NGA: IDRO SEFERI
Mbrëmjeve të 28 nëntorit, në vitet ’90 në Kosovë nëpërmjet RTSH shihnim ritransmetimet e “Nëntorit të dytë”. rrugëtimin e Ismail Qemalit. Lot shprese se ta kalojmë atë urën e Siratit dhe do të arrinim në parajsë, atje ku do të tregojmë se e dimë çfarë është atdheu. Shqiptarët nuk duhet të qajnë më pas çdo ritransmetimi, ne kemi nevojë për një film të ri
Kur bëhet festë është mirë. Nuk ka rëndësi se çfarë feste është, kujt i takon, është festë fetare e një feje në të cilën njeriu nuk beson, është festë etnike, traditë qytetare, festarët shkojnë në radhë e turma për të nderuar të zotin e festës, edhe kur nuk kanë arsye të tilla. Një shprehje popullore ballkanike thotë kur është festë le të jetë festë. E bukura e festave kombëtare, kolektive, të përgjithshme është se ato kanë data dhe kalojnë. Pas tyre mund të vihen fotografi, tash në "facebook", dikur mund të flitej në shtëpi, në rrethin e gjerë për veprimet e njërit apo tjetrit.
Ashtu si festë e përdhunshme kolektive, është festa e mohimit dhe e euforisë.
Shqiptarët në vitin 1912, kishin bërë një udhëtim të gjatë, një plan të thjeshtë, shpalljen e Shqipërisë shtet. Me pak kryengritës, Ismail Qemali, duke ikur dhe duke iu prerë rruga nga një cep në tjetrin, kishte shpallur gati në fund të Shqipërisë së atëhershme, shtetin sovran shqiptarë.
"Në Vlonë më 15/28 të Vjeshtës së Tretë 1328/1912
Pas fjalëvet që tha z. Kryetar Ismail Kemal beu, me të cilat tregoi rrezikun e math në të cilin ndodhet sot Shqipëria, të gjithë delegatët me një zâ venduan që Shqipëria më sot të bâhet në vehte, e lirë e e mosvarme", thuhej në procesverbalin e shpalljes së pavarësisë.
Në atë kohë, shqipja e atëhershme, mosvarme nuk e ka kuptuar si në kohët e tanishme, mosvarme atëherë nënkuptonte pavarësi. Por, interpretimi shqiptarë ka qenë i gabuar.
Pas shpalljes së pavarësisë, Shqipëria ka përjetuar fenomene qeverisje disa ditore, mujore, e deri te monarkia. Shqiptarët nuk arritën asnjëherë ta shihnin përfundimisht problemin e tyre serioz dhe atë që nga Lidhja e Prizrenit, e deri tani. Nëse e shikoni në datën e shpalljes së pavarësisë unike, kishte dy kalendar, një me kalendarin e ri dhe një tjetër me atë islam. Shqiptarët deri në këtë kohë nuk arrinin të pajtoheshin se çfarë shteti duan dhe realisht ky ka qenë edhe problemi i momentit historik dhe lëshimi i tij.
Shqiptarët në rilindjen e tyre, ata pak intelektual të kohës, janë çjerrë duke theksuar po të njëjtat probleme që ne i themi ndër shqiptarët në këto kohë. Pas rilindësve shqiptarë, intelektualët shqiptarë dhe njerëzit që vërtetë e kanë dashur atdheun pa shumë pritje përfituese, kanë vdekur dhe janë shuar.
Kombi është ndarë në shumë pjesë, me shqiptarët në Shqipëri që u vetmosvaren (izoluan) dhe nuk dinin gjë më për shqiptarët e tjerë, të cilët nga ana tjetër kishin një shpresë se ata përtej ferrit të tyre në ferrin e atdheut jetonin më mirë.
Shqiptarëve nuk mund t’ua mohoj askush vuajtjet e tyre, asnjë shtet, asnjë individ.
Por, festa ka devalvuar ashtu sikurse edhe kuptimi i shtetit shqiptarë. Shqipëria është shtet që e mohon historinë e saj, vuajtjet e saj, të kaluarën dhe të tanishmen e saj. Shqipëria, gënjen para gjithë Evropës se ka fituar statusin e kandidatit për integrim, Shqipëria është vend ku liderët e saj janë më primitiv se liderët e njëqind vjetëve më parë. Punojnë për nipat, mendojnë si gjyshërit.
Shqipëria është përfundimisht vendi më banal në Ballkanin Perëndimor. Kjo është një e vërtetë që mundohet të fshihet me jashtëqitje nacionalizmash, të mbulohet me flamuj për të cilin këta njerëz nuk kanë të drejtë të flasin.
Shqipëria del ende në mediat e botës për gjakmarrjet, virgjëreshat e përbetuara dhe bunkerët. Tash edhe për një njeri me mustaqe falsë që improvizon shpalljen e pavarësisë.
Shqipëria nuk është shtet i sovranit, por shtet levantinëve të Faik Konicës, i burokratëve, robotëve që janë sahanlëpirës të pushtetit dhe pronarëve të saj. Nacionalizmi është i rrejshëm, është mashtrim. Nacionalizmi shqiptar, e sidomos ai i Shqipërisë është i vonuar, i verbër dhe i pakuptimtë. اfarë kuptimi mund të ketë festa nëse Shqipëria qenka në të njëjtin nivel zhvillimor dhe rëndësi rajonale sa kur e kur është ngritur flamuri në Vlorë?
Gjysmë shekulli diktaturë nuk janë kontrolluar nga armiqtë fiktiv, por nga shqiptarët dhe tani ky është vendi i improvizimeve të vazhdueshme, nuk është sistem i vazhdimësisë, por pronësi politike e grupeve të errëta partiake, të cilat mundohen ta tregojnë Shqipërinë si dyqan sheqerkash. Një vend ku njerëzit shkojnë me urdhra partie në punë, ku individi nuk ekziston, ku servilizmi ka gradat e gjeneralkolonelit.
Së fundmi, në Shqipëri kanë mbirë disa artikulime të çjerrura dhe të pakuptimta nacionaliste që nuk kanë asnjë lidhje me atdhedashurinë. Një vend ku derisa festohet, në lajmet anësore në media mund të shihen vrasje brutale dhe hedhje fëmijësh nga ndërtesat e spitaleve. Shqipëria si vend i mizorive. Kështu festojnë vendet e Amerikës Latine dhe vendet e dorës së hekurt, një përvjetorë pa përballje me vetveten në stilin e Hugo Chavez.
Shqiptarët e tjerë, në të drejtën për vetëvendosje i gëzohen kësaj dite më shpresën që një ditë do të bëhet një shtet etnik, ata që janë ende të lënë më larg se Kosova në statusin politik, i gëzohen edhe më shumë. Por, në çfarëdo mënyrë të përfundojnë proceset politike, shqiptarët duhet ta kuptojnë se nacionalizmi nuk është metodë për një jetë më të mirë, por një zgavër e lavrave sunduese dhe diktatorëve në embrion, të cilët në mënyrë dinjitoze blejnë çdo shqisë të qytetarit të thjesht. ثshtë tmerr ta dish që shumë shqiptarë, kudo që ata janë, e ndjejnë një mllef të thellë për gjendjen e tyre, një pjesë me detyrim nuk thonë asgjë, e frikë, me ruajtje nga pasojat e mundshme, ndërsa të tjerët e shohin në përmasa amorfe si një festë që lidhet me identitetin e tyre dhe qenien etnike, por jo edhe me shtetin dhe sistemet.
Shqiptaria ka nevojë për njerëz që shohin thellësisht dhe e kuptojnë realitetin. Shqiptarët përdorin fjalë si "nacionalizëm simpatik" ose "nacionalizëm i tepruar", një formë amnistie ndaj harbimeve skizofrene.
E vërteta është se shqiptarët, në këtë kohë nuk mund ti pengoj askush në rajon për t’u zhvilluar dhe për të qenë atje ku do të duhej. Shqiptarët nuk janë më pakicë në asnjë vend ku jetojnë, shqiptarët nuk janë nën mëshirë, nëse duan ta kuptojnë. Shqiptarët janë në sulm të vetvetes, dhe i festojnë njëqind vjet vetmi.
Ky është titulli i librit më të famshëm ndër vite të Gabriel Garcia Markez. Ky rrëfim për kërkimin e një vendi në një shoqëri paranormale më jep shpresë. Me kujton tash si sinonim dhe për asgjë tjetër Shqipërinë dhe shqiptarët. Festat për ne janë gara, ato hahen e pihen dhe kalojnë.
Në fillim të viteve ’90, kur kam qenë i vogël, në Kosovë shihnim fshehurazi Radio Televizionin Shqiptar. Në atë kohë, ndoshta organizonim një orë letrare në shkollë duke u fshehur prej policisë serbe dhe flisnim për flamurin e përgjakur që si fëmijë. Premtonim se një ditë do të vijë ajo dita jonë dhe ata do ta shohin. Në mbrëmje në shtëpi si zakonisht RTSH ritransmetonte disa herë „Nëntorin e dytë“, rrugëtimin e Ismail Qemalit. Në ato rrethana ne e dinim se një ditë do të jemi të lirë nga fashizmi i ri i lindur në Jugosllavi dhe do ta arrinim identitetin me të cilin ishim rritur. Pas filmit qanim nga krenaria dhe shpresa se do ta kalojmë atë urën e Siratit dhe do të arrinim në parajsë, atje ku do të tregojmë se e dimë çfarë është atdheu.
Shqiptarët nuk duhet të qajnë më pas çdo ritransmetimi, ne kemi nevojë për një film të ri.
Ky tekst është shkruan në kuadër te projektit “100 vjet vetëvarësi”, të Tirana Art Lab, qendrës për art bashkëkohor....
100vjetvetevaresi.wordpress.com