Një tjetër kampion bote që “tradhton” Shqipërinë!?

ReNdEx

Interist Forever
Staf në FV.AL
Mod
46723.jpg


TIRANE - Lajmi mori dhenë këto ditë nëpër të gjitha mediat tona, të shkruara dhe elektronike, se një shqiptar doli kampion bote në mundje, por jo për vendin e tij,por për Bullgarinë!? Kuptohet, edhe pse pak absurd si lajm, brenda tij, gjithkush nga ne shqiptarët u ndjemë sa krenarë, por po aq edhe të zhgënjyer nga ky fakt! Sepse, bëhet fjalë për një djalosh shkodran tepër të talentuar, Elis Guri, i cili deri dje ngrinte flamurin shqiptar me pjesëmarrjen e tij nëpër aktivitetet ndërkombëtare kur përfaqësonte vendin e tij, ndërsa sot bëhet kampion bote për një vend tjetër!? ثshtë një përsëritje e njëjtë e historisë, që i pat ndodhur një tjetër kampioni bote si Pirro Dhima që e pat fituar këtë titull në peshëngritje jo për Shqipërinë, por për Greqinë, duke fituar madje edhe tituj olimpik për vendin fqinjë e duke thyer edhe rekorde botërore për te!? Pra, nuk është një gjë që ndodh për herë të parë me një vend si ky i yni, që sikur të ndodhej në një zonë të zhytur mes xhunglës afrikane dhe jo në mes të Europës, nuk di të ambientohet në këtë botë të qytetëruar, por tërhiqet zvarrë në kërkim të një modeli primitiv!?
E kemi ende të freskët ngjarjen me Elis Gurin, mundësin që pat nisur të shkëlqente me flamurin shqiptar në krah, sa herë përfaqësonte vendin e tij, siç pat bërë edhe në Lojërat e fundit Olimpike në Pekin 2008. I lindur nga një familje me tradita në këtë sport, ku i ati-Iljaz Guri, e pat nderuar Shqipërinë dekada më parë, edhe Elisi dukej në rrugë të mbarë tek po mbulohej me tituj dhe medalje nëpër aktivitetet e ndryshme kur përfaqësonte vendin e tij. Por, nuk ishte e thënë që të vazhdonte kështu, gjithnjë i suksesshëm për Shqipërinë, sepse, edhe në këtë rast, ashtu si në atë të kampionit absolut të botës, Pirro Dhima, pengesat do të ishin të tilla që të mos ja jepnin mundësitë për të lulëzuar për vendin e tij, por për të tjerët. ثshtë një dukuri e shëmtuar kjo që po vihet re tek ne në këto vite, që në vend të vënies para përgjegjësisë të disa burokratëve interesaxhinjë dhe aspak atdhetarë, që paguhen nga shteti, përkundrazi po bëhet rrugë për braktisjen e idealeve dhe “tradhtinë” ndaj vendit të disa prej më të shquarve të elitës sportive të Shqipërisë.
Sa herë kemi dëgjuar nga këta sportistë të rinjtë të shquar, që premtojnë për të ardhmen dhe që i kemi me kokrra, që të kenë një përkrahje më të madhe e t’ju kushtohet më shumë përkujdesje nga institucionet drejtuese të sportit dhe më gjerë, ndërkohë që të gjitha “lutjet” e tyre kanë rënë në vesh të shurdhët!? Besoj ju kujtohet kur Elis Guri sapo qe kthyer nga Lojërat Olimpike Pekin 2008 dhe se si u braktis nga organizmat e shtetit në përgatitjet që po bënte për pjesëmarrjen e tij nëpër aktivitetet e ardhshme ndërkombëtare ku ai pretendonte për të nderuar Shqipërinë! Dhe, krejt në mënyrë private, me një detyrim qytetar dhe patriotik ndaj një bashkëqytetari, duke parë pasionin dhe talentin e jashtëzakonshëm të Elis Gurit, një njeri si Esat Ademi i njohur për përkushtimin ndaj sportit, edhe pse drejtues i një federate tjetër, asaj të peshëngritjes, e sponsorizoi me financat e tij mundësin e ri shkodran duke i vënë në dispozicion specialistë nga më të mirët e botës nëpër palestrat e një vendi si Bullgaria, me tradita të shkëlqyera në këtë sport. Por, edhe në këtë rast, sikur të bëhej fjalë për një jetim dhe jo për një kampion të ardhshëm bote, që Shqipëria ende nuk ja ka ndjerë shijen, indiferenca ndaj Elis Gurit mbërriti deri në kufijtë e absurdit!? Në këtë klimë harrese prej vendit të tij dhe i joshur nga kushtet e një vendi që i premtonte të ardhme më të sigurt, Elis Guri bëri një zgjedhje të detyruar, duke synuar të bëhej kampion bote për Bullgarinë.
Tashmë është bërë fakt i kryer: Elis Guri ngjitet në podiumin e fitores së titullit kampion i botës, nën valëvitjen e flamurit bullgar dhe nën shoqërinë e tingujve të himnit kombëtar të një vendi që diti t’i japë këtij sportisti më shumë se sa Shqipëria! Nuk e di tani, në se edhe këtë talent të shquar të sportit tonë, do të mund ta etiketojmë si “tradhtar”, ashtu siç kemi bërë deri më sot edhe me Pirro Dhimën, vetëm e vetëm se këta djem të harruar e të nënvleftësuar prej vendit të tyre, zgjodhën të ngjiten në Olimp me një flamur tjetër?!
Shembulli i fundit i mundësit Elis Guri, i njohur deri dje si e ardhmja e ndritur e sportit tonë, por sot kampion bote për një vend tjetër si Bullgaria, duhet të jetë një mësim tjetër për ne shqiptarët, që ende nuk po kuptojmë se si t’i ruajmë dhe t’i përkrahim talentet, një pasuri e jashtëzakonshme për forcimin e identitetit tonë kombëtar!...
(GSH/BalkanWeb)
 

Konkursi Letërsisë

  • Jeta pa ty

    Votat: 7 50.0%
  • Simfonia e bisedave tona

    Votat: 2 14.3%
  • Bora e parë

    Votat: 3 21.4%
  • Larg

    Votat: 2 14.3%
Back
Top