Një fitore e thellë kundër medias

NeVertiti

~Kohe & Stine~
Staf në FV.AL
Themelues
1731231040020.png

Kimberley A. Strassel

Akuzat po fluturojnë nga të katër anët, ndërsa forcat e Barack Obamës dhe Joe Bidenit kanë hyrë në luftë, për të gjetur se kush është më shumë fajtor për humbjen poshtëruese të demokratëve të martën. Për sa kohë që e majta po tregon me gisht, mirë është të drejtojë një të tillë edhe ndaj grupit që luajti rolin më të madh në humbjen e saj këto zgjedhje: mediat amerikane.

Kjo nuk është urtësi konvencionale, e cila thotë se animi i qartë i shtypit për kandidatët demokratë është një kontribut në natyrë për fushatën. Dhe pa dyshim, sulmet e pandërprera të medias ndaj Donald Trump dhe republikanëve ndihmuan në grumbullimin e disa votuesve të pavendosur.

Megjithatë, shtytja në favor të Kamala Harris & Co erdhi me një kosto shumë më të madhe: Një rrëfim plot fantazi u mundësoi demokratëve të jetonin në një botë të shkëputur nga humori dhe shqetësimet e vendit.

Ndër më të dëmshmet e këtyre fantazive ishte garancia katërvjeçare e shtypit se Joe Biden ishte i kthjellët si një qiell pa re. Edhe provat filmike në qershor, që tregonin një president të hutuar që endej pa ndonjë qëllim në Grupin e Shtatëses, u përballën me pretendimet se pamjet ishin “të modifikuara”, “me mungesë konteksti”, “mashtruese”. Vetëm kur debati Trump-Biden e bëri të pamohueshme gjendjen e presidentit Biden, media u lëshua në sulme.

Më pas, u kthye menjëherë në riformulimin e zonjës Harris – një humbëse e zgjedhjeve presidenciale, e kthyer në zëvendëspresidente jopopullore – si një politikane gjeniale, dhe shpëtimtare e Partisë Demokratike. Si shkoi, e pamë!

Në një botë me një shtyp kompetent, gjendja e zotit Biden do të kishte qenë lajm i faqes së parë, në kohë për demokratët që të përballeshin me realitetin e pakëndshëm (por të menaxhueshëm) të ndryshimit të domosdoshëm që u duhej. Zgjedhjet primare do të kishin nxjerrë një kandidat të testuar, me gjasë një më pak të rënduar nga Bideni dhe bilanci i tij. Ndërsa këshilltari i Harris (dhe veterani i Obamës) David Plouffe ankohet se Ekipi Biden krijoi një “gropë” shumë “të thellë” për zëvendësen e tij, mos harroni industrinë, detyra e së cilës është të nxjerrë zbuluar dhe demaskojë trillimet politike. Por në vend të kësaj, media shkroi romanin “Joe Is Fine” (Joe është në rregull).

Sigurisht që demokratët janë të shokuar që humbën. Në një botë me një shtyp funksional, politikani që përpiqet të bëjë limonadë me inflacionin, krimin apo kaosin kufitar, merr një shuplakë si njeri pa lidhje me realitetin. Në botën Biden-Harris, shtypi e paraqiti versionin e tyre si ungjill. Katër vite, titujt këmbëngulën që amerikanët jetojnë në një nga “ekonomitë më të forta”. Shkalla e krimit po binte. Guvernatorët e shteteve të kuqe u angazhuan me “marifete” për të zmadhuar problemin e emigrantëve. Problemet më të mëdha me të cilat përballet vendi ishin klima, racizmi sistematik, aborti dhe të drejtat e transgjinorëve.

Fantazitë u mbajtën gjallë deri në zgjedhje. Edhe pse republikanët vunë në dukje rritjen e numrave të votuesve të rregjistruar, votimet e hershme të paprecedenta dhe ndryshimet e dukshme demografike, titujt këmbëngulnin se Kamala do të pretendonte fitoren mbi një valë grash në periferi që pëlqejnë abortin dhe Liz Cheneyn, portorikanët që dënojnë humoristët dhe djemtë e bardhë, të i impresionuar nga kapela e Tim Walz. Nuk është çudi që e marta ishte një surprizë. Amerika që votoi për zotin Trump nuk është shfaqur asnjëherë në këto media.

Demokratët tani përballen me një zgjedhje. Në njërën anë janë “pleqtë” e partisë, që po e pranojnë publikisht këtë humbje si një qortim të ashpër të votuesve ndaj politikave progresive. Ata po pranojnë se legjislacioni ishte një gabim, se partia është kulturalisht jashtë kontaktit me njerëzit. Ata shqetësohen për një riorganizim politik në rritje që kërcënon të ardhmen e partisë. Fakti që po i dëgjojmë këto zëra është një përmirësim krahasuar me tetë vitet e fundit.

Megjithatë, në anën tjetër janë arkitektët përparimtarë të kësaj rrëmuje, që tashmë po e arsyetojnë natën e disfatës, si një funksion të racizmit, seksizmit dhe dashurisë së supozuar të Amerikës me “fashizmin”.

Ato e arsyetojnë humbjen deri në gabime “taktike” – dështimi për t’i gjykuar votuesit pro-palestinezë, shpërndarja e gabuar e atyre që trokasin derë më derë, koha e gabuar në blerjet e reklamave.

Partisë i duhet thjesht një “mesazh” më i mirë i “arritjeve të saj historike”.

Nuk është për t’u habitur, media tashmë po ecën me këtë rrëfim të fundit, duke i ofruar sërish partisë një alternativë qetësuese ndaj realitetit të qartë, të dështimit të saj ideologjik. A do të qetësohen sërish demokratët? Nëse ata vërtet duan të rilidhen me votuesit, në një moment do t’u duhet të shkëputen nga fantazia.

Vetë media është vënë në provë të fortë këtë cikël zgjedhor, e shtyrë mënjanë nga podkasterët dhe influencuesit, të cilëve votuesit tani u besojnë më shumë, sepse ofrojnë realitet. Gati 50 milionë njerëz e kanë dëgjuar intervistën e Joe Rogan me zotin Trump, pasi ajo jepte një vlerësim më të saktë të pozicioneve të kandidatit të Partisë Republikane dhe shqetësimeve të vendit, sesa artikujt “lajme” për qëllimet “autoritare”, për të shkatërruar klimën, abortin, të drejtat, demokracinë.

Themeluesit e shtetit amerikan i dhanë shtypit nderin e përfshirjes në Amendamentin e Parë, duke pranuar rolin jetësor që luan në mbajtjen e politikës në shinat e ndershmërisë. Industria ka për qëllim të bëjë rojë mbi qeverinë – në të dyja anët e spektrit politik – në interes të njerëzve. Kjo punë është thelbësore – jo vetëm për transparencë, por për t’u siguruar politikanëve kontrolle të vazhdueshme, se si politikat e tyre i përshtaten kombit.

Kur dështon në këtë rol të rojtarit, vuan kombi, por po ashtu vuan edhe partia që mund të përjetojë mashtrimin. / The Wall Street Journal – Bota.al
 
Duhet pare sesa eshte i vertete Trump kte here.. Kam goxha dyshime kte here.!
 
Back
Top