Nga Anderson MARKU: Shfaqje të ndryshme me regjisor të njëjtë

Soulmind

~She wanted the whole world or nothing~
Themelues
Sulmet terroriste tashmë janë kthyer në modë. Kryeqendrat e politikës botërore, vendet ku zihen fatet e popujve, po sulmohen vazhdimisht. Provokime politike, kurthe të sofistikuara, faturat e të cilave i paguajnë njerëzit e pafajshëm. Sulmi i radhës ishte ai i Brukselit, mëngjesin e djeshëm, ku mbetën të vrarë 34 persona dhe u plagosën rreth 130 të tjerë në katër shpërthime të ndryshme. Ngjarje të tilla janë akte të pastra terroriste, dhe fajtorët duhet të marrin ndëshkimin e merituar. Lidhur me këtë ngjarje, por edhe me ato të ngjashmet para pak ditëve, u shpreh ngushëllimet e mia familjarëve të të ndjerëve. Vepra të tilla mos u përsëritshin më askund!

Kush e kreu një vepër të tillë? Një pyetje retorike, përgjigjen e së cilës e dinë të gjithë, pasi është bërë e modës tashmë, dhe gishtat drejtohen drejt një subjekti të vetëm: ISIS. Po kush është ISIS-i? Islami? Ky është paragjykimi më banal dhe më i padrejtë që njerëzit të cilët luajnë interesa të mëdha ju ngulisin në kokë masave. “Gjatë sulmit dëgjohej të thuhej: Allahu Ekber,” apo “dyshohet që atentatorët të kenë qenë aziatikë me emrat Ahmed ose Muhammed,” janë prej frazave më të rëndomta të përdorura pothuajse në çdo medium mediatik ku flitet rreth sulmeve të tilla. Pse? Për të njollosur Islamin dhe denigruar muslimanët.

Kush fiton nga një sulm i tillë? Muslimanët? Assesi! Madje janë ata që humbasin më shumë. Islamofobia rritet ndjeshëm, ndërsa toleranca ulet në limitet e saj. Fitojnë ata që duan të mbjellin frikë dhe terror në zemrat e njerëzve, ujkonjat e pashpirtra që duan të fitojnë të mira materiale në kurriz të gjakut të derdhur ose duan të shtojnë urrejtjen ndërmjet grupeve me besim, racë apo ide të ndryshme. Fitojnë shërbimet informative dashakeqe. Fitojnë kriminelët dhe horrat. Islami dhe muslimanët jo.

Sulme të tilla synojnë rritjen e islamofobisë në Europë, valë e cila kanë nisur me kohë, shtimin e pasigurisë ndër njerëz, instalimin e metodave të frikës, ankthit dhe terrorit në mendjet e masave. E thënë ndryshe, nëpërmjet sulmeve të tilla legjitimohen dhuna dhe aktet barbare ndaj popullit. Armiku dihet: një dordolec i ngritur me aq finesë nga shpirtprishur dhe naivë, sa shumëkush që kalon aty pranë tij beson se është prej vërteti.

Terrorizmi nuk ka fe, as komb, as racë. Ka shpirtzinj, dashakeqës, interesaxhinj, hipokritë. Një vepër e tillë e kryer nga një musliman nuk është as më e rëndë dhe as më e lehtë se një e tillë e kryer nga një kristian, çifut apo ateist, dhe e anasjellta. Dënim maksimal për veprën dhe autorin, jo sulm apo gjyq masiv për një besim apo fe të tërë, cilado qoftë ajo. Terrorizmi nuk njeh standarde, dhe solidarizimi me viktimat e tij duhet të jetë në çdo rast. Jeta e nje belgu, francezi, anglezi apo gjermani nuk vlen as më shumë e as më pak se e një turku, palestinezi, afgani, irakiani apo burmezi.

Por përderisa autorët e këtyre akteve i harrojnë mjetet e tyre të identifikimit në vendngjarje, “terroristët” janë të identifikuar. Gjetja në vendngjarje e pasaportës siriane pranë një terroristi të vrarë në Paris më kujton gjetjen e pasaportës saudite të padëmtuar nga zjarri që shkriu çelikun e gradaçelave në sulmet kriminale të 11 shtatorit 2001, në SHBA, e po ashtu mjetet e identifikimit të gjetura në sulmin e zyrës së Charli Hebdo-së në janar të 2015-ës në Paris. Nuk do vonojë shumë kjo estradë as në ngjarjen e rëndë të Brukselit. Shfaqje dhe aktorë të ndryshëm me regjisor të njëjtë.

Kjo telenovelë sulmesh i ngjason serialit italian “100 vitrinat”, të cilit i dihet fillimi, por jo fundi. Fundi mund t’i jepet vetëm duke u njohur me zanafillën dhe thelbin real të problemit, jo me kapjen pas degëve të sajuara nga dashakeqësia. Njohja e problemit është gjysma e punës. Pjesa tjetër është zgjidhja, e cila mund të arrihet me sukses nëpërmjet mirëkuptimit, informimit të duhur dhe diskutimit objektiv e të gjerë. /tesheshi.com/
 
Back
Top