O Zot, paskam ardhur në Mesjetë

Nga Auron Tare

Para disa ditësh udhëtoja me disa turistë britanikë për në Jug të Shqipërisë. Deri më atë çast kishim parë Durrachiumin Antik që i kanë mbetur vetëm kockat si dhe Apoloninë e famshme pa asnjë ciceron, por gjithsesi po ju flisja udhëtarëve të mi mbi kulturën e lashtë të trojeve shqiptare. Mirëpo mu ku ndahet rruga kryesore në të dalë të Fierit, ku i ngjitesh të përpjetës për në Ballsh, mikrobusi ynë ngadalësoi shpejtësinë për disa çaste dhe papritmas dëgjova një ulërimë. Një prej grave britanike po tregonte diçka me dorë dhe u thoshte të tjerëve “O Zot paskemi ardhur në Mesjetë”. Duke ndjekur shikimin e çmeritur të anglezes së shkretë dhe fytyrat e ngrira të bashkëudhëtarëve të saj pashë nga dritarja një skenë të llahtarshme. Një pamje e denjë për të kuptuar se thirrja e saj për mesjetën nuk paskësh qenë ekzagjerim i snobizmit britanik. Dy shqipo të zonës me kanatiere të lyer me gjak dhe shapka plastike në këmbë po qëllonin me një hanxhar te madh qafen e një lope të zezë, e cila ulërinte me të madhe teksa gjaku i shpërndahej çurk në xhade. Lopa, e cila mesa duket nuk kishte ngordhur akoma, përpëlitej nën goditjet e xhelatit shqiptar, i cili kishte përzgjedhur këtë vend publik mu në mes të rrugës kombëtare për të llahtarisur dynjanë. Thertorja e improvizuar në një lavazh makinash ishte vetëm disa metra nga rruga, dhe lopën që përpëlitej shqipot tanë krenarë e mbërthyen për këmbësh duke e varur në një çengel ku po ashtu ishte varur një dele, e cila duhej të ishte ekzekutuar para pak çastesh. Pasi e varën lopën ende të gjallë, njëri prej kasapëve la hanxharin, fshiu duart e gjakosura në pantallona dhe me një thike të gjatë i çau barkun lopës tejpërtej duke i nxjerrë rropullitë me duar. E gjitha kjo skenë publike në sytë e llahtarisur të udhëtarëve britanikë, të cilët duhet të kishin parë spotin e Ylli Pangos në CNN për Shqipërinë turistike. Lopës së varur në çengel i bëra disa foto dhe vazhduam rrugën në qetësi të plotë. Nuk kisha se çfarë të thoja dhe mendova se do ishte mire të mos flisja më për kulturën e lashtë të bashkëkombasve të mi, të cilët mezi po presin të bëhen anëtarë të denjë të komunitetit evropian.

Mirëpo kjo thertore allashqiptarçe që llahtaris dynjanë nuk është e vetmja. Pa hyrë në fshatin Fratar një tjetër shqipo ka ngritur gijotinën e tij. Nëse kalon atypari shikon që në një vathë të vogël ka mbledhur ca keca e dele dhe i ther mu në mes të rrugës, e cila kutërbon nga erë e gjakut të ndenjur. Pak më poshtë është një tjetër “rival” i tij, i cili po kështu me satër në dorë ka vite që ther buze xhadesë dhe askush nuk i thotë asnjë fjalë.

Për fat kasapët e Fratarit kishin mbaruar punë para se ne të kalonim duke na kursyer nga skena të tjera të llahtarshme të ekzekutimit publik.

Por nuk ishte e thënë që të shpëtonim përfundimisht nga kjo masakër e përgjakshme me kafshe të therura. Mu në hyrje të Sarandës turistike një tjetër shqipo kishte zënë pusinë me thikë në dorë. Krenar me këmbë të zbathura mes gjakut pozonte për kamerat se bashku me delet që sapo i kishte therur mu në buzë të rrugës.

Në këtë shkrim as që dua të merrem me këta fshatarë të gjorë, të cilët mundohen të sigurojnë jetën si të munden. Jam i bindur se shumëkush qe e lexon këtë shkrim e di mirë se do të ishte shumë naive që të kërkojmë apo të presim prej tyre që për hir të “fasadës sonë europiane” të mos na turpërojnë në syte e të huajve me këto skena barbarie. Por problemi qëndron gjetiu. Ne të gjithë presim nga disa institucione shtetërore si Ministria e Mjedisit apo Ministria e Kulturës dhe Turizmit, apo fundja edhe ajo e Bujqësisë, të cilat e kanë për detyre ligjore të mos lejojnë skena të tilla nëpër rrugët e Shqipërisë. Nuk po merrem fare me heshtjet e higjienës, pastërtisë e më the e të thashë. Por po flas për një prej gjërave më elementare për një qeveri që kërkon të bëjë turizëm, ndalimin e therjeve të kafshëve në rrugë publike. Ndalimi i kësaj praktike barbare dhe largimi nga rruga i kasapëve jam i sigurt që nuk do ndryshojë gjë në faktin se si shqipot do t’i therin kafshët e tyre, por të paktën të huajt për të cilët po shpenzojmë para publike për t’i bindur se jemi të qytetëruar nuk do shikojnë më skena të llahtarshme ku të ulërasin “O Zot, paskemi ardhur në Mesjetë”.

135.jpg


221.jpg


321.jpg


419.jpg



Burimi:G.Tema
 
Pe: O Zot, paskam ardhur në Mesjetë

Realitet shqiptar ky...
 

Konkursi Letërsisë

  • Jeta pa ty

    Votat: 7 46.7%
  • Simfonia e bisedave tona

    Votat: 2 13.3%
  • Bora e parë

    Votat: 3 20.0%
  • Larg

    Votat: 3 20.0%
Back
Top