Njihuni me doktor Angjelinin! Vjen nga Amerika dhe i kalon pushimet duke vizituar falas bashkëfshatarët e tij në Fishtë
Shembuj të tillë nuk janë fort të zakontë, në një vend ku më së shumti flitet për korrupsion, politikë dhe krim.
Por rasti i doktor Angjelin Shtjefnit, përbën padyshim jo vetëm një lajm të mirë, por ofron edhe shpresë.
Prej disa vitesh ai është larguar nga Shqipëria dhe jeton në SHBA, por Shqipërinë e viziton thuajsë çdo verë. Vjen për pushime, por në fakt shumicën e kohës ia kushton komunitetit të vendlindjes në Fishtë të Lezhës.
Tashmë e ka bërë traditë. Mjeku i përgjithshëm, çdo vit e shfrytëzon kohën e pushimeve në Shqipëri për të bërë vizita falas dhe analiza për banorët e zonës, si dhe të gjithë ata që kanë nevojë.
Dhe të njëjtën gjë ka bërë edhe këtë verë, ku ka takuar thuajse gjithë bashkëfshatarët. Ai jo vetëm që i viziton falas, por me vete sjell edhe medikamente specifike për rastet e veçanta, po krejtësisht falas.
Mjeku që lindi dhe u rrit 30 metra larg shtëpisë së At Gjergj Fishtës në Fishtë të Lezhës, u largua nga Shqipëria në vitin 1996. Ai tashmë është integruar në sistemin mjekësor të Amerikës, ku punon në një spital në Jacksonville, Florida.
Gjithsesi, ai një sy e mban vazhdimisht nga Shqipëria dhe bashkëfshatarët e tij./Gazeta SHQIP