturinë e premtuar deri në vitin 2029 kur e ardhmja e popullit të shkalafitur shqiptar të jetë kthyer në një të tashme parajsore krejt të ngjashme me komunizmin që Enver Hoxha u premtonte masave punonjëse, pra klasës punëtore dhe fshatarësisë kooperativiste! Oh, çfarë mesianizmi pervers në mendjen e Edi Ramës ende kryetar (me “t”, aspak me ndonjë shkronjë tjetër) edhe partie, edhe qeverie!
Së fundi, duke mbajtur ndaj disa kuadrove të partisë së tij, si për shembull ndaj Ditmir Bushatit, një qëndrim prej satrapi, pra prej sundimtari me pushtet të pakufizuar, Edi Rama më solli në kujtesë romanin e Dostojevskit “Vëllezërit Karamazov”, i cili përmban një tregim me titull “Inkuizitori i Madh”; ky tregim, na mëson zoti Internet, përbën një nga moment e forta të romanit, sepse konsiderohet si një përsiatje filozofike e shkëlqyer në letërsinë moderne, përsiatje që merret me natyrën njerëzore, lirinë dhe manipulimin mendor e politik. Pikërisht gjatë logoresë së tij në one-man-show-n e lartpërmendur, Edi Rama, ende kryeministër tanimë nën zgjedhën e ankthshme të zgjedhjeve, u përpoq dëshpërimisht të vazhdonte manipulimin në fjalë të opinionit publik, manipulim tash e tutje i paracaktuar për të dështuar, sepse shqiptarët – sigurisht ata që duan e përpiqen të kuptojnë – janë duke u ndërgjegjësuar se mjaft ua shitën sapunin për djathë, hirrën për qumësht dhe sidomos mushtin (me apo pa “sh”?) për mjaltë.


Panorama.al
 

Konkursi Letërsisë

  • Jeta pa ty

    Votat: 7 50.0%
  • Simfonia e bisedave tona

    Votat: 2 14.3%
  • Bora e parë

    Votat: 3 21.4%
  • Larg

    Votat: 2 14.3%
Back
Top