Një gjakovar zbuloi makinën për dredhjen e penjve

legjenda

MAQEDONIA E VERIUT
Njëra prej qendrave kryesore të zejeve të vjetra në Kosovë, pa fije dyshimi, është edhe Gjakova. Këtu, tradicionalisht janë ushtruar numër i madh i zejeve, të cilat vazhdojnë të ushtrohen edhe pse, për disa prej tyre, ka rënë dukshëm interesimi.
Zejtarët vazhdojnë t’i ushtrojnë ato zeje me dëshirë që të ruhen traditat shekullore, por edhe me shpresë se atyre do t’u rikthehet nami që e kanë pasur dikur,shkruan Gazeta Kosova Sot.


Një ndër zejet e vjetra është edhe ajo e dredhjes së penjve të arit, penj me të cilët punohen veshjet solemne të grave, si dallamat, jelekët me ari, mitanët kadife...Sado që interesimi për këto lloj veshjeje ka rënë dukshëm, nuk mund të thuhet se ai nuk ekziston fare dhe deri sa të ekzistojë, atëherë nuk mund të shuhet as zeja e dredhjes se penjve të arit.

Idenë e kishte në kokë, por fillimisht rezultati konkret mungonte

Procedura e dredhjes së penjve të arit, zeje kjo me të cilën gjakovarët merren tash e qindra vite, është mjaft e komplikuar dhe kërkon kushte të veçanta. Pikë së pari nevojitët një hapësirë (oborr) e madhe me gjatësi prej së paku 80 metra dhe kërkon kushte të mira atmosferike pasi puna kryhet në ambient të hapur. Duke i parë vështirësitë që sjell ushtrimi tradicional i kësaj zeje, Ismet Xharra nga Gjakova, familja e të cilit tash e gati 50 vjet merret me dredhjen e penjve të arit, vazhdimisht mendohej se si mund të thjeshtohet tërë ky proces? Si mund të arrihet që të mos ketë nevojë për një hapësirë aq të madhe dhe të mos jenë të varur nga kushtet atmosferike. Vetëm të mendosh nuk është e mjaftueshme që të realizosh. Duhet të veprosh për të pasur gjasa për ta arritur qëllimin. Këtë e kishte të qartë Ismeti, i cili, qysh para rreth 30 vitesh kishte bërë përpjekjet e para që të konstruktojë një makinë, e cila do të zëvendësonte këtë procedurë jo të lehtë të dredhjes së penjve të arit.“E kisha në kokë një ide. Fillova të punoj, angazhimi nuk më mungoi, por më mungoi finalizimi, më mungoi rezultati konkret. Ajo që bëja nuk ishte ajo që dëshiroja! Në raste të tilla pason dëshpërimi dhe “dorëzimi”, mirëpo unë nuk u dorëzova. Që nga ajo kohë, asnjëherë nuk më është hequr nga mendja ideja dhe dëshira që të zbuloj një makinë që do t’ua lehtësonte shumë punën endësve të penjve të arit”, rrëfente Ismeti këto ditë për gazetën, duke sqaruar se kishte provuar edhe disa herë, por që gjithnjë i dilte një pengesë që e pengonte ta finalizojë idenë.

Xixa në momentet e hamendjeve më të mëdha

Ismeti e pranon se ka pasur momente që është hamendur a të heqë dorë nga tërë kjo “aventurë” dhe të dorëzohet, por megjithatë këtë kurrë nuk e bëri. “Vullneti, dëshira dhe dashuria për jetësimin e kësaj ideje ishin më të forta se dëshpërimi për disa dështime në këtë rrugë dhe hamendja. Edhe atëherë kur kisha më së shumti pengesa paraqitej ndonjë xixë që më nxiste të besoj se jam afër realizimit të qëllimit që ia kisha vënë vetes. Vazhdimisht diçka më shtynte që të vazhdoj, që të provoj edhe një herë, që të eliminoj pengesat një nga një, që të bëj përmirësime në mënyrë që të arrij deri te ajo makinë që e kisha “në kokë”, por nuk ia dilja ta bëjë në vepër”, rrëfen Ismet Xharra për këtë periudhë që zgjati gati 3 dekada. Jorastësisht po e përkufizojmë periudhën, pasi Ismeti, më në fund, ia ka dalë ta bëjë atë që e kishte në kokë, atë që e ëndërronte për vite e dekada. Ai tashmë e ka konstruktuar makinën, e cila mund të bëjë dredhjen e penjve të arit, edhe nëse Ismeti i fut duart në xhepa! Kësaj makine nuk i nevojitet hapësirë më e madhe se dy metra katrorë dhe puna e saj fare nuk është e varur nga kushtet atmosferike. “Po, më në fund, ëndrra m’u bë realitet. E përjetësove idenë që e kisha në kokë tash e 30 vite më parë dhe kjo më bën të lumtur” fliste me mburrje të pafshehur Ismeti, duke na dërguar në hapësirën ku e kishte vendosur këtë makinë.

Zbulimin dëshiron ta licencojë në Amerikë

“Ja kjo është makina për të cilën ju fola. Siç po e shihni edhe vetë, kjo makinë, e cila nuk zë as dy metra katrorë, mundëson dredhjen e 21 fijeve të penjve të arit në një fije unike. Numri i fijeve mund të jetë edhe më i madh, sa të dëshirojmë vetë, dhe për këtë duhet vetëm një modifikim fare i vogël i kësaj që shihni këtu”, na shpjegonte Ismeti, duke na demonstruar konkretisht se si punon kjo makinë, për të cilën zbuluesi i saj këmbëngul se është e vetmja e këtij lloji në botë. Në një vend çfarë është Kosova, ku të drejtat autoriale nuk janë sa duhet dhe si duhet të mbrojtura, Ismeti është i vetëdijshëm se dikush mbase do të mundte t’ia “vjedhë” idenë, në ç’mënyrë tërë mundi i tij do të shkonte huq. “Unë synoj që ta licencoj dhe ta patentoj këtë zbulim. Me dëshirë këtë do ta bëja në Kosovë, por sinqerisht me ju thënë, në institucionet tona nuk kam edhe aq shumë besim, sepse frikohem se dikush mund ta keqpërdor, ose thënë troç, të ma vjedh idenë. Nëse ka ndonjë kompani që është e interesuar që të bëjë prodhimin e këtyre makinave, unë jam i gatshëm të bisedoj dhe të arrijmë marrëveshje. Në të kundërtën, ndoshta do të jem i detyruar që licencimin ta bëj në Amerikë, ku një i afërm i imi që jeton atje tashmë i ka ndërmarrë hapat e parë dhe më ka premtuar se ai do ta kryejë këtë punë atje. Derisa të mos e licencoj, detalet e kësaj makine jam duke i ruajtur në fshehtësi, sepse shpresoj të më kuptoni, nuk dua të fsheh, jam i interesuar që këtë punë time gati 30-vjeçare ta materializoj në masën që ajo e meriton”, ka thënë për “Kosova Sot” Ismet Xharra, gjakovari që inovacionet i ka opsesion
foto.php
http://gazetainfopress.com
 
Titulli: Një gjakovar zbuloi makinën për dredhjen e penjve

Edhe ky eshte lajm eeee.....congrats
 
Titulli: Një gjakovar zbuloi makinën për dredhjen e penjve

Urime edhe suksese te metejshme ne fushen e zbulimeve!
 

Konkursi Letërsisë

  • Jeta pa ty

    Votat: 7 50.0%
  • Simfonia e bisedave tona

    Votat: 2 14.3%
  • Bora e parë

    Votat: 3 21.4%
  • Larg

    Votat: 2 14.3%
Back
Top