Nga Edmond Tupja / Dy data për të mos u harruar
Marsi, ky muaj që, andej nga fundi i tij, sjell pranverën, ka dy data të veçanta që lidhen drejtpërsëdrejti me fëmijët e të rinjtë, dy data që nuk mund të harrohen lehtë, që festohen tradicionalisht në vendin tonë. Së pari, e kam fjalën për 8 Marsin, Ditën Ndërkombëtare të Gruas, pra, të asaj që sjell në jetë fëmijët, vajza apo djem qofshin, që i rrit ato dhe ata me një dashuri e përkushtim të veçantë, që teksa i rrit kësisoj, u jep elementet e para, themelore, të edukatës në familje e në shoqëri.Për një kohë të gjatë, sidomos në Shqipërinë komuniste, kjo datë është konsideruar si Festa e Gruas; shqiptaret e asaj kohe mblidheshin lokaleve me shoqja-shoqen dhe hanin, pinin e kërcenin, pastaj, të nesërmen jeta për ato vazhdonte si më parë: tetë orë në punë për të fituar bukën e gojës dhe tetë orë në shtëpi ku, me ose pa ndihmën e burrave, rropateshin – laj, fshij, gatuaj e merru me fëmijët – deri në atë pikë sa të vinte keq t’i shihje kur të nesërmen shkonin në punë të paçlodhura mirë.
Sigurisht, edhe në vendin tonë, më 8 Mars në dyqanet e luleve ka burra që mbajnë radhë për t’u blerë buqeta të mrekullueshme bashkëshorteve; sigurisht, më 8 Mars pastiçeritë bëjnë xhiro të madhe, ngaqë ka burra të cilët porositin torta apo të tjera ëmbëlsira të mrekullueshme për bashkëshortet; sigurisht që e njëjta dukuri vërehet tek argjendaritë, ku të dashuruarit u blenë të dashuruarave stoli të rralla, por kjo nuk mjafton, përkundrazi krijon iluzionin se mjafton t’i bësh bashkëshortes ose të dashurës një dhuratë të shtrenjtë për 8 Marsin apo për ditëlindje dhe, si me një të rënë të shkopit magjik, ndërgjegjja jote shkëlqen sërish si rreze dielli, ndërkohë që jo rrallëherë ti e ke keqtrajtuar atë, ndoshta edhe e ke dhunuar fizikisht apo psikologjikisht.Edhe sot, pavarësisht ndërgjegjësimit deri diku të njëfarë shoqërie civile lidhur me të drejtat e shqiptareve dhe luftën kundër dhunës në familje e diskriminimit gjinor, rrallë herë të zë syri protesta masive të grave, sepse ende nuk është çrrënjosur në shoqërinë tonë mashkulliste ideja se 8 Marsi nuk është ditë feste, por ditë protestash e veprimtarish të tjera për mbrojtjen e të drejtave të tyre, sepse shpesh edhe në mjaft vende të tjera, madje më të emancipuara se yni, gratë shpesh ndihen “një ditë në vit të mikluara, 364 ditët e tjera të shfrytëzuara”.
Por kur gruaja bëhet edhe mësuese apo pedagoge, edhe nënë, atëherë lidhja midis 7 e 8 Marsit, si dy ditë të njëpasnjëshme të shënuara për shoqërinë shqiptare, merr plotësisht kuptimin e saj më të thellë dhe duhet ta nxitë popullin tonë që këto dy data të mos i harrojë kurrë në emër të brezave të tij të ardhshëm, të cilëve, siç do të shprehej Gandi, ua ka marrë hua këtë vend.Së dyti, e kam fjalën për 7 Marsin, Ditën e Mësuesit, pra të atij që u jep dije e edukatë fëmijëve që në klasën e parë fillore e deri sa mbaron studimet e mesme dhe / ose të larta. Qysh në kohët e errëta të sundimit gjysmëshekullor otoman në vendin tonë, rilindasit e vunë theksin tek të mësuarit e gjuhës shqipe si mjet edukimi për të mbajtur gjallë brez pas brezi gjithashtu dashurinë për atdheun, sepse gjuha amtare është bërthama e cila i zgjat jetën një kombi që respekton vetveten para se të respektojë të tjerët, çka e bën atë të respektohet edhe nga të tjerët.
b;Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 153