Në Pezë me DJ

Soulmind

~She wanted the whole world or nothing~
Themelues
Gazetarja e mëngjesit në Vizion+ i thoshte menaxherit Olsi Sulejmani se pa muzikë nuk ka kuptim një festë. Ai aprovonte me të drejtë, sepse një festë përndryshe do të dukej mort, si dhe duhej të ngjante përkujtimorja e Konferencës së Pezës.

Qysh kur Edi Rama erdhi prej Parisi, Peza i ngjan një farë harbimi masovik, që ka tentuar herë të ishte plagjiaturë e Woodstock-ut, herë e tubimeve me muzikë elektronike në Holandë a Kroaci. Nuk ka asgjë të keqe nëse do të gëzohej një herë apo dy herë në vit në këtë mënyrë, dhe ndjekësit e rock-ut apo elektronikës të hazdiseshin. Puna qëndron te fakti se kjo ngjarje, konteksti i saj historik, është gjëmë kombëtare, dhe nuk ka kurrfarë arsye për të qenë të lumtur, aq më shumë tre ditë me radhë, si e cyt Bashkia e Tiranës.

Më qëllon që këtë shkrim ta bëj çdo vit, çdo shtator, dhe askush nuk ma vë në pullë. Kjo tashmë është e qartë. Festa është një rast për nostalgjikët e Enver Hoxhës që të ngrenë lart foton e tij, është një rast për do politikanë dritëshkurtër që ngrenë vjedhurazi grushtin dhe vendosin shallin e pionierit, e më tej rreth zjarrit partizan luan DJ-i apo zhurmon heavy metal.

Konferenca e Pezës është dështim, është abort historik!

Enver Hoxha në këtë mbledhje ishte i barazvlefshëm me Myslym Pezën, por, mbi të gjitha, me Abaz Kupin. Për këtë antifashist të jashtëzakonshëm, për këtë njeri që organizoi rezistencën e armatosur ndaj pushtimit italian, ku la jetën Mujo Ulqinaku, në rastin më të mirë nuk flasim, e në rastin më të keq e denigrojmë figurën dhe kontributin e tij të pakrahasueshëm në Luftën e Dytë Botërore.

Kjo është konferenca e Aziz اamit, Halim Begesë, Haxhi Lleshit, Ismail Petrelës, Mustafa Xhanit, Myslim Pezës, Ndoc اobës, Ramazan Jaranit, Skënder Jegenit dhe Skënder Muços. Nga Partia Komuniste morën pjesë Ymer Dishnica, Mustafa Gjinishi, Koço Tashko, Enver Hoxha, Nako Spiru dhe Nexhmije Xhuglini. A e di njeri që kryetar i kësaj konference u zgjodh Ndoc اoba? Apo, sekretar, Mustafa Gjinishi?

Jam i bindur që organizatorët e haresë janë mjaftuar me filmin “Shtigje lufte” dhe me hundën e Kananit. Konferenca tentoi bashkimin kombëtar, por ajo u tradhtua më pas nga komunistët, të udhëhequr nga jugosllavët, ashtu siç ndodhi me Konferencën e Mukjes, ndaj rezistenca degjeneroi në luftë civile. Ajo është një rast i humbur në histori, një gur i vendosur në udhën e gjatë të fatkeqësisë kombëtare.

Ndaj në Pezë nuk ka pse të ketë punë menaxheri muzikor Olsi Sulejmani. Atje mund të shkojnë historianët, të ngrenë debatin; festa le të shtyhet për ditën e verës, vjeshtës, dimrit.

Sot qarkullon një raport i OSBE-së, ndërsa është shtuar trysnia e huaj për të dekriminalizuar klasën politike. Klasa politike, komentatorët e shtypit, habiten si ka bërë vaki që në Kuvend kemi gjithë ata banditë. Kujtesa historike na thotë se këta të sotmit janë vijueshmëria e të djeshmëve.

Përse, Avni Rustemi ka qenë ndonjë farë burri për ta nderuar me një alamet sheshi në qendër të Tiranës? Kajo Karafili a ishte vrasës me pagesë derisa Baba e futi në çetë dhe e shndërroi në luftëtar? Mehmet Shehu a terrorizoi Shkodrën e Postribën? Shqiptarët përherë kanë zgjedhur cubat për t’i udhëhequr, ndaj edhe kësaj here nuk kanë bërë përjashtim.

Ndaj, të përkujtosh me tupana treditore festën e Pezës do të thotë të jesh i ndërgjegjshëm se po vadit një histori të manipuluar prej atyre që janë sot themeli i këtij sistemi kriminal që lëviz gurët e Shqipërisë. Nuk po ndalem te përdhosja që i bëhet kujtimit të viktimave që i hoqi qafe Shabani e Kanani i filmit dhe i vazhdoi me vullnet të hekurt shoku Enver.

Gjithsesi, ritmet e DJ-ve, grupeve të rock-ut, nuk do ndalin, sepse, varja, kush do me ia ditë se çfarë halli po ngjizej në 16 shtatorin e largët të vitit 1942. Të hidhemi përpjetë tre ditë dhe të bëhemi dru! Ditë të tjera paskëtaj vijnë.

Nga Enkel Demi. /tesheshi.com/
 
Back
Top