Krimi i Organizuar po rrit kontrollin në ekonominë globale sidomos në ndërmarrje të brishta, aktiviteti i të cilave është dëmtuar rëndë nga Pandemia, Covid-19. Zyra e Kombeve të Bashkuara për Çështjet e Drogës dhe Krimit (UNDOC) publikoi këto ditë një kërkim të posaçëm se si Pandemia po krijon një ambient favorizues për organizatat e kriminale.Fenomeni është përhapur më shumë në vende në zhvillim, që kanë një histori të pasur në kultivimin dhe trafikimin e narkotikëve, të cilat kanë çuar edhe organizimin e krimit në nivele të larta.
Sipas raportit, kriza e COVID-19 i ka shtyrë shumë biznese në rrezik falimentimi –më shumë se 20% e firmave në mbarë botën kanë parë një zhvlerësim të aftësive të tyre për të paguar kreditë, sipas agjencisë së vlerësimit Moody’s. Sektorë si hotelet dhe bizneset e argëtimit (60%), transporti (35%) dhe tregtia me pakicë (30%) janë veçanërisht në rrezik.
Një nga pasojat më dramatike të krizës COVID-19 për kompanitë është mungesa e kapitalit, e shkaktuar nga mbyllja ose zvogëlimi i aktiviteteve të biznesit. Firma problematike që nuk mbështeten në mënyrë të duhur nga subvencionet publike ka më shumë të ngjarë të kërkojnë likuiditetin e organizatave kriminale, duke i vënë ata në rrezik më të madh të infiltrimit kriminal.
Duke gjykuar nga aktivitetet e tyre të kaluara, organizatat kriminale ka të ngjarë të përdorin likuiditetin e tyre për të mbështetur kompanitë problematike dhe më pas t’i përvetësojnë ato, përmes blerjes së aksioneve ose duke kapur drejtpërdrejt kontrollin e operacioneve, sipas disa burimeve, citon raporti.
Studimi i UNDOC ka gjetur raste ku disa organizata kriminale nisën shitjen e produkteve mjekësore të falsifikuara të tilla si maska, në Spanjë dhe Itali dhe përpjekje për të kontrabanduar pajisje mjekësore në Ukrainë, Iran dhe Azerbajxhan. Një kartel meksikan promovoi prodhimin e produkteve mjekësore të falsifikuara kundër COVID-19 dhe detyroi farmacitë për t’i shitur ato.
Një operacion ndërkombëtar i koordinuar nga INTERPOL kohët e fundit çoi në kapjen e më shumë se katër milion produkteve farmaceutike, potencialisht të rrezikshme, me vlerë më shumë se 14 milion dollarë amerikanë që u përkisnin 37 Organizatave Kriminale.
Studimi i UNDOC vë në dukje se rreziku i përvetësimit, infiltrimeve dhe qeverisjes kriminale janë të ndërthurura. Infiltrimi në ekonominë e ligjshme, shpërdorimi dhe keqpërdorimi i fondeve publike dhe qeverisja kriminale janë të ndërlidhura fort.
Kombet e Bashkuara këshillojnë qeveritë që të rrisin paketat e ndihmës ndaj biznesit, si një mjet për të mos i lënë ata të rrëshqasin nën administrimin e krimit.
Tendenca edhe në Shqipëri
Konkurrenca nga ekonomia kriminale është shndërruar në shqetësim serioz për bizneset e ligjshme në vend dhe me një histori të gjatë në treg. Më shumë prania e ekonomisë kriminale po ndjehet tek rritja e vlerës se pasurive të paluajtshme, tha Veli Kazazi, Kryetar i Dhomës së Tregtisë dhe industrisë në Elbasan.
Zoti Kazazi mendon se në Shqipëri organizatat kriminale i investojnë fondet e tyre në pasuri të paluajtshme, ndaj bizneset e ndershme e kanë gjithnjë e më të vështirë të zgjerohen ne kapanone dhe objekte për shkak se çmimi i tyre po bëhet gjithnjë e më shumë i papërballueshëm.
Sipas tij pandemia e ka favorizuar edhe më shumë terrenin, për shkak se financimet publike dhe nga bankat kanë rënë, ndaj likuiditet e gjeneruara nga krimi po plotësojnë këto boshllëqe.
Ndërsa, ekonomia ka nisur hapjen disa biznese do ta gjejnë veten borxh tek organizatat kriminale qoftë përmes shkëmbimit të parave, blerjen e aksioneve ose marrjes së kontrollit mbi pronësinë.
Pandemia po sjell edhe nevojën e diversifikimit te burimeve të organizatave kriminale, pasi të ardhurat nga shitja e drogës, trafikut të armës dhe njerëzve janë ulur nga kufizimet në lëvizje.
Një raport i mëparshëm i Interpol dhe Qendrës Europiane për Monitorimin e Drogave dhe varësisë ndaj Drogave (EMCDDA) gjeti se në Shqipëri, e cila është një prodhues i barit të kanabisit për tregjet europiane, kultivimi i kësaj bime pritet të rritet, teksa burimet për zbatimin e ligjit janë zhvendosur për të mundësuar zbatimin e masave kufizuese ndaj Covid-19.
Rritja e prodhimit duket e nxitur nga mungesa e këtij produkti në tregjet europiane pas pandemisë dhe rritjes së çmimit të kanabisit në shumë shtete, si Francë, Belgjikë, Norvegji, Spanjë etj. Ndërsa disponueshmëria e kanabisit (oferta) ka rënë në pjesën më të madhe të shteteve të Europës. E njëjta tendencë është konstatuar dhe për heroinën dhe kokainën.
Sektorët dhe industritë që janë më të ndjeshëm ndaj infiltrimit kriminal
Sektorët e ndjeshëm ndaj infiltrimit nga organizatat kriminale për shkak të problemeve financiare nga kriza COVID-19
Sektorët që janë tërheqës për organizatat kriminale, si rezultat i krizës COVID-19
- Transporti
- Turizëm
- Hotele, bare dhe restorante
- Organizimi i eventeve dhe udhëtimeve
- Arte, argëtim dhe rekreacion
- Shitje me pakicë (përjashtuar sektorin e ushqimit)
- Tregtia me shumicë e pajisjeve mjekësore
- Tregtia me shumicë e produkteve farmaceutike
- Logjistika dhe tregtia elektronike
- Tregtia me pakicë e ushqimit
- Shërbime pastrimi
- Shërbime funerali
lapsi.al
Last edited by a moderator: