Nisin procedurat e ekstradimit të Radovan Karaxhiçit

loyalx

Muslim
Nis beteja për ekstradimin e Radovan Karaxhiçit, të akuzuarit për gjenocid e krime lufte në Bosnjë, i cili u arrestua në Beograd. Qeveria e Beogradit është e vendosur ta ekstradojë Karaxhiçin drejt Hagës, por sipas ligjit serb, Karaxhiç ka tri ditë kohë të apelojë kundër vendimit për ekstradim. Një avokat i Karaxhiçit është i vendosur që të luftojë që klienti i tij të mos përfundojë në Hagë. Avokati i Karaxhiçit, Svetozar Vujaçiç, ka nisur punën për apelimin kundër vendimit të Gjykatës së Beogradit për ekstradim. Afati i fundit për avokatin e Karaxhiçit është dita e premte. Ai tha se Karaxhiç aktualisht ndihet në gjendje të mirë dhe është i qetë. Sipas ligjit serb, për bashkëpunimin me Gjykatën e Hagës duhet të kalohen tri faza para se Karaxhiçi të përfundojë në Hagë. Pas vendimit të gjykatës për ekstradim, duhet që Karaxhiçit t'i jepet një mundësi për të apeluar dhe pas kësaj një komitet special për krime lufte duhet të vendosë mbi këtë apel. Gjithë procesi mund të zgjasë nga 3 deri në 9 ditë. Por, Gjykata e Hagës kërkon një ekstradim të shpejtë dhe pa vonesa të Radovan Karaxhiçit. Ministri i Jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremiç, tha se me arrestimin e Karaxhiçit, Serbia tregoi se është e angazhuar për paqe dhe për t'u integruar në BE. Ndryshe mendon një pakicë në Serbi, që edhe në orët e vona të natës është përleshur me policinë. Gjithsesi numri i protestuesve ka qenë i vogël.
Reagimet pas arrestimit
Në gjithë botën kanë vazhduar reagimet për kapjen e Radovan Karaxhiçit. SHBA dhe Bashkimi Evropian i kanë kërkuar Serbisë që të ndalojë sa më shpejt që të jetë e mundur komandantin e luftës në Bosnjë, Ratko Mlladiç. Ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Medlin Ollbrajt, e ka quajtur arrestimin e Karaxhiçit një hap pozitiv, por ajo tha se kjo është vetëm gjysma e historisë, pasi duhet të kapet patjetër Ratko Mlladiç, pasi Karaxhiçi ishte truri i operacionit, ndërsa Mlladiç ishte gjenerali që i kreu direkt vrasjet në Sebrenicë, pra siç është shprehur Ollbrajt në mënyrë figurative, duhet gjetur këpuca tjetër. Por edhe liderët e BE-së kanë përshëndetur arrestimin e Karaxhiçit, duke premtuar se tashmë do hapen dyert për Serbinë.
Karaxhiç
Radovan Karaxhiç do të mbrohet vetë në Gjykatën e Hagës dhe është i bindur se do të dalë i pafajshëm nga të gjitha akuzat që rëndojnë mbi të. Kështu deklaruan sot të afërm dhe ndihmës të të dyshuarit për krime lufte, Radovan Karaxhiç. Lideri i serbëve të Bosnjës në luftën e viteve 1992-1995 në Bosnje, i cili u arrestua pas 12 vitesh arrati, aktualisht ndodhet në burgun e Beogradit duke pritur ekstradimin e tij, i cili mesa duket do të ndodhë këtë fundjavë. Svetozar Vujaçiç, avokati i Karaxhiçit, thotë se klienti i tij po mbron veten duke heshtur përpara hetuesve.
"Ai do të ketë një grup ligjor në Serbi, por do të mbrojë veten (pa një avokat) gjatë procesit të tij gjyqësor në Hagë", deklaroi Vujaçiç për agjencinë "Reuters", ndërsa shtoi se, "Karaxhiç është i bindur se me ndihmën e Zotit do të fitojë".

Jeta e Karaxhiç si profesor dhe si mjek

I kërkuari për krime lufte, Radovan Karaxhiç, i cili u arrestua pas 12 vitesh kërkimesh në Serbi, jetonte në Beograd, merrej me mjekësi alternative dhe jepte leksione të ndryshme në komunitet si profesori, Dragan Dabiç. Madje doktori kishte dhe faqen e vet të internetit "www.dragandabic.com", në të cilën ai paraqiste gjithë punën dhe aktivitetet e tij. Veç identitetit të rremë, doktor Dabiçi paraqitet në këtë faqe interneti si i lindur në një fshat të vogël të Serbisë afër Krajlevos dhe jo në Mal të Zi. Që në moshë të vogël ai thotë se ka eksploruar malet, pyjet e afërta dhe ka gjetur bimë mjekësore, të cilat i ka rritur më pas vetë. Në adoleshencë ai u zhvendos në Beograd, pastaj studioi në Moskë, ku u diplomua si doktor shkencash në psikiatri në universitetin "Lomonosov". Pas Rusisë, doktor Dabiç ka udhëtuar në Indi, Japoni, pastaj në Kinë, ku u specializua për mjekësinë alternative, me fokus të veçantë në kontrollin e mendjes dhe trupit, meditimit, në jogë, pastrimin shpirtëror, por edhe për bimët kineze. Më 1990, Dabiç u kthye në atdhe dhe që atëherë u mor me mjekësinë alternative, bioenergjinë, dietën makrobiotike, në gjithë Ballkanin dhe ishte frekuentues i rregullt i revistave për shëndetin, ku dërgonte dhe shkrime, por shpesh është shfaqur edhe në televizion në mjaft forume publike e seminare.

TE DHENA

Ish-udhëheqësi i serbëve të Bosnjës, i cili është akuzuar nga Gjykata e Hagës, për gjenocid, krime kundër njerëzimit, është 63 vjeç.

Në Masakrën e Sebrenicës u vranë 8 mijë myslimanë, burra dhe djem, me urdhrin e Radovan Karaxhiçit dhe Ratko Mlladiçit.

Që prej kohës kur shpall në kërkim nga Tribunali i Hagës, Radovan Karaxhiç ka jetuar i fshehur në ilegalitet për 12 vjet.

Radovan Karaxhiç rrezikon të dënohet me 101 vjet, pasi të përballet me akuzat në Gjykatën e Hagës.

Vendimi për ekstradimin drejt Hagës, të ish-udhëheqësit të serbëve të Bosnjës, pritet që të merret ditën e premte.

Avokati i Karaxhiçit, Svetozar Vujaçiç, ka deklaruar se klienti i tij do të mbrohet vetë në Gjykatën e Hagës.

Amerika kishte ofruar 5 milionë dollarë për kokën e Radovan Karaxhiçit dhe atë të Ratko Mlladiç.

Karaxhiç prej disa kohësh jetonte shumë afër Beogradit dhe punonte në një ambulancë si mjek, me emrin Dragan Dabiç.

Kisha ortodokse ka luajtur rolin e mbështetëses së Radovan Karaxhiçit, duke e strehuar në manastir nga viti 2003-2007.

Radovan Karaxhiç zotëron 4 profesione. Ai njihet edhe si mjek, edhe si poet, si politikan dhe si ushtarak.


Avokati i Karaxhiçit, Svetozar Vujaçiç, ka deklaruar se klienti i tij do të mbrohet vetë në Gjykatën e Hagës.


Shkruar nga Etleva Delia

Gazeta: Tirana Observer
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Kur flet shpirti.

    Votat: 6 27.3%
  • 2-Buzëqeshje Maskuar.

    Votat: 12 54.5%
  • 3-Jam femër.

    Votat: 2 9.1%
  • 4-Je ti Nënë.

    Votat: 1 4.5%
  • 5-Ne duart e kohes.

    Votat: 1 4.5%
Back
Top