Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi hapi sot, në Prishtinë, konferencën e ministrave të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor, “Western Balkans 6”.
Ai pasi përshëndeti dhe uroi mirëseardhjen e komisionerit të Bashkimit Evropian për Politikë të Fqinjësisë Evropiane dhe Negociim të Zgjerimit, Johanes Han, dhe të ministrave e drejtorëve dikasteresh nga vendet e rajonit, i informoi ata me zhvillimet në Kosovë dhe synimin e saj që bashkë me vendet e tjera të bëhet sa më shpejt pjesë e familjes së Bashkimit Europian.
Në veçanti ai përkujtoi se kjo konferencë vjen pas konferencës së Berlinit, të organizuar nga kancelarja gjermane, Angela Merkel, me synim nxitjen e bashkëpunimit ekonomik mes vendeve të rajonit dhe se sot zyrtarët këtu do të diskutojnë projektet konkrete ekonomike të karakterit rajonal, me theks të veçantë në investimet në infrastrukturë, ndërsa të gjitha vendet do të jenë të përfaqësuara në nivel të barabartë.
Ministri Thaçi po ashtu theksoi rëndësinë e ndërtimit të infrastrukturës që do të lidhte vendet e rajonit, ku mosmarrëveshjet ishin produkt i mosnjohjes dhe se rrugët e hekurudhat do të ndihmojnë të heqim paragjykimet dhe të punojmë bashkërisht për të mirën e popujve që përfaqësojmë dhe për rajonin.
Thaçi ka thënë se Kosova e ka vendin në BE dhe do të vazhdojë të kontribuojë në stabilitetin rajonal dhe se kjo konferencë është një hap më tutje në arritjen e këtij qëllimi.
Komisionari Hahn, në konferencë shprehi gatishmërinë e BE-së për të investuar në infrastrukturën rrugore e hekurudhore, që do të afrojë vendet e popujt e rajonit dhe këta bashkë me Bashkimin Europian. Ai përmendi projekte konkrete.
Konferenca “Western Balkans’ 6” po i zhvillon punimet në “Swiss Diamond Hotel”, në Prishtinë.
Në konferencë po merr pjesë edhe ministri serb i Punëve të Jashtme Ivica Daçiq.
Pjesëmarrësve në konferencë përmes një video-mesazhi iu drejtua edhe Komisionerja Evropiane për Transport, Violeta Bulc.
Komisionerja e BE-së për Transport, Violeta Bulc, nëpërmjet një video-mesazhi ka kërkuar nga ministrat e tubuar në Prishtinë që të gjejnë një zgjidhje të mirë në investimin e rrjetit bazë infrastrukturor të rajonit.
Ajo shtoi se kjo do të mundësojë liri të lëvizjes dhe zhvillim ekonomik.
Bulc ka kërkuar kalime kufitare të integruara në rajon/gazetaexpress.com